
Nga Hysen S. Dizdari
Studiues i Filatelisë Shqiptare/
KUSHTUAR HEROIT TË POPULLIT BAJRAM CURRI
Me rastin e 100 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë, më 27 Nëntor 2012, Posta e Kosovës emetoi një emision me pulla postare të emërtuar “100 VJET SHTET”.
Pulla postare e këtij emisioni paraqet tri nga figurat më të Ndritura të Kombit Shqiptar: të Bajram Currit, të Hasan Prishtinës e të Isa Boletinit, të cilët, jo rastësisht, e kanë origjinën e tyre nga trojet e lashta shqiptare të Dardanisë, pra nga Kosova e sotme heroike. Në vitet 1908 – 1912 këta tre atdhetarë bashkëpunuan ngushtë me patriotët e tjerë shqiptarë si: Ismail Qemali, Nikollë Kaçorri, Luigj Gurakuqi, Mehdi Frashëri, Lef Nosi, Rexhep Mitrovica, Dhimitër Berati, Murat Toptani, Thanas Flloqi, Nebi Sefa e të tjerë. Ky bashkëpunim i këtyre mbi 40 Burrave Atdhetarë Shqiptarë, firmëtarë të dokumentit të Shpalljes së Pavarësisë, ishte si ai i kohës së Lavdishme të Gjergj Kastriotit Skënderbeut më 2 Mars 1444, në Besëlidhjen e Lezhës, duke e Shpallur Pavarësinë e Shqipërisë, më 28 Nëntor 1912.
Për të nderuar këtë ngjarje të madhe historike të Kombit Shqiptar, Posta e Kosovës me të drejtë e ka emërtuar këtë emision me pulla postare: “100 VJET SHTET”.
Ky emision dhe kjo pullë postare ka vlerën tarifore : 1 Euro, dhe është pasqyruar e kataloguar edhe në Katalogët e pullave postare më të njohura të Evropës dhe botës si në katalogun -Michel/MO:237 dhe në atë -Yvert et Tellier/MO:124. Prandaj ky emision me pulla postare ka rëndësi të madhe historike dhe kulturore, sepse pullat postare vendosin gurët kilometrikë në historinë e popujve dhe të kombeve të ndryshme. Në këtë emision pasqyrohen edhe vlera të mëdha ideore e artistike, sepse në një pullë postare në përmasa të vogla (në disa cm) paraqiten të bashkuar, tri nga figurat më të mëdha Patriotike të Kosovës dhe Kombit Shqiptar: Bajram Currit, Hasan Prishtinës e Isa Boletinit.
Kjo pullë postare shpreh edhe Idenë e Madhe për të cilën punuan dhe luftuan këta tre atdhetarë, na jep idenë e bashkimit Kombëtar të Shqiptarëve kudo që ndodhen pa dallime ideje, krahine dhe feje, ashtu siç u bashkuan princat shqiptarë në kohën e Motit të madh të Gjergj Kastriotit Skënderbeut.
Në sfond kësaj pulle paraqitet Flamuri Kombëtar Shqiptar, me shqiponjën dykrerëshe dhe ngjitur me flamurin është Akti i Pavarësisë së nënshkruar nga mbi 40 patritotët shqiptarë, më 28 Nëntor 1912.
Ky emison me pulla postare është një nga emisionet më të bukura dhe të vlerësuara të pullës postare të Kosovës nga shqiptarët dhe të huaj kudo në botë, sepse shpreh vlerat më të larta kulturore, artistike dhe historike të popullit të lashtë shqiptar të Kosovës dhe të të gjithë Shqipërisë dhe përçon urat e miqësisë e bashkëpunimit midis popujve dhe kombeve të ndryshëm në mbarë botën.
Prandaj duhet t’i jemi mirënjohës edhe autores së kësaj pulle postare, znj. Hyrije Ademi për punën e saj profesionale në kompozimin artistik dhe për vlerat ideore dhe kombëtare që mbart kjo pullë.
Në kohën e sotme, kur zhvillimi i shkencës dhe i teknologjisë po ecën shumë përpara, pasioni i bukur i koleksionimit të pullave postare po venitet.
Prandaj është detyrë historike e Postës Shqiptare dhe e Postës së Kosovës që çdo vit të planifikojnë dhe të organizojnë më shumë promovime dhe ekspozita filatelike të përbashkëta, në shkallë kombëtare që të nxitin filatelistët (koleksionisët) për të koleksionuar, studiuar, shkruar e botuar më shumë libra mbi artin dhe shkencën e bukur të filatelisë shqiptare (në të dy shtetet) në Shqipëri dhe Kosovë. Por një rëndësi të veçantë duhet t’i kushtojnë kujdesit për të ngjallur, rritur dhe forcuar tek brezi i ri i sotëm pasionin e bukur të studimit e koleksionimit të pullave postare duke filluar me organizimin e ekspozitave filatelike nëpër shkollat 9 vjeçare dhe ato të mesme si në Kosovë dhe në Shqipëri, sepse brezi i ri, te pullat postare do të gjejnë dhe do të mësojnë vlerat tona kulturore, artistike dhe historike Kombëtare, pavarësisht që sot jetojmë në dy shtete, por që i përkasim të njëjtit Komb.
PRA, NË KËTË VIT JUBILAR :
NË 620 VJETORIN E LINDJES SË HEROIT TONË KOMBËTAR SKËNDERBEUT,
NË 582 VJETORIN E NGRITJES SË FLAMURIT KOMBËTAR SHQIPTAR
NË KALANË E KRUJËS,
NË 113 VJETORIN E SHPALLJES SË PAVARËSISË,
NË 100 VJETORIN E VRASJES SË HEROIT TË POPULLIT BAJRAM CURRI,
NË 92 VJETORIN E VRASJES SË HEROIT TË POPULLIT HASAN PRISHTINA,
NË 109 VJETORIN E VRASJES SË HEROIT TË POPULLIT ISA BOLETINI,
KËRKOHET QË TË DY SHTETET TONA TË PUNOJNË ME MOTON E VËLLEZËRVE FRASHËRI:
– NJË KOMB –NJË IDE –NJË FE–NJË QËNDRIM-
si në marrëdhëniet Kombëtare, ashtu edhe ato Ndërkombëtare.
Me këtë raste Ju Uroj të gjithë Shqiptarëve në të gjithë botën, me tekstin e një kënge kushtuar Heroit të Popullit Bajram Currit:
Pushkt e para që kan kris
N’Krumë të Hasit luftë është nis
Luftë e rrept me bajraktar
Luft e madhe me tradhtar.
Kush luftoi n’at majë t’gurit
Me shtat zemra Bajram Curri
Kush luftoi n’at majë t’kepit
O trimat tonë kundra mbretit.
O me vrap qeni kush po ik
Bajraktari më do zabit
Bajraktari ish kan i zi
Për do pare ik n’Serbi .
Kush luftoi për t’mirën tonë
Bajram Curri të tan thojnë
Ai luftoi për fukaranë
O për drejtësi e për vatanë.
O Bajram Curr mor trim, o burr
Emni yt s’harrohet kurrë
Populli i Hasit n’shenjë kujtimi
Lapidar i ngre ktij trimi
Se e pat lanë me gojë të tij
O n’Krumë të Hasit n’dhé me shti.
O bjeshkë e male rreth e qark
Se harrojnë atë bajrak
Se harrojnë at porosi!