ME PASIONIN TIM, MOS QOFTË ASKUSH!/
Fëmijëria ime s’pati babanë pranë,/
për dhjetë vjet./
Qielli më dërgonte shi./
Toka më dhuronte lot./
Mes shtatë sqepave të zogjve,/
gojëhapur ditë e net,/
buka e nënës nuk arriti/
të më ushqente dot…/
Fillova të vizatoj njerëz,/
për të nxjerrë ndonjë kaush.
Me pasionin tim për t’u rritur shpejt,
mos qoftë askush!..
Mora malet,
derisa më pranoi një ahishte në pyje,
nga ku gjethet vjeshtore
çonin fjalët e mia të mallit.
Aty u vëllazërova me çdo dru
që më bënte hije,
pasi lash pranë detit vëllezërit
dhe psherëtimat e zallit.
Letrat e nënës i bënte era gjethe
brigjeve me gëmush.
Me pasionin tim në punë të rënda,
mos qoftë askush!..
Djalërinë ma burrëroi
një Elenë e Trojës korçare,
në luftën për shkakun e dy feve
tona të ndryshme.
Ashtu, si Paridi, bir mbreti,
pasi e rrëmbeva për fare,
durova, si bir deti, dallgë
presionesh të stuhishme.
Elenën e desha si lisi,
pjergullën e vet me rrush.
Me pasionin tim në dashuri,
mos qoftë askush!…
Shfletova stivat e dispensave
nga të gjithë shekujt letrar.
Dhe u fala viteve,
gjumin bashkë me flokët e dendur.
Pas dy diplomave,
sfilita trurin për t’u njohur shkrimtar.
Derisa u ula në karrige druri,
mes njerëzve të mençur.
Librat e mi kishin dallgë Joni,
gjethe ahu dhe dushk.
Me pasionin tim në krijimtari,
mos qoftë askush!…
Gjurmët e mia nisën zanafillën
nga mali jugor në Finiq,
dhe shkuan deri te pllangat e akujve
në Alpet verior.
Nuk besoj të ketë ngrënë njeri
në jetë aq shumë fiq,
sa kam jetuar ngjarje
dhe kam njohur tipa njerëzor.
Fjalët e zemrës më kanë mbetur
në çdo mal dhe fushë.
Me pasionin tim përkushtuar miqve,
mos qoftë askush.
Fytyra që më qëndisi nëna me merak,
si të parin e djemve,
kam arsye të shpresoj se do mbetet
në vegime internetike.
Kur të vjelin njerëzit frutat qiellore
në degët e këtyre pemëve,
besoj do gjejnë dhe imazhin tim
në bërthamat elektronike.
Tani rend rrafshinave të kompjuterit,
derisa të vdes plakush.
Me pasionin tim në fraza dhe metafora,
mos qoftë askush!…
GRUA MË E LIGA, MË E MIRA NGA TË GJITHA
Grua, ti je më e liga dhe më e mira nga të gjitha,
sepse kur gabimin e kam pasur unë e të drejtën ti,
fajin shpesh e kemi ndarë përgjysmë nga dëshira,
të puthemi, sikur s’ka ndodhur asgjë me ne të dy.
Britmat i kemi mbytur mes dhëmbëve të njëri-tjetrit
të dukemi në lagje sikur po bëjmë pëshpëritje lutjesh.
Shtratin kemi pasur si varkën e vetme në mes të detit,
ku dallgët e jetës i kemi përzier me furtuna puthjesh
Me ke vështruar shtrembër pa folur një javë bashkë,
kur ke pikasur ndonjë buzagaz me bukuroshe të ëmbla.
Të kam përgjuar dy javë, kur dikush të vinte përqark,
dhe prapë i kemi fshirë si gjethe vjeshte nga mendja.
Kur nuk ke dashur kurrsesi të shtosh fëmijë të tjerë,
kam përdorur padrejtësisht përdhunën në dashuri.
Por ka ndodhur, pas lindjes së ngjizur me aq sherr,
beben e kemi mëkëmbur bashkë me shumë përkëdheli.
Me ke mallkuar si burrë pa kujdes në të shpenzuar
dhe më ke lavdëruar më shumë nga sa vlej si njeri.
Të kam sharë kot, për ngjasim negativ të trashëguar,
dhe të kam ngritur lart për kujdesin tënd me fëmijë.
Jemi nxituar dikur të kërkojmë deri në gjykatë divorcin,
por i kemi grisur lutjet, thjesht si gazeta për ambalazh.
Natën më ke kërkuar buzët dhe të kam kërkuar gjoksin,
sikur pas kurorëzimit të ri, jemi martuar rishtas bashkë.
Grua, më e liga, më e mira nga gjithë gratë në botë,
tek unë ti ke shpirtin, tek ti unë kam ekzistencën e plotë…
FATKEQËSIA E VESHËVE PA KAPAK
Veshët ndjehen organi
më fatkeq i trupit të njeriut
dhe shpesh mallkojnë
qenien e tyre thuajse pa fat,
që s’janë njësoj si goja,
si sytë e mbrojtur vetiu,
krijuar nga zanafilla
për t’u mbyllur me kapak.
Megjithëse, veshët
kanë shansin e parë organik,
të kapin fjalët më të ëmbla
kushtuar dashurisë,
t’ia çojnë sinjalet trurit,
që urdhëron receptorët erotik,
të magjepsen ndjenjat
me emocionet e lumturisë.
Kur ai, ose ajo thotë:
O shpirti im, sa fort të dua!
veshët bëhen si fije peri,
në përgjim të pëshpërimës
ta shpien te zemra
me gjëmim të shumëfishuar,
siç bëjnë veshët e maleve
me jehonën e oshtimës.
Sidomos kur dashuria
rënkon me ofshama kënaqësie,
veshët dehen në ekstazën
e frymëmarrjes së rëndë,
njësoj sikur thithin me ëndje
notat e një melodie,
me valë drithëruese
nga më e këndshmja këngë…
Pastaj, teksa buçasin
dy zanoret e para të foshnjës,
kur pas nëntë muajve natë,
agon nga barku i nënës,
veshët tendosen si dy krahët
e zgjatur të shqiponjës,
që presin një top drite
rënë nga vezullimi i hënës.
Por fatkeqësinë e vërtetë
të qenies së tyre pa kapak,
veshët e ndjejnë, kur
gojëfëlliquri lëshon breshëri,
fjalorin e tij vulgar
me banalitet shëmtarak,
dhe ata nuk mbyllen dot
automatikisht kurrsesi.
Ashtu siç janë të detyruar
të lejojnë dialogun e sherrit,
të depërtojë përmes tyre,
nga fillimi, në çastin e fundit,
kur njëri ikën i dëshpëruar,
tjetri stepet prej tmerrit,
apo nga krisma përmbyllëse
e gjakderdhjes së plumbit…
Në këto raste, sytë ulin qepenat
të mbyllet pamja përqark.
Goja kyç dyert të mos dalin
fjalët e rrezikshme kuturu.
Ah, sikur të kishin
dhe veshët të tillë kapakë,
të shmangte njeriu i gjorë
hyrjen e provokimit fatal në tru!…
BASHKË NË ÇDO ORBITË
Nëse disa ditë s’të vjen
mesazh në celular,
dije se jam kthyer
në këngë bilbili.
Hap dritaren të dëgjosh
në pemët vërdallë,
zërin tim të blertë
me fëshfërima pylli!
Nëse disa ditë nuk lexon,
emrin tim të shkruar,
diku mbi vargje,
apo në rreshtat e krijimit,
shiko mes dy malesh,
ku dielli ka ndriçuar
shkronjën e parë “V”
me rrezet e agimit.
Nëse disa ditë nuk shfaqem
te muri në internet,
dije se jam kthyer
në valë elektronike.
Hap monitorin e shpirtit
të më kesh aty ku je vet,
të përqafohemi sërish,
si nëpër netët magjike.
Pra, dije se nuk shkëputem
dot nga tërheqja jote
nga vlaga fuqidhënëse
që më japin buzët e tua.
Edhe sikur të na ndajnë
nga vërtitja e kësaj bote,
në dy hapësira planetësh,
unë prapë ty do të dua.
Oh, qofsha në gravitet
të përjetshëm me ty,
që të desha me të tëra
grimcat e shpirtit njerëzor!
Dhe paçim në tërheqjen
magnetike atë megafuqi,
që mban të pashkëputur
orbitat e dy trupave qiellor!…
PUTHJET NËPËR ËNDRRA
Kur adoleshencës
po i shkoja në skaj,
bota më thërriste
horizonteve tutje.
Vajzat më dukeshin
mrekullia e saj,
dhe netëve me to
ëndërroja puthje.
Gjatë asaj kohe
putha vajza dhe nuse,
nga më të bukurat
që kishte bota filmike.
Në perde kinemaje
putha artistet ruse:
Zvjetllanën, Ljudmillën,
Tatjanën magjike.
Putha Luçien, Nailen,
Pagarushën, Anitën,
me zërat drithmëtar
të zogëzave të pyllit.
Putha aktore Tinkën,
Violetën, Margaritën,
që më luanin brenda
skenës së shpirtit.
Po kur putha të parën
bukuroshe në realitet,
m’u duk se kish te buzët
gjysma hëne në vezullim.
Shkrepi një vetëtimë,
sikur putheshin retë
dhe u dehëm sqep më sqep
si dy fajkonj në fluturim…