• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

I FTUAR NE SOFREN POETIKE TE DIELLIT, VULLNET MATO

July 11, 2013 by dgreca

ME PASIONIN TIM, MOS QOFTË ASKUSH!/

Fëmijëria ime s’pati babanë pranë,/

për dhjetë vjet./

Qielli më dërgonte shi./

Toka më dhuronte lot./

Mes shtatë sqepave të zogjve,/

gojëhapur ditë e net,/

buka e nënës nuk arriti/

të më ushqente dot…/

Fillova të vizatoj njerëz,/

për të nxjerrë ndonjë kaush.

Me pasionin tim për t’u rritur shpejt,

mos qoftë askush!..

Mora malet,

derisa më pranoi një ahishte në pyje,

nga ku gjethet vjeshtore

çonin fjalët e mia të mallit.

Aty u vëllazërova me çdo dru

që më bënte hije,

pasi lash pranë detit vëllezërit

dhe psherëtimat e zallit.

Letrat e nënës i bënte era gjethe

brigjeve me gëmush.

Me pasionin tim në punë të rënda,

mos qoftë askush!..

Djalërinë ma burrëroi

një Elenë e Trojës korçare,

në luftën për shkakun e dy feve

tona të ndryshme.

Ashtu, si Paridi, bir mbreti,

pasi e rrëmbeva për fare,

durova, si bir deti, dallgë

presionesh të stuhishme.

Elenën e desha si lisi,

pjergullën e vet me rrush.

Me pasionin tim në dashuri,

mos qoftë askush!…

Shfletova stivat e dispensave

nga të gjithë shekujt letrar.

Dhe u fala viteve,

gjumin bashkë me flokët e dendur.

Pas dy diplomave,

sfilita trurin për t’u njohur shkrimtar.

Derisa u ula në karrige druri,

mes njerëzve të mençur.

Librat e mi kishin dallgë Joni,

gjethe ahu dhe dushk.

Me pasionin tim në krijimtari,

mos qoftë askush!…

Gjurmët e mia nisën zanafillën

nga mali jugor në Finiq,

dhe shkuan deri te pllangat e akujve

në Alpet verior.

Nuk besoj të ketë ngrënë njeri

në jetë aq shumë fiq,

sa kam jetuar ngjarje

dhe kam njohur tipa njerëzor.

Fjalët e zemrës më kanë mbetur

në çdo mal dhe fushë.

Me pasionin tim përkushtuar miqve,

mos qoftë askush.

Fytyra që më qëndisi nëna me merak,

si të parin e djemve,

kam arsye të shpresoj se do mbetet

në vegime internetike.

Kur të vjelin njerëzit frutat qiellore

në degët e këtyre pemëve,

besoj do gjejnë dhe imazhin tim

në bërthamat elektronike.

Tani rend rrafshinave të kompjuterit,

derisa të vdes plakush.

Me pasionin tim në fraza dhe metafora,

mos qoftë askush!…

 

GRUA MË E LIGA, MË E MIRA NGA TË GJITHA

 

Grua, ti je më e liga dhe më e mira nga të gjitha,

sepse kur gabimin e kam pasur unë e të drejtën ti,

fajin shpesh e kemi ndarë përgjysmë nga dëshira,

të puthemi, sikur s’ka ndodhur asgjë me ne të dy.

Britmat i kemi mbytur mes dhëmbëve të njëri-tjetrit

të dukemi në lagje sikur po bëjmë pëshpëritje lutjesh.

Shtratin kemi pasur si varkën e vetme në mes të detit,

ku dallgët e jetës i kemi përzier me furtuna puthjesh

Me ke vështruar shtrembër pa folur një javë bashkë,

kur ke pikasur ndonjë buzagaz me bukuroshe të ëmbla.

Të kam përgjuar dy javë, kur dikush të vinte përqark,

dhe prapë i kemi fshirë si gjethe vjeshte nga mendja.

Kur nuk ke dashur kurrsesi të shtosh fëmijë të tjerë,

kam përdorur padrejtësisht përdhunën në dashuri.

Por ka ndodhur, pas lindjes së ngjizur me aq sherr,

beben e kemi mëkëmbur bashkë me shumë përkëdheli.

Me ke mallkuar si burrë pa kujdes në të shpenzuar

dhe më ke lavdëruar më shumë nga sa vlej si njeri.

Të kam sharë kot, për ngjasim negativ të trashëguar,

dhe të kam ngritur lart për kujdesin tënd me fëmijë.

Jemi nxituar dikur të kërkojmë deri në gjykatë divorcin,

por i kemi grisur lutjet, thjesht si gazeta për ambalazh.
Natën më ke kërkuar buzët dhe të kam kërkuar gjoksin,

sikur pas kurorëzimit të ri, jemi martuar rishtas bashkë.

Grua, më e liga, më e mira nga gjithë gratë në botë,

tek unë ti ke shpirtin, tek ti unë kam ekzistencën e plotë…

 

FATKEQËSIA E VESHËVE PA KAPAK

 

Veshët ndjehen organi

më fatkeq i trupit të njeriut

dhe shpesh mallkojnë

qenien e tyre thuajse pa fat,

që s’janë njësoj si goja,

si sytë e mbrojtur vetiu,

krijuar nga zanafilla

për t’u mbyllur me kapak.

Megjithëse, veshët

kanë shansin e parë organik,

të kapin fjalët më të ëmbla

kushtuar dashurisë,

t’ia çojnë sinjalet trurit,

që urdhëron receptorët erotik,

të magjepsen ndjenjat

me emocionet e lumturisë.

Kur ai, ose ajo thotë:

O shpirti im, sa fort të dua!

veshët bëhen si fije peri,

në përgjim të pëshpërimës

ta shpien te zemra

me gjëmim të shumëfishuar,

siç bëjnë veshët e maleve

me jehonën e oshtimës.

Sidomos kur dashuria

rënkon me ofshama kënaqësie,

veshët dehen në ekstazën

e frymëmarrjes së rëndë,

njësoj sikur thithin me ëndje

notat e një melodie,

me valë drithëruese

nga më e këndshmja këngë…

Pastaj, teksa buçasin

dy zanoret e para të foshnjës,

kur pas nëntë muajve natë,

agon nga barku i nënës,

veshët tendosen si dy krahët

e zgjatur të shqiponjës,

që presin një top drite

rënë nga vezullimi i hënës.

Por fatkeqësinë e vërtetë

të qenies së tyre pa kapak,

veshët e ndjejnë, kur

gojëfëlliquri lëshon breshëri,

fjalorin e tij vulgar

me banalitet shëmtarak,

dhe ata nuk mbyllen dot

automatikisht kurrsesi.

Ashtu siç janë të detyruar

të lejojnë dialogun e sherrit,

të depërtojë përmes tyre,

nga fillimi, në çastin e fundit,

kur njëri ikën i dëshpëruar,

tjetri stepet prej tmerrit,

apo nga krisma përmbyllëse

e gjakderdhjes së plumbit…

Në këto raste, sytë ulin qepenat

të mbyllet pamja përqark.

Goja kyç dyert të mos dalin

fjalët e rrezikshme kuturu.

Ah, sikur të kishin

dhe veshët të tillë kapakë,

të shmangte njeriu i gjorë

hyrjen e provokimit fatal në tru!…

 

BASHKË NË ÇDO ORBITË

 

Nëse disa ditë s’të vjen

mesazh në celular,

dije se jam kthyer

në këngë bilbili.

Hap dritaren të dëgjosh

në pemët vërdallë,

zërin tim të blertë

me fëshfërima pylli!

Nëse disa ditë nuk lexon,

emrin tim të shkruar,

diku mbi vargje,

apo në rreshtat e krijimit,

shiko mes dy malesh,

ku dielli ka ndriçuar

shkronjën e parë “V”

me rrezet e agimit.

Nëse disa ditë nuk shfaqem

te muri në internet,

dije se jam kthyer

në valë elektronike.

Hap monitorin e shpirtit

të më kesh aty ku je vet,

të përqafohemi sërish,

si nëpër netët magjike.

Pra, dije se nuk shkëputem

dot nga tërheqja jote

nga vlaga fuqidhënëse

që më japin buzët e tua.

Edhe sikur të na ndajnë

nga vërtitja e kësaj bote,

në dy hapësira planetësh,

unë prapë ty do të dua.

Oh, qofsha në gravitet

të përjetshëm me ty,

që të desha me të tëra

grimcat e shpirtit njerëzor!

Dhe paçim në tërheqjen

magnetike atë megafuqi,

që mban të pashkëputur

orbitat e dy trupave qiellor!…

 

PUTHJET NËPËR ËNDRRA

 

Kur adoleshencës

po i shkoja në skaj,

bota më thërriste

horizonteve tutje.

Vajzat më dukeshin

mrekullia e saj,

dhe netëve me to

ëndërroja puthje.

Gjatë asaj kohe

putha vajza dhe nuse,

nga më të bukurat

që kishte bota filmike.

Në perde kinemaje

putha artistet ruse:

Zvjetllanën, Ljudmillën,

Tatjanën magjike.

Putha Luçien, Nailen,

Pagarushën, Anitën,

me zërat drithmëtar

të zogëzave të pyllit.

Putha aktore Tinkën,

Violetën, Margaritën,

që më luanin brenda

skenës së shpirtit.

Po kur putha të parën

bukuroshe në realitet,

m’u duk se kish te buzët

gjysma hëne në vezullim.

Shkrepi një vetëtimë,

sikur putheshin retë

dhe u dehëm sqep më sqep

si dy fajkonj në fluturim…

 

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: i ftuar, Me pasionin tim, mos qofte askush, ne sofren e Diellit, Vullnet Mato

Artikujt e fundit

  • Mary Camaj i bashkohet Vatrës
  • POETI PIERFRANKO BRUNI – FITUES I ÇMIMIT “NAIM FRASHËRI”
  • DERVISH HIMA PËR IL POPOLO ROMANO (1919) : “MAQEDONIA E ALEKSANDRIT TË MADH, QË DIKUR ISHTE VETËM NJË VEND SHQIPTAR, DUHET TË JETË NJË SHTET AUTONOM…”
  • Kryeministri Kurti takoi kandidatë shqiptarë të partive të ndryshme zvicerane në zgjedhjet federale të këtij viti
  • KILOMETRIKËT E PARESPEKTUAR
  • INJEKSIONET PËR HUMBJE PESHE: ZGJIDHJA ‘MAGJIKE’ QË MUND TË MOS ZGJASË GJATË
  • Kongresi i Dytë Çam
  • Rezistenca e shqiptarëve të sanxhakut të Nishit kundër pushtuesve serbë gjatë viteve 1877-1878
  • Refuzim
  • Turneu i shahistëve të komunitetit shqiptar në New York e më gjerë
  • Një mundësi e shkëlqyer në ndihmë të të gjithë shqiptarëve në New Jersey, New York e më gjerë
  • Marie Logoreci, kjo ikonë e artit skenik shqiptar, gruaja magjepsëse dhe epikia e rolit të nënës
  • “ALEKSANDËR” – KRONIKË E NJË LUNDRIMI TRAGJIK
  • NESËR NË ORËN 11.30 AM PRESIDENTJA E REPUBLIKËS SË KOSOVËS ZONJA VJOSA OSMANI VIZITON VATRËN
  • PRITJE MADHËSHTORE, VATRA NDEROI PRESIDENTIN E REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË Z.BAJRAM BEGAJ

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT