PSE PËR TË GARANTUAR SUKSES TË VETINGUT NË DEKLARATAT E AMBASADORIT TË SHBA , TË FMN DHE BANKËS BOTËRORE, PRONA DUHET SHTUAR SI PARAKUSHT PËR KRYEMINISTRIN EDI RAMA DHE KUPOLËN E POLITIKËS/
Nga Prof. Dr. Gëzim Boçari/
Askush nuk kundërshton se kriminelët duhen dënuar dhe se shtetin e bën ligji dhe i pari duhet “arresuar” dhe korrigjuar ligji i keq. “Prona private është garancia më e rëndësishme e lirisë.” – Friedrich A. Hayek, ekonomist dhe filozof i shquar dhe Fitues i Çmimit Nobel në Ekonomi…
Të drejtat e pronës janë “më themeloret e të drejtave të njeriut dhe një themel esencial për të gjitha të drejtat e tjera njerëzore.” – Milton Friedman, ekonomisti më me ndikim dhe Fitues i Çmimit Nobel në Ekonomi. “Programi i liberalizmit, nëse do të kondesohej në një fjalë të vetme, do të duhet të lexohej: prona, që do të thotë, pronësia private e mjeteve të prodhimit… Të gjitha kërkesat e tjera të liberalizmit rrjedhin nga kjo kërkesë themelore.” – Ludwig Von Mises, ekonomist dhe filozof i shquar që influencoi Hayek dhe Friedman.
- Për shkak se integrimi europian dhe aspiratat e njerëzimit janë rrënjosur fort në një angazhim të përbashkët ndaj vlerave universale të të drejtave të padhuneshme dhe të patjetërsueshme të njeriut, përfshi të drejtën për gëzimin dhe respektimin e pronës, të cilat kanë dëshmuar se janë themelore (rrënjësore/bazë) për të siguruar drejtësi, paqe, liri, sundim të ligjit dhe prosperitet, që janë gjithashtu vlera që shërbejnë si “shtylla e parë” për zgjerimin e Bashkimit Europian, realizohen vetëm nëse Kuvendi me ligj bën që të respektohet plotësisht e drejta e pronës në përputhje me detyrimet kushtetuese, Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut, Deklaratën Universale mbi të Drejtat e Njeriut dhe mbi disa koncepte ligjore të përcaktuara mirë në jurisprudencën e vendeve më demokratike.
- Shumë filozofë dhe ekonomistë të mëdhenj pranojnë se të drejtat e pronësisë kanë lindur nga konventat shoqërore, duke gjetur origjinën në moralin dhe ligjin natyror. John Locke, një nga filozofët që ka patur një ndikim të madh mbi demokracinë, në Traktatin e Dytë, pohon se shoqëria civile u krijua vetëm për mbrojtjen e pronës. Ai mbështetet për këtë në rrënjën etimologjike të fjalës pasuri, “property” në anglisht dhe që vjen nga latinishtja “proprius” që do të thotë ajo çka është e vetja, përfshi vetveten. Kështu, nga kjo, Locke thotë që “pronë” do të thotë “jetë, liri dhe pasuri”. Kjo do të thotë se kur i mohohet dikujt prona e tij, atij i mohohet jo vetëm pasuria (fizike) por edhe jeta e liria. Çdo individ, si minimum, “zotëron” veten e tij – ky është një konkluzion që vjen nga fakti që çdo individ është i lirë dhe i barabartë në gjendje të natyrshme. Rrjedhimisht, ti mohosh një individi pronën e tij do të thotë barasvlershmërisht ti mohosh punën që ka krijuar këtë pronë, do të thotë barasvlershmërisht ti mohosh vetveten e, për pasojë, do të thotë ta skllavërosh atë. Nga Inkasit tek “Politika” e Aristotelit, nga Tora e hebrejve, Bibla dhe Kurani tek Kanuni i Lekës, të gjitha këto krijuan ligjet, parimet dhe rregullat e para që mbronin pronën private, ato ishin një mbrojtje e përgjithshme dhe e hershme e pronës private, ndërkohë që ndalonin vjedhjen. E drejta për të poseduar dhe gëzuar pronën është pjesë themelore e të drejtave të njerëzve dhe së cilës i referohen si një zgjatim i të drejtave të njeriut. Në të vërtetë, të drejtat pronësore janë themelore për të gjitha të drejtat e tjera. Funksionimi i mbrojtjes nga ana e shtetit të të drejtave pronësore në një sistem të formalizuar të pronës, ku pronësia dhe transaksionet shënohen dhe regjistrohen në mënyrë të qartë dhe të pakontestueshme, bën të mundur një pavarësi më të madhe për individët për të mbrojtur pasuritë e tyre dhe siguron pronësi të qartë, të vërtetueshme dhe që mund të mbrohet; rrit investimet serioze dhe afatgjata, veçanërisht ato të huaja; rrit besimin që vjen nga një siguri më e madhe në dënimin e mashtrimeve në transaksionet ekonomike; lejon marrjen më lehtë të rrezikut të përbashkët dhe pronësisë në kompani; standardizim dhe transferueshmëri të deklaratave që dokumentojnë pronësinë e pronës që i hap rrugën strukturave të tilla si tregjet kombëtare për kompanitë si edhe transportim lehtësisht të pronës nëpërmjet rrjeteve komplekse të individëve dhe entiteteve të tjera; mbrojtje më të madhe të biodiversitetit për shkak të minimizimit të ndryshimeve të praktikave bujqësore. Të gjitha këto më sipër rrisin zhvillimin ekonomik.
Një pjesë e rëndësishme e mbrojtjes së të drejtave pronësore është edhe për shkak të trashëgimisë. Marrëdhënia midis pasurisë dhe edukimit të fëmijëve, shkollimit të njeriut, fqinjësisë dhe klasës sociale së cilës njeriu i përket, ka një korelacion të drejtpërdrejtë me trashëgiminë që i bën njerëzit që trashëgojnë pasuri, të kenë një jetë më të begatë dhe më të përmbushur. Shkalla në të cilën statusi ekonomik dhe trashëgimia transmetohet nëpër gjenerata luan një rol të rëndësishëm në shanset e individit në jetë. Përcaktimi dhe atribuimi në mënyrë të pakontenstueshme i të drejtave pronësore mund të ndihmojë po ashtu në zgjidhjen e problemeve mjedisore duke inkorporuar nga jashtë brenda vlerat, zakonet, motivet, etj. dhe duke u mbështetur në stimujt ndaj pronarëve privatë për të ruajtur burimet për të ardhmen. Forcimi i tregjeve dhe i të drejtave pronësore do të zvogëlojë probleme të tilla mjedisore dhe do të forcojë zhvillimin e qëndrueshëm.
Mosrespektimi i të drejtave pronësore ushqen pafund korrupsionin. Korrupsioni është një kërcënim vdekjeprurës për demokracinë, ai minon dhe e shkatërron besimin e njerëzve në institucionet politike dhe administratën shtetërore. Mosrespektimi i të drejtave të pronësisë krijon një rrezik real që demokracia të mos funksionojë, të kthehet në një maskaradë ose edhe thjesht të zhduket. Më shumë se 8.000 shqiptarë janë vrarë dhe më shumë se 5.000 familje janë ngujuar, deri më sot, për shkak të anarkisë me të drejtat e pronësisë që kanë shkaktuar dy fjalë mohuese, të maskuara në nenin 8 të ligjit 7501 dhe ligjet e derivuara prej tij pas vitit 1991. Këto problem ka shumë vjet që ngrihen në raportet e shoqatave të pronarëve, të Avokatit të Popullit dhe nga Komiteti i Pajtimit Kombëtar, por nuk vlerësohen nga kupola e politikës. Një zgjidhje e çështjes së të drejtave të pronësisë që do të jepte tituj pronësie të pakontestueshëm, do të parandalonte humbjen e jetëve të tjera njerëzore dhe do të rriste sigurinë.
- Një pasurim i padrejtë është një përfitim i marrë gabimisht (për shkak të ligjit apo fakteve) ose rastësisht. Është pranuar gjerësisht edhe në jurisprudencën e vendeve më demokratike që, moralisht dhe etikisht, ai që merr një përfitim në dëm të pronarit të ligjshëm duhet të bëjë kthimin e tyre pronarit të ligjshëm, prona e të cilit vërtetohet se është e blerë, e dhuruar apo e trashëguar. Një pasurim i padrejtë është ai pasurim të cilit i mungon një bazë adekuate ligjore: ai rezulton nga një transferim që, ligjërisht, është i paefektshëm për të çuar në një ndryshim përfundimtar të së drejtës së pronësisë.
- Le të konsiderojmë rastin e një shkeljeje të pafajshme kur A-ja, me koshiencë, por gabimisht (për shkak të ligjit apo fakteve) i paguan para B-së, dhe B-ja, me koshiencë, gabimisht, por në mënyrë të pafajshme, e merr atë si pagesë nga Aja. Edhe nëse presupozojmë se titulli i pronësisë së këtyre parave ka ndërruar duar teknikisht, paratë qartazi janë paguar për shkak të një gabimi dhe pranohet gjerësisht në jurisprudencën perëndimore që, gjykata do të detyronte Bnë t’ja kthente paratë A-së; dhe kjo jo sepse gjykata nuk e konsideron B-në pronar ligjor të tyre por sepse është e padrejtë (nuk ka barazi) që B-ja ti mbajë ato. Parimi i barazisë që mundëson në këtë rast A-në të rikuperojë paratë e veta, ashtu siç mund të veprohet edhe në një detyrim kuazi-kontraktual, bazohet në parimin e pranuar gjerësisht edhe në jurisprudencën e shumë vendeve demokratike “të pasurimit të padrejtë apo të gabuar” që thotë se “askush nuk duhet të lejohet të pasurohet apo të përfitojë padrejtësisht në kurriz të tjetrit”. Në momentin që pranohet doktrina e pasurimit të padrejtë dhe e kthimit të pronës për shkak të saj, nuk ka më dallim nëse gabimi është bërë për shkak të ligjit apo të fakteve.
- Ka ndryshim të madh ndërmjet shpronësimit për nevoja publike dhe grabitjes në emër të ligjit. Rasti i pronave të shpronësuara, sekuestruara apo të shtetëzuara përmes ligjeve nga 29.11.1944 deri në vitin 1991 apo qoftë edhe në bazë të ligjeve pas vitit 1991 që ende nuk kthyen pronën, por jua dhanë palëve të treta, nuk është, madje, as edhe rasti kur titulli i pronësisë mund të kishte kaluar ligjërisht, por gabimisht; në fakt, ky është një rast ku titulli i pronësisë nuk ka kaluar fare as ligjërisht sepse transaksionit i mungon pëlqimi i pronarit të ligjshëm në përputhje me Kodin Civil dhe Kushtetutën pasi prona nuk është as dhuruar, as blerë dhe as trashëguar prej pronarit të ligjshëm në mënyrë që të ndryshojë pronësinë. Për më tepër, pronat e shpronësuara, sipas ligjislacionit në fuqi mbas 29.11.1944, ju dhanë vetëm në përdorim palëve të treta dhe për pasojë, teknikisht, pronat nuk u vunë asnjëherë as në pronësinë e palëve të treta dhe as të shtetit dhe prandaj, ligjërisht, mbeten në pronësi të pronarëve të ligjshëm edhe me ligjislacionin nga 29.11.1944 deri në 1991. Kjo përforcohet edhe nga vendimi unifikues nr. 24 i datës 13.3.2002 i Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë që konkludoi se pronari i ligjshëm, duke mos e poseduar pronën gjatë gjithë këtyre dekadave, nuk është privuar nga titulli i pronësisë së saj por thjesht nga posedimi i saj dhe ai mbetet ende ligjërisht pronari i kësaj prone. Rasti i pronave të shpronësuara, shtetëzuara apo sekuestruara me anë të ligjeve nga data 29.11.1944 deri në vitin 1991 apo atyre të marra arbitrarisht në bazë të ligjeve të pas vitit 1991 që nuk e kthyen pronën por jua dhanë atë palëve të treta, nuk është madje as edhe një rast ku titulli i pronësisë, pafajësisht por gabimisht, të ketë ndërruar duar dhe për të cilin koncepti i pasurimit të padrejtë kërkon kthimin e pronës pronarit të ligjshëm; ky është një rast edhe më i fortë në favor të pronarit të ligjshëm pasi, në ketë rast, prona thjesht është grabitur, marrë padrejtësisht (neni 1 në ligjin 7698/1993), është një rast ku madje as titulli i pronësisë nuk ka kaluar ligjërisht. Është tashmë e qartë si drita e diellit se, të paktën, kthimi i pronave pronarëve të ligjshëm, është absolutisht i drejtë, dhe që kjo të zbatohet nga politika shqiptare, në kushtet aktuale duhet të shqiptohet qartë nga ndërkombëtarët.
- Teoria e Kompensimit në jurisprudencë (bazuar në humbjen) çbën humbjen e paditësit (pronari i ligjshëm ose A-ja) si rezultat i padrejtësisë civile, ndërsa Teoria e Restituimit (bazuar në fitimin) kërkon që i padituri (pala e tretë ose B-ja) të heqë dorë edhe nga çdo fitim i bërë.
- Kufizimet e Teorisë së Restituimit (bazuar në fitimin): Ndryshimi i Pozicionit është një mbrojtje kundrejt restituimit. Nëse zbatohen parimet e barazisë për restituimin për gabimet, mund të jetë e padrejtë që ti kërkohet një “dëmtuesi” të pafajshëm restituimi i fitimit. Në thelb, një person i cili kryen një padrejtësi juridike pa qëllim mashtrimi ka vepruar me ndershmëri, dhe kjo është një arsye legjitime për të kufizuar detyrimin e tij nëse ai ka ndryshuar pozicion. Aty ku pozicioni i një të padituri (B) të pafajshëm është ndryshuar në mënyrë të tillë që ai do të vuajë një padrejtësi nëse i kërkohet të shlyejë plotësisht edhe fitimin, padrejtësia e të kërkuarit atij (B-së) të paguajë në këtë mënyrë mund të peshojë më shumë se sa padrejtësia e të mohuarit restituimin paditësit (A-së). Ky propozim nuk mund të vlerësohet plotësisht deri sa të konsiderohen padrejtësitë e veçanta ndaj të cilave ndryshimi i pozicionit mund të zbatohet.
- Kufizimet mbi Mbrojtjen “Ndryshim Pozicioni”: a. Është e mundur që një ‘dëmtues’ është thjesht dikush që vepron në mënyrë jo të ndershme, jo në mirëbesim ose me qëllim mashtrimi, për shembull kur i padituri (B) i fsheh apo i përdor paratë (pronën) duke e ditur që paditësi (A) ka të drejta pronësie mbi to (A), ky është një akt që bëhet jo në mënyrë të ndershme. Si veprimi jo në mirëbesim, mashtrimi po ashtu edhe keqbërja janë arsye për përjashtim nga mbrojtja e ndryshimit të pozicionit. b. Ligji duhet gjithmonë të kthejë mbrapsht transfertat e gabuara të vlerës, përndryshe kjo do të legjitimonte padrejtësinë. Kjo do të thotë se ndryshimi i pozicionit vetëm mund të kufizojë kthimin mbrapsht të transferimit të gabuar në masen e fitimit të mbetur (të të paditurit), jo të humbjes që i është shkaktuar paditësit. I padituri gjithmonë duhet të kompensojë paditësin për humbjet e shkaktuara. Të lejosh qoftë edhe një të paditur të pafajshëm t’i shpëtojë përgjegjësisë do të thotë të prishësh/asgjesosh qëllimin e vetë ligjit të kompensimit që ka të bëjë me çbërjen e efektit të padrejtësive civile. Për më tepër, si një çështje e logjikës, ndryshimi i pozicionit të të paditurit kurrë nuk mund të ndryshojë faktin që paditësi ka pësuar humbje dhe duhet të kompensohet për të; mbrojtja, kur ekziston, mund të bëhet vetëm në lidhje me fitimin dhe është pavend aty ku ka humbje.
- Zgjidhja e Qëndrueshmme: Të gjithë ata që konvertojnë pronën e pronarit të ligjshëm duhet të përgjigjen për përfitimet që marrin prej tyre. Prona I përket pronarit të ligjshëm dhe ai ka të drejtë mbi të gjitha përfitimet që të tjerët kanë marrë prej tyre. Përgjegjësia ligjore (e të paditurit) në këtë drejtim është strikte dhe ajo i nënshtrohet vetëm mbrojtjes së ndryshimit të pozicionit. Çdo person i detyrohet fqinjit që të vetëpërmbahet nga tregtimi i pronave në një mënyrë të tillë që nuk është në përputhje me titullin e pronësisë që fqinji mund të ketë mbi to. Për këtë arsye, thuhet se, konvertimi (i padrejtë i pronave) është një padrejtësi civile që kërkon përgjegjësi ligjore strikte: njerëzit që tregtojnë pronë duhet ta bëjnë këtë duke marrë parasysh rrezikun që kjo sjell. Megjithatë, ka edhe një mbrojtje të ndryshimit të pozicionit por që duhet të jetë e pajtueshme me mbrojtjen ligjore të të drejtave të pronarit. Kjo kërkon shqyrtimin e legjitimitetit të përgjegjësisë ligjore strikte si një mekanizëm për të arritur këtë qëllim dhe nëse ndryshimi i pozicionit mund ta zbusë atë në raste të caktuara pa prishur këtë arsyetim. Ndryshimi i pozicionit është një mekanizëm i vlefshëm për të bërë drejtësi praktike ndërmjet palëve duke siguruar se vetëm fitimi i mbetur i të paditurit (B) kthehet, përveçse në rastet e sjelljes jo në mirëbesim, mashtrimit apo keqbërjes, ndërkohë që humbja gjithmonë i kthehet paditësit (A). Kjo krijon një zgjidhje të qëndrueshme. Nuk do të ketë paqe pa drejtësi dhe çdo lloj drejtësie vetëm në emër e kufizuar ose e vonuar është drejtësi e mohuar.