• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

I pari duhet “arresuar” dhe korrigjuar ligji i keq

October 3, 2017 by dgreca

PSE PËR TË GARANTUAR SUKSES TË VETINGUT NË DEKLARATAT E AMBASADORIT TË SHBA , TË FMN DHE BANKËS BOTËRORE, PRONA DUHET SHTUAR SI PARAKUSHT PËR KRYEMINISTRIN EDI RAMA DHE KUPOLËN E POLITIKËS/

2 gzimii-c1200x600

Nga Prof. Dr. Gëzim Boçari/

Askush nuk kundërshton se kriminelët duhen dënuar dhe se shtetin  e bën ligji dhe i pari duhet “arresuar” dhe korrigjuar ligji i keq. “Prona private është garancia më e rëndësishme e lirisë.” – Friedrich A. Hayek, ekonomist dhe filozof i shquar dhe Fitues i Çmimit Nobel në Ekonomi…

Të drejtat e pronës janë “më themeloret e të drejtave të njeriut dhe një themel esencial për të gjitha të drejtat e tjera njerëzore.” – Milton Friedman, ekonomisti më me ndikim dhe Fitues i Çmimit Nobel në Ekonomi. “Programi i liberalizmit, nëse do të kondesohej në një fjalë të vetme, do të duhet të lexohej: prona, që do të thotë, pronësia private e mjeteve të prodhimit… Të gjitha kërkesat e tjera të liberalizmit rrjedhin nga kjo kërkesë themelore.” – Ludwig Von Mises, ekonomist dhe filozof i shquar që influencoi Hayek dhe Friedman.

  1. Për shkak se integrimi europian dhe aspiratat e njerëzimit janë rrënjosur fort në një angazhim të përbashkët ndaj vlerave universale të të drejtave të padhuneshme dhe të patjetërsueshme të njeriut, përfshi të drejtën për gëzimin dhe respektimin e pronës, të cilat kanë dëshmuar se janë themelore (rrënjësore/bazë) për të siguruar drejtësi, paqe, liri, sundim të ligjit dhe prosperitet, që janë gjithashtu vlera që shërbejnë si “shtylla e parë” për zgjerimin e Bashkimit Europian, realizohen vetëm nëse Kuvendi me ligj bën që të respektohet plotësisht e drejta e pronës në përputhje me detyrimet kushtetuese, Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut, Deklaratën Universale mbi të Drejtat e Njeriut dhe mbi disa koncepte ligjore të përcaktuara mirë në jurisprudencën e vendeve më demokratike.
  1. Shumë filozofë dhe ekonomistë të mëdhenj pranojnë se të drejtat e pronësisë kanë lindur nga konventat shoqërore, duke gjetur origjinën në moralin dhe ligjin natyror. John Locke, një nga filozofët që ka patur një ndikim të madh mbi demokracinë, në Traktatin e Dytë, pohon se shoqëria civile u krijua vetëm për mbrojtjen e pronës. Ai mbështetet për këtë në rrënjën etimologjike të fjalës pasuri, “property” në anglisht dhe që vjen nga latinishtja “proprius” që do të thotë ajo çka është e vetja, përfshi vetveten. Kështu, nga kjo, Locke thotë që “pronë” do të thotë “jetë, liri dhe pasuri”. Kjo do të thotë se kur i mohohet dikujt prona e tij, atij i mohohet jo vetëm pasuria (fizike) por edhe jeta e liria. Çdo individ, si minimum, “zotëron” veten e tij – ky është një konkluzion që vjen nga fakti që çdo individ është i lirë dhe i barabartë në gjendje të natyrshme. Rrjedhimisht, ti mohosh një individi pronën e tij do të thotë barasvlershmërisht ti mohosh punën që ka krijuar këtë pronë, do të thotë barasvlershmërisht ti mohosh vetveten e, për pasojë, do të thotë ta skllavërosh atë. Nga Inkasit tek “Politika” e Aristotelit, nga Tora e hebrejve, Bibla dhe Kurani tek Kanuni i Lekës, të gjitha këto krijuan ligjet, parimet dhe rregullat e para që mbronin pronën private, ato ishin një mbrojtje e përgjithshme dhe e hershme e pronës private, ndërkohë që ndalonin vjedhjen. E drejta për të poseduar dhe gëzuar pronën është pjesë themelore e të drejtave të njerëzve dhe së cilës i referohen si një zgjatim i të drejtave të njeriut. Në të vërtetë, të drejtat pronësore janë themelore për të gjitha të drejtat e tjera. Funksionimi i mbrojtjes nga ana e shtetit të të drejtave pronësore në një sistem të formalizuar të pronës, ku pronësia dhe transaksionet shënohen dhe regjistrohen në mënyrë të qartë dhe të pakontestueshme, bën të mundur një pavarësi më të madhe për individët për të mbrojtur pasuritë e tyre dhe siguron pronësi të qartë, të vërtetueshme dhe që mund të mbrohet; rrit investimet serioze dhe afatgjata, veçanërisht ato të huaja; rrit besimin që vjen nga një siguri më e madhe në dënimin e mashtrimeve në transaksionet ekonomike; lejon marrjen më lehtë të rrezikut të përbashkët dhe pronësisë në kompani; standardizim dhe transferueshmëri të deklaratave që dokumentojnë pronësinë e pronës që i hap rrugën strukturave të tilla si tregjet kombëtare për kompanitë si edhe transportim lehtësisht të pronës nëpërmjet rrjeteve komplekse të individëve dhe entiteteve të tjera; mbrojtje më të madhe të biodiversitetit për shkak të minimizimit të ndryshimeve të praktikave bujqësore. Të gjitha këto më sipër rrisin zhvillimin ekonomik.

Një pjesë e rëndësishme e mbrojtjes së të drejtave pronësore është edhe për shkak të trashëgimisë. Marrëdhënia midis pasurisë dhe edukimit të fëmijëve, shkollimit të njeriut, fqinjësisë dhe klasës sociale së cilës njeriu i përket, ka një korelacion të drejtpërdrejtë me trashëgiminë që i bën njerëzit që trashëgojnë pasuri, të kenë një jetë më të begatë dhe më të përmbushur. Shkalla në të cilën statusi ekonomik dhe trashëgimia transmetohet nëpër gjenerata luan një rol të rëndësishëm në shanset e individit në jetë. Përcaktimi dhe atribuimi në mënyrë të pakontenstueshme i të drejtave pronësore mund të ndihmojë po ashtu në zgjidhjen e problemeve mjedisore duke inkorporuar nga jashtë brenda vlerat, zakonet, motivet, etj. dhe duke u mbështetur në stimujt ndaj pronarëve privatë për të ruajtur burimet për të ardhmen. Forcimi i tregjeve dhe i të drejtave pronësore do të zvogëlojë probleme të tilla mjedisore dhe do të forcojë zhvillimin e qëndrueshëm.

Mosrespektimi i të drejtave pronësore ushqen pafund korrupsionin. Korrupsioni është një kërcënim vdekjeprurës për demokracinë, ai minon dhe e shkatërron besimin e njerëzve në institucionet politike dhe administratën shtetërore. Mosrespektimi i të drejtave të pronësisë krijon një rrezik real që demokracia të mos funksionojë, të kthehet në një maskaradë ose edhe thjesht të zhduket. Më shumë se 8.000 shqiptarë janë vrarë dhe më shumë se 5.000 familje janë ngujuar, deri më sot, për shkak të anarkisë me të drejtat e pronësisë që kanë shkaktuar dy fjalë mohuese, të maskuara në nenin 8 të ligjit 7501 dhe ligjet e derivuara prej tij pas vitit 1991. Këto problem ka shumë vjet që ngrihen në raportet e  shoqatave të pronarëve, të Avokatit të Popullit dhe nga Komiteti i Pajtimit Kombëtar, por nuk vlerësohen nga kupola e politikës. Një zgjidhje e çështjes së të drejtave të pronësisë që do të jepte tituj pronësie të pakontestueshëm, do të parandalonte humbjen e jetëve të tjera njerëzore dhe do të rriste sigurinë.

  1. Një pasurim i padrejtë është një përfitim i marrë gabimisht (për shkak të ligjit apo fakteve) ose rastësisht. Është pranuar gjerësisht edhe në jurisprudencën e vendeve më demokratike që, moralisht dhe etikisht, ai që merr një përfitim në dëm të pronarit të ligjshëm duhet të bëjë kthimin e tyre pronarit të ligjshëm, prona e të cilit vërtetohet se është e blerë, e dhuruar apo e trashëguar. Një pasurim i padrejtë është ai pasurim të cilit i mungon një bazë adekuate ligjore: ai rezulton nga një transferim që, ligjërisht, është i paefektshëm për të çuar në një ndryshim përfundimtar të së drejtës së pronësisë.
  2. Le të konsiderojmë rastin e një shkeljeje të pafajshme kur A-ja, me koshiencë, por gabimisht (për shkak të ligjit apo fakteve) i paguan para B-së, dhe B-ja, me koshiencë, gabimisht, por në mënyrë të pafajshme, e merr atë si pagesë nga Aja. Edhe nëse presupozojmë se titulli i pronësisë së këtyre parave ka ndërruar duar teknikisht, paratë qartazi janë paguar për shkak të një gabimi dhe pranohet gjerësisht në jurisprudencën perëndimore që, gjykata do të detyronte Bnë t’ja kthente paratë A-së; dhe kjo jo sepse gjykata nuk e konsideron B-në pronar ligjor të tyre por sepse është e padrejtë (nuk ka barazi) që B-ja ti mbajë ato. Parimi i barazisë që mundëson në këtë rast A-në të rikuperojë paratë e veta, ashtu siç mund të veprohet edhe në një detyrim kuazi-kontraktual, bazohet në parimin e pranuar gjerësisht edhe në jurisprudencën e shumë vendeve demokratike “të pasurimit të padrejtë apo të gabuar” që thotë se “askush nuk duhet të lejohet të pasurohet apo të përfitojë padrejtësisht në kurriz të tjetrit”. Në momentin që pranohet doktrina e pasurimit të padrejtë dhe e kthimit të pronës për shkak të saj, nuk ka më dallim nëse gabimi është bërë për shkak të ligjit apo të fakteve.
  3. Ka ndryshim të madh ndërmjet shpronësimit për nevoja publike dhe grabitjes në emër të ligjit. Rasti i pronave të shpronësuara, sekuestruara apo të shtetëzuara përmes ligjeve nga 29.11.1944 deri në vitin 1991 apo qoftë edhe në bazë të ligjeve pas vitit 1991 që ende nuk kthyen pronën, por jua dhanë palëve të treta, nuk është, madje, as edhe rasti kur titulli i pronësisë mund të kishte kaluar ligjërisht, por gabimisht; në fakt, ky është një rast ku titulli i pronësisë nuk ka kaluar fare as ligjërisht sepse transaksionit i mungon pëlqimi i pronarit të ligjshëm në përputhje me Kodin Civil dhe Kushtetutën pasi prona nuk është as dhuruar, as blerë dhe as trashëguar prej pronarit të ligjshëm në mënyrë që të ndryshojë pronësinë. Për më tepër, pronat e shpronësuara, sipas ligjislacionit në fuqi mbas 29.11.1944, ju dhanë vetëm në përdorim palëve të treta dhe për pasojë, teknikisht, pronat nuk u vunë asnjëherë as në pronësinë e palëve të treta dhe as të shtetit dhe prandaj, ligjërisht, mbeten në pronësi të pronarëve të ligjshëm edhe me ligjislacionin nga 29.11.1944 deri në 1991. Kjo përforcohet edhe nga vendimi unifikues nr. 24 i datës 13.3.2002 i Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë që konkludoi se pronari i ligjshëm, duke mos e poseduar pronën gjatë gjithë këtyre dekadave, nuk është privuar nga titulli i pronësisë së saj por thjesht nga posedimi i saj dhe ai mbetet ende ligjërisht pronari i kësaj prone. Rasti i pronave të shpronësuara, shtetëzuara apo sekuestruara me anë të ligjeve nga data 29.11.1944 deri në vitin 1991 apo atyre të marra arbitrarisht në bazë të ligjeve të pas vitit 1991 që nuk e kthyen pronën por jua dhanë atë palëve të treta, nuk është madje as edhe një rast ku titulli i pronësisë, pafajësisht por gabimisht, të ketë ndërruar duar dhe për të cilin koncepti i pasurimit të padrejtë kërkon kthimin e pronës pronarit të ligjshëm; ky është një rast edhe më i fortë në favor të pronarit të ligjshëm pasi, në ketë rast, prona thjesht është grabitur, marrë padrejtësisht (neni 1 në ligjin 7698/1993), është një rast ku madje as titulli i pronësisë nuk ka kaluar ligjërisht. Është tashmë e qartë si drita e diellit se, të paktën, kthimi i pronave pronarëve të ligjshëm, është absolutisht i drejtë, dhe që kjo të zbatohet nga politika shqiptare, në kushtet aktuale duhet të shqiptohet qartë nga ndërkombëtarët.
  4. Teoria e Kompensimit në jurisprudencë (bazuar në humbjen) çbën humbjen e paditësit (pronari i ligjshëm ose A-ja) si rezultat i padrejtësisë civile, ndërsa Teoria e Restituimit (bazuar në fitimin) kërkon që i padituri (pala e tretë ose B-ja) të heqë dorë edhe nga çdo fitim i bërë.
  5. Kufizimet e Teorisë së Restituimit (bazuar në fitimin): Ndryshimi i Pozicionit është një mbrojtje kundrejt restituimit. Nëse zbatohen parimet e barazisë për restituimin për gabimet, mund të jetë e padrejtë që ti kërkohet një “dëmtuesi” të pafajshëm restituimi i fitimit. Në thelb, një person i cili kryen një padrejtësi juridike pa qëllim mashtrimi ka vepruar me ndershmëri, dhe kjo është një arsye legjitime për të kufizuar detyrimin e tij nëse ai ka ndryshuar pozicion. Aty ku pozicioni i një të padituri (B) të pafajshëm është ndryshuar në mënyrë të tillë që ai do të vuajë një padrejtësi nëse i kërkohet të shlyejë plotësisht edhe fitimin, padrejtësia e të kërkuarit atij (B-së) të paguajë në këtë mënyrë mund të peshojë më shumë se sa padrejtësia e të mohuarit restituimin paditësit (A-së). Ky propozim nuk mund të vlerësohet plotësisht deri sa të konsiderohen padrejtësitë e veçanta ndaj të cilave ndryshimi i pozicionit mund të zbatohet.
  6. Kufizimet mbi Mbrojtjen “Ndryshim Pozicioni”: a. Është e mundur që një ‘dëmtues’ është thjesht dikush që vepron në mënyrë jo të ndershme, jo në mirëbesim ose me qëllim mashtrimi, për shembull kur i padituri (B) i fsheh apo i përdor paratë (pronën) duke e ditur që paditësi (A) ka të drejta pronësie mbi to (A), ky është një akt që bëhet jo në mënyrë të ndershme. Si veprimi jo në mirëbesim, mashtrimi po ashtu edhe keqbërja janë arsye për përjashtim nga mbrojtja e ndryshimit të pozicionit. b. Ligji duhet gjithmonë të kthejë mbrapsht transfertat e gabuara të vlerës, përndryshe kjo do të legjitimonte padrejtësinë. Kjo do të thotë se ndryshimi i pozicionit vetëm mund të kufizojë kthimin mbrapsht të transferimit të gabuar në masen e fitimit të mbetur (të të paditurit), jo të humbjes që i është shkaktuar paditësit. I padituri gjithmonë duhet të kompensojë paditësin për humbjet e shkaktuara. Të lejosh qoftë edhe një të paditur të pafajshëm t’i shpëtojë përgjegjësisë do të thotë të prishësh/asgjesosh qëllimin e vetë ligjit të kompensimit që ka të bëjë me çbërjen e efektit të padrejtësive civile. Për më tepër, si një çështje e logjikës, ndryshimi i pozicionit të të paditurit kurrë nuk mund të ndryshojë faktin që paditësi ka pësuar humbje dhe duhet të kompensohet për të; mbrojtja, kur ekziston, mund të bëhet vetëm në lidhje me fitimin dhe është pavend aty ku ka humbje.
  7. Zgjidhja e Qëndrueshmme: Të gjithë ata që konvertojnë pronën e pronarit të ligjshëm duhet të përgjigjen për përfitimet që marrin prej tyre. Prona I përket pronarit të ligjshëm dhe ai ka të drejtë mbi të gjitha përfitimet që të tjerët kanë marrë prej tyre. Përgjegjësia ligjore (e të paditurit) në këtë drejtim është strikte dhe ajo i nënshtrohet vetëm mbrojtjes së ndryshimit të pozicionit. Çdo person i detyrohet fqinjit që të vetëpërmbahet nga tregtimi i pronave në një mënyrë të tillë që nuk është në përputhje me titullin e pronësisë që fqinji mund të ketë mbi to. Për këtë arsye, thuhet se, konvertimi (i padrejtë i pronave) është një padrejtësi civile që kërkon përgjegjësi ligjore strikte: njerëzit që tregtojnë pronë duhet ta bëjnë këtë duke marrë parasysh rrezikun që kjo sjell. Megjithatë, ka edhe një mbrojtje të ndryshimit të pozicionit por që duhet të jetë e pajtueshme me mbrojtjen ligjore të të drejtave të pronarit. Kjo kërkon shqyrtimin e legjitimitetit të përgjegjësisë ligjore strikte si një mekanizëm për të arritur këtë qëllim dhe nëse ndryshimi i pozicionit mund ta zbusë atë në raste të caktuara pa prishur këtë arsyetim. Ndryshimi i pozicionit është një mekanizëm i vlefshëm për të bërë drejtësi praktike ndërmjet palëve duke siguruar se vetëm fitimi i mbetur i të paditurit (B) kthehet, përveçse në rastet e sjelljes jo në mirëbesim, mashtrimit apo keqbërjes, ndërkohë që humbja gjithmonë i kthehet paditësit (A). Kjo krijon një zgjidhje të qëndrueshme. Nuk do të ketë paqe pa drejtësi dhe çdo lloj drejtësie vetëm në emër e kufizuar ose e vonuar është drejtësi e mohuar.

Filed Under: Analiza Tagged With: i pari, Ligji duhet arrestuar, Prof. Dr. Gezim Boçari

SHTETI DEMOKRATIK, PROTESTA E OPOZITES,KUSHTETUTA DHE ZGJIDHJA E PRONËS

February 23, 2017 by dgreca

*KËRKESA TË BËJMË SHTET DEMOKRATIK DHE PROTESTA E OPOZITËS NUK REALIZOHET DUKE ANASHKALUAR KUSHETUTËN PËR ZGJIDHJEN E PROBLEMIT TË PRONËS/

1 Gezim Bocari

“*RIVENDOSJA E TE DREJTES KUSHTETUESE TE SHTETASVE MBI PRONËN E MOHUAR DHE TE GRABITUR NE EMER TE LIGJIT/

Shkruan: Prof. Dr. Gezim Boçari/Të bëjmë shtet tha kryetari i mazhorancës dhe Kryeministri aktual z. Edi Rama dt. 18 Shkurt 2017 si përgjigje ndaj mijëra protestuesve të opozitës, që filluan protestën e tyre.Që gjërat ti themi ashtu siç janë pas vitit 1945 deri në 1991 Shqipëria kishte Shtet  por kishte shtetin e diktaturës që ndërtoi Enver Hoxha dhe për 45 vjet drejtoi sipas doktrinës së Marksizëm –Leninizmit. Në atë kohë ligjet zbatoheshin dhe në atë shtet jo vetëm kundërshtarët politikë, por edhe pronarët që mund të ishin luftëtarë antifashistë të orëve të para konsideroheshin armiq të klasës (proletarëve), janë burgosur e keqtrajtuar apo persekutuar si kulakë. Në atë kohë Shteti jepte denim kapital për një mendim të shprehur në kafene apo në mbledhje.

Në 1991 revolta popullore përmbysi shtatoren e diktatorit, por mentaliteti mbeti dhe politika u fut dhe po vazhdon në drejtim të gabuar dhe jo në drejtimin e respektimit të lirive dhe të drejtave të njeriut. Doktrina ose parimet që kanë zbatuar drejtuesit e partive politike pas 1991 është pëzierje e elementeve të çrregullt të ekonomisë së tregut me kleptokracinë në terren të papërgjegjshmërisë. Kjo e ka kriminalizuar shtetin. Në këto 26 vjet vazhdon të quhet demokraci pluralizmi pseudodemokratik, zbërthimi i Shtetit dhe vjedhja  sipas modelit të Katovicës që la pas Ramiz Alia. Në bindjen time kryeministri ka shumë të drejtë për kërkesën të bëjmë Shtet dhe këtë nuk e kundërshton askush nëse me fjalën Shtet, kuptojmë shtetin demokratik, ndarjen e politikës dhe drejtësisë nga krimi i organizuar. Në sheshin ndërmjet Kryeministrisë dhe Kuvendit  ku prej datës 18 Shkurt 2017 po proteston opozita e bashkuar, Kryetari i PD z. Basha, theksoi se protesta është fillimi i demokracisë së vërtetë. Ai kërkoi Qeveri teknike për garantimin e zgjedhjeve. Ndër të tjera z. Basha shtoi se çdokush do të mund të flasë dhe të zgjidhë hallin e  vet. Kjo dhe kërkesa e Kryeministrit për të bërë shtet përputhen me kërkesat e të gjithë popullit shqiptar por dhe me kushtet e Rezolutës së Parlamentit Europian të dt. 15.02.2017. Këto kërkesa kanë vlerë të padiskutueshme por këtu ka “diçka” që pengon, diçka që nuk shkon pasi lojrat politike për 26 vjet i kanë kthyer kërkesat e mësipërme në shifra zero që i mungon numuri një përpara që ato të marrin vlerën e tyre reale. Në kushtet e sotme të Shqipërisë njëshi i munguar para zerove është zbatimi i detyrimit  të Shtetit për kthimin dhe kompesimin e pronës së grabitur tek i zoti në përputhje me nenin 181 dhe 41 të Kushtetutës. Duke mohuar pronën e trashëguar politika na ka mashtruar dhe masakruar për 26 vjet. Këtë duhet ta kuptojë çdokush që mendon të mirën e  Shqipërisë përfshi të majtë apo të djathtë.

Pas vitit 1991, për 26 vjet vjedhjen e pronave të shqiptarve po e mbështet shteti, noteri, gjyqtari, drejtori i ZRPP,drejtori i ALUIZNit dhe shumë hallka të tjera sepse nga e majta dhe e djathta  për të maskuar vjedhen e pronës në kushtet e pluralizmit u zbatua platform e “katovicës”. Prona private është dallimi midis sistemit diktatorial komunist nga i cili duam të shkëputemi dhe demokracisë së modelit euroatllntike ku dëshirojmë të shkojmë. Ku shkon shoqëria shqiptare nëse partitë politike e të dy krahëve vazhdojnë ta anashkalojnë anarkinë e tutujve të pronësisë ?

Me gjyq dhe pa gjyq sistemi i diktaturës  në 45 vjet ka pushkatuar 5-6 mijë shtetas. Në Kuvend kryeministri Edi Rama dhe jo vetëm ai, por edhe deputetë të tjerë kanë deklaruar se për shkak të anarkisë së titujve të pronësisë kanë humbur jetën mbi 8000 njerëz.  Deklarohet se gjyqtarët nuk justifikojnë pasurinë dhe këtë do ta hetojë Vetingu. Kjo është e drejtë por ky veting, nuk do jetë i suksesëshëm dhe rrezikon të degradojë në gjobëvenie nëse nuk përfshin Kuvendin dhe Qeverinë, në raport me detyrimet kushtetuese dhe denoncimet tona për pronën.

Bërja e shtetit, demokratik, që respekton të drejtat e njeriut, kërkon bashkimin e pronarëve, të përndjekurve dhe diasporës për zgjidhjen e drejtë e problemit të pronës së grabitur. Opozitë e vërtetë e kleptokracisë janë gazetarët investigative të emisionit “Fiks Fare” “Stop” etj.   Në numurin e madh të partive politike egzistuese, partia e re “Aleanca Popullore për Demokraci” bën sens demokratik, pasi me programin e saj merr përsipër të korigjojë gabimet e tranzicionit. Programi saj përmbush kërkesat për pronën në përputhje me Kushtetutën, prandaj kam pranuar të jem pjesë e kryesisë së këtij subjekti politik.  Në programin e APD për problemin e pronës thuhet tekstualisht: “  RIVENDOSJA E TE DREJTES KUSHTETUESE TE SHTETASVE MBI PRONËN E MOHUAR DHE TE GRABITUR NE EMER TE LIGJIT

  1. Prona është një nga prioritetet kryesore të APD dhe për integrimin në Bashkimin Europian, si dhe për marrjen e statusit si vend anëtar. Ngritja e një strategjie për arritjen e zgjidhjes përfundimtare.
  2. APD do të kërkojë që kthimi dhe kompensimi të përcaktohen me ligj të Kuvendit si detyrim i Shtetit. Sipas këtij ligji në zbatim të nenit 181 të Kushtetutës, Shteti duhet të hapi regjistrat e shtetëzimit dhe konfiskimit të pasurive të patundëshme dhe të dallojë se ne vitin 1991, pas abrogimit të Kushtetutës komuniste të vitit 1976, cilat prona janë të shtetit dhe cilat prona janë prona që u janë konfiskuar qytetarëve dhe Shteti demokratik që në vitin 1991, kishte detyrimin kushtetues që ti kthente tek subjekti i shpronësuar, pavarësisht nga zëri kadastral i pronës në momentin e kthimit.
  3. Në zbatim të Kodit të Proçedurës Administrative për aktet absolutisht të pavlefshme,  Neni 116 etj,  nëpërmjet proceseve të rregullta gjyqësore, Shteti të shpalli NUL vendimet dhe transferimet e bëra pas vitit 1991, vetëm për ato prona ku Komisionet e pronave dhe institucionet e tjera të shtetit, pronat që në zbatim korrekt të detyrimeve kushtuese duhet ti kthenin tek pronari i ligjëshëm, ato i ndryshuan emrin e pronarit dhe i transferuan në përsona të tretë.
  4. Kompesim financiar ose mënyra të tjera kompensimi të pasurive të paluajtëshme të subjekteve të shpronësuara nga regjimi komunist,  ligji të parashikojë vetëm për pronat të cilat nuk mund të kthehen fizikisht tek pronari original, pasi për shkak të kohës janë asgjesuar dhe nuk egzistojnë (fabrika, punishte, etj), të pronave që gjatë regjimit diktatorial u tjetërsuan për nevoja publike si godina banimi, rrugë, spitale ose nevoja të tjera publike si dhe pronat që edhe sot vazhdojne të përdoren për nevoja publike .
  5. Përfundimi i proçesit të kthimit dhe kompensimit të pronave, të jetë procedurë që do të kryhet nga institucionet shtetërore, brenda një afati te shkurter kohor prej pak muajsh, dhe prona t’i kthehet subjektit të shpronësuar. Zbatimi nga Shteti i nenit 181 dhe 41 të Kushtetutës, eliminon faturën financiare që imponon legjislacioni aktual, eliminon pasigurinë e titujve të pronësisë dhe kohen e gjatë të parashikuar nga politika aktuale, me pretendimin për zgjidhen e problemit nëpërmjet kompensimit, hap rrugën për investimet e huaja private, realizon stabilitetin social dhe ekonomik  duke bërë të mundur, zhdukjen e konflikteve ndermjet familjeve dhe brenda familjes. Në rastet kur subjekti i shpronësuar ka kundërshtime, për pronën që i kthehet trungut familjar të shpronësuar a do të ketë të drejtën ti drejtohet rrugës gjyqësore. APD merr përsipër paraqitjen e draftit të këtij projektligji për miratim në Kuvend me procedurë të përshpejtuar”.

Për shkak të mungesës së vullnetit politik, Shoqata “Pronësi me Drejtësi” dhe shoqatat e tjera të pronarëve “Krahina Jonë“, “Bregdeti”  etj me shtrirje më të lokalizuar  janë investuar individualisht, për kthimin e pronës tek i zoti. Shoqatat kanë bërë të pamundurën për ta mbajtur të gjallë kauzën, por drejtuesit e Shtetit për 26 vjet e kanë intriguar zbatimin e detyrimeve kushtetuese , duke i bërë ligjet ashtu siç ju ka interesuar krerëve të oligarkisë politike, duke e devijuar kthimin fizik të pronës së grabitur tek i zoti. Përpjekja e Qeverisë nëpërmjet ligjit 133/2015, për të justifikuar dhe maskuar shkeljet monstruoze me pronën të akumuluara prej vitit 1991, kanë dështuar pasi defakto këtë ligj e ka rrëzuar Gykata e Strasburgut.  Kundërshtimi i Strasburgut për ti kompensuar 5 dosje sipas kërkesës e Qeverisë është gjithashtu garanci për korigjime të rëndësishme në legjislacionin për pronat. Unë, nuk mund të parashikojmë kohen dhe nëse do bëhen korigjime të tjera apo një ligj i ri që do detyrojnë legjislativin dhe ekzekutivin shqiptar të zbatojë kushtetutën, por jam i sigurtë se e drejta e pronës do respektohet. Juridikisht zgjidhja individuale nëpërmjet Strasburgut për çdo trung familjar realizohet me proçese gjyqesore brenda vendit, ku ankuesi të kërkojë kthimin fizik të pronës dhe kompensim vetëm për ato pjesë që janë tjetërsuar për nevoja publike, me vlerën që tashmëGJEDNJ e ka percaktuar. Pas përfundimit të gjyqeve brenda vendit, nga ankuesi pa humbur kohë ankesa duhet dërguar në Strasburg. Sa më shumë ankesa të drejtohen ne Strasburg aq më mirë sqarohet situata për Strasburgun dhe kështu e drejta e pronës afrohet.

Bashkëpunimi bën të mundur këtë qasje ndryshe, më të thelluar që na lejon të shfrytëzojmë të gjitha mjetet dhe mundesitë demokratike të kohës. Atdhetari  Loro Stajka një kundërshtar i diktaturës i emigruar rreth viteve 1954 në SHBA me zemrën dhe mendimin e tij patriotik, me një shkrim të botuar date 31.01.2017 në gazetën “Dielli“  rikujtoi për pronarët dhe të përndjekurit porosinë e lënë nga Gjergj Katriot Skenderbeu, se “bashkimi bën fuqinë”. Po intelektualë patriotë si z. Loro ne emigracion ka shumë dhe ata kanë  rol të pazëvendësushëm për të shpëtuar Shqipërinë nga krimi dhe kleptokracia e organizuar .

Këto 25 vjet pas vitit 1991 e deri sot kanë bindur pronarët se qëndrimi në sqetullën e kësaj apo asaj partie politike rezultoi se është dështim i programuar. Që kauza jonë e përbashkët të zgjidhet mirë, shpejt dhe pa shpenzime kërkon bashkimin dhe solidaritetin tonë në rrugën politike dhe konkretisht formimin e një formacioni politik kompakt dhe të qartë në kërkesën për pronat dhe të drejtat e tjera të mohuara. Pronarët, janë të persekutuarit e pas vitit 1991, ata së bashku me të përndjekurit dhe diasporën janë grupe te lidhura pazgjidhshmërisht me njera – tjetrën lidhur me kërkesën që shteti të ketë detyrimin ti kthejë secilit pronën e grabitur. Prona është kërkesë që intreson dhe biznementët që duan të kërkojnë investime të huaja private, të zhvillojnë industrinë turistike etj.  

Në planin shoqëror, nisur nga grupet e intereseve që përfaqesojnë, për problematikat dhe pengesat që këto dy grupe parësore interesi, hasin në realizimin e misionit te tyre për rivendosjen e të drejtave të mohuara me dhunë dhe mashtrime prej vitit 1945 e deri sot Shoqatat e Pronarëve dhe ato të Përndjekurve Politike, janë dy anët e një medaljeje. Këto shoqata pavarësisht nga mendimet ndryshe apo grindjet eventuale midis kryetarëve, për renditje në kontributet që ata kanë dhënë, ka ardhur koha të ndryshojmë mënyrën e veprimit për realizimin e të drejtave të shkelura. Duhet të realizohet një bashkepunim dhe bashkerendim, pa asnje kusht për platformën e pronës, nga të gjitha shoqatat që mbrojnë interesat e pronarëve dhe të përndjekurve. Nëse kryetarë dhe persona të vaçantë do të gjejnë sebepe për tu grindur dhe jo mirëkuptim e bashkëveprim atëhere  “katovicën” , pavarësisht se kush e instaloi, nuk duhet ta kërkojmë askund tjeter por e kemi në mes nesh. Kryetari i Shoqatës “Pronësi me Drejtësi”, z. Rrapo Danushi në shkrimi botuar ne gazetën “Ballkan” dt 16 Shkurt 2017,  ju thotë publikisht politikanëve “Jepini fund katrahurës me pronat”. Të njëjtën kërkesë ka bërë dhe Kryetari i Koalicionit të disa shoqatave të pronarëve z. Axhem Imeri dt.18 Shkurt, po në gazetën Ballkan.

Vetëm pas këtij bashkëpunimi të mirëorganizuar përfaqësimi i pronarëve, i të përndjekurve dhe mbështetja e diasporës garanton negocim të vlefshëm të APD në nivelin e duhur me subjekte të tjera politike që do pranojnë ta kenë pjese integrale të programit te tyre kthimin tek i zoti të pronës së grabitur në përputhje me kushtetutën dhe me vendimet e Strasburgut.

Shpreh bindjen se nëpërmjet bashkëpunimit dhe bashkërendimit të forcave tona i shërbejmë kauzës tonë të përbashkët plotësojmë kërkesën e të gjithë shqiptarëve që e duan Shqipërinë tokë të shqiptarëve dhe ju ftoj të gjithëve të merrni pjesë në këtë diskutim me mendime pro apo kundër.

 

Filed Under: Analiza Tagged With: E PRONËS, KUSHTETUTA DHE ZGJIDHJA, Prof. Dr. Gezim Boçari, PROTESTA E OPOZITES

Artikujt e fundit

  • VATRA DHE DIELLI PROMOVOJNË VEPRËN E DALIP GRECËS MË 30 PRILL 2023
  • Mbi vjershën «Thomsoni dhe kuçedra» të Fan Nolit
  • DOMINANCAT BALLKANIKE DHE MARVESHJA KOSOVË-SERBI
  • Një përurim i shkëlqyer për veprën që i kushtohet Heroit, Xhavit Haziri
  • PRESIDENTI SIPAS VULLNETIT TË QYTETARËVE
  • Plumba ndaj Top-it, apo kur realiteti bëhet “Big Brother”
  • DEMOKRATIZIMI I INSTITUCIONEVE DOMOSDOSHMËRI PËR SHOQËRINË DHE KOMBIN!
  • Gjurmëve të qytetit të Damastionit në trevat e Dardanisë qendrore
  • 1930 / “TIRANA, QYTETI I SHPRESËS” — RRËFIMI I REPORTERIT AMERIKAN TË “THE CHRISTIAN SCIENCE MONITOR” RRETH VIZITËS SË TIJ NË KRYEQYTETIN SHQIPTAR
  • PRESIDENTËT KLINTON, BUSH, OBAMA E PËRFUNDUAN MANDATIN, E UDHËHQËSIT SHTETËRORË SHQIPTARË ENDE NË PUSHTET
  • “Eposi i Kreshnikëve” dhe një përkujtim për Prof. Arshi Pipën e Prof. Stavro Skendin
  • “Columbia University Albanian Society,” organizon ekspozitën muzeale “Fëmijët e së Nesërmes”
  • VATRA VIZITOI “ZËRIN E AMERIKËS”
  • Mary Camaj: Celebrating Albanian Heritage through Dance and Advocacy
  • KRESHNIKË, LEGJENDA DHE MUZIKË…

Kategoritë

Arkiv

Tags

alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT