
U nda nga jeta shkrimtari Naum Prifti
Lajmi i hidhur njoftohet nga SHBA, ku shkrimtari jetonte prej afro tri dekadash.
Naum Prifti u shfaq si shkrimtar në të njëjtën kohë me “Brezin 1960”, I.Kadarenë, D. Agollin, F.Arapin e Dh. Qiriazin.
U shqua si prozator, sidomos në nënllojet e shkurtra: tregime e novela, ku la gjurmë të rëndësishme krijuese në historinë e letërsisë.
Disa prej tyre (“Litari i zjarrtë”, “Çezma e floririt”) janë pjesë e fondit më cilësor të tregimit shqiptar.
Shkroi disa drama, të cilat u vunë në skenë nga disa trupa profesioniste teatrore.
Drama “Rrethimi i bardhë” u qortua zyrtarisht për aluzione politike dhe sidomos për mungesë besimi tek veprimi politik.
Pavarësisht këtyre qortimeve, Naum Prifti shkroi rishtas, gjithnjë besnik në këto dy lloje të letërsisë.
Në vitet ’70 e vijim shkroi skenarë për filma artistikë dhe letërsi për fëmijë, si dhe përktheu vepra nga letërsia botërore.
Akademia e Shkencave u shpreh ngushëllimet trashëgimtarëve të shkrimtarit, familjarëve, miqve e kolegëve, bashkësisë së shkrimtarëve shqiptarë.
Foto: Roland Tasho