Thanas L. Gjika
Në fb e poetit Agim Gjakova mësova se dje më 30 korrik 2021 u nda nga jeta poeti, eseisti dhe përkthyesi Mazllum Saneja. Në kujtim të tij po sjell këtu disa kujtime që pata shkruar disa vjet më parë dhe i botova te libri “Mosdënimi i krimit është krimi i ri” OMSCA-1 Tiranë 2016, f. 397-400, duke i plotësuar me listën e plotë të korpusit të tij letrar.
NJË ATASHE KULTUROR I KOSOVËS
(Kujtime për poetin, eseistin e përkthyesin Mazllum Saneja)
Poetin, përkthyesin dhe kritikun letrar Mazllum Saneja e njoha së pari përmes leximit të disa veprave të tij, pastaj e njoha personalisht në vitin 2010 në Prishtinë. Mazllumi u lind në Gjakovë më 1945, shkollimin e lartë për gjuhë e letërsi shqipe e kreu në Fakultetin Filozofik të Prishtinëse më 1974. Aty ai kreu dhe studimet pasuniversitare. Gjatë vizitave turistike në Poloni u nxit të mësonte polonisht dhe të ndiqte dhe studimet e larta për gjuhë polake në Universitetin e Varshavës në vitet 1978-1981. Pasi punoi disa vjet si mësues në shkolla të mesme të Kosovës ai u përpoq të gjente mundësi më të mira pune larg Kosovës. Në vitet 1985-1989 jetoi në Berlin Lindor dhe mbas vitit 1990 u vendos në Poloni. Këtu kreu studime të tjera të larta për letërsi polake dhe pasi e tregoi talentin e vet me botime vëllimesh me poezi origjinale e përkthime poezish nga polonishtja në shqip dhe nga shqipja në polonisht fitoi çmimin prestigjoz ZAIKS prej Shoqatës së Shkrimtarëve të Polonisë, po ashtu fitoi të drejtën të jetojë në Poloni si krijues i lirë. Eshtë anëtar I Shoqatës së Përkthyesve të Kulturës Europiane në Varshavë. Thënë shkurt, Saneja është intelektuali, i cili me punën e vet krijuese nderon Gjakovën, Kosovën e mbarë botën shqiptare.
Me punën e tij si poet, eseist e përkthyes ai e ka paraqitur në nivele dinjitoze letërsinë mbarëshqiptare në Poloni dhe më gjerë. Për 25 vjet ka kryer, si e kryejnë bijtë e talentuar, misionin e atasheut të kulturës shqiptare në Poloni pa qenë i emëruar prej asnjërës prej qeverive tona, të Shqipërisë ose Kosovës. Sot në moshën mbi 70 vjeçare ai meriton të marrë Pension të Veçantë prej të dy këtyre qeverive si e marrin shumë krijues të tjerë me më pak punë e vepra. Së pari Mazllumin e njohu në vitin 1974 Julia, para se të martohej me mua, në sallën e madhe të Pallatit të Kulturës në Korçë. Atje u organizua një takim midis talenteve të rinj të Rrethit të Korçës dhe grupit të talenteve të rinj nga Kosova (letrarë, piktorë, muzikantë) që kishin ardhur për vizitë në Shqipëri. Të nesërmen talentet e rinj të Korçës dhe ata të Kosovës panë së bashku një shfaqje teatrale te Teatri A. Z. Çajupi, pastaj miqtë u përcollën. Sipas zakonit Julia Naçi (sot Julia Gjika) i dhuroi poetit të ri nga Gjakova vëllimin e saj të parë poetik Ditëlindje (1974). Mbasi mbërriti në vendlindje, mysafiri i dërgoi shoqes korçare vëllimin e tij të parë poetik Këlthitje (1973). Ky vëllim poetik me titullin dhe poezitë shprehte nëntekstin: shqiptarët në Jugosllavi nuk kishin të drejtë të formulonin mendimet e tyre për të drejtat njerëzore, sepse ata lejoheshin vetëm të lëshonin klithma.
Nga viti 1974 e këtej poeti Saneja ka botuar dhe shtatë vëllime të tjera poetike në gjuhën shqipe, dy drama dhe katër vëllime poetike në polonisht. Nga letërsia polake ai ka përkthyer e botuar në shqip krjime të poetes Eva Lipska, Karol Wojtila (Papa John Paul II),Tadeusz Rosewiez, Wistawa Szymborska, Zbigniew Herbert, Jan Michal Stuchly, si dhe përmbledhjen antologjike Poezi Polake e shek. XX-të, etj. Kurse nga letërsia shqipe në polonisht ai ka përkthyer e botuar në tre vëllime një antologji të poezisë shqipe të shek. XX-të. Për botimet e tij Saneja ka pasur shpesh mbështetjen dhe kujdesin e juristit polak Jan Michal Stuchly, intelektual i niveleve të larta, piktor, poet dhe humanist. Me ndihmat financiare të këtij miku dhe të Lidhjes së Shkrimtarëve Polakë, Mazllumi organizoi një takim letrar në Varshavë ku recituan poezitë e tyre Ali Podrimja, Agi Gjakova, Visar Zhiti, etj. Saneja ka përkthyer e botuar në polonisht poezi të zgjedhura prej poetëve tanë të talentuar si Ali Podrimja, Ismail Kadare, Eqrem Basha, Fatos Arapi, Mihal Hanxhari, Agim Gjakova, Visar Zhiti, Martin Camaj, Naime Beqiraj, Julia Gjika, etj. Gjithashtu ai ka hartuar e botuar dhe veprën gjuhësore Bisedor i gjuhës shqipe për polakët, me vlera praktike për të mësuar gjuhën tonë njerëz të interesuar midis popullit polak 40 miljonësh. Trashëgimia letrare e Mazllum Sanesë është shumë e pasur:
Vepra olrigjinale:
“Këlthitje”, Rilindja, Prishtinë, 1973
“Heshtja e një kohe”, Naim Frashëri, Tiranë, 1976
“Shpuzë e ftohtë”, Rilindja, Prishtinë, 1988
“Purpurowa podróż”, Pavo, Warszawa, 1992
“Ja nie jestem ten”, Pavo, Warszawa, 1996
“Shëmbëllime të trazuara”, Rilindja, Prishtinë, 1996
“Ognista ziemia”, Czytelnik, Warszawa, 1999
“Pe ndonjë ëndërr”, Dukagjini, Pejë, 2003
“Vetetimë jete”, PEN Qendra e Kosovës, Prishtinë, 2007
“Letra Evës”. SAGA, Prishtinë, 2016.
“Tylko Itaka pozostanie” /”Vetëm Itaka mbetet”/, Antologji e poezisë shqipe dhe polake të shek. XX, “Latona”, Warszawa, 1993
“Fëmijët e Epokës” /Antologji e poezisë polake të shek. XX, Pavo, Warszava, 1997 (Çmimi prestigjioz i Shoqatës së Autorëve të Polonisë ZAIKS, Varshavë – 1997)
“Nie jest za pozno na milosc”(Nuk është vonë për dashuri), Antologji e poezisë shqipe në gjuhën polake, Pogranicze,Sejny (Poloni), 2005
“Rozmówki albańskie” /Bisedor Polonisht – Shqip/, Wiedza Powszechna, Warszawa, 1992
Përkthime:
Fatos Arapi: “Wiersze” / Poezi të zgjedhura /, Pogranicze, Sejny, 2006
Ali Podrimja: “Zyć” /”Të jetosh”/, Pavo, Warszawa, 1993
Ali Podrimja: “Skradziony plomien” /”Flaka e vjedhur”/, Pogranicze, Sejny, 2007
Eqrem Basha: “Wiersze” /”Poezi të zgjedhura”/, Pogranicze, Sejny – Poloni, 1999
Agim Gjakova: “Wiersze” /”Poezi të zgjedhura”/, Pogranicze, Sejny – Poloni 2008
Agim Gjakova: ”Saga o wietrze” (Saga flurore). Komograf, , Varshavë – Poloni 2013
“Mini-antologjia e poetëve shqiptarë nga Kosova”;
“Literatura na swiecie” nr.7/1989, Warszawa;
“Poezja albanska”, “Literatura” nr. 5/1990, Warszawa;
“Współczesna poezja albańska” /Panoramë antologjike e poezisë bashkëkohëse shqipe nga Kosova, Shqipëria dhe diaspora shqipëtare/, “Borussia” nr. 15/1997, Olsztyn – Poloni, 1997;
“Ca fjalë mbi letërsinë shqipe” /studim mbi letërsinë shqipe, duke filluar që nga “Formula e pagëzimit” (1462) deri te brezi më i ri i shkrimtarëve shqiptarë/ , “Notes Wydawniczny” nr.11/1995, Varshavë;
“Tre krijues nga Kosova në “Enciklopedinë polake” /Esad Mekuli, Rexhep Qosja dhe Ali Podrimja/, “Enciklopedi e përgjithshme”, Shtëpia botuese: PWN, Warszawa,1995
Karol Wojtyła: “Bregu i qetësisë”, Drita, Ferizaj – Zagreb, 1989
Czeslaw Milosz: “Qyteti pa emer”, Poeteka, Tiranë, Shqipëri, 2009
Tadeusz Różewicz: “Rrëfime traumatike”, Rilindja, Prishinë, 1990
Wisława Szymborska: “As fund as fillim”, Dukagjini, Pejë, 1997
Ewa Lipska: “Mësohu me vdekjen”, Sfinga, Prishtinë, 2000
Ewa Lipska: “Unë”, Rozafa, PEN Qendra e Kosoves, 2006
Zbigniew Herbert: “Zoti Cogito”, Dukagjini, Pejë, 2000
Adam Zagajewski: “Të shkosh në Lvov”, Zëri, Prishtinë, 2002
Stanisław Jerzy Lec: “Mendime të pakrehura”, Rozafa, Prishtinë, 2001
Në vitin 2010 planifikova të shkoja në Shqipëri e Kosovë. Desha ta takoja këtë krijues e punëtor të palodhur të kulturës shqiptare. E njoftova para se të nisesha se kur do të ndodhesha në Prishtinë. Dhe ai erdhi në mbrëmjen e caktuar, e u ul me ne në restorantin, ku na kishte ftuar për të darkuar mjeku Prof. Xhemil Bytyçi. Aty ishim bashkë me profesor Agim Vincën dhe poetin Abdyl Kadolli. Edhe pse e takoja për të parën herë, ndjeva per Mazllumin afrimitet të madh, mbasi i kisha lexuar disa prej veprave të tij, kisha parë portretin e tij në disa foto. Biseda vijoi për krijimtarinë letrare. Poetët Vinca e Saneja na treguan për botimet e tyre të fundit, për planet e së ardhmes. Më shkoi mendja te krijuesit e Shqipërisë dhe atashetë kulturorë të saj nëpër botë. Shqipëria ka disa poetë të talentuar të nivelit Vinca e Saneja, por nuk ka asnjë krijues e intelektual shumëdimensional si poeti, stujuesi, polemisti i zjarrtë Vinca. Ajo nuk ka një atashe kulturor që punon pa pagesë si poeti, eseisti e përkthyesi Saneja. Për fatin e mirë të letërsisë e kulturës shqiptare rrugën e Sanesë e ndjek dhe poeti Baki Ymeri, një intelektual shqiptar nga Maqedonia që jeton e punon në Bukuresht, por dhe ky nuk është shqiptar i lindur e rritur në Shqipëri. Ne shqiptarët e Shqipërisë jemi bërë pragmatistë, nuk punojmë dot pa rrogë, na lodhi koha e diktaturës me ato punët vullnetare dhe tani duam të paguhemi për çdo punë. Mirëpo në art, në kulturë e në shkencë nuk ecet vetëm me rrogë, duhet pa tjetër dhe shpirti i sakrificës, pasioni i rilindësve tanë. Për më keq akoma të gjithë ne shqiptarët vuajmë nga një ndjenjë zililie për njëri tjetrin. Po sjell ketu një pjesë nga një letër e Sanesë qe na dergoi para disa vjetesh, ku e dënon këtë dobësi tonën: “Sa i perket Visar Zhitit – une ushqej nje ndjenje te vecante ndaj Tij, ndaj vepres se Tij, qe eshte nje kaptine e trishte e martirologjise shqiptare. Pajtohem me mendimin Tend se ky krijues, Visari yne, e meriton Cmimin Nobel, po fatkeqesisht ne Shqiptaret jemi nje popull paksa i cuditshem qe vuajme nga smira dhe urrejtja ndermjet vete. Une kete e kam ndier ne supet dhe shpirtin tim te sfilitur udheve te mergimit, derisa i shoh dhe i verej se si Polaket e mbeshtesin njeri tjetrin jo vetem ne qarqet e larta intelektuale. Vlen te shohesh skenen politike si ne Kosove si ne Shqiperi se sa te mjere jemi, se cfare kamencerose sundojne ne kasabane tone, e po ku jemi! Mjere per ne! Rri e persias se si ky popull asnjehere nuk merr mesime nga popujt tjere se si jetojne ne mes vete, e fajin kryesor per kete situate te rende e ka shoqeria jone e korruptuar, qe shpejt harroi eksodet dhe krimet qe u bene si ne Shqiperi ashtu edhe ne Kosove.Do ta mbyllja kete leter te shkurter me fjalet e poetit:
A vriten Pellumbat bre!/
A vidhet Populli
A vritet Luftetari i Tij!
Ajme per ne!”