Intervistë e z. Sulejman Gjana, Kryetar i Partisë Lëvizja e Legalitetit, dhënë Editorit të Gazetës DIELLIT në SHBA, Dalip Greca/
Z. Sulejman Gjana, kryetar i Legalistëve shqiptarë kreu një vizitë pune në SHBA. Ai ishte mysafir në shtëpinë e Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, pati takime pune me strukturat e Partisë së Lëvizjes së Legalitetit në SHBA, ishte i ftuar në mbrëmjen që “Albanian American Community Center” organizoi në Hartfort-Connecticut dhe në atë që z. Mark Gjonaj organizoi në New York për 7-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës , ku ai përshëndeti; pati takime pune me anëtarin e Asamblesë së Përgjithshme të New Yorkut, z. Mark Gjonaj, dhe me atë të Connecticutit, z. Angel Arce, kishte një takim të frytshëm me kongresistin Eliot Engel, mik i shqiptarve, ishte pjesë e panelit të konferencës mbi dialogun ndërfetar që u mbajt në Muzeun e Tolerancës në New York, u takua me komunitetin hebre, me krerët fetarë etj. Në fund të vizitës z. Gjana dha intervistën e mëposhtme për Gazetën DIELLI. Ndiqeni:
Pyetje: Z. Gjana ju kryet një vizitë në ShBA. Cili ishte qëllimi i kësaj vizite?
Gjana: Vizita ime në SHBA kishte disa qëllime. Së pari, për të takuar anëtarët dhe simpatizantët e Legalitetit që nuk janë të pakët në SHBA. Dega e PLL në SHBA që aktualisht drejtohet nga z. Hakik Mena është një ndër degët tona shembullore si nga historia e saj ku unë gjykoj se Etërit Themelues (founding fathers) të Legalitetit e kanë krijuar këtë degë dhe ideologjinë e PLL, si nga cilësia e përbërjes së kryesisë dhe anëtarësisë aktuale, si nga aktivitetet e kësaj dege në komunitetin shqiptar në SHBA, kontaktet që mban me partnerët tanë amerikanë dhe mbeshtetja e saj për partinë në Shqipëri. Së dyti, vizita ime kishte një axhendë të ngjeshur takimesh me zyrtarë amerikanë dhe miq të Shqipërisë. Po ashtu, kisha një ftesë për të qenë në panelin e konferencës mbi dialogun ndërfetar që u mbajt në Muzeun e Tolerancës në New York. Isha gjithashtu i ftuar në disa aktivitete të komunitetit shqiptar në New York dhe Connecticut me rastin e 7-vjetorit të Pavarësisë të Kosovës. Kisha po ashtu disa takime me përfaqësues të lartë të disa komuniteteve fetare në SHBA, ku ne kemi raporte të ngrohta edhe me komunitetin hebre i cili nuk harron kurrnjëherë mbështetjen që Shqipëria dhe Mbreti Zog ju dha atyre në vitet kur ishin të rrezikuar në vendet e tjera të Europës para LDB. Sigurisht që vizita ime kishte për qëllim edhe të takoj personalitetet dhe shoqatat shqiptare aktive në SHBA me të cilat PLL dhe legalistët kanë një histori të gjatë bashkëpunimi siç është Federata Pan-shqiptare Vatra.
Përse zgjodhët Vatrën për vizitën tuaj të parë?
Gjana: Vatra dhe udhëheqësit e saj kanë dhënë një kontribut të çmuar për kombin shqiptar dhe në kohëra të vështira siç ishin vitet e para të lindjes së mundimshme të shtetit shqiptar, koha e diktaturës komuniste në Shqiperi, periudha e gjatë e pushtimit të Kosovës, demokracia e brishte dhe tranzicioni i pafund në Shqipëri, etj; dhe ky kontribut duhet vlerësuar!
Nga ana tjetër, duhet të rrëfej se unë ndihem si në shtëpinë time tek Vatra dhe kjo për disa arsye: së pari, sepse një histori e gjatë e lidh Legalitetin dhe organizatën Vatra ku shumë personaletite të legalitetit kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë në strukturat drejtuese të kësaj organizate dhe ku legalistët dhe zogistët shqiptarë i kanë dhënë Vatrës një mbështetje të konsiderueshme në vazhdimësi; së dyti, sepse Vatra dhe Legaliteti kanë si emërues të përbashkët çështjen kombëtare dhe angazhimin e vazhdueshem dhe të pakursyer për lirinë dhe të drejtat e shqiptarëve si dhe për bashkim kombëtar; se treti, sepse Vatra është gjithmonë një burim dhe frymëzim ndjenjash patriotike dhe atdhetare për të gjithë shqiptarët dhe çdo takim tek Vatra dhe me vatranët shërbejnë si ushqim shpirtëror që nxit për të punuar dhe vepruar në shërbim të kombit dhe vendit tonë.
Ju patët takime edhe me përfaqësues zyrtar të politikës Amerikane. Cilin takim do të veçonit dhe çfarë përcollët në këto takime?
Gjana: Natyrisht takimet me anëtarin e Asamblesë së Përgjithshme të New Yorkut, z. Mark Gjonaj, dhe me atë të Connecticutit, z. Angel Arce, kishin një rendësi të veçantë, sepse jetojnë mjaft shqiptaro-amerikanë në këto dy shtete dhe mund të zhvillohen shumë projekte në interesin tonë reciprok. Por, unë do të veçoja takimin në Kongresin amerikan, sidomos atë me Kongresmenin Eliot Engel i cili është një mik i ngushtë i Shqiptarëve. Në të gjitha takimet që zhvillova me zyrtarët amerikanë unë u përcolla vlerësimet e PLL për zhvillimet në Shqipëri dhe rajon dhe theksova aty ky ishte e nevojshme edhe shqetësimet tona lidhur me disa çështje të rendësishme siç janë dekomunistizimi kurrnjëherë i realizuar i shoqërisë dhe organeve të pushtetit në Shqipëri, çështja e pronës, ajo e ish-të përndjekurve politikë, çështja e sistemit që është ndërtuar në Shqipëri në fillim të viteve 90 dhe që diskriminon qindra mijëra zgjedhës dhe përqëndron pushtetin ndonëse jo më në duart e një partie, gjithësesi në duart e dy partive pasuese të saj… Paraqita alternativën e PLL jo vetëm për të ardhmën e Shqipërisë por edhe pikëpamjet tona lidhur me situatën në rajon.
Po në Komunitetin Shqiptar, cila ishte axhenda e takimeve?
Gjana: Përveç vizitës te Vatra, isha i ftuar në mbrëmjen që “Albanian American Community Center” organizoi në Hartfort-Connecticut dhe në atë që z. Mark Gjonaj organizoi në New York për 7-vjetorin e Pavarësisë të Kosovës dhe ku mbajta një fjalë rasti dhe përshëndeta këto ceremoni. Zhvillova gjithashtu 4 mbledhje të veçanta me strukturat drejtuese të degës tonë në SHBA dhe me anëtarë e simpatizantë e PLL. Bëra edhe disa vizita tek disa veteranë të Legalitetit siç janë zz. Musli Mulosmanaj dhe Ndrec Gjergji në New York dhe z. Idajet Bushka në Waterbury të cilit i dorëzova një mirënjohje në emër të PLL “për angazhimin, kontributin dhe mbështetjen e tij ndaj PLL, Mbretit Leka, çështjes kombëtare dhe kauzave tona në kohërat më të vështira”. Pjesë e axhendës time ishin edhe takimet me mediat shqiptaro-amerikane si Dielli, Illyria, Bota Sot dhe Televizori Kultura Shqiptare.
Çfarë mendoni për rolin e diasporës shqiptare në Amerikë në raport me çështjet e pazgjidhura Kombëtare?
Gjana: Besoj se diaspora shqiptare në Amerikë mund të luaje një rol të rendësishëm në favor të çështjes shqiptare në përgjithësi dhe sidomos të çështjeve kombëtare akoma të pazgjidhura. Ekzistojnë të gjitha mundësitë për të zhvilluar një ndërgjegjësim dhe lobing tek institucionet amerikane në favorin tonë dhe duhen angazhuar të gjitha energjitë e shëndoshta kombëtariste në këtë drejtim. Mund të sensibilizohen edhe institucione ndërkombëtare dhe sidomos OKB dhe mediat e huaja lidhur me çështjen kombëtare shqiptare. Mërgata shqiptare, sidomos ajo në SHBA, ka dhënë provat e veta në të kaluarën përmes një kontributi të paçmueshëm në favor të demokracisë në Shqipëri dhe pavarësisë së Kosovës dhe besoj se një koordinim i veprimeve tona do të japë rezultate të pallogaritshme për kombin shqiptar.
Në takimin në Vatër juve ju shtrua një propozim për të krijuar një bashkim të forcave nacionaliste në Shqipëri, Kosovë e më gjërë. Egziston kjo mundësi? Si e konceptoni një bashkrëndim pune me platformë kombëtare?
Gjana: PLL ka bashkëpunuar gjithnjë dhe është e gatshme që të bashkëpunojë me të gjitha forcat politike shqiptare që kanë një platformë kombëtariste. Ne e kemi platformën kombëtariste të qartë dhe angazhimin tonë e kemi të shkruar edhe në programin tonë. Nuk e kemi përdorur kurrnjëherë çështjen kombëtare për interesa politike dhe nuk pranojmë demagogjinë që përdorin disa parti apo individë në Shqipëri, Kosovë e më gjërë. Por ekzistojnë hapësira për një bashkërendim të përpjekjeve tona dhe jemi duke punuar në këtë drejtim me disa intelektualë dhe subjekte aktiv në trojet shqiptare.
Çfarë është cështja Kombëtare për Legalistët Shqiptarë?
Gjana: Për PLL çështja kombëtare është e drejta natyrore e popullin shqiptar që të jetojë i lirë dhe i bashkuar në trojet e veta. Natyrisht, jemi të vetëdijshëm se realizimi i aspiratave tona është një proces që do të kërkojë shumë kohë. Duhen marrë parasysh kushtet dhe mundësitë reale si dhe të respektohet e drejta ndërkombëtare. Por nuk duhet hequr dorë nga e drejta jonë ashtu siç nuk kemi hequr dorë për sa i përket pavarësisë së Kosovës në kohën kur nuk bëhej fjalë për një pavarësi dhe madje nënshkruheshin edhe traktate ndërkombëtare që siguronin status quo-në në Europë. Kujtoni psh Aktin Final të Helsinkit në vitin 1975 dhe ja ku është Kosova sot: një shtet i pavarur!
Si do ta vlerësonit gjendjen e sotme të Shqipërisë nën qeverisjen e koalicionit të Majtë?
Gjana: Gjykoj se gjendja në Shqipëri nuk është aspak e kënaqshme. Premtimet elektorale nuk po mbahen, madje është punuar në drejtim të kundërt. Kriza ekonomike, rritja e çmimeve, papunësia dhe borxhi publik kanë arritur nivele të frikshme dhe indikatorët ekonomik nuk japin asnjë shenjë të përmirësimit të gjendjes në muajt dhe vitet e ardhshme. E drejta e pronës paraqet akoma probleme që asnjë qeveri nuk ka marrë guximin ta zgjidhë në mënyrë të drejtë dhe qeveria aktuale nuk po bën asnjë hap në këtë drejtim. Mënyra e qeverisjes me revanshizëm dhe dhunë nuk është ajo që shqiptarët meritojnë pas traumes që kanë pësuar prej komunizmit. Qeveria socialiste ka shkelur edhe vendime të gjykatës kushtetuese dhe kjo është e papranueshme në një demokraci. Por është e vërtetë se sistemi që komunistët krijuan pas 90-ës është një demokraci e brishtë dhe një i ashtuquajtur tranzicion i pafund. Politikat konfliktuale dhe vendimet arbitrare nuk japin rezultat të dobishëm për vendin dhe unë gjykoj se nuk u shërbejnë interesave të popullit dhe kombit.
Po për zhvillimet në Kosovë, çfarë mendimi keni?
Gjana: Ne kemi qenë të parët që parashikuam një koalicion LDK-PDK pak orë pasi u publikuan rezultatet e zgjedhjeve të qershorit 2014 dhe në analizën tonë e konsideronim këtë koalicion, ndonëse jo të deshiruar prej nesh, si një zgjidhje e përkohshme të situatës paszgjedhore. Nëse do të ishin lexuar me kujdes sugjerimet tona, nuk do të kishim humbur kaq shumë muaj pa qeveri në Kosovë dhe nuk do të kishim krijuar përshtypje negative tek partneret tanë ndërkombëtarë. Ndërkaq, kjo qeveri nuk e ka punën e lehtë dhe zhvillimet politike dhe institucionale që priten mund ta rrezikojnë koalicionin qeverisës.
Lidhur me eksodin e madh të shqiptarëve, unë gjykoj se qeveria e Kosovës ka një përgjegjësi të madhe. Përveç zgjidhjes së krizës ekonomike e shoqërore dhe krijimit të besimit për të ardhmen sidomos tek rinia, besoj se qeveria e Kosovës duhet të kishte marrë masa për të parandaluar një eksod masiv dhe ilegal drejt BE. Ajo që me çudit është se autoritetet e Kosovës dhe të Serbisë nuk morën masat e duhura për ta parandaluar por lejuan indirekt këtë eksod, i cili në fund të fundit përkeqësoi imazhin e Kosovës në Europë dhe nuk i shërbeu aspak interesave të Kosovës por i shërbeu vetëm dashakeqëve të Kosovës dhe trafikantëve të paskrupuj. Të paktën, presim që organet kompetente të Kosovës të ndëshkojnë ata që organizuan këtë trafik dhe eksod ilegal.
Si do ta karakterizonit gjendjen e të drejtave të Shqiptarëve në Mal të Zi dhe Luginën e Preshevës?
Gjana: Situata e Shqiptarëve në Mal të Zi nuk ka të ngjarë me atë të Luginës së Preshevës dhe Kosovës Lindore në përgjithësi. Edhepse të drejtat e shqiptarëve shkelen si në Mal të Zi ashtu edhe në Kosovën Lindore (ndonëse me një intensitet më të madh në Kosovën Lindore), në Mal të Zi mund të arrihet më shumë nëse faktori politik shqiptar angazhohet për mbrojtjen e interesave kombëtare dhe të të drejtave të shqiptarëve me aq vendosmëri sa i mbron interesat e shtetit malazez. Ndërsa, në Kosovën Lindore raportohen ende raste të shumta të dhunës e presionit ndaj shqiptarëve nga autoritetet serbe dhe gjendja ekonomike është shumë e rëndë sepse atje Shqiptarët trajtohen si popullsi e dorës së dytë. Besoj se Serbia është e interesuar që shqiptarët të braktisin shtepitë dhe tokat e tyre në Kosovën Lindore dhe po përdor të gjitha mjetet për të realizuar këtë qëllim. Dhe për fat të keq, shqiptarët në Kosovën Lindore nuk gëzojnë asnjë mbrojtje edhepse një gjë e tillë do të ishte e mundur nëse qeveria e Kosovës do të kërkonte reciprocitet për çfarë u ofron serbëve në Kosovës dhe nëse diplomacia e Shqipërisë dhe e Kosovës do të angazhoheshin në mbrojten e tyre.
Çfarë e pengon suksesin e faktorit shqiptar në Republikën e Maqedonisë.
Gjana: Për mendimin tim, partitë politike shqiptare në Maqedoni duhet të miratojnë ndërmjet tyre një platformë kombëtare të përbashkët që do të ishte minimumi, pa realizimin e të cilit asnjë parti nuk do të pranonte të hyjë në një koalicion qeverisës.
Po marrdhëniet mes Shqipërisë dhe Kosovës si do t’i vlerësoni? E shihni të largët bashkimin Kombëtar dhe përmes kujt rruge?
Gjana: Besoj se nëse do të ekzistonte vullneti politik dhe një përkushtim kombëtarist i politikanëve në Shqipëri dhe Kosovë, një bashkim ndërmjet dy shtetet tona do të ishte plotësisht i mundur nëpërmjet një Konfederate Shqiptare ku do të siguroheshin të drejtat dhe interesat e të dy entiteve konfederative por edhe të partnerëve tanë.
Ju lutem, për lexuesin e Diellit, kush është Sulejman Gjana: Ku keni lindur, për cfarë keni studuar, cfarë hoby keni? Cila është familja juaj?
Gjana: Kam lindur në Bruksel në vitin 1970. Kam mbaruar në Bruksel, në vitin 1993, fakultetin e Shkencave Tregtare e Konsullore dhe kam përfunduar edhe studime pas universitare (MBA – Master in Business Administration). Kam punuar si drejtor i shtypit të huaj në Belgjikë për gati 15 vjet dhe njëkohësisht drejtor i një filiali të një grupi të madh francez, “Hachette”. Kam qënë në të njëjtën kohë anëtar i bordit drejtues të “DistriPress”, organizatë ndërkombëtare aktive në sektorin e medias së shkruar me seli në Zyrih. Kam drejtuar po ashtu disa vite katedrën e shkencave të manaxhimit ku isha përgjegjës i lëndes së Marketingut Ndërkombëtar në një universitet privat në Bruksel (ULI).
Familja ime është arratisur nga Shqipëria pas Luftës së Dytë Botërore. Gjyshi im nga nëna bashkë me të gjithë burrat e fisit të tij u pushkatua në Shtator të vitit 1944 nga bandat kriminale komuniste; ndërsa gjyshi im nga babai, pas shumë peripecish, vuajtjesh dhe dënimesh që kishim pësuar në familje nga diktatura komuniste, u arratis në vitin 1956. Familja ime ka qenë pjesë e Legalitetit për vite me radhë e vazhdon të jetë ende. Ndërkohë unë kam qenë që prej vitit 1994 kryetar i Legalitetit në Belgjikë por nuk ka munguar edhe angazhimi im në strukturat drejtuese të Partisë “Lëvizja e Legalitetit” në Shqipëri: prej vitit 1998 deri në 2008 isha Sekretar për Marrëdhëniet me Jashtë i PLL dhe në vitet 2008-2009 Sekretar Politik, pastaj Nën-Kryetar i PLL nga viti 2009 deri në Kuvendin e fundit më dt. 24 Nëntor 2013 ku u zgjodha Kryetar i PLL. Kam qenë edhe kandidat për Deputet i PLL në qarkun e Kukësit në zgjedhjet parlamentare të vitit 2009 në Shqipëri.
Kam qenë mjaft aktiv në shumë aktivitete me karakter politik e kombëtar. Isha Nën-kryetar i Grupit të Emergjencës për Kosovën në Belgjikë gjatë kohës së luftës (1998-1999) ; kam qenë Nën-kryetar i shoqatës “Miqtë e Universitetit të Tetovës” në kohën kur ky Universitet nuk gëzonte njohjen e shtetit maqedon (1999-2002) ; kam berë lobing pranë institucioneve të huaja lidhur me manipulimin e referendumit e vitit 1997 për Monarkinë në Shqipëri; kam qenë bashkë-organizator i protestave në favor të pavarësisë së Kosovës në vitet 1998-2000 dhe i protestave “Nano Ik” në Bruksel në vitin 1994. Kam dhënë disa intervista, mbajtur konferenca në Rotary Club të Brukselit si dhe shkruajtur disa artikuj në favor të Pavarësisë të Kosovës. Jam angazhuar edhe në organizim e disa aksioneve me ndihma humanitare për Shqipërinë që prej vitit 1992 dhe kam dhënë një mbështetje edhe në aktivitete kulturore dhe shoqërore në Shqipëri.
Gjatë vitit 2012 kam qenë bashkë-organizator i aktiviteteve më të rendësishme të komunitetit shqiptar në Belgjikë për rritjen e prestigjit dhe përmirësimin e imazhit të shqiptarëve dhe të vendeve tona duke organizuar konferenca shkencore dhe duke promovuar vlerat e popullit shqiptar siç janë bashkëjetesa fetare dhe shpetimi i hebrejve para dhe gjatë LDB.
Jam 44 vjet, i martuar dhe prind i një djali dhe dy vajzave.
Si hobby kryesorë kam leximin dhe udhëtimet.
Jeni penduar që latë Belgjikën për Shqipërinë? Cilat ishin motivet e kthimit?
Gjana: Nuk kam se si të pendohem përderisa e konsideroj angazhimin tim si një vazhdimësi natyrale të një angazhimi të kahershëm në shërbim të popullit e kombit tim si dhe të kauzave dhe vlerave që unë besoj. Aq më tepër që në Shqipëri kam krijuar shumë miq brenda dhe jashtë radhëve të PLL dhe me të cilët ndaj të njëjtat shqetësime lidhur me fatet e vendit tonë. Por, përderisa familja ime jeton në Belgjikë, kaloj mesatarisht një javë çdo muaj në Bruksel.
Cilat janë marrdhëniet e Partisë Lëvizja e Legalitetit me oborrin Mbretëror?
Gjana: PLL ka një lidhje historike me Oborrin Mbretëror Shqiptar dhe ne besojmë se është në nderin e të gjithëve që të zhvillojnë të njëjtat marrëdhënie si tonat me Familjen Mbretërore. Ne kultivojmë një raport të ngushtë me Oborrin Mbretëror pasi na bashkon interesi kombëtar përtej atij politik.
Cfarë mendoni për formën e regjimit në Shqipëri? Do të luftoni dhe për një Referendum të ri?
Gjana: Mendimi im është se sistemi në Shqipëri paraqet shume defekte dhe se sot ka ardhur koha që të ndryshojë ky status quo i dëmshëm për popullin dhe kombin tonë. Lidhur me formën e regjimit, besoj se do të vijë koha kur populli do të kërkojë një referendum të ri. Të pakten ne jemi të angazhuar në këtë drejtim.
Lëvizja e Legalitetit në Diasporë ka pasur si qëllim luftën kundër Komunizmit dhe kthimin e Oborrit Mbretëror në Shqipëri. Po sot, cfarë motivesh ka që mbani degë në diasporë, si në SHBA?
Gjana: Këto dy qëllime nuk kanë qënë eksklusive. Levizja e Legalitetit lindi si një levizje për shtetin dhe sot shohim se shteti shqiptar nuk funksionon për arsye pikërisht të sistemit dhe të politikës. PLL është një parti kombëtariste dhe nuk do të mbarojë kurrnjëherë misioni i vet pa u zgjidhur çështja jonë kombëtare dhe pa u rivendosur legjitimiteti institucional në vend. Për këto arsye dega jonë në SHBA ka një rendësi të veçantë jo vetëm për rolin që luan në komunitetin shqiptar por sidomos në kontaktet dhe lobingun që bën me autoritetet amerikane dhe miqtë e popullit dhe kombit tonë.
Cili është mesazhi për Shqiptarët e Amerikës?
Gjana: Urojmë që çdo shqiptar i Amerikës ta dijë se është një ambasador i popullit të vet dhe të veprojë gjithmonë dhe gjithkund si i tillë. Kështu që përtej faktit që do të jetë një qytetar i denjë amerikan do të ketë dhënë edhe një kontribut për vendin e tij. Kam pëlqyer gjithmonë devizen e Belgjikës “Bashkimi bën fuqinë” dhe besoj se shqiptarët duhet të jenë gjithmonë të bashkuar kur vjen fjala për interesat tona kombëtare.