MITROVICË, 10 Qershor/
Nga Behlul Jashari/.-Me Himnin Kombëtar Shqiptar dhe Himnin Shtetëror kosovar, në Mitrovicë, në Stadiumin e qytetit, u zhvillua sot në mesditë ceremonia qendrore e rivarrimit të Isa Boletini, me nderimet e gjithë kombit e pjesëmarrjen e përfaqësuesëve të institucioneve shtetërore nga Kosova e Shqipëria, ku ishte i pranishëm dhe presidenti Bujar Nishani.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, në fjalën e tij gjatë hapjes së ceremonisë së rivarrimit të Isa Boletinit duke iu drejtuar rinisë së Mitrovicës tha krenohuni ju bashkë me ne se pas 100 vitesh kemi tribunin popullor, gjeneralin e pavarësisë së tokave shqiptare Isa Boletinin”.
“Boletini po kthehet sot i fundit nga beteja e madhe per lirinë e Kosovës, një shekull zgjati kjo betejë nga Kaçaniku në Boletin. Kosova më në fund u bë e lirë, por kësaj lirie i mungonte diçka, i mungonte heroi i saj i madh, tribuni popullor Isa Boletini”, theksoi Veseli, duke shtuar se ne sot jemi të lirë, por kishim mall për ty.
Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa në fjalën e tij theksoi se “sot në përvjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit po nderojmë heroin e kosovës, tribunin e kombit shqiptar, Isa Boletinit, ashtu si ndodh gjithmonë me njerëzit e epokave edhe Isa ynë bëhet urë bashkimi për ne të gjithë pavarësisht nga bindja jonë politike apo prejardhja jonë rajonale. Përtej ngushtësive të pragmatizmit politik Isa Boletini ishte njeri i idealeve madhore kombëtare, duke qenë i këtyre përmasdave ai na bashkon edhe sot ditën kur po mbyllet udhëtimi i tij gjatë pothuajse shekullorë drejt Boletinit të tij aty ku lindi dhe ku e pret toka e tij vendi, i cili nga sot do të bëhet një panteon i ri i shqiptarizmit , një vend i shenjtë ku të gjithë ne do të përkulemi me nderim”.
“Isa Boletini po i kthehet sot vendlindjes , pasi ka udhëtuar në qendrat kryesore kosovarenëpër të cilat përcoi mesazhine unitetit dhe dashurisë pa kushte mes vëllezërve te nje gjaku e një gjuhe mes vëlllezërve të një fati e një ëndrre”, nënvizoi Mustafa.
Në fjalën e tij, Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, tha se “Shqipëria dhe Kosova, dy shtete shqiptare, janë shndërruar në faktorë të paqes dhe stabilitetit të qëndrueshëm në Ballkan”.
“Shqipëria evropiane, Kosova evropiane, Kosova anëtare e OKB-së dhe në NATO, Ballkani evropian, janë mundësia dhe çasti ynë historik”, theksoi presidenti shqiptar në manifestimin e madh në Mitrovicë.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli dhe kryeministri Isa Mustafa në fillim të fjalimeve të tyre përshëndetë edhe pjesëmarrjen e kryetarit të PD-së, Lulëzim Basha, i cili po ashtu mbajti fjalë rasti, si dhe të Princ Lekës.
Pjesë e manifestimeve sot paradite në Mitrovicë ishte edhe seanca e veçantë e Kuvendit të Komunës jugore, në të cilin kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli tha se, “në kohë të vështira për vendin dhe kombin, Isa Boletini u vu në ballë të lëvizjes sonë kombëtare për liri dhe pavarësi”.
“Me fuqinë e fjalës së tij ai udhëhoqi shumë kuvende për çështjen kombëtare dhe me guximin e tij prej komandanti popullor udhëhoqi shumë beteja, nga Kaçaniku deri në Shkup, nga Shkodra deri në Vlorë. Në vjeshtën e rëndë të viti 1912, Isa Boletini u nis nga malet e Kosovës për t’u vënë në mbrojtje të shtetit shqiptar të sapo shpallur në Vlorë”, theksoi kryeparlamentari kosovar, Veseli.
Ai vuri në dukje rëndësinë e rrolit të Isa Boletinit në mbrojtjen e çështjes kombëtare, angazhimin e tij të pandalshëm në diplomacinë dhe rrjedhat ndërkombëtare ku prekej interesi nacional si dhe aktivitetet e tij diplomatike jashtë vendit, duke e bërë kombin, Kosovën dhe Mitrovicën krenare.
Heroi Kombëtar, Isa Boletini, në ditën e 137 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, kthehet sot përgjithmonë të prehet në Boletin, vendin e lindjes në rajonin e Mitrovicës në Kosovë, prej nga para më shumë se 100 viteve me 400 bashkëluftëtarët e tij shkoi në Vlorë në krah të Ismail Qemalit për shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë.
Në Vlorë, bashkëluftëtarët e Isa Boletinit përbënin forcën e parë ushtarake të Qeverisë së parë shqiptare të kryesuar nga kryetari i saj Ismail Qemali, themeluesi i shtetit shqiptar, firmëtari i parë të Deklaratës së Pavarësisë Shqiptare.
Me nderimet e gjithë kombit e ceremonitë shtetërore manifestimet treditëshe në Kosovë të nisura në Kompleksin e Lidhjes Shqiptare në Prizren, qytetin më të madh jugor, përmbyllen sot në qytetin më të madh verior, Mitrovicë, prej nga kortezhi niset edhe më tej në veri. Deri në Boletin, nga Mitrovica, arkivoli i Heroit Kombëtar Isa Boletini do jetë në shoqërim të familjarëve dhe të ftuarëve që do marrin pjesë edhe në ceremoninë e rivarrimit në ora 15:00.
Isa Boletini lindi në Boletin të Mitrovicës, në vitin 1864. U vra bashkë me shtatë nga njerëzit e tij në Mal të Zi, Podgoricë, mbi Urën e Moraçës, në 23 janar 1916.
Në vitin 1998, institucionet e Kosovës të lëvizjes për liri e pavarësi, të informuara se në vendin e varrezave në Podgoricës do të ngriheshin ndërtesa banimi, vendosën për një organzim që fshehurazi të sjellin në Mitrovicë eshtrat e Isa Boletinit dhe bashkëluftetarëve të tij për t’i ruajtur në fshehtësi, në rrethanat e rënda të okupimit e të luftës. Mëse 17 vite eshtrat qëndruan në thasë për shkakun e vetëm se familjarët e Isës donin që rivarrimi të bëhej me ceremoni ushtarake.
Garda Kombëtare Ceremoniale e Forcës së Sigurisë së Kosovës është pjesë e manifetimeve treditëshe në nderim të Heroit Kombëtar Isa Boletini, që dje u zhvilluan edhe në kryeqytetin e Kuvendin e Kosovës e zhvillohen edhe sot në Mitrovicë.
Në ambientet e Kuvendit të Republikës së Kosovës, pas seancës së veçantë kushtuar jetës dhe veprës së heroit kombëtar, Isa Boletini, dje pasdite bënë homazhe drejtuesit e institucioneve shtetërore, deputetët dhe qytetarët.
Të parët bënë homazhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli dhe kryeministri Isa Mustafa, duke vendosur kurorë me lule. Homazhe per nder te Boletinit beri edhe ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi.
Homazhet në Kuvendin e Kosovës nën tingujt e orkestrës “Rexho Mulliqi” vazhduan deri në orën 17:45. Nga kryeqyteti Prishtina kortezhi u nis drejt Mitrovicës.
Manifestimet për rivarrimin e heroit kombëtar Isa Boletini mbahen me moton “Prapë, na erdhi Baca Isë”.