Ivanov i shkruan SHBA-së, BE-së, NATO-s dhe Turqisë – kërkon të dënohet platforma shqiptare/

Në një letër dërguar presidentit amerikan Donald Trump, kryetarit të Këshillit të Evropës, Donald Tusk, Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-së, Jens Stoltenberg dhe presidentit të Turqisë, Rexhep Tayyip Erdogan, presidenti i Maqedonisë, Gjorge Ivanov tha se dënimi i kësaj platforme është mënyra, sipas tij, më e mirë për kapërcimin e krizës politike.
Platforma shqiptare, veç tjerash parasheh rregullimin e përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe, e pranuar edhe nga LSDM-ja opozitare, e cila ka arritur marrëveshje koalicionimi me partitë politike shqiptare.
“Vlerësoj se dënimi dhe hedhja poshtë e këtij dokumenti është mënyra e vetme për dalje nga kriza pa rrugëdalje në të cilën ndodhemi. Vetëm në këtë mënyrë do të arrijmë qëllimet e Marrëveshjes së Përzhinës, para se gjithash reformat prioritare, stabilizimin politik, uljen e tensionet e ndëretnike dhe ndërpartiake në Maqedoni dhe kthimin e shtetit në rrugën e integrimit euroatlantik”, ka shkruar Ivanov.
“Platforma është një dokument paszgjedhor i arritur në shtet të huaj, në kabinetin e një kryeministri të huaj. Më këtë platformë rrezikohet sovraniteti dhe pavarësia e shtetit, duke e vendosur Maqedoninë në pozitën e varshmërisë nga një shtet tjetër. Realizimi i platformës nënkupton ndryshimin e Kushtetutës së Maqedonisë me të cilën rrezikohet karakteri unitar i shtetit. Platforma rrënon Marrëveshjen e Ohrit, e cila rregullon marrëdhëniet mes bashkësive etnike me Maqedoninë”, ka shkruar Ivanov duke kërkuar gjithashtu dënimin, e siç ka thënë, përzierjes së shteteve fqinje në punët e brendshme të Maqedonisë.
“Pres që të dënoni përzierjen flagrante në punët e brendshme të Maqedonisë të dy shteteve fqinje të Maqedonisë, aspirantë për anëtarësim në BE. Pres që më në fund të dërgoni mesazh të fuqishëm për paprekshmërinë e kufijve të Ballkanit dhe të riafirmoni perspektivën euroatlantike të vendeve të rajonit”, ka thënë Ivanov.
Letra e Ivanovit vjen pas mbledhjes së të hënës së ministrave të Punëve të Jashtme të BE-së në Bruksel, të cilët shprehën shqetësimin për zhvillimet e fundit në Maqedoni.
Shefja e diplomacisë Federca Mogherin bëri thirrje për shfrytëzimin e të gjitha instrumenteve për kapërcimin e krizës politike në Maqedoni, e cila siç tha ajo mund të shndërrohet në krizë ndëretnike.