– Fjalimi i Presidentes Atifete Jahjaga në pritjen zyrtare me rastin e tetëvjetorit të pavarësisë së Republikës së Kosovës/
– Presidentja: Sonte jemi bashkuar për të shënuar tetëvjetorin e pavarësisë së Republikës së Kosovës, të vendit tonë të dashur, ditëlindjen e shtetit tonë të ri. Këtë ditë madhështore, të cilën breza të tërë për njëqind vjet e patëm ëndërr dhe që për një shekull e lartësuam si synim të përpjekjeve tona kolektive për të jetuar në paqe dhe liri./
Prishtine, 16 shkurt 2016/
I nderuar Kryeministër Mustafa,
Të nderuar përfaqësues të institucioneve të Kosovës,
I nderuar senator Korker,
I nderuar kongresist Terner,
Të nderuar ambasadorë dhe përfaqësues te misioneve ndërkombëtare në shtetin tonë,
Të nderuar familje të Dëshmorëve,
Qytetarë të dashur,
Zonja dhe zotërinj,
Sonte jemi bashkuar për të shënuar tetëvjetorin e pavarësisë së Republikës së Kosovës, të vendit tonë të dashur, ditëlindjen e shtetit tonë të ri. Këtë ditë madhështore, të cilën breza të tërë për njëqind vjet e patëm ëndërr dhe që për një shekull e lartësuam si synim të përpjekjeve tona kolektive për të jetuar në paqe dhe liri.
Shteti ynë lindi me shumë mundime. Për të u bë një sakrificë e hatashme njerëzore, vuajtje të thella me pasoja të rënda, të cilat shumë familje vazhdojnë t\’i jetojnë 16 vjet pas përfundimit të luftës, edhe në këtë natë përvjetori të pavarësisë.
Është pikërisht ky rrugëtim i jonë i përbashkët dhe përjetim i përveçëm për secilin prej nesh që e forcon themelin e Kosovës që e bëmë bashkërisht shtet. Na bën secilit t\’i gëzojmë privilegjet dhe përgjegjësitë e të qenurit kosovar – përfshirë përgjegjësinë historike për ta përmbyllur këtë cikël shtetndërtimi – njëkohësisht. E bën Kosovën idealin e vetëm, sepse Kosova është më e rëndësishme se secili prej nesh.
Sakrifica për të arritur deri këtu na bën të vetëdijshëm që Kosova nuk mund të përvetësohet. Ajo nuk është e asnjë lideri politik. U takon qytetarëve të saj, të cilët sot janë më të bashkuar se kurrë për t’i refuzuar përçarjet dhe ndasitë e kësaj klase politike, për të kërkuar llogaridhënie, për të këmbëngulur për rend dhe ligj, për t’i dhënë fund degradimit moral dhe korrupsionit, për t\’i rikthyer në busullë të angazhimit tonë vlerat dhe idealet që na ndihmuan ta shpallim Kosovën shtet dhe që pranë kësaj kauze rreshtuan aleatët tonë të mëdhenj, shtetet çerdhe të demokracisë. Ju faleminderit që jeni përkrah nesh Ambasador Delawie, Kosova nuk ka mik më të madh. Ambasadorë të nderuar, ju faleminderit për mbështetjen e pakursyer.
Këtë vit më shumë se çdo vit tjetër i kemi përjetuar dhimbjet e rritjes. Në kontekst të tillë, mospajtimet janë kuptueshme sikur që janë sfidat e një kushtetute të aprovuar, por të patestuar, e cila përkundër të gjithave duhet të vazhdojë t’i japë peshë e legjitimitet çdo vendimmarrjeje dhe veprimtarie tonë. Zgjidhjet tona duhet të jenë kushtetuese dhe institucionale, sepse vetëm kështu e forcojmë besimin që na duhet për ta rrumbullakuar këtë shtetformim. Është e pamohueshme që në këtë fazë të shtetndërtimit si shoqëri na duhet dialog i brendshëm për rrugën tonë përpara. Por, ky diskutim asnjëherë nuk guxon të sfidojë konsensusin bazik demokratik, të cilin e vendosëm në themelet e shtetësisë së Kosovës dhe mbi të cilin ndërtuam legjitimitetin tonë shtetëror e ndërkombëtar. Nuk guxon ta testojë miqësinë tonë me aleatët tanë apo ta vë në mëdyshje përcaktimin tonë për të ndërtuar shtet demokratik, të ngjallë frikë e të krijojë pasiguri për të ardhmen tonë. Kjo është ditë e shumëpritur, kjo është ditë e shenjtë që nuk shndërrohet në kontestim të dashurisë për atdheun.
Është e padiskutueshme që kemi shumë punë. Shumë punë për të kërkuar drejtësi për ata që nuk janë më. Punë për të përfshirë secilin qytetar, pa dallim etnie, në ndërtimin e shtëpisë tonë të përbashkët. Punë për t’i thënë jo korrupsionit që po monopolizon fuqinë në duart e një pakice që ia mohon të drejtën e barabartë për të konkurruar, punuar dhe për të krijuar mirëqenie qytetarit të Kosovës. Punë për të arsimuar gjeneratën e ardhshme. Për ta mbajtur atë të shëndoshë. Vendosmëri për t’i mbajtur përgjegjës të gjithë ata që nuk i kanë përfaqësuar interesat e qytetarëve denjësisht.
Padyshim, Dita e Pavarësisë duhet të jetë ditë reflektimi. Por, mbi të gjitha ajo është ditë feste, ditë gëzimi kur kthejmë kokën prapa dhe ndihemi krenarë për të arriturën tonë më të madhe këtë shekull, bërjen e Kosovës shtet. E ndajmë këtë ditë me më të dashurit tanë për të festuar dashurinë tonë më të madhe – dashurinë tonë për Kosovën, këtë ëndërr gjeneratash që ne kemi fatin dhe përgjegjësinë ta jetësojmë.
Kosova do të ecë përpara, ballëhapur e e patrembur. Qytetarët e saj do të vazhdojnë të jenë insistues për të ardhmen e tyre të pakthyeshme evropiane, të palëkundur në besimin që ditët e mira për Kosovën vetëm sa kanë filluar.
Qytetarë të Republikës së Kosovës, Urime 8 vjetori i pavarësisë. Të jemi krenarë me arritjet tona të përbashkëta dhe të mos ndalemi të aspirojmë më shumë.
Gëzuar Kosovë!