PRISHTINË, 1 Gusht / Presidentja e Republikës së Kosovës Atifete Jahjaga, u shpreh për domosdoshmërinë e bashkërendimit të veprimeve ndërmjet të gjitha institucioneve të Kosovës, posaçërisht atyre që kanë përgjegjësinë për sigurinë kombëtare, me qëllim luftimin e dukurive që po kërcënojnë stabilitetin dhe sigurinë e vendit, të rajonit dhe më gjërë.
Gjatë një takimi që Presidentja Jahjaga zhvilloi sot me Kryeministrin Hashim Thaçi, ministrin e Punëve të Brendshme Bajram Rexhepi, dhe me udhëheqësit e institucioneve të sigurisë në Kosovë, drejtorin e AKI-së Bashkim Smakaj, drejtorin e përgjithshëm të Policisë së Kosovës Shpend Maxhuni, kryeprokurorin e shtetit në largim Ismet Kabashi dhe kryeprokurorin e shtetit Sylë Hoxha, si dhe kryesuesin e Këshilli Gjyqësor të Kosovës Enver Peci, diskutoi për parandalimin dhe luftimin e ekstremizmit dhe të radikalizmit.
Në takim, krerët e institucioneve, kërkuan nga mekanizmat përgjegjëse për sigurinë, që veprojnë mbi bazën e ligjeve në Kosovë, parandalimin aktiviteteve, organizimeve dhe çfarëdo lloj veprimtarie radikale e ekstremiste që kërcënon jetën e qytetarëve jo vetëm të Kosovës, dhe që synon shndërrimin e vendit në burim të ekstremizmit. Presidentja Jahjaga ritheksoi qëndrimin se, “Kosova asnjëherë nuk do të bëhet strehë dhe nuk do të shërbejë si një burim për grupet radikale e ekstremiste”.