Te “Vatra”, u përmbyllën aktivitetet e “Javës kulturore shqiptare në SHBA”/
Nju Jork, 7 korrik 2018 –Me prezantimin në Federatën Panshqiptare të Amerikës “Vatra”, në selinë e saj në Nju Jork, u përmbyllën aktivitetet e “Javës kulturore shqiptare në SHBA”, të organizuara nga Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve të Maqedonisë.
Të pranishmëve në fillim iu drejtuan nënkryetari i Federatës“Vatra”, Agim Rexhaj, dhe kryetari Dritan Mishto, të cilët u dëshiruan mirëseardhje mysafirëve në Vatrën përbashkuese të të gjithë shqiptarëve në Amerikën e Nolit dhe Konicës.
Drejtori i Institutit, Skender Asani, tha se shqiptarët në SHBA kanë fat të madh që, përkundër dallimeve të ndryshme fetare e krahinore, gjejnë edhe një vatër shqiptare që është mbi të gjitha ato dallime. “Vatra është metaforë e vargut të Pashko Vasës “feja e shqiptarit është shqiptaria”. Kur vijmë këtu, të gjithë ne shkrihemi në identitetin e përbashkët të Vatrës dhe gjejmë prehje nga dallimet që mund t’i kemi gjithkund tjetër. Vetëm në Vatër ne ndjehemi tamam shqiptarë pa asnjë përcaktor tjetër. Dhe, kur kësaj ia shtojmë faktin se themelues të Vatrës ishin patriotët që edhe sot kanë mbetur të patejkaluar në përmasat e tyre, s’do mend se të shkelësh në hapat e tyre kjo është edhe privilegj, por edhe përgjegjësi”, u shpreh Asani.
Më tej fjalën e mori edhe kreu i Kryegjyshatës Botërore Bektashiane, Edmond Brahimaj, si dhe kreu i komunitetit bektashian të Maqedonisë, Arben Sulejmani, të cilët prezantuan rrugëtimin e komunitetit të tyre me gjithë peripecitë e natyrave të ndryshme.
Më pas u promovua edhe libri: “The light of guidance” nga autori Arben Sulejmani, si dhe u prezantua foto ekspozita: “480 vjetori i Teqesë Harabati Baba” dhe dokumentari: “Rrugëtimi 12 vjeçar bektashian”.
Drejtori i Institutit, “Vatrës” ia dhuroi të gjitha botimet e fundit të Institutit të cilat u promovuan më parë në qendra të ndryshme.
Në kuadër të “Javës kulturore shqiptare në SHBA”, Instituti prezantoi nëpër disa institucione të rëndësishme të diasporës shqiptare amerikane në Nju Jork dhe Nju Xhersi, duke promovur libra dhe ekspozita dokumentare, të cilat zgjuan interesim të madh brenda komunitetit dhe jashtë tij.
Delegacioni i Institutit, i përbërë nga Skender Asani, Zeqirija Ibrahimi dhe Sevdail Demiri, në kuadër të kësaj vizite realizuan edhe takime të rëndësishme në SHBA, në mesin e të cilëve edhe me kryetarin e Lidhjes Shqiptare-Amerikane, Xhozef Diogardi.