NGA ARTUR VREKAJ WORCESTER, MA/
Për Bashkimin e Diasporës Shqiptare të Amerikës si domosdoshmëri sot për sot flitet më shumë rrjeteve sociale se shkruhet a thuhet në publik, në komunitetet shqiptare. Pothuajse, s’do ta zërë ndonjë gazetar i Diasporës me gojë. Është i sikletshëm? Nuk ka përse! Edhe pse s’e merr kush mundimin të shkruajë një editorial! Apo dhe një çerek faqe gazete, apo ndonjë hyrje programi televiziv në shqip të flasë për Bashkimin e Diasporës Shqiptare të Amerikës.
Dhe kjo heshtje vrasëse duket sikur s’i bën dëm askujt. Po çfarë po ndodh? Shqiptarët e Amerikës po përjetojnë rrëshqitjen në folklorizëm. Ka disa veprimtari të mirëfillta letrare e kulturore, por duket që këto i bëjnë të bukura njerëzit e artit që i kanë pasion dhe krijojnë në vayhdimësi ose edhe veprimtarë aktivë të ardhur më shumë pas 1990-ës në SHBA apo Kanada.
Kush mund ta shpëtojë këtë Diasporë nga vendnumëroja e darkave të kripura më shumë dhe e festivaleve parambledhëse? Kush tjetër, veçse zgjimi i vetëdijes kombëtare në Amerikë për një Diasporë aktive, të përbashkuar dhe me një zë! Dhe pastaj të mendojmë më shumë se si e qysh ta ndihmojmë komunitetin shqiptar të bëhet faktor përfaqësues për të mirën e tij pse jo dhe për Çështjen Kombëtare që ende lëngon trojeve shqiptare në Ballkan nga presioni në rritje i shteteve fqinje për asimilimin e Identitetit Kombëtar, të shkeljeve të dhunshme të të drejtave të shqiptarëve, të insistimit me dhunë të mospërdorimit të simboleve kombëtare në trojet shqiptare.
I vetmi dokument kushtrues për bashkim për periudhën e këtij mijëvjeçari është libri i autorit Ismail Ahmeti “Bashkimi kombëtar i diasporës sonë në Amerikë” botuar në vitin 2006 nga shtëpia botuese Marin Barleti i sponsorizuar financiarisht nga 28 atdhetarë dhe Fondacioni Plavë-Guci.
E para përçapje për Bashkimin Programor të organizatave shqiptare me anëtarësi aktive u bë nga Shoqata Atdhetare Kulturore KOMBI e Worcester, shteti i Massachusetts në Boston, në Nëntor 2010 bashkë me shoqatat KOSOVA dhe MASSBESA që veprojnë po në Boston atje ku dhe u bë 101 vjet më parë Bashkimi i Parë nga shoqatat e shqiptarëve të udhëhequr nga Noli, Konica, Kirka e shumë të tjerë që formuan Federatën Panshqiptare VATRA.
Sot për sot në Amerikë veprojnë si organizata komunitare disa shoqata shqiptare njëherësh në New York, Boston, Detroit, Toronto (Kanada), Cleveland, Filadelfia, Worcester, MA, Florida, Washington, Dallas e gjetkë.
Përjashtuar të vetmen organizatë lobiste LQSHA e DioGuardit, 24 vjeçare, e sukseshme tashmë në lëvizjen për Liri e Pavarësi të Kosovës asnjë organizim tjetër shqiptaro-amerikan sot për sot nuk e ka statusin e përfaqësimit të të gjithë shqiptarëve të Amerikës në Kongresin Amerikan apo Senatin Amerikan apo edhe në Shqipëri dhe Kosovë.
Pse? Sepse asnjë organizatë nuk është e shtrirë në të gjitha komunitetet shqiptare të qyteteve amerikane ose edhe atje ku është riorganizuar VATRA apo u riorganizua së fundmi veprojnë edhe organizata të tjera sipas krahinave nga kanë ardhur shqiptarët apo edhe prej territoreve të banuara me shqiptarë në Ballkan.
Sepse ka organizata të shqiptarëve së bashku apo dhe nga krahinat e trojeve shqiptare të Maqedonisë, të Ana e Malit, Mali i Zi apo edhe shoqata të tjera të mirëfillta kulturore që më së shumti janë në New York.
Pra, kemi një situatë me profile të ndryshme organizatash, me anëtarësi aktive apo dhe organizata me vetëm Borde apo dhe me degë me dy vetë si dhe organizata me një njeri në drejtim… Pra, ka dhe amulli. Moskordinim më shumë. Disa angazhohen për patriotizëm të vërtetë, disa për protagonizëm individual. Puna e gjallë e disa organizatave i ka lënë hije shumë të tjera dhe tashmë mund të dallosh qartë në qytetet e mëdha si New York, Boston, Detroit, Worcester, MA, Filadelfia, Dallas, Cleveland se kush organizatë shqiptare vërtet organizon veprimtari cilësore me program atdhetar por edhe në bashkëpunim me organizata të tjera simotra.
Kështu, 101 vjet më Bashkimi ishte i plotë pa diskutim organizativisht si dhe nga ana programore. Por kishte shqiptarë kryesisht në Boston dhe Worcester, në shtetin Massachusetts SHBA ( që ishin pothuaj nga Jugu i Shqipërisë, shumica dërrmuese nga Korça) ku edhe u përqëndrua veprimtaria kombëtare. Në qytetet e tjera amerikane kishte shqiptarë, por siç shkruaj më lart aktiviteti mediatik, politik, diplomatik dhe atdhetar i VATRË-s u përqëndrua në Boston.
Sot, 101 vjet më pas:
Ka një vendnumëro lidhur me reflektimin për situatën që është sot Diaspora Shqiptare në Amerikë. Pa një strategji Bashkimi. E parcelizuar. Larg e larg me qytetet. Pa një Program të Përbashkët Kombëtar. Vetëm përmëndet për çfarë u bë për Pavarësinë e Shqipërisë, për shtetin, për kombin shqiptar 100 (1912) apo 80 vjet (1918-1924) më parë kur edhe ishte më i gjallë Bashkimi. Akoma vazhdon organizimi i shqiptarëve në qytete a lagje qytetesh, sepse organizimi është në proces e sipër apo ripërtërihet vit për vit sepse kështu janë edhe anëtarësimet – vullnetare. Asgjë konkrete. Sikur edhe idealizmi nuk pëlqehet. Sepse të gjithë “e dimë se bashkimi do ta përmirësonte situatën”. Nuk është e lehtë sot në Amerikë të punosh me komunitetet, por edhe e pamundur të bashkohemi nuk është. Sepse ka veprimtarë me shpirt kombëtar edhe pse nuk u pëlqen disave nëpër Këshilla Drejtuese organizatash kjo nismë. Ca sepse kanë lindur këtu në Amerikë, ca sepse u duket i pamundur, ca mbase u duket dhe i tejkaluar njëherë apo i provuar disa herë që nuk funksionon. Cave u duket sikur u kanë marrë nismën e Bashkimit. Sikur u prishen dhe interesat po ta zgjojnë Bashkimin e Dytë të Diasporës.
Ca presin sikur do tua falin Bashkimin …..Po Diaspora nuk është pronë! Është mision organizativ i të gjithave organizatave pa dallim. Po këtu duhen ftuar të gjitha edhe organizimet fetare të shqiptarëve, sepse ato kanë kontributin e tyre në Diasporën e Amerikës. Pra, nuk duket kaq e thjeshtë. Por me vullnet një grup organizatash bazuar në misionin e tyre bashkues do të mund ta marrin këtë nismë Bashkuese me program të qartë për një Kuvend të Parë të Diasporës në Amerikë, me përfaqësues të organizatave atdhetare, kulturore dhe fetare. E kërkon koha. E kërkojnë zhvillimet kombëtare në Ballkan por më shumë edhe ne shqiptarët e Amerikës për të parandaluar asimilimin sa më të shpejtë.
Në një farë mënyre duket edhe sikur punohet në ilegalitet qoftë edhe për riorganizimin e shqiptarëve në ato zona apo qytete sipas njohjeve që kanë veprimtarët edhe pse Amerika është vendi i demokracisë dhe ka hapësirë për çdo organizim sipas modelit apo veprimtarisë që organizon.
Mos ta presim as nga shteti amë, Shqipëria dhe as nga Kosova një përbashkim të ri. U ngopëm me premtime për kongrese apo komitete të diasporës që janë ende në letrat e Tiranës zyrtare. Kush organizatë apo anëtar organizate ka flirtuar apo flirton me politikën shqiptare në Ballkan nuk i bën mirë Diasporës së Amerikës. Kjo duket sheshit. Dhe ne jemi të qartë se politika e keqe e Shqipërisë i ka prishur punë edhe shqiptarëve të Amerikës në shekullin e kaluar. Sot është jashtë mode.
Ndaj të bëhemi aktiv për veten tonë si komunitet i tërë, si faktor integrues e bashkues, përfaqësues e promovues të Shqiptarëve në Amerikë e Europë. Po këtë e bën një KUVEND i përvitshëm me Program të Përbashkët për ardhmërinë vetëm duke e bërë realitet, duke qënë aktiv kudo ku jetojmë por edhe së bashku.
Sepse nuk ta jep vjetërsia e emrit organizativ statusin aktiv apo përfaqësues në Diasporë, ta jep puna e gjallë, e hapur, kordinative me organizata të tjera. E shohim këtë në shtetin Massachusetts ku ka më shumë gjallëri ndër shqiptarët për modelet që afrojnë shoqatat MASSBESA, KOSOVA në Boston dhe shoqata KOMBI në Worcester, MA.
Edhe në Shqipëri dhe Kosovë së fundi ka informacion se si e sa janë të organizuar shqiptarët e Amerikës. Dhe kjo padyshim i ngroh shtetet në të mirë të kombit tonë. Po jo kështu siç jemi ne në Amerikë, të parcelizuar. Me krahina apo sipas vendeve nga vijmë . S’do shumë studim.
Ne duhet të përdorim emisionet radiofonike apo televizive për ndërgjegjësimin gjithnjë e më shumë të shqiptarëve, sepse ne duhet të punojmë për bashkimin si në komunitetet e qyteteve ashtu edhe diasporën në tërësi. Edhe veprimtaritë atdhetare për këtë flasin kur i kordinojmë me shqiptarët e gjashtë shteteve të New England dhe New York.
Dhe Bashkimi i Diasporës është duke marrë udhë. Po duhet të flasim më shumë për të. Sepse brezat shkojnë me kohën. Ndaj dhe asimilimi ngre krye hera-herës. Kur nuk themi asgjë për bashkimin.
Prandaj, kemi nevojë për një zgjim të ri. Që të jemi sa më të organizuar dhe më të besueshëm se dimë të ruajmë Identitetin Kombëtar jo vetëm lokalisht si sot por edhe tërësisht. Të shpresojmë më shumë nga të qënit aktiv. Për ta trëmbur vendnumëron-ë!
Pjeter Jaku says
C’eshte kjo menyre per t’u kooperativizuar ne Lige, kur kemi Vatren, Organizaten me te vjeter, te vetmen perfaqesuese ligjore te shqiptareve ne Amerike. Shoqatat jane ne nje nivel me te ulte se nje Organizate Panshqiptare e njohur nga Shteti Amerikan, e cila eshte e vetmja qe ftohet nga Portokolli i Shtepise se Bardhe, kur ka evenimente te rendesishme per shqiptaret dhe Shqiperine.
Sali Bollati-Paramithioti says
Shqetesimet e z.A.Vrekaj jane me shume vend dhe duhen mbeshtetur nga te gjithe ne qe e ndjejme vehten shqiptare. Nuk eshte ne nderin e askujt dhe aqe me teper te atyre qe mbajne emrin shume te nderuar te VATRES ; ne rast se para mbi 100 vjetesh ishin rrjeshtuar shqiptaret(shumica te pa aresimuar) nen ata emer te nderuar, pse sot kur shumica e shqiptareve jane te aresimuar nuk ka vazhdimesi Vatra. Nga kush drejtohet, si funksionon(ne qofte gjalle?), cfare programi ka ,si behen mbledhjet dhe zgjedhjet?Pse e ka nderprere(aresyen duhet ta dije!) veprimtarine Atdhetare dhe meret me partite politike?? Te na vije turp qe jemi i vetmi komunitet qe nuk kemi nje QENDER SHQIPTARE ME NJE BIBLIOTEKE, KU TE MBLIDHEMI, TE NJIHEMI ME NJERITJETRIN DHE TE DISKUTOJME PROBLEMET KOMBETARE QE NUK JANE TE PAKTA BILE DHE TE DEFREHEMI!!
Sadik Elshani, Philadelphia says
Diaspora shqiptare ne Amerike, apo ne ndonje vend tjeter, nuk mund te drejtohet vetem nga nje qender. Shoqatat neper qytetet perkatese, si per shembull Shoqata “Bijte e Shqipes” ne Philadelphia, jane me aktive , me efikase dhe me te organizuara. Keto shoqata duhet te kene vetem orientim kombetar e jo lokal, ideologjik, apo partiak. Te gjitha keto shoqata nepermes perfaqesuesve te tyre duhet te formojne nje lidhje (asociacion) dhe ne kete menyre te bashkerendojne punen e tyre. Dhe sidomos kur jane ne pyetje ceshtjet madhore te kombit tone, sfidat me te cilat ballafaqohet populli yne ne gjithe hapesiren shqiptare. Te ndihmojme per demokratizimin e metejme te Shqiperise dhe Kosoves dhe te perpiqemi qe edhe vellezerit tane ne Mal te Zi, Sanxhak, Luginen e Presheves, Maqedoni e Cameri t’i gezojne te gjitha te drejtat e tyre, te drejtat njerezore. Sidomos duhet te angazhohemi me perkushtim qe t’i perparojme edhe e shume marredhenjet e ShBA-ve me Shqiperine, Kosoven dhe gjithe kombin tone.
Artur Vrekaj says
Miq Bashkëkombas!
Duhet ta vlerësojme realitetin ashtu siç është këtu në Amerikë! Për çdo shtet dhe qytet ku ka shqiptarë! Ne kemi nevojë të bashkëkuvendojmë jo për veten tonë personale, për ardhmërinë e kësaj Diaspore që ka nevojë të mirëorganizohet! Për çka është bërë mir deri më sot nuk ja hamë hakun askujt! Po si mund të ecim kështu të parcelizuar?! Me respekt Artur Vrekaj,