

Dr. Gazmend Kapllani/
Joe Gould (1889-1957) është një karakter kult dhe një nga bohemët më të famshëm të historisë së Nju Jorkut dhe të Amerikës. Një njeri mes gjeniut dhe të çmendurit, i lindur në një familje të pasur mjekësh në një qytet të vogël pranë Bostonit. Pasi braktisi studimet në Harvard, vendosi të zhvendosej në Nju Jork që t’i kushtohej letërsisë dhe artit. Pretendonte se po shkruante librin më të gjatë të historisë së folur të njerëzimit, “historia e folur e kohës sonë”, libër që nuk u gjet as u botua kurrë. Është, megjithatë, njeriu që krijoi termin “oral history / historia e folur” në fjalorin anglez.
Ishte mik me disa nga shkrimtarët dhe intelektualët më të njohur amerikanë të kohës, si e. e. Cummings dhe Ezra Pound, mes shumë të tjerëve.
Në mesin e viteve ’20, Joe Gould endej nëpër Nju Jork duke thënë se ishte Ambasador Nderi i Shqipërisë në Amerikë. E vërteta është që për 10 vjet, nga viti 1915 (kur Shqipëria, gjatë viteve të mbrapshta të Luftës së Parë Botërore, ishte zhdukur nga harta) deri në vitin 1925, ai ishte njëri ndër përkrahësit më të zjarrtë të shqiptarëve, falë njohjes së tij në Universitetin Harvard me Fan Nolin.
Madje, në shënimet e tij shkruan se frekuentonte një kafene shqiptare në Boston me emrin “Skënderbeu”, si edhe Kishën e Shën Gjergjit në Boston, e themeluar nga Fan Noli. Por dokumenti më i famshëm për Shqipërinë është korrespondenca e tij me “atin” e antropologjisë amerikane, Franz Boas, të cilin përpiqet ta bindë që të krijojnë një shoqatë me personalitete amerikane që do të përkrahte dhe ndihmonte Shqipërinë, me emrin “Kampionët e Skënderbeut”.
“Tani që Shqipëria mbijetoi nga grekët dhe serbët,” shkruan ai, “duhet ta ndihmojmë që të shpëtojë nga dy plagët e saj më të mëdha: varfëria dhe padija — por sidomos padija,” nënvizon ai, “e cila nuk i lejon shqiptarët, një popull shumë të zgjuar, të përparojnë si popujt e tjerë të civilizuar.”
Në këtë letër Joe Gould përmend gjithashtu faktin se, në vitin 1916, ai ka organizuar në Nju Jork eventin “Miqtë e Pavarësisë së Shqipërisë”, ku antropologu i madh Franz Boas ka shënuar emrin e tij në listën e personaliteteve të shquara amerikane që mbështetnin pavarësinë e Shqipërisë.
Foto: pjesë nga letra e Joe Gould për antropologun e shquar amerikan Franz Boas (Dhjetor 1920), ku i kërkon mbështetjen e tij për krijimin e një grupi me amerikanë të shquar për të ndihmuar Shqipërinë dhe shqiptarët.