-Para 8 viteve, vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) për legalitetin e Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës/
-Presidenti Thaçi: Vendimi i GJND i parapriu shumë proceseve politike, në të cilat ishim të bashkuar, duke ia siguruar Kosovës ndër fitoret më të mëdha ndërkombëtare/
-Kryeministri Haradinaj: Kosova në tërësinë e saj të plotë territoriale është faktor i rëndësishëm i stabilitetit në rajon dhe më gjërë/
– Vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë u dha pas një ankese që Serbia i kishte dërguar kundër shpalljes së pavarësisë së Kosovës/
Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/
PRISHTINË, 22 Korrik 2018/ Para tetë vitesh, në 22 korrik 2010, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka konkluduar se miratimi i Deklaratës së Pavrësisë së Kosovës në 17 Shkurt 2008 “nuk e ka shkelur të drejtën e përgjithshme ndërkombëtare, as rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit e as Kornizën Kushtetuese”.
“Prandaj, miratimi i kësaj deklarate nuk e ka shkelur asnjë rregull të aplikushme të së drejtës ndërkombëtare”, theksohej më tej.
Presidenti i Republikës, Hashim Thaçi, sot përkujton se, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) tetë vjet më parë dha mendimin këshillues mbi legalitetin e deklaratës së pavarësisë së Kosovës.
“Ky vendim i parapriu shumë proceseve politike, në të cilat ishim të bashkuar, duke ia siguruar Kosovës ndër fitoret më të mëdha ndërkombëtare. Edhe sot, na presin shumë sfida, e për tejkalimin e tyre duhet të japim kontribut të gjithë, për t’i siguruar fitoret e radhës së shtetit tonë, anëtarësimet në BE, NATO dhe OKB”, thekson presidenti i Kosovës, Thaçi.
Ndërsa, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj shprehet se, tetë vite më parë Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë i dha legalitet të drejtës sonë për shtet.
“GjND, në opinionin e vet, vlerësoi se përpjekjet tona historike ishin të drejta. Ky vendim i rëndësishëm hapi rrugë për të ndërtuar Kosovën shtet modern që aspiron integrimet euro-atlantike. Ne kemi ende punë për të bërë, por progresi nuk do të ndalet”, thekson kryeministri.
Ai vijon se, me dhënien e dritës së gjelbër për liberalizim të vizave vuloset e ardhmja jonë në familjen e shteteve paqedashëse dhe demokratike.
“Kosova në tërësinë e saj të plotë territoriale është faktor i rëndësishëm i stabilitetit në rajon dhe më gjërë”, thekson Haradinaj.
Para tetë viteve, atëherë ministri i Jashtëm i Kosovës, Skender Hyseni, e cilësonte vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë si “të qartë” dhe që “nuk lë vend për dyshime”, se pavarësia e Kosovës është bërë në përputhje me të drejtën ndrëkombëtare.
“Gjykata konstatoi, me shumicë dërmuese, se Deklarata e Pavarësisë së Kosovës nuk ka shkelur të drejtën ndërkombëtare. Mendimi i Gjykatës është eksplicit dhe i qartë, dhe nuk lë vend për dyshim”, thuhej në deklaratën e ministrit Hyseni, pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në lidhje me pavarësinë e Kosovës.
“Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka vendosur në favor të Kosovës në të gjitha pikat”, vazhdonte më tej deklarata.
“Tani presim njohje të mëtejme të Kosovës. U bëjmë thirrje shteteve që e kanë shtyrë njohjen e Republikës së Kosovës në pritje të Mendimit të Gjykatës, që tani të vendosin për njohjen (e Kosovës)”, thuhej në deklaratën e ministrit të Jashtëm të Kosovës.
Menjëherë pas këtij zhvillimi me rëndësi historike, në një deklaratë të anëtarëve të Grupit Drejtues Ndërkombëtar për mendimin këshillues të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë rikonfirmohej mbështetjetja e palëkundur për pavarësinë e pakthyeshme të Kosovës dhe bëhej thirrje për njohje.
“Grupi Drejtues Ndërkombëtar rikonfirmon mbështetjen e palëkundur të tij për pavarësinë e pakthyeshme të Kosovës demokratike dhe shumetnike në kufijtë e saj të tanishëm dhe i bën thirrje shteteve tjera që të njohin Kosovën. Ai po ashtu përshëndet përkushtimin e vazhdueshëm të Kosovës dhe progresin e konsiderueshëm në zbatimin e Propozimit Gjithëpërfshirës për Statusin dhe do të vazhdojë të mbështesë Kosovën në punën për realizimin e perspektivës së saj evropiane”, theksohej në deklaratë.
Grupi Drejtues Ndërkombëtar (ISG) për Kosovën, i cili përbëhej nga vendet që e kanë njohur Pavarësinë, ishte formuar më 28 shkurt të vitit 2008 dhe synonte të orientojë dhe mbikëqyrë zhvillimin demokratik të Kosovës, të nxisë qeverisjen e mirë dhe shumetnicitetin, bazuar në Propozimin Gjithëpërfshirës të emisarit të posaçëm të OKB-së, kryenegociatorit për statusin, Martti Ahtisaari.
Vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë u dha pas një ankese që Serbia i kishte dërguar kundër shpalljes së pavarësisë së Kosovës.