PRISHTINË, 31 Gusht 2015/ Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga priti në takim lamtumirës Ambasadoren e Kanadasë në Zagreb, jorezidente për Kosovën, Louise LaRocque, në përfundim të mandatit të saj.
Presidentja Jahjaga vlerësoi rolin që Ambasadorja LaRocque ka luajtur në forcimin e marrëdhënieve në mes dy vendeve, duke shprehur mirënjohjen e qytetarëve dhe institucioneve të Kosovës për mbështetjen e pakursyer të shtetit mik të Kanadasë.
Presidentja Jahjaga vlerësoi si të rëndësishëm thellimin e bashkëpunimit ndërshtetëror me theks në fushën e zhvillimit ekonomik, duke theksuar se qytetarët e Kosovës dhe institucionet e saj mbeten të përkushtuar të ndërtojnë të ardhme prosperuese, si kontribuues të paqes dhe stabilitetit në rajon.
Ambasadorja LaRocque shprehu mirënjohjen për përkrahjen e Presidentes Jahjaga, duke vlerësuar progresin që Kosova dhe qytetarët e saj kanë bërë në ndërtimin e paqes, ajo tha se Kanadaja do të vazhdojë të ofrojë mbështetjen e pakursyer për Kosovën.
Kanadaja është shteti i 28-të që ka njohur pavarësinë e Kosovës, në 18 mars 2008 – një muaj pas shpalljes në 17 shkurt të atij viti./b.j/