“Mbrojtja Civile Serbe” që vepron në pjesën veriore të Kosovës, mund të jetë partner i paqeruajtësve të NATO-së në të ardhmen, sinjalizon komandanti i KFOR-it Volker Halbauer, sipas të cilit baza juridike për cilëndo organizatë në Kosovë duhet të sqarohet paraprakisht.
Gjeneral-Majori gjerman që udhëheq misionin e NATO-së në Kosovë, tha të martën se gjëja kryesore në përzgjedhjen e partnerëve në terren, është që ata t’i përshtaten mandatit të KFOR-it për ruajtjen e një mjedisi të qetë dhe të sigurt.
“Unë nuk do të argumentoj rreth bazës ligjore të cilësdo organizatë në Kosovë. Kushdo që ka bazë ligjore, kjo është çështje tjetër, dhe vendimi duhet të merret nga autoritetet tjera. Për ne si KFOR, kushdo që kontribuon për një mjedis të qetë dhe të sigurt, është partner joni, e kush nuk e bënë këtë gjë, nuk është partner i joni”, u përgjigj Halbauer kur është pyetur rreth një partneriteti të mundshëm me “Mbrojtjen Civile”.
Ky trup, të cilin autoritetet në Prishtinë e konsiderojnë si ilegal, është shfaqur në nëntor të vitit të kaluar në publik në pjesën veriore të Mitrovicës.
Pjesëtarët e saj janë të uniformuar, dhe komandohen nga Kërstimir Pantiq, që është shef i shtabit të Mbrojtjes Civile matanë lumit Ibër.(Kortezi Fatmir Aliu Europa e Lire0
Pantiq ka pati deklaruar për mediet serbe se kjo organizatë është e formuar në kuadër të ligjit për situata të jashtëzakonshme të Republikës së Serbisë, dhe në përputhje me Konventën e Gjenevës, si një organizatë komunale nën kontroll të autoriteteve lokale.
Por për komandantin e KFOR-it Volker Halbauer përveç çështjeve ligjore që duhet të definohen për “Mbrojtjen Civile Serbe”, një gjë është e qartë se kjo organizatë nuk ka të drejtë të bartë armë.