Flamur VEZAJ/
Për të dytin vit radhazi, tre patriotët shqiptarë Aldi Myteberi, Nikolin Gaçe dhe Ardit Dervishi organizuan kampionatin e golfit në veri të Bostonit! Këtë vit, nismës së tyre iu bashkuan edhe organizata të rëndësishme në Boston, si Vatra, MaasBesa dhe Albanians Fighting Cancer! Ky kampionat, me rreth 90 lojtarë golfi, kishte një qëllim të përbashkët: mbledhjen e fondeve për tre organizatat shqiptare, të cilat punojnë prej vitesh për të ndihmuar komunitetin shqiptar në Boston në fusha të ndryshme.
Për të zhvilluar këtë aktivitet të rëndësishëm, një kontribut të madh dhanë 23 kompani biznesi me pronarë shqiptarë dhe amerikanë, të cilët iu bashkuan nismës për mbledhjen e fondeve, që shkuan të gjitha për tre organizatat shqiptare: Vatra, MaasBesa dhe Albanians Fighting Cancer! Gjithashtu, në këtë event kontribuan edhe klube sociale shqiptare dhe individë, të cilët janë pjesë e organizatave përkatëse këtu në Boston.
Gjithçka filloi mesditën e të hënës, kur rreth 23 kompani të ndryshme biznesi, shqiptare dhe jo vetëm, sollën lojtarët e tyre për të marrë pjesë në këtë kampionat golfi. Në hyrje të Ipswich Golf Country Club, organizatorët pritën lojtarët për t’u regjistruar, ndërkohë që ofruan dhurata simbolike për çdo lojtar. Pas regjistrimit, lojtarëve iu shtrua një drekë, pas së cilës ata u ndanë në grupe në gjithë sipërfaqen e klubit të golfit, ku ishin vendosur edhe reklamat e kompanive që kishin bërë donacione për këtë event.
Loja vazhdoi për më shumë se 4 orë, dhe darka i mblodhi të gjithë bashkë për të festuar dhe ndarë çmimet e fituesve. Për ndarjen e çmimeve folën tre iniciatorët e këtij organizimi: Myteberi, Dervishi dhe Gaçe, të cilët falënderuan të gjithë pjesëmarrësit në lojë dhe në darkën e shtruar për këtë event, duke shpallur edhe fituesit e kampionatit.
Sipas renditjes, vendin e parë e fituan lojtarët që përfaqësonin kompaninë “RMD Insurance”: z. Anthony DeGregorio, z. Cable Morey dhe z. Joseph Caprini, për të cilët menaxheri shqiptar i restorantit “Abe & Louie’s” dhuroi një çmim simbolik, një darkë falas për 6 persona! Çmimi i dytë shkoi për ekipin “Team Sunshine”: z. Reed Bourgeois, z. Ben Carrol, z. Ahmad Hodroj dhe z. Adam Bahou, të cilëve klubi i golfit “Ipswich Country Club” u dhuroi një ditë leje kalimi për të luajtur brenda këtij klubi falas. Ndërsa vendi i tretë i takoi ekipit të kryesuar nga z.Klaus Trasha, z.Justin Nee, z.Ray dhe z.Klajdi Cenolli që u shpërblye me nga një kuti cigare puro nga kompania shqiptare “Nobel,” të prodhuara në Republikën Domenikane.
Pas ndarjes së çmimeve, Myteberi ftoi drejtuesit e organizatave shqiptare të përshëndesin të pranishmit. Në emër të organizatës MaasBesa foli zëvendëskryetarja znj. Jorida Qirollari, e cila përveç falënderimit të dhuruesve, tregoi për aktivitetet kulturore dhe edukative të organizatës. Znj. Qirkollari theksoi punën që MaasBesa ka bërë prej vitesh, përfshirë hapjen e shkollave shqipe në tre qytete, si dhe organizimin e festivalit shqiptar.
Në emër të VATRËS në Boston foli kryetari z. Mentor Maksutaj, i cili, përveç falënderimeve ndaj tre nismëtarëve, vuri theksin në punën 112-vjeçare të VATRËS në të mirë të komunitetit shqiptar, për ruajtjen dhe promovimin e kulturës dhe traditës shqiptare. Ai kujtoi punën e madhe që ka bërë një nga themeluesit e VATRËS, Fan S. Noli, për ndihmën ndaj komunitetit shqiptar dhe krijimin e kishës së parë autoqefale shqiptare në SHBA.
Në emër të organizatës Albanians Fighting Cancer foli Dr. Ivi Kisamati, i cili theksoi punën disa vjeçare të organizatës për të ndërgjegjësuar komunitetin shqiptar për sëmundjen e kancerit dhe ndihmën e dhënë për personat e prekur nga kjo sëmundje. Dr. Kisamati falënderoi organizatorët dhe shprehu vlerësim për kompanitë që dhuruan donacione për këtë event.
Në mbyllje të darkës, Aldi Myteberi deklaroi se kjo traditë e organizimit të kampionatit të golfit do të vazhdojë, ndërsa Nikolin Gaçe dhe Ardit Dervishi falënderuan një për një të gjithë dhuruesit e donacioneve, kompanitë, bizneset dhe individët që mundësuan këtë event!
Foto: F.Vezaj & E. Lazri