Gezim Zilja
- Mos na rri kaq larg, pi një kafe me popullin,- dëgjoj një zë të njohur.
- O Koço, nuk të pashë. Do ulem pa tjetër.- Ora nuk ka shkuar ende shtatë, lokali është bosh, po Koçua e ka filluar ditën e punës.
- O Pëllumb! Edhe kafe, raki për presorin!- iu drejtua pronarit. E kuptoj që çdo kundërshtim është fare i kotë.
- Më thanë që të erdhi djali nga Anglia,- hapa muhabet.
- Erdhi ore erdhi, po çe do që erdhi. Katër vjet kisha pa e takuar. Nuk ndenjën në shtëpi, se unë jam akoma me mobiljet e Enverit. Ndenjën në hotel. Po vend kishim se unë vetëm me plakën jetoj.- Kishte një mllef të madh Koçua, që donte ta zbrazte.
- Po nipin e kishin marrë me vete?- buzëqesha kot.
- E kishin marrë ore, e kishim marrë, po çe do. Nuk na njihte fare. Le që nuk e la e ëma të afrohej me ne!?
- Po si kështu?
- Na morën me plakën një darkë andej nga lokalet e shtrenjta, anës detit, po çe do. E bëri det me peshq e prodhime deti po nuk më shkonte poshtë. Më ngelën sytë te nipçja se e takoja për herë të parë. Po nusja….
- E nga e ka nusen?
- Nga fshatrat e Fierit. E ka gjetur vet atje në Angli. Po nuk më la ta përkëdhelja nipçen. Aman more, kanë kanë nënë e babë vetë këto gra a ç’dreqin kanë ?- shpërtheu Koçua. –S’vura gjë në gojë. Nja dy dopio i ktheva se më mërziti ajo m.. laleshke. Në shtëpi na solli djali. I la dhe njëqind euro në dorë gruas. Atje janë mbi komodinë edhe sot e kësaj dite. Plaka u vjen ndonjëherë rrotull por ia kam bërë benë se po i preku me dorë, do t’ia thyej brinjët,- hoqi në zemër, duke lëshuar një “uuufffff” të tejzgjatur. Mu bë se dhe deti atje tej e ndjeu psherëtimën, u drodh, e ndaloi valët për një çast. Duhej pa tjetër të ndërroja temë.
Dy vjet më parë Koçua u nda nga shoku i fëmijërisë Musai, që shkoi në Kanada. Qe një ndarje e vështirë. Ai i la amanet, që me kafen e mëngjesit, të porosiste dy gota, një për Musanë dhe një për vete. Pëllumbi ia sillte çdo mëngjes pa folur. Koçua e cikte gotën, e thoshte: – Të paça o byrazer!- Kthente një gllënkë nga e tija dhe pastaj nga e shokut. Kur u ula, vura re, që çuditërisht mbi tavolinë ishte vetëm një gotë. Kjo ishte arsye për të ndërruar muhabet. E ngacmova: – Koço! Po ç’ne një gotë? Sikur…- Ngriti sytë e thellë, që ende nuk e kishin humbur blunë e detit, kaloi dorën mbi flokët e rralluar, pastaj mbi fytyrën e pa rruar dhe mu drejtua gjithë seriozitet:
- E kam lënë o presor. Doktori më tha që e kam copë mëlçinë. Kjo që shikon është e Musait. Si thua ti, të mos e pi?! Po e kam amanet ore dhe amanetin nuk e tret dheu. E rrëkëlleu me fund dhe mu drejtua: -Hë si thua tani?-
- Tani,- i thashë,- Musai nuk do të mërzitet.