Jonila Godole
Ka ardhur koha që PD t’i rikthehet premtimit të saj të hershëm për dekomunistizimin, për shkuljen e trashëgimisë së errët dhe kriminale të komunizmit, e cila nuk e lejon shoqërinë shqiptare të emancipohet dhe as vendin të demokratizohet. Si mund të arrihet kjo?Së pari, duke u ndarë nga komunizmi si mendësi që ka riprodhuar për dekada me radhë të njëjtin model udhëheqjeje, të njëjtën gjuhë akuzuese, linçuese dhe përçarëse që PD në fillimet e saj qe përbetuar ta luftonte.Së dyti, duke mbështetur një platformë të gjerë idesh për dekomunistizmin e shoqërisë që të ketë si mision rivendosjen e drejtësisë, politilat e kujtesës dhe edukimin e të rinjve që e shkuara të mos harrohet.Platforma duhet të diskutohet me grupet e interesit, shoqatat e të përndjekurve politikë, shoqërinë civile dhe diasporën. Të gjitha këto grupime motivohen nga një qëllim i përbashkët: Dënimi i diktaturës dhe marrja e masave parandaluese që ai regjim (ose forma të përafërta të tij), të mos përsëritet më. Ky është detyrimi moral që kemi ndaj të përndjekurve politikë. Një proces i ndarjes me të shkuarën nuk vendos në vend vetëm dinjitetin e tyre, por i kthen dinjitetin të gjithë shoqërisë shqiptare dhe i jep mundësinë asaj të distancohet nga kultura e pandëshkueshmërisë, e kultit të individit dhe e përçarjes – drejt një kulture të dialogut dhe të përbashkimit, për të cilën shqiptarët dhe Shqipëria sot kanë aq shumë nevojë.Nuk mund të ketë shtet demokratik pa kuruar plagët e të shkuarës, pa respektuar gjakun dhe sakrificat e mijëra personave që e vuajtën diktaturën në mënyrën më çnjerëzore, dhe pa bërë transparencë mbi përgjegjësit që i kryen këto krime!“