Nga Robert Elsie/
Thuhet shpesh se EdithDurham njihet më mirë në Shqipëri dhe në Kosovë se sa në Angli. Në viset e Ballkanit gjendet tek tuk një shkollë Edit Durhami apo një rrugë MissDurham, kurse në Londër zor të gjesh ndonjë gjurmë të saj. Megjithëse jam në dijeni se flas këtu para njerëzve që mund të dinë më shumë se unë për udhëtaren dhe shkrimtaren angleze, do të ketë disa persona që nuk e njohin dhe për këta dëshiroj të jap disa të dhëna për jetën e kësaj gruaje të mahnitshme.
Mary Edith Durham (1863-1944) vinte nga një familje e madhe dhe e pasur nga veriu i Londrës. Ishte më e madhja prej tre vëllezërve dhe gjashtë motrave, të cilët ishin kryesisht të suksesshëm në karrierat e tyre përkatëse në mjekësi, inxhinieri dhe administratën publike. Edith, të cilën në familjen e saj e thërrisnin me nofkën mashkullore Dickie [Diki], ndoqi Bedford College në Londër (1878-1882) dhe më tej studioi pikturë dhe vizatim në Akademinë Mbretërore të Arteve. Në këtë kuadër, në vitin 1899, ajo bëri ilustrimet për një vëllim të kolanës Cambridge Natural History dhe më vonë ka lënë skica edhe piktura të shumta nga Ballkani. Si vajza më e madhe dhe e fundit e mbetur në shtëpi, asaj i kishin besuar detyrën që të kujdesej për të ëmën e moshuar dhe të sëmurë. Kjo jetë monotone bëri që Edith, pas një farë kohe, të përfundonte në prag të një krize nervore. Mjeku e këshilloi të shkëputej nga çdo gjë dhe të udhëtonte. Kështu, në vitin 1900, Edith Durham 37 vjeçare u nis me një mikeshë të saj për një udhëtim me vapor përgjatë bregut të Adriatikut deri në Kotor. Udhëtimi e magjepsi dhe përtëriu. Një vit më pas, u kthye përsëri dhe udhëtoi gjerësisht në Malin e Zi dhe, më vonë, deri në Luftën e Parë Botërore, çdo vit ajo kalonte të paktën dy muaj në Ballkan, i cili iu bë pasioni dhe shpëtimi i saj. Në vitet 1902-1903, pasi kishte mësuar pak serbisht dhe shumë më tepër për historinë e Ballkanit, Durham bëri një udhëtim në Serbi për të mbledhur të dhëna për librin e saj të parë, Through the Landsof the Serb [Përmes trevave të Serbit], Londër 1904, ribotim 2015. Ky libër përfshin edhe rrëfimet për vizitat e saj në Shkodrën dhe Kosovën e Perandorisë Osmane. Ishin udhëtime të jashtëzakonshme, që kërkonin guxim dhe këmbëngulje, veçanërisht për një femër që udhëtonte vetëm. EdithDurham i kishte që të dyja këto cilësi. Në fund të vitit 1903 u kthye për një qëndrim pesë-mujor në Ballkan, ku punoi për Komitetin Humanitar Maqedonas (Macedonian Relief Committee). Ky udhëtim dhe gjendja e llahtarshme humanitare në zonat kryengritëse të Maqedonisë, përshkruhen në librin The Burdenof the Balkans[Brenga e Ballkanit], Londër 1905, ribotim 2015, i cili përfshin edhe rrëfimin e udhëtimit të saj të parë në Shqipërinë e jugut dhe të mesme. Gjatë viteve të mëpasshme udhëtoi në Mal të Zi dhe Bosnje-Hercegovinë për të mbledhur materialin etnografik që u botua shumë më vonë në librin e saj Some Tribal Origins, Laws and Customs of the Balkans [Disa prejardhje fisnore, ligje dhe zakone të Ballkanit], Londër 1928, shqip Për fiset, ligjet e zakonet e ballkanasve, Tiranë 2009, me ilustrime të autores. Politika ekspansioniste e Serbisë dhe Malit të Zi, të cilën e kishte hasur në udhëtimet e saj, u bënë shkas që ajo t’i kthente shpinën këtyre vendeve dhe t’i përqendronte më shumë vëmendjen dhe simpatitë e saj mbi Shqipërinë dhe shqiptarët. Në verën e vitit 1908 Edith bëri një udhëtim tjetër në Malin e Zi, prej aty në Shkodër dhe pastaj përmes malësisë së veriut deri në Kosovë, udhëtim ky i përshkruar në librin e saj më të njohurHighAlbania, Londër 1909, ribotim 2015, shqip Shqipëria e Epërme, Tiranë 2012. Edhe sot e kësaj dite shumë lexues janë të mendimit se ky është libri më i këndshëm në gjuhën angleze i shkruar ndonjëherë për Shqipërinë. Me kalimin e kohës, EdithDurham bëri mjaft emër ndër shqiptarët e veriut për interesin e treguar dhe mbështetjen e saj për çështjen shqiptare dhe shumë shpejt ajo filloi të njihej në malet e veriut si kraljica e malesorëvet. Madje tek-tuk ndër shqiptarët u përhapën edhe fjalë se ajo ishte motra e mbretit të Anglisë. Libri tjetër, The Struggle for Scutari (Turk, Slav and Albanian), Londër 1914, ribotim 2015, shqip Lufta për Shkodrën: turq, sllavë e shqiptarë, Shkodër 2005, përqendrohej mbi rrethimin e përgjakshëm malazez të Shkodrës në kohën e pavarësimit të Shqipërisë. Ky është ndoshta libri i saj më ambicioz, një përshkrim i dhimbshëm i luftës, urisë dhe katastrofës humanitare. Gjatë asaj kohe Durham vizitoi edhe jugun e Shqipërisë dhe konstatoi se gjendja nën pushtimin grek atje nuk ishte aspak më e mirë. Pas Luftës së Parë Botërore botoi librin Twenty Years of BalkanTangle, Londër 1920, ribotim 2015, shqip Njëzet vjet ngatëresa ballkanike, Tiranë 1944. Ky libër përbën kulmin dhe sintezën e shkrimeve të Durham. Ai përfshin periudhën nga udhëtimi i saj i parë në Ballkan në vitin 1900 deri në Luftën e Parë Botërore, dhe në një farë mënyre mund të konsiderohet si memoaret e saj. Vizitën e saj të fundit në Ballkan Edith Durham e bëri në vitin 1921. Pas kësaj, kryesisht për arsye shëndetësore, ajo nuk ishte më në gjendje të kryente udhëtime të tilla të mundimshme. Megjithatë, mbështetja e saj për Shqipërinë nuk pushoi asnjëherë gjatë dy dhjetëvjeçarëve vijues. Durham ishte anëtare themeluese e Shoqatës Anglo-Shqiptare (Anglo-Albanian Association) në Londër dhe shkroi artikuj të shumtë shtypi si dhe “letra botuesit” të panumërta për t’iu kundërvënë mendimeve të gabuara dhe për të tërhequr vëmendjen mbi Shqipërinë dhe vuajtjet e saj. Ajo ishte gjithashtu autore e shumë artikujve shkencorë për kulturën popullore shqiptare dhe malazeze dhe për historinë dhe politikën e Ballkanit. Shumë prej këtyre shkrimeve u përmblodhën kohët e fundit në vëllimetAlbania and The Albanians, Selected Articles and Letters 1903-1944, Londër 2001 dhe The Blaze in the Balkans: Selected Writings, 1903-1941 [Zjarri në Ballkan: shkrime të përzgjedhura, 1903-1941], Londër 2014. Në këtë periudhë u botua edhe libri i saj i fundit, tashmë ndoshta i harruar, The SerajevoCrime[Krimi në Sarajevë], Londër 1925, ku flitet për rrethanat e vrasjes së ArqidukësFrancFerdinand të Austrisë, vrasje e cila u bë shkas për fillimin e Luftës së Parë Botërore.Në vitet e mëvonshme, shtëpia e saj në Londër u bë vend takimi për miq të Shqipërisë dhe për shqiptarë në mërgim. Vdiq në nëntor 1944, dy javë para ardhjes në pushtet të komunistëve në Shqipëri.
Koleksioni Fotografik i Edith Durham
Në pranverën ose verën e vitit 1900, para udhëtimit të saj të parë në Ballkan në gusht të atij viti, EdithDurham bleu një aparat të vogël fotografik të markës KodakBrownie. Me sa duket, aparatet e firmës Kodak ka marrë me vete në të gjitha udhëtimet e saj në Ballkan.
Në Londër, pas udhëtimeve, Durhamiu prezantoi fotografitë e saj anëtareve të Institutit Mbretëror Antropologjik (Royal Anthropological Institute) ku ishte edhe vetë anëtare, dhe veçanërisht para anëtarëve të Shoqatës Anglo-Shqiptare të cilën e kishte themeluar. Pas vdekjes së saj, pjesa më e madhe e koleksionit ruhej në Institut, si të thuash në harresë, por ka edhe fotografi të tjera në Muzeun Britanik në Londër, dhe në Muzeun Pit tRivers në Oksford. Rreth një shekulli më vonë, me datën 24 shkurt 2016, kisha nder të madh të prezantoj fotografitë e saj përsëri në sallën e Institutit Mbretëror Antropologjik në Londër, dhe përsëri para anëtarëve të Shoqatës Anglo-Shqiptare. Ishte një ngjarje historike. Kurse nga 450 fotografitë e panjohura që disponojmë, të bëra nga Miss Edith Durham, kryesisht në Shqipëri dhe Mal të Zi, nja 100 sosh, aq sa na lejon koha, opinionit shqiptar do ia prezantoj për herë të parë në Prishtinë, me 11 maj, në hotelin Sirius, në orën 19:00.
Thanas L. Gjika says
Falenderoj profesorin kanadez Robert Elsie, albanologu i palodhur i diteve tona per kete prurje te pasur me foto te z-njushes Edith Durham dhe te dhenat biografike per te. Uroj arritje te tjera ne kekimet tuaja.
Me respekt, Thanasi.