Anila Struga/.- Komisioni parlamentar publikoi sot prova që dëshmojnë se nga viti 2012 deri në vitin 2013 aerodromi ushtarak i Gjadrit në Lezhë është vënë në dipozicion të trafikut ajror të lëndëve narkotike.
Kryetarja e komisionit, Ermonela Felaj, gjatë publikimit të konkluzioneve të hetimit solli dëshmi të dokumentuara dhe të shoqëruara me prova të tjera që provojnë “katërcipërisht se pëmes aerodromit të Gjadrit, në periudhën 2012 dhe fillimviti 2013 të jetë kryer transporti në rrugë ajrore i lëndëve narkotike”.
“Kjo provohet nga dëshmia e një personi që ka parë me sytë e tij se çfarë ka ndodhur në aerodromin e Gjadrit. Sipas dëshmitarit, të identifikuar si shtetasi me iniciale S. GJ., në këtë periudhë është kryer aktiviteti kriminal i transportit me lëndë narkotike përmes avionëve të vegjël sportivë, të cilët uleshin herë pas here në pistë e aerodromit të Gjadrit. Dëshmitari ka punuar në këtë aerodrom nga 2011-2013 si ushtarak dhe nënoficer dhe për periudhën për të cilën ka dëshmuar ka qenë në detyrë në shërbimin ushtaarak në ruajtje të pistës së avionëve në këtë bazë ajrore”, tha kryetarja e Komisionit, Felaj.