(Vlerësime për veprën PIKA LOTI të Sami Repishtit, ribotohet i ripunuar me rastin e 90-vjetorit të autorit të veprës)/
Shkruan: Prof. Asc. Dr. Thanas L. Gjika/
Sami Repishti, Martin Camaj, Arshi Pipa dhe Ernest Koliqi përbëjnë elitën letrare të mërguar të disidencës shkodrane antikomuniste. Ky bir i Shkodrës tremijë vjeçare, ish-antifashist e ish-antikomunist, ish i burgosur dhe i internuar, mbas arratisjes nga Shqipëria, gjeti veten në SHBA ku ariti të bëhet pedagog i letërsisë me titullin Assistent Profesor. Ai është personalitet i kompletuar i pedagogut, studjuesit, shkrimtarit dhe politikanit shqiptaro-amerikan. Ai është një figurë shumëdimensionale e kulturës, letërsisë, shkencës dhe veprimtarisë atdhetare politike shqiprare dhe asaj amerikane. Kur të studjohet jeta dhe vepra e plotë e tij do të shihet se ai me shumë artikuj, esse e vepra letrare, për nga pëmbajtja disidente antikomuniste, pjekuria dhe humanizmi i lartë të kujtojnë Vaclav Havel-in (1936-2011) dhe Karl Popper-in (1902-1994).
Për fatin tonë të keq ky i përndjekur, ky personalitet i shquar, kur shkoi në atdhe mbas shkërmoqjes së diktaturës për të ndihmuar në ecurinë e proceseve, nuk u dëgjua sa dhe si duhej prej qeverisë “demokratike”, për dënimin e krimit komunist, për kthimin e pronës tek i zoti, për zhvillimin e lojës politike midis pozitës dhe opozitës si një lojë demokratike luajale pa e ndarë popullin në dy gjysma armiqësore, etj. Sami Repishti nuk u dëgjua sepse ai ishte pjesë e atyre forcave shoqërore që përbënin opozitën e vërtetë kundër komunizmit. Të tilla forca ishin paracaktuar prej planit të Ramiz Alisë të mos përfshiheshin në proceset e tranzicionit, e jo më t’i drejtonin ato. Shqipërinë pluraliste me ekonomi tregu duhej ta ndërtonin dhe trashëgonin bijtë dhe shërbëtorët besnikë të ish-kupolës komuniste, shumica e të cilëve po vijojnë ta sundojnë edhe sot…
Më vjen keq që dy veprat letrare PIKA LOTI (1997 dhe 2009) dhe NËN HIJEN E ROZAFËS (2004) të profesor Repishtit i lexova vetëm këto javët e fundit, pra me vonesë nga botimi i tyre. Këto dy vepra bëjnë pjesë në letërsinë realiste shqiptare, dhe më konkretisht ato përbëjnë themelet e letërsisë sonë të quajtur letërsia e burgut, e cila lexohet sot me ëndje dhe përfitim të madh, sepse aty zbulohet jeta plot vuajtje, qëndresa dhe bëmat e njerëzve të dënuar prej diktaturës komuniste shqiptare, një aspekt i jetës sonë, të cilin diktatura e kishte shtrembëruar keqas dhe mbajtur në fshehtësi. Letërsia realiste shqiptare e krijuar gjatë dhjetëvjeçarëve të parë të shek XX-të prej Andon Zako Çajupit, Zef Skiroit, Gjergj Fishtës, Ernest Koliqit, Faik Konicës, Migjenit, Mihal Gramenos, Nonda Bulkës, etj, etj, gjatë viteve të rënda të diktaturës komuniste (1944-1991) ra në fashë, por nuk u ndërpre. Ajo ra në fashë, sepse pushteti diktatorial stimuloi në ato vite letërsinë e quajtur “Letërsi e Realizmit Socialist”, veprat e së cilës hartoheshin sipas kërkesave të formuluara prej V. I. Leninit dhe regullave të sajuara prej teoricienit sovjetik A. Zhdanov. Kjo letërsi mori mbi vete detyrën për t’i shërbyer partive komuniste në pushtet për krijimin e rendit të ri, përmes sajimit të heroit pozitiv. Ky hero mishërohej me figurën e një komunisti, a njeriu të thjeshtë, ose të një sekretari partie. Kjo letërsi në Kinë krijoi një hero si Laj Feni, në Shqipëri krijoi heroin e Stavri Larës (romani Këneta i F. Gjatës) e plot të tjerë… Kjo lloj letërsie, e cila stimulohej aq shumë prej partisë shtet, solli vetëm dëme në art dhe në psikologjinë e shoqërisë së vendit ku u krijua. Për turpin e tyre, autorët e të tilla veprave nuk i kanë kërkuar falje popullit për dëmin që i shkaktuan, por vijojnë të mburren me to. Veprat e shkruara sipas parimeve të realizmit socialist sot nuk na tërheqin më, lexohen me vështirësi dhe me një ndjenjë neverie, sepse në to i thurren lavde politikës dhe moralit që i shërbente vetëm sundimit të partisë shtet.
Mbas vitit 1944 letërsinë realiste nuk e braktisën të gjithë krijuesit shqiptarë. Atë vijuan ta lëvronin vetëm disa shkrimtarë shqiptarë që ranë nëpër burgje e kampe pune dhe disa prej të arratisurve në botën e lirë. Për nder të letrave shqipe pati dhe shkrimtarë të guximshëm si Petro Marko, Mitrush Kuteli, etj, të cilët me gjithë pasojat politike për jetën e tyre dhe të familjarëve të vet, nuk e përfillën metodën e realizmit socialist, kurse Lazgush Poradeci, Ali Asllani etj e thyen penën dhe nuk krijuan më mbas vitit 1944. Nuk duhet të lemë pa përmendur këtu dhe ndihmesën e vlefshme që dha plejada e shkrimtarëve të rinj shqiptarë që u formua në Ish-Jugosllavi.
Letërsia jonë e viteve 1944-1991, përveç shkrimtarëve si Shefqet Musaraj, Aleks Çaçi, Fatmir Gjata, etj, të cilët shkruan vetëm vepra të realizmit socialist, pati dhe disa shkrimtarë si Sterio Spasse, Sabri Godo, etj, të cilët hartuan vepra që i përkisnin realizmit socialist kur trajtuan ngjarje nga koha aktuale e socializmit dhe vepra thjesht realiste kur trajtuan jetën shqiptare, ose atë të huaj, të një kohe të kaluar. Ky grup shkrimtarësh i solli letërsisë sonë edhe dëme edhe vlera, sipas rastit. Kurse vepra letrare e Ismail Kadaresë dhe ajo e Dritëro Agollit përbëjnë fenomene letrare të komplikuara, që kërkon studime të thelluara për të zbuluar se deri ku mbritën vlerat dhe dëmet e tyre.
Letërsia realiste shqiptare e viteve 1945-1991 dallohet prej letërsisë së realizmit socialist së pari për nga metoda krijuese, sepse ajo nuk i zbatoi regullat e ngurta të saj dhe së dyti për nga përmbajtja, sepse me përmbajtjen e vet ideore, ajo nuk u vu në shërbim të së keqes, por e denoncoi atë. Letërsia realiste nuk ngriti në art politikën e partisë shtet, por humanizmin, moralin e shëndoshë, dashurinë njerëzore, gjithëçka që i shërbente përparimit shoqëror. Ajo eci në atë rrugë që kishte ecur letërsia shqiptare dhe ajo botërore para vitit 1944, rrugë në të cilën letërsia ecën edhe sot, pavarësisht nga rrymat e drejtimet letrare ku mund të bëjë pjesë.
Krijimet poetike të Arshi Pipës (Libri i Burgut, 1959), potretet e Sami Repishtit (Pika Loti, hartuar në vitet 1960-1963), poezitë e shkruara nëpër burgje e kampe internimi prej poetëve të dënuar si Visar Zhiti, Lek Pervizi e shumë të tjerëve, përbëjnë themelet, nismat e letërsisë së burgut. Natyrisht në këto themele bëjnë pjesë edhe vepra të tjera që unë si emigrant nuk kam mundur t’i shtie në dorë, mbasi qeveritë shqiptare të mbas vitit 1992 nuk kanë treguar asnjë interes për shpërndarjen e veprave letrare e shkencore, që botohen prej autorëve me sakrifica në tirazhe të vogla.
* * *
Vëllimi Pika Loti (botimi i dytë, PEGI, 2009, 155 f.) është një përmbledhje tregimesh të jetuara, të ndërtuara si portrete letrare, të cilat autori i shkroi mbas arratisjes nga atdheu në vitet 1960-1963, por që i botoi vetëm më 1997, kur nuk druhej më se mos u shkaktonte pasoja familjarëve të vet dhe të personave që kishte përshkruar në to. Heronjtë e kësaj vepre janë bashkëvuajtës të autorit nëpër qelitë e hetusisë, ose në burgun e Shkodrës dhe në kampet e ndryshme të punës. Vëllimi hapet me shkrimin kushtuar nënës dhe mbyllet me shkrimin Elegji për vëllanë, i cili dallon prej shkrimeve të tjera sepse nuk është tregim a portret letrar, por skicë lirike, një elegji në prozë. Këtë vepër autori e shkroi më 1970, mbasi Sigurimi shqiptar përhapi lajmin e rremë sikur vëllai i autorit, Vehbiu, kishte vdekur. Mbasi u hartua skica, autori mësoi të vërtetën, vëllai i tij ishte gjallë. Tronditja dhe dëshpërimi i thellë që i shkaktoi autorit lajmi dashakeq i Sigurimit shqiptar, nxiti krijimin e kësaj vepre lirike tepër emocionuese e plot dhimbje.
Midis bashkëvuajtësve të ndryshëm që autori njohu gjatë viteve të kalvarit të vet, ai ka zgjedhur disa prototipa me të cilët përfaqësoi fatin e shtresave të ndryshme të shoqërisë shqiptare të viteve 1946-1956.
Rrëfimi me besnikëri e vërtetësi i jetës dhe vuajtjeve të këtyre heronjve përmes riprodhimit të ngjarjeve e bisedave të ndodhura konkretisht para syve të autorit, si dhe të shumë hollësirave të ndryshme, krijon një emocionalitet dhe besueshmëri shumë të lartë. Ky emocionalitet dhe kjo besueshmëri nuk mund të krijoheshin në një nivel të tillë, në rast se këto portrete do të ishin trajtuar thjesht si tregime letrare të mirëfillta. E themi këtë sepse në tregimet e mirëfillta letrare autorët për të tipizuar heronjtë e tyre përdorin material (ngjarje, biseda, mendime e hollësira përshkrimore) të krijuara prej imagjinatës së tyre dhe jo material të marrë konkretisht nga jeta ashtu si ka ndodhur. Tipizimi si dukuri letrare e forcon aspektin artistik të veprës, por dobëson besueshmërinë e ngjarjeve. Duke qenë se besueshmëria për problemet dhe ngjarjet që trajtohen në këtë vepër ka rëndësi të veçantë, mbasi aty bëhet fjalë për ngjarje dhe të përvuajtur konkretë, themi se krijimi i këtyre lloj tregimeve gërshetuar me tiapret e portretit letrar, ka qenë rruga më e mirë që ka ndjekur autori.
Pasqyrimi i jetës shqiptare mbështetur mbi kujtimet e së kaluarës së afërt, duke përzgjedhur ngjarje, biseda, mendime e hollësi të ndryshme thelbësore për të treguar deformimin e dhunshëm të moralit e të së drejtës, për shkatërrimet dhe plaçkitjet që po i bëheshin pasurisë private në dhjetëvjeçarët e parë të pas Luftës Antifashiste, ishte rruga që ndoqi ky autor në fillim të viteve 1960-të. Këtë rrugë, ose rrugë të ngjashme me të, ndoqën mbas vitit 1992 edhe shumë të dënuar të tjerë, midis të cilëve u shqua françeskani At Zef Pëllumbi, Visar Zhiti, etj.
Ideja themelore e veprës Pika Loti është zbulimi i faktit se komunizmi si ideologji dhe praktikë vret elitën, keqtrajton mesatarët dhe ngre në qiell inferiorët. Këtë ide, që autori e ka mishëruar artistikisht në këtë vepër letrare, e pati formuluar shprehimisht në një fjalim politik mbajtur më 1965 gjatë tubimit “All-American Conference” në Washington D.C., të cilin e citon në shënimin hyrës të veprës (f. 8).
Vrasja e elitës shqiptare (inteligjencës dhe borgjezisë si klasë politike dhe ekonomike) e krijuar gjatë brezave e dhjetëvjeçarëve me mund e sakrifica, shpaloset përmes disa portretesh:
Qemali është portreti që ka në qendër intelektualin e shquar shkodran Qemal Draçini, liceisti më i dalluar i Shkodrës dhe i gjithë studentëve shqiptarë të Universitetit të Firences ku ai studjoi dy vjet për drejtësi. Këtë intelektual autori e adhuronte për prirjet e tij për hapje horizontesh të reja. Ky djalosh bjond e shumë simpatik, në rininë e tij të parë u lidh me lëvizjen komuniste, por kur pa se ideali për krijimin e një bote të re ishte i mbrujtur me urrejtje dhe dënime deri në anëtarët e familjes dhe të vetë prindërve, u largua me neveri. Ai nuk mund ta urrente e ta bënte fajtore nënën e vet për ekzistencën e shoqërisë borgjeze. Me nota shumë të gjalla përshkruhet atmosfera e vitit 1945, kur Qemali vuri në skenë në teatrin e Shkodrës dramën Përtej horizontit, vepër e dramaturgut amerikan Eugjen O’ Neil. Kjo shfaqje me tingëllimin e saj aktual për gjendjen mbytëse të rinisë intelektuale të kërcënuar prej thatësirës së dogmatizmit marksist, e tronditi rininë shkodrane, po ashtu dhe organet e pushtetit të ri dhe të Sigurimit. Qemalit i shkaktoi burgimin dhe tortura çnjerëzore të padurueshme, prej të cilave ai mundi të shpëtonte me anë të vetëvrasjes plot dhimbje duke gëlltitur sasi të madhe pluhuri DDT që roja e burgut hodhi në qelinë e tij për ngordhjen e miljona morrave.
Nji shok e nji mësues: dy dëshmorë, i kushtohet luftëtarëve antifashistë vlonjatë Hamdi Gjoni dhe mësuesit Bego Gjonzeneli, të cilët u burgosën, u torturuan në hetuesi dhe u hodhën të kampet e punës për të vetmin “mëkat” se nuk u bashkuan me forcat partizane që u krijuan më vonë, por luftuan si nacionalistë kundër pushtuesve fashistë e nazistë. Inteligjenca e thellë e pedagogut të shkollës së mesme tregëtare të Vlorës, Bego Gjonzeneli, shpaloset përmes riprodhimit të bisedave të tij me të dënuarit. Dënimi i disa krerëve komunistë prej vetë PKSH-së, mbas prishjes së marrëdhënieve me Jugosllavinë e J. B. Titos, ngjalli tek të burgosurit disa shpresa për zbutje të diktaturës e përmirësim të gjendjes… Mirëpo profesori ua preu hovin hamendjeve naïve me arsyetimet e veta: Grindjet janë të një natyre inherente të sistemit komunist. Do të kemi dhe të tjera, të ngjashme me këtë. Komunistët vrasin njëri tjetrin, me qëllim që të përballojnë pa kundërshtime gjendjet e reja. Për diktaturat absolute, eleminimi i shokëve të luftës është një parim themelor. Por kjo nuk duhet kuptuar si një sinjal i fundit të tyre… Kemi hyrë në një suazë nga e cila është shumë e vështirë të dalim. Ata që thonë se e drejtojnë fatin e vendit tonë, nuk e kanë më këtë fat në duart e tyre. Një tjetër dhespot sundon sot mbi vendin tonë. Eshtë ariu sovjetik.
I ngjashëm me fatin e profesorit vlonjat Gjonzeneli është dhe fati i profesorit shkodran të filozofisë, Preng Kaçinari, i cili përshkruhet në shkrimin Nji vorr i harruem. Ky pedagog i filozofisë në gjimnazin At Gjergj Fishta të Shkodrës, inteligjent i rallë, diplomuar në Universitetin e qytetit Monpellie të Francës. Ky profesor, me sjelljen, zgjuarësinë dhe njohuritë e thella kishte fituar respektin e dashurinë e nxënësve dhe të qytetarëve shkodranë. Pas pushtimit fashist u bëri thirrje studentëve të vet dhe doli malit bashkë me ta, me të cilët luftoi dhe vetë autori kundër pushtuesit fashist. Mirëpo ai u përçmua, u la pa punë dhe u detyrua të vdiste nga uria, për të vetmin “faj” se nuk u bashkua me forcat komuniste dhe sepse kishte njohur nga afër në kohën e studimeve diktatorin e ardhshëm të Shqipërisë, xhelozia dhe paranoja e të cilit nuk lejonte të mbijetonin më të aftët se ai.
Gjatë takimit të fundit të heroit me autorin, ai i formuloi me pak rreshta thelbin e moralit, thelbin e asaj që kërkonte partia shtet prej mësuesve dhe edukatorëve: Falja ndërgjegjen djallit, asgjëso personalitetin tand, humbe dinjitetin si njeri, hidhi poshtë të gjitha parimet morale bazë, atëhere je i përshtatshëm për indoktrinimin që kërkohet n’ arsim.
Në një situatë të tillë mbytëse, ky intelektual i pastër, besnik i parimit sipas të cilit për kombet, ashtu si për njerëzit, nderi qindron ma lart se jeta, mbetur i papunë, pa mundësi jetese, i dha fund jetës me vdekje nga uria në vorrezat e Tiranës më 1956.
Edhe më tragjik është fati i avokatit shkodran Qazim Dani, që përshkruhet në Plaku i numërit 10, njeriu që ishte burgosur pa më të voglin shkak. Ky burgim e revoltoi të birin 16-vjeçar, Bardhoshin, i cili duke mos e duruar padrejtësinë, vendosi të arratisej bashkë me dy shokë të tjerë, të tre djem të vetëm. Këta djem të papërvojë i vranë rojet kufitare. Mbasi i lanë të qelbeshin në sheshin e qytetit disa ditë me radhë për të tmerruar rininë shkodrane, policia lejoi familjarët e miqtë e tyre t’i varrosnin. Nëna e Bardhoshit u çmend nga tronditja e ngjarjes makabre. Kur u lirua bashkëshorti, i plakur para kohe, ajo e priti ashpër duke thirrur: Ti ma ke vra djalin! Ti ma ke vra djalin!, në një kohë kur ky babë nuk e dinte fundin tragjik të të birit. Të dy, nënë e babë, të mbetur mos më keq, pa triskat e bukës, me tre vajza që mezi nxirrshin bukën e gojës me punë nga më të rëndat, të damkosur me epitetin ndjellakeq “armik i popullit”, e ndjenë veten të tepërt dhe u shkrinë njëri pas tjetrit duke u gdhirë të mbërdhirë nga të ftohtit në ballkonin e shtëpisë…
Në Bir i dejë i Shen Françeskut autori portretizon klerikun At Çiprian Nikaj, bashkëvuajtës me autorin në qelinë e hetuesisë së Shkodrës. Ky klerik i përkushtuar, bashkë me kolegët At Pal Dodaj, At Mati Prendushi dhe At Bernardin Palaj ishin arrestuar në mes të nëntorit 1946 me rastin e gjetjes në Kuvendin e Franceskanëve të disa pushkëve të ndryshkura që kishte lënë një reshter gjerman gjatë tërheqjes. Ato pushkë as ishin përdorur e as mund të përdoreshin, por kishin mbetur në Kuvend nga pakujdesia, duke e lënë dorëzimin e tyre në polici me sot për nesër. Spiunimin e kishte bërë një seminarist i ri, i rekrutuar prej Sigurimit. Torturimi i këtyre klerikëve, që mbaheshin nëpër qeli të ndryshme, bëhej me qëllim që ata të pranonin se armët ishin fshehur për të organizuar kryengritjen popullore kundër pushtetit, ashtu si u paratha nga propaganda komuniste shqiptare e ajo jugosllave. Për të mos u shtrembëruar e vërteta, At Çipriani i rrëfen autorit të vërtetën e pranisë së atyre armëve në Kuvend dhe ia lë si porosi ta dëshmojë këtë të vërtetë mbas daljes nga burgu. Ky amanet përbën dhe shkakun kryesor të hartimit të këtij portreti.
Thjeshtësia e klerikut të përkushtuar jepet përmes lutjes së tij të përsëritur drejtuar Zotit: Ati Ynë në Qiell! Më ndihmo të jem i dejë për hirin e dashuninë tande!
Kjo qenie modeste, që dukej tepër e tkurur gjatë lutjeve të veta, ishte shumë e fuqishme në fjalë e mendime. Me këshillat dhe ngushëllimet që i jepte autorit ky bashkëvuajtës para e mbas torturave, ma lehtësonte vuejtjen me frymën e shpresës e ma mbushte zemrën me shpirtin e qindresës, pohon autori duke përshkruar gjendjen e rëndë psikologjike në terrin e qelisë ku njeriu humbiste nocionin e kohës dhe shpesh herë edhe dëshirën për të jetuar…
Keqtrajtimi që u bëri diktatura njerëzve mesatarë jepet me ngjyra të gjalla në shkrimet Dukagjinasi i pafat, Djali i Lumës dhe Bajraktari. Heronjtë e këtyre veprave janë bij të malësive të Shqipërisë së Veriut, njerëz të ndershëm, atdhetarë antifashistë. Të tillë janë vëllezërit dukagjinas Mark e Kolë Prela, malësori i sinqertrë Mehmet Lumjani dhe bajraktari i një fshati të thellë, Sylë Bajraktari. Të gjithë këta heronj pa qenë aspak kundërshtarë të pushtetin dënohen prej tij. Mark e Kolë Prela e donin pushtetin e ri, por ata, si njerëz të ndershëm, edhe pse kishin luftuar si antifashistë përkrah forcave partizane, nuk kishin pranuar të zbatonin urdhërat vrastare të Brigadës së Mbrojtjes së Popullit (forcat e Sigurimit), që shkuan nëpër Malësi për të masakruar banorët e atjeshëm, me qëllimin e vetëm që të ngjallnin tmerr, frikë e nënshtrim absolut ndaj pushtetit të ri “popullor”.
Djaloshi i thjeshtë e i sinqertë, i ndershmi Mehmet nga Luma, nuk mund ta kuptonte se si mund të binte burri aq poshtë sa të shpifte kundër bashkëfshatarit të vet. Sigurimsi i fshatit kishte shpifur sikur Mehmeti nuk e donte pushtetin, sikur ishte “armik i popullit”, gjë që i shkaktoi burgimin dhe dënimin me punë të detyruar në baltrat e kënetës së Maliqit. Pyetja e tij retorike: Si mund të bjerrë burri kaq poshtë!, përdorur si refren gjatë shkrimit, zbulon padrejtësinë e shumë dënimeve dhe rënien poshtë jo të disa spiunëve, por të vetë pushteti komunist. Ky pushtet që erdhi në fuqi me bujë si krijues i botës së re dhe i njeriut të ri, shumë shpejt e zbuloi fytyrën e vërtetë diktatoriale antinjerëzore.
Për të justifikuar përdhunën e vet dhe për të krijuar idenë se bota e vjetër që ai përmbysi, ishte një botë reaksionare, ky pushtet përmes dënimeve të ndryshme i shpalli armiqësorë, reaksionarë dhe antipopullorë shumë fjalë, si dhe mbartësit e tyre. Me përdhunë fjalët ballist, bajraktar, xhandar, avokat-mbrojtës, padre, hoxhë, prift, etj u ngarkuan me një përmbajtje negative emocionale dhe u shpallën e u luftuan si amrmiq e tradhëtarë të gjithë ata që kishin qenë emëruar me të tillë emra. Midis këtyre të përndjekurve bëjnë pjesë mjaft prej të dënuarve që përmendëm më lart, si dhe Sylë Bajraktari, njeriu që nuk e kuptonte dot pse e quanin armik të popullit, gjakpirës të popullit, kur ai dhe të parët e tij si bajraktar ishte përpjekur të zbatonte Kanunin dhe ligjet e Maleve për të mbajtur regull në fshatin e vet.
Jeta personale plot mundime dhe njohja nga afër e vuajtjeve dhe e fundit tragjik të jetës së këtyre përfaqësuesve të popullit shqiptar e shtytën autorin të arrinte që në vitet 1959-1962 në një karakterizim shumë të pjekur të epokës së diktaturës qysh atëhere, karakterizim në të cilin shkrimtarët dhe studjuesit tanë të ditëve tona nuk kanë arritur ende. Për autorin ajo epokë ishte epoka që vrau arsimtarin e ndershëm, që zhduku klerikun e devotshëm, që kalbi në burgje intelektualët e formuar në Europë, që shtrydhi në tortura tregtarin, që mundoi me uri punëtorin e që varfëroi katundarin deriku nuk shkonte më. Epokë e cila përdhosi nxënësin, helmoi rininë, lartësoi idiotin, frymëzoi naivët. Ajo bëri kult urrejtjen, kurse karrierën ideal.
Bashkëvuajtja dhe njohja nga afër e jetës dhe e vdekjes së heronjve të tillë i dha shtysën autorit që të gjente rrugën e shpëtimit jo në durimin e vuajtjeve, e cila do ta shpinte së shpejti në një vdekje të parakohëshme gjatë një riburgimi, riinternimi, apo kampi pune, por në arratisjen nga atdheu. Jeta e autorit deri në arratisjen e tij trajtohet me hollësi në vëllimin autobiografik Nën Hijen e Rozafës (Onufri, 2004, 344 f.), ku janë vendosur në qendër jo bëmat dhe bisedat e bashkëvuajtësve, por jeta, vuajtjet, mendimet, meditimet e përgjithësimet e autorit dhe të familjarëve të tij.
Ndërkohë theksojmë se ngritja në pozita të larta e njerëzve inferiorë që i shërbenin me besnikëri të verbër pa asnjë vrarje ndërgjegjeje pushtetit në fuqi jepet duke treguar sesi njerëz injorantë, gati analfabetë, të marrë prej fshatrave u armatosën dhe u vunë në detyra komanduese nëpër burgje e kampe pune, ku keqtrajtonin mizorisht të dënuarit pa faj. Këtyre njervzve të pashpirt auroti nuk u kushton asnjë portret a shkrim të plotë, por vetëm i përshkruan shkarazi dhe në kontrast me bashkëvuajtësit e vet të dënuar pa faj. Përjashtim bën autori vetëm për Xhevahirin, si e quanin të burgosurit tetar Jonuzin nga Berati, të cilin e portretizon brenda portretit Bajraktari. Ky person dallonte prej policëve të tjerë, ai ishte zgjuar nga poshtërsitë e partisë shtet dhe përpiqej të lehtësonte me sa i mundej vuajtjet e të dënuarve, herë duke u treguar se cilët ishin të rekrutuarit midis të dënuarve, herë duke u treguar lajme nga jeta jashtë burgut…
Së fundi, nuk mund të lemë pa theksuar se në të gjitha shkrimet e përmbledhura në librin Pika loti ka një karakteristikë të përbashkët artistike. Në to bie në sy përdorimi i një lirizmi shumë të ndjeshëm, përshkrimi me shumë besnikëri dhe me hollësira të zgjedhura mirë për të karakterizuar heronjtë që portretizohen. Ndërhyrjet lirike të autorit, shfrimet e emocioneve, meditimet dhe formulimet e sakta për karakterizimin e epokës dhe të personave historikë, ua rrisin shkrimeve emocionalitetin, besueshmërinë, vërtetësinë, humanizmin dhe njëherazi dhe nivelin artistik.
Kjo vepër, si dhe veprat e tjera të Sami Repishtit, shquhet dhe për gjuhën e pasur e të përpunuar, për dialektin shkodran letrar shumë të afërt me gjuhën letrare të përbashkët shqipe. Kjo dukuri është e rallë midis atyre që shkruajnë në dialektin shkodran, mbasi shumica e tyre duke dashur të tregojnë pasurinë e këtij dialekti, theksojnë diferencat nga gjuha letrare dhe përdorin shumë nëndialektalizma të saj.
Si përfundim themi se përmbjedhja Pika loti bën pjesë denjësisht në themelet e letërsisë shqiptare së burgut, se ajo paraprin veprën madhore Rrno vetëm për me tregue të At Zef Pëllumbit dhe romanet e Visar Zhitit Rrugët e Ferrit dhe Ferri i Carë, kurse vepra autobiografike Nën hijen e Rozafës, është një simotër e tyre.
Shpend says
Gabove Prof. Gjika!
E huazova nji ket titull nga gjeniu i letrave dhe i atdhedashnisë At Gjergj Fishtës.
Unë nuk po analizoj në tansi e në hollsi studimin t’uej.
– Nuk mund të pranohet kurrsesi që Prof. Repishti të vehet në nji listë me shkrimtarë e studjues albanalogë të famshëm si; Martin Camaj, Arshi Pipa dhe Ernest Koliqi.
-Nuk mund të vehet në nji rresht Ish hetuesi i sigurimit komunist, krimineli Sabri Godo me Aleks Çaçin e Sterio Spassen.
Çpunë ka emni i S. Godos në veprën e shkrimtarit
Shpend says
– Çpunë ka emni i S. Godos në analizën e veprës të shkrimtarit Repishtit? A thue ishin miqë?
dgreca says
Natyrisht keni te drejte ju qe shtroni pyetjen. Nuk mund te vendosesh ne nje nivel emrin e Sabri Gododos me oficeret e Sigurimit.Godo qe nje i ri idelaist qe rroku pushken e doli te luftoje kunder fashizmit. Pas Lufte i dhane dhe atij detyra, por qe ne vitin 1950 Sabri Godos i shtruan pyetjen: Do Partine tone apo do te mbashe grua bejlereshen, vajzen e Vrionasve? Jam njeri, tha Godo, do te mbaje gruan! Sikter nga Partia! Z. Gjika ka marre pozicionin e nje hetuesi ne kete rast, nuk e di nese ka tager ta kryej hetimin per njeriun Godo, shkrimtarin Godo, politikanin Godo, dhe ….akuza e pa vertetuar e z.Gjikes. Besoj se ata qe e kane ndjeke nga afer e mbajne mend nje gjyq hapi Godo ndaj nje akuze te nejte me ate qe po bene sot Gjika pas me shuem se dy dekadash nag ai i gjyq i fituar nga Godo…Nejse, pune per gjiken se ne c’llogari ai bene kete akuze Godos pas vdekjes!
dalip Greca
Thanas L. Gjika says
Zoti Shpend, permendja e disa emra shkrimtaresh te letersise sone te viteve 1994-1991 si Aleks Caci, Shefqet Musaraj… Sterio Spasse e Sabri Godo, ne hyrje te artikullit nuk do te thote se shkrimtari Sami Repishti i kishte miq, por se ky shkrimtar qendron me lart se ata, qe shkruan vepra te realizmit socialist.
Kurse ju z. Dalip mendoj se jeni keqkuptuar krejt paragrafin tim, kur shkruani “nuk mund te vendosesh ne nje nivel emrin e Sabri Godos me oficeret e Sigurimit.”
Ja paragrafi im ku nuk behet fjale fare me ish oficere te Sigurimit shqiptar:
“Letërsia jonë e viteve 1944-1991, përveç shkrimtarëve si Shefqet Musaraj, Aleks Çaçi, Fatmir Gjata, etj, të cilët shkruan vetëm vepra të realizmit socialist, pati dhe disa shkrimtarë si Sterio Spasse, Sabri Godo, etj, të cilët hartuan vepra që i përkisnin realizmit socialist kur trajtuan ngjarje nga koha aktuale e socializmit dhe vepra thjesht realiste kur trajtuan jetën shqiptare, ose atë të huaj, të një kohe të kaluar. Ky grup shkrimtarësh i solli letërsisë sonë edhe dëme edhe vlera, sipas rastit. Kurse vepra letrare e Ismail Kadaresë dhe ajo e Dritëro Agollit përbëjnë fenomene letrare të komplikuara, që kërkon studime të thelluara për të zbuluar se deri ku mbritën vlerat dhe dëmet e tyre.”
Me respekt, Thanas L. Gjika.
dgreca says
I dashur Thanas! Ju uroj sinqerisht per bashkepunimin me Gazeten Dielli dhe komentet e matura, por serish nuk jam ne nje mendje me Ju kur vendosni ne nje radhe shhkrimtaret Sabri Godo me shkrimtaret militante: Shefqet Musarajn, Aleks Cacin, Fatmir Gjata etj. Me thuaj cila veper e Sabri Godos mund te krahasohet me shabllonet e Realizmit Socialist te autoreve qe vini ne radhe? Sabri Godo per mendimin tim, eshte shkrimtari me pak i paragjykuar nga skemat e ngurta te Realizmit Socialist dhe levruesi me i suksesshem i romanit Historik. Ali Pashe Tepelena- i ripunuar kater here, Skenderbeu, i punuar dy here, Plaku i Butkes, Prova e Zjarrit, Koha e Njeriut, Udhetari, Ujerat e Qytezes etj.?! Nuk kam lexuar:”Itendenti”, Dritat e Qytezes, apo reportazhet e tij…Natyrisht nuk jam dakord as me disidencen e burgosur te Sterjo Spases te trajtohet si skeatik i Realizmit Socialist-mjaftonte krijimatria e tij e paraluftes-, i cili edhe ne Rusi, u prit si desident jashte rreshtit te shkrimatreve socialiste…Faleminderit-dalip Greca