Shkruan:Eugen SHEHU/
Është tejet e rëndësishme të rizbulosh sot idetë,vendimet dhe qëllimin kulmor të Konferencës së Pezës,e cila ndonëse u mbajt shtatë decenie më parë,ka vlerat e saj permanente.Kjo rëndësi nuk matet askurrë me vlerat e relikeve të historisë së kombit tonë,përkundrazi është një nga segmentet më të rëndësishëm të lëvizjes kombëtare shqiptare kundër pushtuesit italian dhe si e tillë vlen të ndriçohet deri në skutën më të errët të ngjarjeve apo fakteve.Ndriçimi i plotë i saj,anipse do të nxirrte në shesh të vërteta të mëdha,të fshehura deri më sot,do t’i bënte nder krejt shqiptarëve. Mendoj se shkoj pak më përpara se 16 shtatori i vitit 1942 ( ditë kur nisi punimet Konferenca e Pezës) duke dashur t’u risjellë lexuesve të mij,truallin që shpinë në dëmosdoshmërinë e këtij kuvendi
Agresioni fashist italian,bëri që mjaft prej atdhetarëve shqiptarë të rroknin armët për të mbrojtur vatanin.Heroi i kësaj rezistence kombëtare ishte major Abaz Kupi,i cili ndonëse i zbrapsi dy herë ushtarët italian në Durrës,nuk mundi gjithsesi të ndalte vërshimin e 40 mijë ushtarëve italian,të paisur me armatim e paisje luftarake moderne.Sidoqoftë,edhe pas prillit të zisë shqiptare,rezistenca kundër okupatorit nuk u shua.E vërteta është se kjo rezistencë,përgjithësisht drejtohej nga elementë nacionalist,të cilët patën organizuar disa çeta të vogla luftëtarësh dhe kryenin aksione ndaj formacioneve të vogla luftarake italiane,duke mos patur mundësi për të hapur vija fronti të rregullta.Sipas të dhënave të komandës së Lartë Italiane në Tiarnë,në vitet 1940-1942,këto çeta që vepronin në mënyrë periodike,nuk i kalonin të 100 vetat dhe armatimi e paisja luftarake e tyre linte shumë për të dëshiruar.Të parët udhëheqës të këtyre çetave ishin :Muharrem Bajraktari,Gani Kryeziu, Ram Mujo,Myslim Peza,Ismail Petrela,Kristaq Peshtani,Mestan Ujaniku,Pëllumb Dishnica,Hysni Lepenica,Bexhet Mema etj. Prej këtyre udhëheqësve,vetëm 2-3 u bashkuan më pas me lëvizjen nacionalçlirimtare.Të tjerët mbetën deri në fund të jetës,heronj të lëvizjes antifashiste dhe idhtarë të shquar të bashkimit të krejt viseve shqiptare.Por ndërsa nacionalistët shqiptarë kishin një lloj organizmi dhe udhëheqjeje ( kuptojmë këtu traktatin mbi nacionalizmin shqiptar të firmosur nga Mid’hat Frashëri,Hasan Dosti,Faik Quku dhe Fuad Dibra në prillin e vitit 1939) Komunistët shqiptar prisnin ndihmën sllave për organizimin e tyre.Në fillim të vitit 1941,shkon në qytetin e Shkodrës,Miladin Popoviqi si dërguari personal i Titos,i cili do të krijonte lidhjet e para të komunistëve jugosllav me ato shqiptare.Në këtë mision kaq të rëndësishëm komunist,ai shoqërohej nga Fadil Hoxha,edhe ky komunist nga Kosova,mbi supet e të cilit rëndojnë mëkate dhe krime prej disa deceniesh.Menjëherë pas këtij takimi,dy komunistët shkodran Qemal Stafa dhe Vasil Shanto,i shkruajnë Komitetit Qendror të Partisë Komuniste Jugosllave një letër me anë të së cilës i kërkonin që ajo ti ndihmonte për organizimin e lëvizjes komuniste në Shqipëri.Letra u dërgua në Beograd prej Fadil Hoxhës dhe pazaret e para midis bollshevikëve jugosllav dhe atyre shqiptarë,nuk vonuan.
Më 11 tetor 1941,në Vitomiricë,janë takuar Koço Tashko,Elham Nimani,dhe Xhevdet Doda ( nga pala shqiptare) me komunistët jugosllav Boro Vukmiroviq,Dushan Mugosha,Pavle Joviçiq dhe Ali Shukriun,të cilët kanë diskutuar rreth organizimit të komunistëve të Kosovës.Madje nga ky takim siç pohohet gjërësisht në dokumentat jugosllave,është folur gjatë për organizimin dhe krijimin e Partisë Komuniste edhe në Shqipëri.Dy javë më pas,ka qenë Miladin Popoviqi,i cili me anë të një letre i drejtohet Vukmiroviqit që të shpejtohet puna për krijimin e Partisë Komuniste në Shqipëri. Tekstualisht,në këtë letër,pos të tjerave thuhet ; “Dikur shoku Tito ka thënë se P.K.Sh.,nëpërmjet partisë sonë mund të lidhej me internacionalen Komuniste.Tani egzistojnë kushtet për krijimin e PKSh dhe të lidhjes së shokëve nga Shqipëria,nëpërmjet Komitetit Krahinor të Kosmetit.Për këto arësye, kërkohet lidhja,edhe për arsye të dërgimit të informacionit të nevojshëm Komitetit tonë Qendror,për direktivat e punëve të mëtejshme”.(Gazeta “Rilindja”-Tiranë,Rreth formimit të PKSH” më 2 korrik 1995 ).
Që komunistët jugosllav u shtruan këmbëkryq në Shqipëri dhe Kosovë,kjo u duk edhe në traktet e para të krijimit të P.K.Sh. Ndonëse janë quajtur “historike” këta trakte do të mbetetn në historinë tonë kombëtare si turpi i radhës së komunistëve shqiptarë.Në këto trakte të shpërndara si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri,nuk shkruhej asnjë rresht për problemin madhor të bashkmit të trojeve etnike shqiptare por vetëm i bëhej thirrje popullit të merrte armët e të luftonte duke patur si busull orientuese “mësimet” e Titos dhe të Stalinit.Që nga vjeshta e vitit 1941 e deri në dimërin e vitit 1944,të dërguarit e Titos në Shqipëri,kanë asistuar në të gjitha takimet,konsulltat vendimet apo edhe luftime të komunistëve shqiptarë.Asistenca e tyre.ka qenë kurdoherë në rolin e “të madhit”,të pjekurit i cili kurdoherë ka të drejtë për të drejtuar e vepruar. I solla jo rastësisht këto fakte,pasi pikërisht në Konferencën e Pezës,komunistët jugosllav dualën hapur si ideatorë të shquar prapaskenash duke mbjellë jo vetëm farën e ndyrë të komunizmit bollshevik por edhe mëritë e para midis udhëheqësve komunist dhe atyre nacionalistë shqiptarë.
Në të kundërt Balli Kombëtar,si përfaqsues i vërtetë i nacionalizmit shqiptar,kërkonte organizimin e lëvizjes kundër okupatorit,vetëm mbi baza të udhëheqësve shqiptarë,pa u futur kursesi në tutelën e të huajve.Kredoja e prijësve kryesorë të Ballit Kombëtar,ishte që shqiptarët vetë të ngriteshin dhe të udhëheqnin luftën kundër pushtesve,duke luftuar vetë për fatet e tyre.Vetëm nëse ndodhte kjo,vetëm nëse i madh e i vogël,pa dallim do të ngrihej nga thirrjet kushtrimtare,vetëm athëherë evropa do të kujtohej për të vënë në vend padrejtësitë e saj të bëra në vitin 1913.Ndërsa lidhur me problemin e Kosovës,përkundër slloganeve komuniste për internacionalizëm proletar,Balli Kombëtar,që në rezulltatet e para të tij të bëra publike,shprehej qartë “ Çdo formë çlirimi që të mos kurorizohej me bashkimin me mëmedheun,është padyshim një zgjedhje e dytë “.
Në këto kushte u thirr Konferenca e Pezës.Në te muarën pjesë nacionalistë e komunistë të bindur se bashkimi i forcave të tyre do të ngrinte në një staf tjetër,më të lartë,luftën vendimtare kundër pushtuesit italian.U zgjodh pikërisht Peza për këtë kuvend pasi çeta e udhëhequr prej nacionalistit Myslim Peza,kishte krye disa aksione të shkëlqyera kundër italianëve.Rreth 20 kilometra në perëndim të Tiranës,vendi ishte krejtësisht i hapur dhe lejonte mundësinë e largimit të menjëhershëm të njerëzve,në rast të ndonjë sulmi italian.Midis të tjerave në Pezë,si përfaqsues të nacionalizmit shqiptar,shkuan Hysni Lepenica,Skender Muço,Ramazan Jarani,Azis Çami, Halim Begeja,Abaz Kupi,Myftar Kaloshi,Muharrem Bajrakatari,Kamber Qafmolla etj,ndërsa nacional-çlirimtarët me në krye Dushan Mugoshën,përfaqsoheshin prej Haxhi Lleshit,Ymer Dishnicës,Enver Hoxhës,Gogo Nushit,Liri Gegës etj.E shoh të udhës të sjell në këto radhë,një dokument me rëndësi ku bëhet fjalë për ndërhyrjen jugosllave në idetë dhe vendimet që do të merreshin në Pezë.Kështu,në letrën që Koço Tashko i drejton Kominternit në vjeshtën e vitit 1942,posaçërisht për Pezën shkruan: “Një ditë përpara konferencës,në mbledhjen e delegatëve komunist,shoku Miladin tregoi përsëri majtizmin e tij,tregoi dëshirën t’i maje nacionalistët në lidhje me partinë si individ,që të mos mundin nacionalistët të marrin një personalitet politik të organizuar pak a ashumë “ e nëse te na tradhëtojnë si Mihajlloviqi”… Me ate qëllim shoku Miladin propozon që konferenca të mos ketë të drejtë të krijojë këshillin e përkohshëm Nacionalçlirimtar.”Ky këshill duhet të dalë nga lufta” dhe jo nga konferenca.Këtë e kundërshtuam të gjithë ne,përveç një antari të K.Q.Të drejtën s’mund tua marrim nacionalistëve të formojnë një Këshill,ata mund të formojnë edhe pa ne,po të bëhemi kokëfortë,se janë mbledhur dhe s’duhet të ikin duarbosh.Kur u detyrua të pranoje krijimin e këshillit,shoku Miladin bën një tjetër propozim,po me atë qëllim : Këshilli të mos ketë të drejta gjersa të formohet shtabi madhorë i cili do të dalë nga lufta,të mbajë lidhje me çetat partizane e vullnetare,domethënë çetat vullnetare të mos lidhen përmes Këshillit,por përmes komisarëve tanë politik,përmes Partisë Komuniste Shqiptare.mbledhja s’e pranoi as këtë propozim “. ( Arkivi Qendror i shtetit – Tiranë . Fondi 14 , dosja 5 , fleta 12 ).
Mbas këtyre pohimeve të njërit prej krerëve kryesorë të komunistëve shqiptarë argumentet janë të tepërt.Ndonëse Miladin Popoviqi ka përdorur çdo mjet për të vënë luftën mbarëkombëtare të popullit tonë,nën tutelën komuniste,ai nuk ja doli dot pasi u ndesh në rezistencën e nacionalçlirimtarëve shqiptar për bashkëpunim imediatë me forcat nacionaliste.Në këtë rrafsh është lehtë të miret me mend se udhëheqësit e nacionalizmit shqiptar,asesi nuk mund të bashkëpunonin me komunistët shqiptar,duke marrë urdhëra nga Beogradi.Për më tej nuk duhet harruar se udhëheqësit nacionalistë në ato momente shiheshin me respekt jo vetëm në popull,por edhe në pjesën dërmuese të komunistëve.Luftëtarët e të dy krahëve,kundër pushtuesit italian patën mbjellë farën e sinqertë të solidaritetit midis tyre dhe këtë llogari s’e kish bërë dot Popoviqi. Në Rezullucionin e paraqitur që në ditën e parë të Konferencës së Pezës,pasqyroheshin qartë luftërat e formacioneve politike shqiptare.Pa asnjë mëdyshje,aty pohohej se “grushti i fshizmit ka goditur dhe po godet me rreptësi,të gjithë ata,qofshin nacionalistë apo komunistë,që luftojnë me vepra zaptuesin dhe tradhëtarin”. ( Arkivi Qendror i shtetit – Tiranë. Fondi 14 , dosja 1, Rezullucioni i Konferencës së Pezës ).
Pra deri në ato momente gjithshka ishte e barabartë,në kontekst të luftës kundër pushtuesit italian.Madje po në këtë rezullucion,thuhet tekstualisht “se vetëm në luftë kundër okupatorit janë hedhur dhe do të hidhen bazat e vërteta të bashkimit kombëtar”.Pra krerët e lëvizjes politike shqiptare,parashihnin në luftën e tyre të përbashkët kundër armikut,edhe bashkimin e shenjtë për ardhmërinë e kombit të tyre.Motoja e kësaj lëvizjeje mbarëkombëtare do të ishte ;Të gjithë në luftë kundër okupatorit,pa dallim feje,krahinë,ideje dhe rryme politike.Ngase ishte konceptuar e tillë që në fillim,në Konferencën e Pezës,ku muarrën pjesë nga kleri edhe dy baballarë bektashinj,të cilët ishin vënë në krye të çetave të luftëtarëve dhe patën zhvilluar disa luftime kundër okupatorit.Këta ishin Baba Faja Martaneshi dhe Baba Ahmeti.Nëse rryma nacionaliste mbisundoi në idetë dhe vendimet e marra në Konferencën e Pezës,duhet thënë se mjaft prej vendimeve u arritën përmes debateve të zjarrta nga përfaqsuesit e të dy rrymave politike.Udhëheqësit nacionalistë kundërshtuan që formacionet e tyre luftarake,të bashkoheshin me nacionalçlirimtarët dhe të quheshin çeta partizane.Azis Çami me të drejtë vinte në dukje se çetat partizane janë të partisë,ndërsa e mira ishte që ato të quheshin thjeshtë çeta të lirisë,ashtu siç qen quajtur që në fillim të shekullit,kudo në trevat shqiptare.Formacionet nacionaliste asesi nuk mund të quheshin tani partizane pasi ato njiheshin nga populli qysh në qëndresën heroike të prillit të vitit 1939,atëherë kur partia komuniste shqiptare nuk pat lindur akoma.Po kështu ngjalli interes edhe debati i Hysni Lepenicës me Enver Hoxhën,lidhur me yllin e kuq që duhej të vendosej në kapele dhe në Flamur.Heroi i Gerhotit,Lepenica,me ate fjalën e tij plotë elokuiencë e logjikë,kundërshtoi vendosjen e yllit të kuq,si simbole të komunizmit botërorë.Ai theksoi se bashkëpunimi ndërmjet grupimeve politike shqiptare,ishin në rrafsh të çlirimit kombëtar dhe për këtë simbolet e shqiptarëve ishin të shenjta të ruajtura madje edhe gjatë sundimit pesë shekullorë të perandorisë osmane.Ndërsa vendosja e yllit të kuq mbi këto simbole,jo vetëm i përdhoste ato,por krijonte idenë e rreme se populli shqiptar zhvillonte luftë ideologjike,jo patriotike.Madje komunistët në Pezë,provuan të matin pulsin e nacionalistëve edhe lidhur me formën e regjimit që do të ndiqte Shqipëria.Ata nuk i kursyen lavdet e tyre për “lumturinë” e pakufishme në vendin e sovjetikëve,duke bërë thirrje të hapura që të përqafohej komunizmi ortodoks rus.Ata provuan atje lidhjet e ngushta me Kominternin si edhe ndihmesën e madhe që ky u kish dhënë,duke mbajtur kontakte me njerëz të ndryshëm,apo duke marrë ide dhe vendime “ të rëndësishme”,por kjo çështje u mbyll menjëherë pas fjalës që mbajti Abaz Kupi.Kjo fjalë,tejet e shkurtër por kuptimplotë,do të përfundonte ; “Më parë të çlirojmë atdheun,pastaj do të vendosim për regjimin politik”.(Arkivi Qendror i shtetit-Tiranë,Fondi 14 , dosja 1 , fleta 24 ).
Logjika nacionaliste triumfoi në Konferencën e Pezës,për vetë faktin se krerët e nacionalizmës shqiptare,ishin të prirë të mbanin mbi supe fatet e kombit,jo për kapitale politike të nesërme,por të zhduknin njëherë e përgjithmonë pushtuesin e të fillonin mbrothësinë kombëtare.Ata kërkonin dhe ëndërronin t’a shihnin vendin e tyre,të shkonte drejt Evropës së qytetëruar dhe jo drejt diktaturës famëkeqe staliniste.Ata kishin ideuar dhe do të jepnin edhe jetën e tyre për shenjtërinë e Shqipërisë Etnike.Të gjitha këto çuan në një entuziazëm të rallë në Pezë,ku populli hapi dyert dhe zemrat për bijtë e vetë nacionalistë e komunistë.Kuptohet se edhe në këto momente,nuk ka heshtur për asnjë grimë ndërhyrja jugosllave.”Po Miladini s’u mjaftua me kaq,ai desh të sigurohej që si antarët e çetës,si Myslimi,të mos gaboheshin e të kujtonin që ndonjë tjetër ishte “kryetari” i Partis.Urdhërat kritikat, levdatat,qortimet që jepte shoku miladin s’lanë asnjë dyshim,as tek katundari më i humbur,përsa i përket kryesis së partisë”.(Arkivi Qendror i shtetit –Tiranë,fondi 14, dosja 5 , fleta 27 ).
Në këtë mënyrë Peza po tradhëtohej që në djep.Ajo jo vetëm që po kontrollohej nga Beogradi,por krejt kundërshtimi që u bëhej nacionalistëve shqiptarë,buronte prej armiqësisë shekullore serbe ndaj kombit tonë.Ata që më vonë u rreshtuan me nacionalçlirimtarët shqiptarë,siç ishin Myslim Peza,Baba Faja Martaneshi,Haxhi Lleshi e ndonjë tjetër,sigurisht e kanë ndjerë peshën e madhe të përgjegjsisë ndaj kombit.Por nganjëherë komfortet dhe lukset e jetës në karakteret e dobët, dominojnë mbi moralin.Ata nuk vonuan të venë yllin e kuq në kapelet e tyre dhe në flamuj,duke dashur t’i servilosen Popoviçit e Mugoshës për të zënë vende në qeverinë e ardhshme shqiptare.Për më tej akoma,këta nacionalistë të dikurshëm,nisën të luftojnë çdo frymë kombëtare në formacionet që drejtonin,duke ecur verbërisht pas ideve bollshevike.E vërteta është se pas Konferencës së Pezës,u zhvilluan disa luftime të përbashkëta të partizanëve dhe nacionalistëve,kundër okupatorit italian.Por këto veprime luftarake,vlen të shihen më shumë se organizime të udhëheqësve lokalë midis tyre,të shtërnguar nga nevojat që paraqisnin situatat. Ndjenjat kombëtare,i bashkuan këto formacione,të luftonin duke dhënë jetën,në betejat e Gjormit,në Vlorë,në Barmash të Kolonjës,në Devoll,Pogradec etj.Ndërsa lidhur me funksionimin e këshillave popullorë që do të shërbenin më pas si baza të pushtetit demokrat,ndërhyrja jugosllave ishte e menjëhershme.Në këto këshilla ( të cilat dy muaj pas konferencës së Pezës u quajtën nacionalçlirimtare) u inskenua me mjeshtëri mëria e verbër e cila çoi në luftën civile.Veçanërisht në jug të Shqipërisë,aty ku gjenin terren,në fundvitin 1942 e vijim të 1943-shit,këshillat nacionalçlirimtare u shëndrruan në organe të diktaturës komuniste.Parimi i njohur leninist ;”O me ne,O kundra nesh “,u zbatua reptësisht në mjaft fshatra.nacionalçlirimtarët shqiptarë i komandonin këto këshilla sipas parimeve të tyre dhe jo rallë,këta shqiptarë që kërkonin të jetonin “si vëllezër” me serbosllavët,therrnin me bajoneta vëllezërit e tyre të një gjaku.Është kjo aryseja që në këtë periudhë,u ndje domosdoshmëria e fuqishme e lëvizjeve nacionaliste shqiptare.Balli Kombëtar,po afronte reth vetes njerëz nga më patriotët,të cilët ishin në gjendje të gjenin,organizonin dhe bashkonin energjitë e kombit tonë.Madje kjo lëvizje nacionaliste u gjallërua nëpërmejet nacionalizmës edhe në Kosovë e Maqedoninë Shqiptare si dhe në Luginën e Preshevës.Prijësit e Ballit Kombëtar e shihnin se vendimet e Konferencës së Pezës,sa vinte dhe përdhoseshin prej komunistëve të beogradit dhe Tiranës,ndaj duke ndjerë përgjegjsinë historike mbi supe,bënë çështë e mundur për realizimin e ideve kombëtare,në luftë kundër okupatorit.E pandarë nga kjo lëvizje,është edhe ajo mbretërore e udhëhequr nga Abaz Kupi. Alternativa mbretërore,me vrullin e saj,donte të risillte në jetën politike shqiptare,pikërisht një nga periudhat fatlume të zhvillimit të shtetit shqiptar.Abaz Kupi,ndonëse u zgjodh në kryesinë e Këshillit të Pezës u distancua menjëherë prej tij,sapo ndjeu të nëpërkëmbeshin idetë e larta kombëtare.Ai u përpoq madje deri në Mukje,të ruante frymën e bashkëpunimit të sinqertë midis forcave politike shqiptare.Një shkëndijë shprese edhe në Mukje për t’u fikur pas dy javësh edhe kësaj radhe nën udhëheqjen e drejtëpërdrejtë të beogradit.Peza ende sot akuzon.
Bern-Zvicër