Nga Prof. Dr. Vebi XHEMAILI/*
Menjëherë pas shpalljes së Kushtetutës, ku faktori shqiptar luajti një rol të rëndësishëm në jetën konstitucionale të Perandorisë Osmane, nisën përsëri kërkesa dhe konsultime midis rretheve atdhetare për thirrjen e një mbledhje mbarë kombëtare, ku do t’u jepej zgjidhje problemeve arsimore por do të shqyrtoheshin edhe probleme tjera të kohës. Vendosja e një alfabeti unik u përgatit gjatë kohë nëpër shoqëritë shqiptare u gatua gjerë e gjatë, shpeshherë midis rilindësve tanë pati edhe polemika tejet të ashpra, pasi bëhej luftë për vendin e parë se cili alfabet duhet të dominojë në trevat shqiptare. Këto tone polemizuese vazhduan për një kohë të gjatë, pasi duhej kaluar “vija” midis jugut, veriut dhe asaj turke-arabe. Ky tranzicion shqiptar dhe përzierja e pushtetit turk, së bashku me kishën greke, kishin lënë pasoja të rënda në mentalitetin e vetë shqiptarëve, pasi shumica shqiptarëve në këtë kohë nëpër shtëpitë e tyre flitnin me kurajë gjuhën turke, bile disa krenoheshin me turqishten dhe fare nuk donin të dëgjonin për gjuhën e nënës, e cila duhej të ishte si gjuhë zyrtare në Shqipëri. Pas vdekjes së Skënderbeut, gjuha shqipe ishte në margjina të vetë intelektualëve dhe nëpunësve shqiptarë, që flitnin vetëm turqisht dhe krenoheshin me këtë gjuhë aziatike. (V.Xh.) Për fat të keq të popullit, nëpunësit shqiptarë, apo më mirë thënë, klasa sunduese politike shqiptare e cila luftonte për të mbrojtur interesin e Perandorisë, kurrë nuk e përdorte gjuhën e nënës, as edhe në biseda private sa për t’i bërë qejfin pushtetit dhe administratorëve turq. Në të shumtën e rasteve edhe këta nëpunës dhe ushtarakë, identifikoheshin me ata, si osmanlinj, duke e harruar kombin dhe origjinën e vet.
Por, falë rilindësve historiku i kombit dhe Flamuri i Skënderbeut nuk u lanë në harresë, ashtu siç dëshironte politika asimiluese turke. (V. Xh).
Rilindësit aktualizuan gjithnjë e më shumë këtë çështje kombëtare, problemi shqiptar për gjuhën u aktualizua deri në organet më të larta të pushtetit, aktual turk. Rol të rëndësishëm kanë luajtur disa shoqëri e shoqata të ndryshme kombëtare gjatë epokës së Rilindjes. Ky problem jetik ndër shqiptarë do të përfshijë edhe revistat dhe gazetat e ndryshme të kohës. Në këto momente tejet kritike për kombin shqiptar, kur administrata turke favorizonte vetëm ata qytetarë që deklaroheshin osmanlinj, atdhetarët shqiptarë i thanë jo kësaj politike antikombëtare dhe morën iniciativën për mbajtjen e Kuvendit mbarëkombëtar në Manastir. Në këto kthesa të mëdha historike, kur ishte në pyetje mbrojtja e identitetit kombëtar, rol historik ka luajtur Klubi Shqiptar i Manastirit “Bashkimi”. Ky klub ndër të parët ngriti zërin lart, duke i dalë zot kombit brenda dhe jashtë Shqipërisë, u bë një ndër klubet më të rëndësishme që luajti rol të veçantë në formimin e klubeve të tjera dhe në zhvillimin e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare në periudhën e regjimit xhonturk.[1] Prandaj, shumë shpejt mori mbështetjen edhe të klubeve të tjera në tërë Shqipërinë etnike dhe të diasporës shqiptare.
Thirrja e këtij Kongresi historik u bë në qendrën diplomatike të shqiptarëve në Manastir, prej 14-22 nëntor 1908. Në Kongres morën pjesë përfaqësues të shtresave të ndryshme shoqërore: intelektualë e personalitete të dalluara të Lëvizjes sonë kombëtare, numri i mysafirëve arrinte në më shumë se 300 veta, por nga ata që përfaqësonin të katër vilajetet ishin 50 përfaqësues, prej tyre kishin të drejtë vote 32 ku bënte pjesë edhe Emin bej Shkupi dhe 18 përfaqësues të tjerë pa të drejtë vote, një ndër ta pa të drejtë vote ishte edhe Rog Berisha që vepronte në Shkup.[2]
Në Kongres kishin përfaqësues edhe shoqëritë shqiptare nga Egjipti, Stambolli, Selaniku, Italia, Bullgaria, Rumania dhe Amerika. Sipas raportit të konsullit rus I. Zhivnojevit, në Kongres morën pjesë së bashku myslimanë, katolikë dhe ortodoks nga të gjitha trojet e Shqipërisë Etnike.[3] Në Kongres merrnin pjesë edhe ushtarakë me grada të larta; si gjeneral Fadil Pasha, Zija Pasha dhe valiu i Vilajetit të Manastirit, Hivzi Pasha dhe udhëheqës të çetave shqiptare; Çerçiz Topulli dhe Mihal Grameno.[4] Në këtë Kongres nuk ishte i pranishëm atdhetari i palodhshëm i çështjes kombëtare, Dervish Hima, i cili nuk mundi të marrë pjesë, pasi që turqit e rinj mbanin të burgosur në Selanik, me akuzë se ka kërkuar ndarjen e Shqipërisë nga Perandoria Osmane, shpalljen e autonomisë së Shqipërisë dhe zyrtarizmin e shkollave dhe përdorimin e gjuhës shqipe.[5]
Kongresi i Manastirit u hap në mënyrë solemne më 14 nëntor 1908. Në seancën plenare, Kongresin e ka udhëhequr dhe përshëndetur Fehim Zavalani, kryetar i Klubit të Manastirit, ku ishin të pranishëm mbi 400 veta, mysafirë dhe përkrahës të Kongresit.[6] Sipas të dhënave më të reja historiografike dhe dëshmive nga terreni, Kongresin e ka përshëndetur edhe myftiu nga Tetova, Rexhep Nuredin Voka, i cili në këtë kohë ka qenë aktiv edhe në Klubin politik “Bashkimi” të Manastirit.[7] Ky nga viti 1900 mbante lidhje të ngushta me familjen Qiriazi, para se të emërohet myfti në Manastir, për të mësuar shkrimin dhe leximin e gjuhës shqipe.[8]
Nga Manastiri merrte pjesë si delegatë edhe Selahedin Beu[9], sëbashku me Gjergj Qiriazin, ky i fundit ishte edhe anëtar i Komitetit të Fshehtë Shqiptar për lirinë e Shqipërisë, themeluar në Manastir, në vitin 1905. Në këtë Kongres, Qiriazi ishte zgjedhur për nënkryetar, po ashtu këtë post e mbante edhe në klubin “Bashkimi”. Shtëpia e tyre ishte qendër e Lëvizjes Kombëtare për çlirimin e Shqipërisë, ku mblidheshin patriotët më të shquar të kohës, si Bajo Topulli, kolonel Halit Berzeshta, Fehim Zavalani e të tjerë.
Në prag të Kongresit, Rexhep Voka tashmë ishte personalitet i njohur politik, pasi kishte marrë pjesë si përfaqësues i Tetovës, në Kuvendin e Ferizajt, më 23 korrik 1908. Në këtë Kuvend, Rexhep Voka kishte mbrojtur fuqishëm lëvizjen xhonturke, duke favorizuar “Hyrijetin” dhe ishte shprehur haptazi kundër absolutizmit të Sulltan Abdyl Hamitit. Nga kjo kohë, në qarqet xhonturke, Rexhep Voka gëzonte autoritet të madh si përkrahës i ideve liberale. Ky në saje të qëndrimit pro lëvizjes xhonturke, u emërua në postin më të lartë fetar, myfti i Vilajetit të Manastirit.[10] Ky vilajet, në atë kohë përfshinte Manastirin si qendër, me disa qytete të tjera të Shqipërisë Lindore, ku bënin pjesë edhe 2200 fshatra.[11]
Seanca solemne u mbajt në sallën e klubit politik “Bashkimi” të Manastirit. Në orët e pasdites kishte filluar seanca plenare e Kongresit, ku delegatët për mirëmbajtjen e punës së Kongresit, me vota të fshehta zgjodhën kryesinë e punës. Delegatët zgjodhën kryetar Mid’hat Frashrin, delegat i klubit të Selanikut dhe Janinës[12], për nënkryetar Luigj Gurakuqin dhe Gjergj Qiriazin nga Manastiri, për sekretar Hil Mosin, Toma Abrahamin dhe Nyzhet Vrionin.[13]
Është me rëndësi të theksohet se Kongresi mbajti gjashtë seanca të mbyllura, tejet sekrete. Më së shumti, këto seanca u mbajtën në hotelin “Liria” të Themistokli Gërmenjit, ku ishin vendosur shumica e delegatëve. Edhe pse Kongresi ishte i monitoruar nga pushteti i atëhershëm, delegatët arritën të diskutonin në këto seanca edhe për çështje politike. “Në këto seanca u morën vendime të rëndësishme politike në lidhje me statusin juridik-shtetëror të Shqipërisë”.[14] Pjesëmarrësit njëzëri u zotuan se këto vendime me peshë kombëtare nuk do të publikohen, por do të ruhen në sekretin më madh nga vetë anëtarët.[15]
Në ditët e para të mbledhjeve të kongresit dominuan diskutimet rreth zgjidhjes së çështjes së alfabetit unik të gjuhës shqipe. Rexhep Voka, pasi ishte myfti i Vilajetit të Manastirit, u bë nikoqiri dhe përkrahësi kryesor i Kongresit për alfabetin arab[16]. Rexhep Voka bashkë me Fehim bej Zavalanin ishin nikoqirë dhe drejtuesit kryesorë të këtij Kongresi. Të dy lexuan referate; Fehim beu lexoi referatin e tij me titull: “Përhapja e civilizimit dhe shkencës në Shqipëri”, ndërsa Rexhep Voka më 19 nëntor, mbajti kumtesën e tij me temë: “Dobitë e bashkimit të të gjithë shqiptarëve dhe bashkëpunimi i tyre me Komitetin xhonturk.[17]
Në ditën e tretë delegatët e zgjodhën komisionin për çështjen e alfabeti.[18] Siç dihet, që në fillim zgjidhja e këtij problemi dominues ndeshi në vështirësi, sepse ende fuqishëm ndiheshin ndarjet krahinore, të cilat luftonin për dominim lokal mbi pjesët e tjera të Shqipërisë. Disa veprimtarë shkuan aq larg sa që tentuan të tregonin alfabetet e tyre të shkruara deri në atë kohë, përpiqeshin me dhe pa argumente të tregonin për lashtësinë e alfabetit të tyre. Ata synonin që alfabeti i tyre të zgjidhet prej Kongresit si alfabet i vetëm i gjuhës shqipe.[19] Por, pas një kohe u qetësua paksa situata, filluan diskutimet koncize dhe të qenësishme nga ana e një pjese të delegatëve të shquar, siç ishin Hil Mosi, Luigj Gurakuqi, Gjergj Fishta e të tjerë. Në këtë situatë për qëllime kombëtare që ti kontribuojë unitetit në punën e Kongresit doli në foltore Gjergj Fishta, delegati i shoqërisë “Bashkimi” nga Shkodra. Në diskutimin e tij rreth alfabetit të shoqërisë së përmendur të Shkodrës tha: ”Unë s’kam ardhur këtu që të mbroj asnjërin nga alfabetet por kam ardhur që të bashkohem me ju dhe do ta pranoj atë alfabet të cilin do ta caktojë Kongresi si më të dobishëm për të mirën e popullit tim”. Këto fjalë bindëse të Gjergj Fishtës lanë përshtypje te delegatët e Kongresit. Pas mbarimit të fjalës së tij delegati i Shkupit, Hafëz Ibrahim efendiu u lëshua drejt tij dhe me dy duar e përqafoi fuqishëm me lot në sy. Ky shembull vëllazëror midis shqiptarëve pa dallim feje e kishte forcuar edhe më fortë unitetin e të gjithë delegatëve në sallë në ruajtjen e frymës kombëtare të Kongresit.[20]
Në këtë kongres, Parashqevi vepron si sekretare e komisionit të alfabetit që mblidhej në shtëpinë e Qiriazëve në Manastir.[21] Ishte nënkryetare e Klubit “Bashkimi” dhe njëherësh u zgjodh edhe nënkryetare e Kongresit të Manastirit. Me këtë rast, mes tjerash pat thënë: ”Ky kongres të na nxjerrë faqebardhë dhe me një vëllazëri dhe bashkim të pandarë”.[22]
Konsulli rus, atmosferën e punës në Kongres e përshkruan në mënyrë tejet objektive, pasi diplomacia ruse ishte e interesuar për të pasur ndikimin e saj në këtë Kongres. Ky, për delegatët deklaron: “Ata, delegatët, në seancat e Kongresit merrnin pjesë me veshje kombëtare, sipas krahinave që prezantonin”. Delegatët e Kuvendit, edhe në mbledhjet e hapura, nuk fshehin urrejtjen e tyre kundër Turqisë dhe haptazi kritikonin politikën asimiluese të qeverisë turke, e në veçanti me nxjerrjen e ligjit për zgjedhje, “e cila përpiqej me të gjitha mënyrat të asimilojë dhe çrrënjos vetëdijen nacionale të shqiptarëve, duke i ndjekur edhe për gjuhën e tyre”.[23]
Në Kongres u fol edhe për marrëdhëniet shqiptare-greke, ku u konstatua se Greqia po bën me të madhe propagandë kundër kulturës dhe historisë shqiptare. Ajo në Jug të Shqipërisë i trajton shqiptarët për grekë, posaçërisht më lehtë e kishte të asimilojë shqiptarët e besimit ortodoks. Patriotët shqiptarë të cilët i kundërviheshin kauzës greke, ajo kundër tyre organizonte atentate, duke vrarë edhe Mitropolitin e Korçës, Fotisin.[24] Shumë delegatë të Kongresit, në diskutimet e veta deklaruan se Greqia po bën haptazi masakrime të papara në territorin e Epirit. Për ta qetësuar atmosferën në Kongres, sipas raportit të konsullit rus, ndërhyri udhëheqësi i Kongresit, Mithat Frashëri, duke ndërprerë oratorët shqiptarë, ku prekej armiqësia kundër grekëve.[25] Makineria e propagandës greke, në atë kohë vepronte me të njëjtin intensitet edhe kundër vllehve. Këta, për të shpëtuar nga terrori grek u bashkuan me shqiptarët, në luftë të përbashkët kundër terrorit dhe politikës asimiluese greke.[26]
Në atë kohë shqiptarët përveç vllehve, edhe me bullgarët kanë mbajtur marrëdhënie të mira miqësore. Në kongres u folën fjalë miradije për politikën e mirëkuptimit të shtetit bullgar. Sipas konsullit rus, Bullgaria e ndihmonte lëvizjen shqiptare në Vilajetin e Kosovës dhe të Manastirit, ku sipas tyre, Bullgaria kishte interesin e vet politik-strategjik. Ajo duke përkrahur kërkesat e atdhetarëve shqiptarë për Autonomi, shpresonte se do ndërpritej rruga e serbizimit dhe e përhapjes së influencës serbe në luginën e Vardarit. Po ashtu, Bullgaria nëpërmjet nacionalizmit shqiptar mbronte nga Jugu, depërtimin e fuqishëm të helenizimit-ortodoks grek drejt Shkupit dhe Manastirit, që në atë kohë këto dy qytete shqiptare ishin qendra diplomatike dhe administrative të Perandorisë Turke. Prandaj, bullgaria kërkonte aleatë kundër armiqve të përbashkët; Greqisë dhe Serbisë. Kjo ishte një ndër arsyet më kryesore pse diplomacia bullgare ndihmonte atdhetarët shqiptarë në luftën e tyre nacionale për autonomi në disa rrethe të Prilepit, Ohrit, Strugës dhe Manastirit.[27]
Pasi u dorëzuan ftesat në mënyrë zyrtare nga Klubi “Bashkimi” i Manastirit më 14 shtator 1908,[28] xhonturqit në këtë kohë mbanin të burgosur atdhetarin e flaktë të autonomisë shqiptare, Dervish Himën, në burgun e Shkodrës. Me përhapjen e lajmit për mbajtjen e Kongresit mbarëshqiptar, xhonturqit nga frika e masave shqiptare e transferojnë Dervish Himën në burgun e Selanikut, më 31 tetor 1908. Ata fshehurazi e nisën rrugës tokësore, natën, nga Shkodra për në Selanik.[29] Hima, më 17 nëntor duhej të dilte para gjyqit, mirëpo, si shënon gazeta “Korça”, kishte kaluar një muaj prej asaj dite “e puna e tij nuk kishte marrë fund, as për të mirë e as për të keq’’.[30]
Dervish Hima, kur gjendej në burgun e Selanikut, pat deklaruar: “Ne kërkojmë që Turqia të na pranojë si komb të veçantë dhe kërkojmë decentralizimin e vendit”.[31] Sipas raporteve të diplomacisë austriake, Dervish Hima, aty kah fundi i janarit 1909, u lirua nga burgu.[32]
Në të njetën kohë kur mbahej kongresi i të gjithë shqiptarëve në Manastir xhonturqit, për të frikësuar popullon shqiptar sulmuan me topa dhe dogjën kullat Isa Boletinit më 21 nëntor 1908. Turqit sulmuan me 18 topa dhe 5 kompani, ndërsa kullat e Isës mbroheshin vetëm me 14 vullnetarë, beteja zgjati tërë ditën, nga ushtarët e Isës u vranë tre veta dhe u plagosën 5, ndërsa nga pala turke ka pasur shumë më shumë të vrarë, por pala turke nuk ofron të dhëna.[33]
* Profesori i Universitetit Shteteror te Tetoves, Prof. Dr, Vebi Xhemaili, eshte bashkepunetor i Gazetes Dielli.NE FOTO: Ndërtesa e Kongresit në Manastir
[1] Historia e popullit shqiptar…, f. 391; Nexhat Abazi, Zhvillimi i shkollave.., f.196.
[2] Raporti i konsullit italian nga Manastiri, dërguar kontit de Visari; nga Shkupi merrnin pjesë tre delegat; me të drejtë vote ishin të dërguar nga Klubi i Shkupit, Emin Beu dhe Hafëz Ibrahim Efendiu. Ndërsa Rok Berisha po ashtu përfaqësues nga Shkupi bënte pjesë në grupin e delegatëve pa të drejtë vote, së bashku me Parashqeva Qiriazin, Abdyl Yipn, Lef Nosin Çerçiz Topullin e tjerë; Grup autorësh, Historia e arsimit dhe mendimit pedagogjik shqiptar, Instituti i Studimeve Pedagogjike, Tiranë 2003, f. 175.
[3] Raport i konsullit rus nga Manastiri, më 14 nëntor 1908; Stjepan Antoljak, Prillog historijatu albanaca za svoj alfabet, “Gjurmime albanologjike’, nr. 1, Prishtinë, Prishtinë, 1969, fq. 46-48; Historia e Shqipërisë, vëll. II. 1908-1912…f. 10-11.
[4] Po aty, raport nga Manastiri.Poashtu në këtë Kongres ka marrë pjesë edhe i riu Rauf Fico, që më vonë ka luajtur një rol të rëndësishëm në diplomacinë shqiptare, veçanërisht kur ishte i emëruar në Beograd. Pati disa takime me studentët shqiptarë dhe disa krerë të nacionalizmës shqiptare që vepronin në Jugosllavinë e para luftës, në ngritjen e nacionalizmës shqiptare dhe luftën e tyre për çlirim dhe bashkuim kombëtar.
[5] Manol Pandevski, Politiçkite partii…, vep. e cit. f. 287; Shukri Rahimi, Shkaqet e konfliktit në mes lëvizjes shqiptare dhe Turqve të Rinj, “Jehona”, Shkup 1968, nr. 6, f. 143.
[6]Shaban Demiraj, i Kongresi i Manastirit…, 87. Në këtë kohë përmendet vetëm një Rexhep Hoxha. Por nuk thuhet asgjë për biografinë e tij. Si ka mundësi të përshëndes Kongresin një person që në atë kohë nuk ka pasur ndonjë funksion shtetëror apo fetar. Ndërsa ky, Rexhep Hoxha ishte i lindur në Prilep, që në kohën e Kongresit ka qenë Profesor i Medresesë në Stamboll, e quajtur “Medrese Fatihut”. Shi, Hasan Kaleshi, Disa aspekte të luftës për alfabetin shqip në Stamboll, “Gjurmime albanologjike”, nr. 1, Prishtinë, 1969, f. 106.
[7]Hasan Kaleshi, Neki problemi izuçavanja kulturne istorije Pologa za vreme turskog perioda,“ Bigorski nauçeno-kulturni sobiri”, Gostivar 1971, f. 182.
[8]HHStA, PA XXXVIIi/390, Raport i Konsullit Kral nga Manastiri, më 15.07.1900); Konsulli austriak në raportonte: se Gjergj Qiriazi i cili kishte një librari të “Bible society: ”Në shkurt të vitit 1900 gjatë muajit ramazanit, në dyqanin e tij kishte hyrë një hoxhë që duke u ruajtur e kishte pyetur nëse kishte libra shqip; ai mori ato që lejoheshin, ungji, psallme, etj, dhe meqë ai kërkonte ndonjë gjë tjetër, iu dha së fundmi me kujdes edhe një abetare, sepse ai mund të ishte një agjent sekret, siç ndodh shpesh tani. Hoxha pyeti nëse dikush mund ti mësonte alfabetin dhe u gëzua kur u ftua që të vinte çdo ditë për të mësuar nga pak me vëllain e të zotit të dyqanit. Me një zell djaloshar ai u fut punës dhe mësoi kaq mirë sa që pas disa leksionesh ai mundte që të lexonte shqip në mënyrë të mjaftueshme. Shumë shpejtë ai zuri miqësi me patriotët lokalë dhe iku nga Manastiri me një pako të vogla librash (për shkak të mungesave), libra që në shumicë ishin fetarë dhe të krishterë. Ky njeri është Rexhep Çudi Hoxhë nga Tetova.
[9] Rauf Fico, Shtetar dhe diplomat i shquar shqiptar (monografi), Tiranë 2007, f. 182.
[10] Natalyie Clayer, Në fillimet nacionalizmit shqiptar, Tiranë 2009, f. 561-562.;
[11] Feti Mehdiu, Vilajeti i Manastirit në Kamus Al-A’Lam, “Gjurmime albanologjike”, Prishtinë 1983, f.240. Në atë kohë vilajetit të Manastirit përfshinte këto qytete; Manastir, Prilep, Florinë, Ohër, Korçën, Starova Kolonja, Elbasanin, Peqin, Strugë, Dibër, Mat, Dibra e Poshtme, Krahina e Rrekës, Kërçova me gjithsejtë 2 220 fshatra.
[12] Gazeta “Dituria”, nr.3, v,1908, f.41.
[13] “Leka”, nr. VIII-XII, 1937, f. 35.
[14] Manol Pandevski, Politiçkite parti…, vep. e cit. f. 287.
[15] Po aty, raporti i njëjtë. Mahir Domi, Alfabeti i gjuhës shqipe dhe Kongresi i Manastirit, Tiranë 1972, f.. 35.
[16] Reshat Nexhipi, Prespa dhe Manastiri nëpër shekuj, Kërçovë 2003, f.152.
[17] “Bashkimi i Kombit” (nacionallno Edinstvo), Shkup 2001, f 20; Ali Vishko, ndante mendimin se ky ka qenë nikoqir kryesor në Kongres në bazë të pozitës fetare që ka pasur në atë kohë. Në fillim poashtu ka qenë shumë i afërt me të gjithë veprimtarët që vepronin në Manastir dhe Shkup. Tetovë, deklarata e tij në dhjetor 2002.
[18] Stjepan Antolak, Prilog historiatu borbe albanca za soj alfabet, “Gjurmime albanologjike”, nr. 1 Prishtinë 1969, f. 48.
[19] Stavro Skendi, vep. e cit, f. 370-371; Shaban Demiraj-Kristaq Prifti, Kongresi i Manastirit Tiranë 2004, f. 76.
[20] Stavro Skendi, vep. e cit, f. 371.
[21] Gjergj Qiriazi, vëlla i Sevastisë dhe i Parashqevës. Motrat Qiriazi pas luftës jetuan të izoluara në Tiranë nga pushteti komunist, Sevastia vdiq në vitin 1949 dhe u varros vetëm nga katër gra. Pasi pushteti e kishte shpallur si armike të pushtetit komunist.
[22] Milto Sotir Gura, Kongresi i Manastirit për alfabetin shqip, (nga kujtimet e Mihajll Gramenos), “Bashkimi i Kombit”, Tiranë 12 gusht 1944.
[23] A.M. Shkup, Raport i konsullit rus nga Manastiri, më 14 nëntor 1908.
[24] Po aty, raporti i njëjtë.
[25] Po aty. Qysh në fillim të Kongresit Mithat Frashëri, Abdyl Ypi, Ferid Ypi, ndanin mendimin se në këtë Kongres të Alfabetit të shqyrtohet vetëm çështja e alfabetit jo edhe probleme të tjera të karakterit politikë.
[26] Po aty.
[27] Po aty, raporti i njëjtë.
[28] Nexhat Abazi, Zhvillimi i arsimit…, f.196.
[29] Raport i konsullit. astro-hungarez nga Selaniku, nr. 2852, 27 dhjetor 1908.
[30] ‘’Korça’’ nr.2, 24 dhjetor 1908.
[31] ”Konstituciona Zarja”,1/23, Selanik, më 15 nëntor 1908.
[32] Raporti i konsullit austro-hungarez nga Shkodra, nr. 5, 3 janar 1909.
[33] Raport i konsullit rus nga Manastiri, dërguar ambasadorit rus në Stamboll N.V. Carikov. 24 nëntor 1908.