• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Histori- ME RASTIN E 170 VJETORIN E KRYENGRITJES SË DERISH CARES

October 6, 2014 by dgreca

DERVISH CARA-TETOVA KËRKOI AUTONOMINË E SHQIPËRISË PARA 170 VJETËSH/
Shkruan: Prof. dr. Vebi Xhemaili, USHT-Tetovë/
Ky Kolos nga Tetova me tërë forcat e veta iu kundërvu një perandorie të madhe siç ishte Turqia në atë kohë. Ky komandant u hodh në kryengritje për përmirsimin e jetës ekonomile dhe sociale të popullësisë të këtyre anëve pa dallim feje dhe race, duke bërë luftë deri në vdekje për çlirimin e trevave lindore shqiptare. Lufta zgjati më më shumë se 5 pesë muaj, nga janari 1844 deri më 21 maj të vitit 1844, kur u kap i gjallë Derish Care me shokë. Ky kolos e humbi luftën ballë për ballë me ushtrinë e Hajredin Pashës në betejën e Katllanovës më 21 maj 1844. Gjatë kësaj lufte Komandanti shqiptar nga Pollogu i Tetovës pati disa takime edhe me diplomat të huaj; anglez, francez, po ashtu ka qenë i përcjellur edhe nga politika serbe serbe dhe ajo ruse.
Edhe pse gjatë kësaj kryengritje ishte figura më këmëngulse që kërkonte publikisht para diplomatëve të huaj se shqiptarëve të Shqipërisë duhet tu njihet autonomia as më pak as më shumë se ajo e serbisë dhe Greqisë. Ky komandant këto kërkesa i parashtroi edhe para Hajredin Pashës, por të tëra këto kërkesa kombëtare sikur sot e kësaj dite nuk nuk janë bindëse për historiografinë sllave, pasi disa historian maqedonas në krye me Matkovskin kanë shkruar vepra vuliminoze, ku kanë tentuar këto kërkesa dhe trimërinë e pashoq dhe bujarinë e tij ta paraqesin si sllav apo maqedonas me origjinë torbeshe nga fshati Urviç, që fare nuk kanë të bëjnë me të vërtetën shkencore, pasi këto shrime të ngjyrosura me politikë ditore dhe fare nuk i kontribojnë Shkencës së Historisë, pasi nuk paraqesin realitetin dhe zhvillimet e ngjarjeve historike dhe luftës së tyre për liri në këtë pjesë të Shqipërisë Lindore gjatë vitetve 1843-1844.
Sipas raportit të konsullit britanik nga Selaniku, gjendja në Shqipëri pas shpalljes së Gjylhanes u tensionua mjaft. Fillimi i vitit 1943 filloi me trazira lokale në gjithë Shqipërinë. Në mars të vitit 1843, në Selanik erdhi valiu i Rumelisë, Mustafa Nuri Pasha, i cili pati një konsultim me konsullin anglez. Nuri Pasha haptazi i deklaroi: “Në Shqipëri i kanë të përzier gishtat agjentët rus dhe francezë për nxitjen e kryengritjes së popullatës, bile se ka të dhëna që agjentët rus ndajnë edhe para popullatës për blerjen e armatimit, për t’u çuar në kryengritje”.
Kryengritja shqiptare për herë të parë përmendet në dokumentet serbe, më 5 korrik 1843, nga prefekti i qarkut të Aleksincit, i cili lajmëronte Ministrinë e Punëve të Jashtme të Serbisë, se Mehmed Pasha i Shkupit ka kërkuar nga çdo shtëpi shqiptare të japë nga një ushtar (nizam). Meqë shqiptarët kishin refuzuar kërkesën të rekrutonin ushtarë, u krijuan përleshje të mëdha në mes kryengritësve dhe njerëzve të pashës që bënin rekrutimin. Shqiptarët me të shpejtë u grumbulluan në Shkup me mbi 6.000 kryengritës dhe rrethuan qytetin, ku kërkonin nga pashai i Shkupit të ndërpritet rekrutimi. Mehmet Pasha kërkoi nga kryengritësit që t’i lejohet të shkojë për në Stamboll dhe të parashtrojë kërkesat e shqiptarëve, por ata nuk u pajtuan dhe kërkonin që në vend të tij të shkojë lajmëtari i tij. Në pritje të lajmëtarit, pashai përhapi lajmin se 40 taborë janë nisur nga Selaniku në drejtim të Shkupit, ndërsa në ndihmë do të vijë edhe pashai i Vrajës dhe do të bashkohet me ushtrinë e sulltanit.
Udhëpërshkruesi i njohur për Ballkanin, A. Grizebahu, në vitet e 40-ta të shek. XIX, deklaron: “Havzi Pasha u emërua si udhëheqës në Shkup, si përfaqësues i vjetër i fisit tetovar. Ky ndan mendimin se fisi i tij ka sunduar me Sanxhakun e Shkupit “qysh para 200 vjetësh”. Ky, sipas kontaktit që ka pasur kokë më kokë me pashallarët, gjatë qëndrimit të tij në Shkup dhe Tetovë, u interesua edhe për pakicën sllave në Shkup dhe jetën e tyre, si dhe ka biseduar për rrethanat ekonomike dhe politike që përfshinte Pashallëkun e Tetovës dhe atë Shkupit. Ky territor ishte i ndarë në 14 kaza ose rrethe. Këto ishin: kazatë e Shkupit, Kaçanikut, Tetovës, Kërçovës, Dibrës, Qustendilit, Radovishit, Kriva Pallankës, Kratovës e të Koçanës.
Por, sa u përhap lajmi në Shkup për burgosjen e pashallarëve nga Sulltani, shqiptarët nga hidhërimi me të shpejtë rrokën armët dhe u çuan në këmbë, gati të gjithë “si me qenë një”. Ky rebelim i shqiptarëve, në korrik të vitit 1843, shtyri vezirin e madh, Mehmet Jusuf Pashën, së bashku me Hajredin Pashën, të tërheqin fermanin për të mbledhur rekrutë për sulltanin, kështu që situata pak a shumë u qetësua. Por, në vjeshtë të vitit 1843, Pashai i Shkupit, Mehmet pashë Jusufi, përsëri dha urdhër të mblidhen ushtarë të rregullt për Perandorinë Turke. Shqiptarët nuk pritnin këtë urdhër nga sulltani, që Këto reforma dhe aplikimi i tyre në Shqipërinë Verilindore, në vitin 1843 , preku në palcë klasën feudale shqiptare, të pasurit, bejlerët e posaçërisht pashallarët shqiptarë, të cilët rreth vetes në emër të perandorisë mbanin ushtarë dhe rroje personale. Me këtë ushtri, ata komandonin sipas dëshirës dhe nevojës së vet, duke mos i përfillur shpeshherë kërkesat e sulltanit. Në këto rrethana revolte u paraqit Dervish Aga, një i afërm i Havzi Pashës, i cili arriti së shpejti ta sundojë tërë Gegërinë. Në shtator të vitit 1843, Dervish Aga shpalli veten për udhëheqës të Gegërisë (Shqipërisë Verilindore).

KRYENGRITJA DERVISH CARES FALSIFIKOHET
NGA TIRANA DHE PRISHTINA

Kryengritja e Dervish Cares falsifikohet nga Tirana dhe Prishtina Siç është e njohur në bazë të dokumenteve Kryengritja e Dervish Cares filloi në shtator të vitit 1843. Kjo kryengritje filloi si rezistencë gjithë popullore, por e theksuar ishte në pjesën e Shqipërisë Lindore. Kjo rezistencë rritej dita-ditës kundra reformave të Tanzimatit, e në veçanti kundra sulltanit, që këto reforma të mos zbatohen në pashallëqet shqiptare, ose thënë ndryshe në tërë krahinat shqiptare të Shqipërisë Etnike, ku prekej interesi i tyre, pasi në këtë territor dominonte populli shqiptar dhe gjuha shqipe.
Sipas dokumenteve serbe: “Epiqendra e kësaj ngjarje me rëndësi të madhe ishte në Gegalik (Gegëri). Shtetet sllave të Ballkanit, Shqipërinë Lindore e kishin pagëzuar sipas popullsisë gege që jeton në këtë pjesë të Shqipërisë etnike, ata në gjuhën sllave e quanin “Gegalik”, toka e gegëve, territori i gegëve, që nënkupton territorin e Shqipërisë Verilindore. Po ashtu edhe diplomacia gjermane Shqipërinë e ndanë në Toskë, që kanë jetuar në Shqipërinë e Jugut, dhe Gegë që përfshinin territorin e Shqipërisë Verilindore.
Pra historiografia sllave me emrin “Gegalik”, quanin territorin e Shqipërisë Verilindore, të banuar me shqiptarë siç i quanin ata “Gegë”, kështu thirrej Shqipëria nga të gjithë bashkëkohësit dhe studiuesit e ndryshëm të kohës. Kryengritja, sipas udhëheqësit të saj u pagëzua; “Kryengritja e Dervish Cares”, e cila filloi në Gostivar, e jo në Shkup, sipas botimit më të ri të Historisë së popullit shqiptar, të botuar në Tiranë në vitin 2002.
Poashtu ka edhe një gabim tjetër nga historiografia e Prishtinës, se kjo kryengritje ka filluar në Prishtinë, ku thuhet gabimisht se: “ kryengritje e madhe shqiptare plasi në vitin 1844 në Prishtinë, duke u përhap kah Prizreni, Gjakova, Shkupi, Tetova, e cila në fund u shua në gjak thuhet në librin e Branko Horvatit të botuar në Lubjanë në vitin 1989, f, 37.” Por e vërteta është, se kjo Kryengritje ka filluar në vjeshtën e vitit 1843 në Gostivar dhe me të shpejtë u përhap në tërë fushën e Pollogut të Epërm, deri në Tetovë me rrethinë . Pra epiqendra e kësaj lëvizje ishte në Gostivar, ku në krye të qytetit qëndronte nëpunësi i Xheladin Beut, që udhëhiqte me Gostivarin, i cili shumë shpjet u dallua si organizator tejet i aftë. Ky mbante në atë kohë gradën “Aga”, që do të thotë udhëheqës, (Çarshi Agasi-Kryeshef i policisë), me fjalë të tjera, komandant i qytetit. Ky në fillim ishte nënoficer te Havzi Pasha pasi ishte edhe dhëndri i tij, kurse më vonë e fitoi besimin dhe u emërua për udhëheqës te Xheladin Beu dhe udhëhiqte me Gostivarin. Në nëntor 1843 u shpall i pavarur nga eprorët e tij; Xheladin Beu i Tetovës dhe Sulltani.

Tetova si qendër e pashallëkut gjatë viteve 1830-1842

VENDLINDJA E DERVISH CARES

Dervish Care është i lindur në fshatin Pallçisht të Tetovës. Ky u bë i njohur në historiografinë shqiptare mbiemrin e familjes së tij “Care”, e jo si thotë Toskovi e shpalli veten “Car”. Toskovi si duket në bazë të dokumenteve ekzistuese, e ka ngatërruar mbiemrin e familjes të Dervish Cares me fshatin Caren, nga ka ardhur familja e tij në vitin 1795, nga fshati Kalis. Ky fshat ndodhet në rajonin e Kalisit përgjatë rrjedhës së lumit Drin. Ndërsa JOVAN Trifunovski, Albansko stanovnishtvo u Makedoniji, Beograd 1988, f. 41; ky albanofob pranon se shumë familje shqiptare mbajnë mbiemrat e fshatrave si është rasti me Dervish Caren nga fshati Caren përgjatë lumit Drin, krahinë e Kalisit.
Po ashtu emrin dhe etnogjenezën shqiptare të këtij heroi kombëtar tenton ta ndryshojë edhe vetë Matkovski, në librin e tij në faqen. 787. me titull O”tporot vo Makedonija Tom. IV, Shkup 1983, f. 787. i cili në sqarimin e tij deklaron se: Dervish Care ka qenë me prejardhje “torbesh”. Ky këtë falsifikim bënë për hirë të politikës ditore dhe e dyta për ta plotësuar në boshllëk të historisë maqedonase që ka dhe do të ketë në këto hapësira që sot quhen Maqedonia Perëndimore e njohur në historiografinë shqiptare si trevat e Shqipërisë lindorte.V.Xh.
Ky autor nuk donë të pranojë se familja e tij sot jeton e shpërndarë në disa fshatra me popullsi shqiptare në fushën e Pollogut dhe më gjerë. Ndërsa “torbeshët” jetojnë nëpër enklava dhe për nga profesioni dallojnë dhe shumë vështirë përzihen me të tjerët. Matkovski në fund pranon “se ishte prijës i shqiptarëve të Veriut”.

FAMILJA E NGUSHTË E DERVISH CARES

Familja e tij, sipas dëshmive më të reja, në fillim vendoset në fshatin Urviç. Baba i Drevish Cares quhej Sulejman dhe kishte tre vëllezër, ndërsa Dervish Cara kishte një vëlla që quhej Isen dhe një djalë dhe quhej Asllan. Sot trungu i kësaj familje është e shpërndarë në disa fshatra të Pollogut, deri në Tetovë. Pas largimit të tre vëllezërve për në Turqi, Dervish Aga-Poda u bë tejet i njohur, pasi kishte afërsi familjare me nënën dhe të shoqen e Havzi Pashës, që jetonin në Shkup. Ky kishte përkrahjen e tyre financiare edhe gjatë kryengritjes. Prandaj, pas luftës, familja e Havzi Pashës me nënën dhe të shoqen dënohen nga guvernatori i Shkupit, Hajredin Pasha, me internim në Anadoll. Ky gjatë sundimit të Xheladin Beut në Pashallëkun e Tetovës, ishte emëruar për nëpunës në Gostivar dhe u tregua organizator shumë i mirë dhe tejet i aftë. Ky shfrytëzoi dobësitë e Xheladin Beut si udhëheqës dhe u bë tejet i njohur në mbrojte të qytetarëve të Gostivarit me rrethinë, duke apeluar te njerëzit e vet, që mos të japin nizamë. Sipas dokumenteve serbe; “Dervish Cara ishte nga Tetova dhe ishte një ndër bashkëpunëtorët më të afërt të Havzi Pashës. Ky për meritat që kishte në mirëmbajtjen e rregullit dhe qetësisë, paguhej me rrogë mujore prej 500 groshëve-lekëve.
Dervish Care urdhëroi shtabin e vet që me një pjesë të ushtrisë së tij të kontrollohen pikat strategjike në drejtim të malit Sharr, që lidhë rrugën e vjetër ilire-romake (Tetovë-Prizren), e cila kalon nëpër fshatrat Shipkovicë, Brodec, Sellcë dhe Vejcë, për të vëzhguar rrugët e anës së Prizrenit, për ndonjë sulm eventual të ushtrisë turke prapa shpine, si ndihmë Xheladin Beut dhe administratës turke në qytet. Tetova tanimë ishte ndarë në dy pjesë. Njëra ishte me kryengritësit dhe pjesa tjetër me Haxhi Hasanin, zëvendës i Xheladin Beut. Ky, në fillim, së bashku me familjen e tij dhe nëpunësit turq, ishte mbyllur në Kalanë e Tetovës. Më vonë, Xheladin Beu iku në Shkup te Mehmet Beu, ndërsa një pjesë e mercenarëve të tij operonin në pjesën veriore të qytetit të vjetër, në drejtim të fshatit Poroj. Këta bënin rezistencë të fuqishme, duke pritur ndihmën e ushtrisë osmane, për ta ripushtuar përsëri Tetovën dhe Gostivarin.
Në raportet e të dy konsujve shihet qartë se kryengritësit e pushtuan Tetovën më 31 janar të vitit 1844. Në raportin e njëjtë që e jep konsulli anglez, Blanti, thuhet: “Dy udhëheqësit shqiptarë, Dervish Care dhe Sulejman Toli, me disa mijëra kryengritës janë ngritur në kryengritje dhe kanë rrethuar Shkupin, i cili në atë kohë kishte 36 mijë banorë. Pashës iu dha një ultimatum prej 11 ditësh që të lëshojë qytetin, por nëse këtë nuk do e bënte brenda afatit të caktuar, do të digjej i tërë qyteti.
Por, Hasan Pasha i cili ishte një shqiptar i ngritur, nuk pranoi urdhrat e kryengritësve dhe nuk e lëshoi qytetin. Nëna e Havzi Pashës me të madhe ka ndihmuar kryengritësit. Numri i tyre ishte gjithnjë në rritje dhe ata ishin deri 1000 vullnetarë. Në këto rrethana lufte, Hasan Pasha me 1600 ushtarë të rregullt u përqendrua në Kalanë e Shkupit. Kryengritësit, pas një rrethimi të gjatë, nga fundi i shkurtit hynë në Shkup.
Tani më qendra kryengritëse nga Tetova u bart në Shkup. Këtu formohet Këshilli i Përkohshëm i Kryengritësve, në të cilin hynë njerëz sipas meritave që kishin treguar deri atëherë. Ky këshill e emëron njëzëri Dervish Caren për Komandat të Përgjithshëm të Kryengritjes. Shtabi kryengritës, në fillim u vendos në hanin më të bukur që ekzistonte në atë kohë, pranë Urës së Gurit. Tanimë qytete të tëra mbaheshin në duar të kryengritësve shqiptarë dhe ata kishin dëbuar nëpunësit turq dhe vetë e mbanin pushtetin në duart e tyre.

Hani pranë urës së gurit në Shkup ku takohej Sulejman Toli me Dervish Caren

Me hyrjen e shqiptarëve në Shkup, qytet me 36 mijë banorë, dominonte elementi shqiptar si në kohën e Skënderbeut gjatë viteve 1467-1468. Për peshën e kësaj kryengritje më të madhe shqiptare flasin edhe raportet e huaja diplomatike, ku raportohet se qeveria turke po bën përgatitje të mëdha ushtarake për ta shuar sa më parë kryengritjen shqiptare. Kjo shihet më së miri në një raport dërguar nga konsulli francez në Selanik, të datës 12 prill 1843 , “se ka parë një ushtri të madhe prej 32.000 ushtarësh, të cilët janë nisur prej në Edrene për në Manastir, për të luftuar kundër kryengritësve shqiptarë që kishin çua krye në Tetovë e Gostivar”.
Këtë numër të madh të ushtarëve që e paraqet konsulli francez e verifikon edhe udhëpërshkruesi rus Viktor Grigorieviç, i cili viziton Manastirin në vitin 1843, deklaron: “Në Manastir kam parë shumë ushtarë që ishin të gatshëm për të sulmuar kryengritësit shqiptarë”. Ky sllavist rus ka ushqyer një urrejtje të paparë kundër shqiptarëve.
Nga raportet e konsujve shihet qartë se popullsia myslimane dhe ajo e krishtere shqiptare me simpati e mbajtën anën e kryengritësve, bile ajo e ndihmoi me ushqim, në ato kushte të vështira klimatike të dimrit. Ajo i doli në ndihmë duke i strehuar në shtëpitë e tyre në të gjitha fshatrat për rreth Shkupit. Por, kështu nuk ndodhi me popullsinë sllave, e cila haptazi ishte kundër kryengritjes dhe fare nuk mori pjesë, “bile edhe akuzoi kryengritësit shqiptarë, për abuzime dhe veprime negative ndaj tyre”. V. Xh).

ÇLIRIMI I QYTETEVE TJERA TË
SHQIPËRISË LINDORE

Dervish Care, me udhëheqësit e tjerë, vazhdoi çlirimin e qyteteve tjera të Shqipërisë Lindore, sipas marrëveshjes së janarit 1844. Kah fundi i shkurtit, një ushtri tjetër që ishte mbledhur në Vaksincë, nën komandën e Bajram Vaksincës, që ishte bashkëpunëtor i ngushtë i Dervish Cares, kishte çliruar territore të tëra në Kumanovë me rrethinë. Këta më vonë çlirojnë Preshevën, Bujanocin dhe bënin përgatitje për të pushtuar Vrajën, që ishte qendër e pashallëkut. Në atë kohë, drejtues i Pashallëkut ishte Hysen Pasha. Kryengritësit shqiptarë nga Presheva, Dobrovojsaka, Bujanoci, Vraja, Leskovci, Kumanova, Gjilani, Shkupi, Tetova e Gostivari, me eprorët e tyre; Sulejman Toli-zëvendës, Selman Rogaçicën, Fejzi Tolin nga fshati Tërnoc, me Ymer Preshevën në krye, nisen së bashku nga fshati Tërnoc afër Bujanocit dhe sulmojnë rrogëtarët e Hysein Pashës, që i kishte sjellë nga rrethi i Janinës, Jugu i Shqipërisë. Ky kur sheh një ushtri aq të madhe shqiptare, fare nuk bëri rezistencë dhe lëshoi qytetin e Vrajës, duke kërkuar shpëtim te veziri i Manastirit. Pashallëku i tij shtrihej deri në Grykën e Gërdelicës, ku bënin pjesë nahija e Bujanocit, Preshevës dhe Kumanovës. Popullsia e këtyre trevave kishin një urrejtje të madhe ndaj sundimit absolutist të Hysein Pashës.
Sipas marrëveshjes me Dervish Caren, komandantët e tij, Sulejman Toli dhe Selim Marku e sulmuan Vrajën, me 15 mijë kryengritës, të cilët në fillim të prillit arritën ta pushtojnë dhe ta largojnë Hysein Pashën. Komandanti Sulejman Toli ka qenë i pa lëvizshëm me këmbët, për këtë arsye gjithmonë udhëtonte në kalë. Ky i ka mbajtur lidhjet për përgatitjen e kryengritjes me parinë e Prishtinës dhe të Prizrenit.
Kryengritja në këtë kohë kishte përfshirë edhe shqiptarët e rrethit të Leskovcit, të udhëhequr nga Baba Feka dhe Sejdi Menxha. Këta pasi e çlirojnë rrethinën e Leskovcit, i drejtohen qytetit, por nuk arrijnë ta marrin. Në këto luftëra vritet Baba Feka, i cili ishte tmerr për sunduesit e Perandorisë Osmane. Gjatë pranverës të vitit 1844, kryengritja u përhap edhe në viset e tjera, duke përfshirë Kërçovën, Ohrin dhe rrethin e Manastirit. Në këto anë, në organizimin e kryengritjes u dallua Emin Xhambaz-Kërçova, krahu i djathtë i Dervish Cares.

HAJREDIN PASHA NË SHKUP NË BISEDA ME
SHTABIN KRYENGRITËS TË DERVISH CARES

Komanda turke ishte për marrëveshje me shqiptarët, prandaj e dërgoi edhe njëherë në biseda Hajredin Pashën, i cili ishte takuar me kryengritësit edhe më parë. Ky në këtë kohë ndodhej në Manastir me 4000 luftëtarë. Hajredin Pasha ishte i njohur për shqiptarët, pasi më 1 gusht 1843 kishte ardhur në Shkup dhe trojet e tjera shqiptare për të mbledhur rekrutë për Sulltanin, por hasi në rezistencë të fuqishme nga popullata shqiptare dhe u burgos në Kalanë e Shkupit nga vetë pasha, për të qetësuar situatën. Pastaj shqiptarët e dërguan atë në fshatin Konjare, ku gjeti lidhje dhe iku në drejtim të Selanikut.
Hajredin Pasha, i njohur në këto anë, përsëri mori urdhër nga qeveria turke që të vijë në Shkup, për biseda. Ky aty nga 8 maji erdhi në Shkup, me besën që i premtuan kryengritësit dhe i filloi negociatat. Ky i luti edhe njëherë kryengritësit që t’u nënshtrohen urdhrave të Sulltanit, të premtojnë se do të sigurojnë redifë për sulltanin dhe do të paguajnë tatimet e mbetura. Kryengritësit u përgjigjën njëzëri se kurrë nuk do t’i pranojnë këto kërkesa, për të dhënë ushtarë në anën e Sulltanit, po ashtu kanë qenë edhe kundër tatimeve. Hajredin Pasha u largua i zemëruar, ngase edhe kësaj radhe nuk arriti t’i bindë shqiptarët që të heqin dorë nga kërkesat e tyre. Në largim u tha: “Atëherë duhet të përgatiteni për luftë”. Pa humbur kohë u kthye në Manastir dhe e paralajmëroi Reshid Pashën se bisedat me shqiptarët nuk dhanë rezultatet e pritura. Hajredin Pasha e sulmoi Kërçovën dhe i mundi shqiptarët te Sofa, duke hyrë në Kërçovë pa luftë. Pasi i rregulloi punët brenda në qytet, me të shpejtë u kthye për Prilep dhe u vendos në afërsi të Velesit, në pritje të sulmit kundër Dervish Cares.
Pararoja e ushtrisë turke, e komanduar nga Omer Pashë Latasi, u takua me kryengritësit menjëherë para Grykës së Katllanovës, në ngushticën kur hyhet nga Velesi për në Katllanovë në drejtim Shkupit, ku shqiptarët për shkaqe sigurie qysh më parë kishin shkatërruar urën mbi lumin Vardar dhe kishin zënë pozicione strategjike nëpër shkëmbinj, përgjatë kësaj ngushtice të ashtuquajtur Taor. Për të qenë më të sigurt në mbrojte, shqiptarët e kishin prishur edhe urën tjetër mbi lumin Pçinja, te fshati Katllanovë.

BISEDIMET E DIPLOMATIT ANGLEZ LEJARD ME DERVISH CAREN NË SHKUP

Omer pashë Latasi, në oborrin e vet ushtarak, kishte thirr edhe diplomatin anglez nga Stambolli, Henri Lejardin. Ky diplomat anglez ka mbajtur shënime të hollësishme për kryengritjen e Dervish Cares, që i ka botuar në Londër, në vitin 1903. Ai në mënyrë shumë të përsosur dhe të përpiktë e përshkruan ushtrinë kryengritëse të shqiptarëve në krye me Dervish Caren në Shkup. Ky përshkruan kontaktet tij me krerët e kryengritjes, sjelljen e mrekullueshme të pararojës shqiptare afër Banjës së Katllanovës, para se të fillonte lufta ballë për ballë në mes ushtrisë së rregullt turke dhe kryengritësve shqiptarë, të komanduar nga Dervish Care. Ky diplomat e përshkruan në mënyrë shumë precize vendosjen e Omer pashë Latasit, me forcat e veta ushtarake të vendosura midis Velesit dhe Shkupit. Po ashtu, ky ishte i vendosur me çadrën e tij pranë Omer pashë Latasit, duke përcjellë çdo hap të ushtrisë turke.
Sipas njoftimit të Lejradit, komanda e kryengritësve shqiptarë për disa pika u pajtua me kërkesën e komandantit turk, por pika ku përfshihej kërkesa e shqiptarëve që të hiqej rekrutimi dhe mos marrja rekrutë nga trojet shqiptare, për të luftuar për interesat e Perandorisë Osmane. Kjo pikë ishte e papranueshme për qeverinë turke dhe interesat e saj afatgjate në strategjinë e luftës. Komandanti turk assesi nuk donte të dëgjojë këtë kërkesë unanime të kryengritësve shqiptarë, për t’u liruar nga rekrutimi. Kjo në të vërtetë ishte një ndër shkaqet kryesore pse shqiptarët kishin çuar krye kundër Sulltanit, që të mos japin nizamë.
Sipas dëshmive dhe përshkrimit të ngjarjeve në prag të betejës, që na ofron diplomati anglez Lejardi, thuhet: Omer Pasha mbante në vete njëfarë rezerve, pasi që ishte i bindur se ushtarët e tij duke i njohur mirë shqiptarët si trima në luftëra individuale dhe kolektive, ekzistonte mundësia që ushtarët turq të dezertojnë para se të fillonte beteja kundër shqiptarëve.
Prandaj komandanti i përgjithshëm i forcave osmane, që ishte vendosur përballë Katllanovës, në malet mbi Veles, e luti edhe njëherë diplomatin anglez Lejardin, që të bisedonte me komandantin e përgjithshëm të Ushtrisë Shqiptare, Devish Caren, pasi që vetë Omer pashë Llatasi ishte i bindur se në ato rrethana, shqiptarët kryengritës më së shumti kishin besim te diplomati anglez se sa te pushtetmbajtësit turq.
Kampi i kryengritësve ishte i vendosur pas Grykës së Katllanovës, midis lumit Pçinjë dhe lumit Vardar. Diplomati anglez, prej kampit të ushtrisë turke, pas dy orë udhëtimi, u takua me pararojën shqiptare dhe kërkoi nga ata që ta çojnë deri në shtab, ku ishte i vendosur komandanti i tyre. “Pas një bisede të shkurtër me ta, u bindën se jam diplomat i huaj dhe duhet patjetër të takohem me komandantin shqiptar”. Diplomati anglez vazhdon: “Pasi arrita te vendi i caktuar, kërkova që të shihem në katër sy, për të biseduar me Dervish Caren. Njerëzit e tij me përcjellje më dërguan deri te çadra, ku ndodhej komandanti i tyre. Aty diku pasdite arrita në çadrën e tij, e cila ndodhej në mes të malit pa kurrfarë roje”. Leardi, në shënimet e veta, shkruan: “Udhëheqësi i kryengritjes shqiptare nuk dallonte fare nga kryengritësit e tjerë shqiptarë”. Veshja e tij shumë pak dallonte nga të tjerët, vetëm se kishte një qëndisje të bukur, pushka e tij kishte qëndisje prej argjendi, ndërsa vetë Dervish Care ishte një udhëheqës pa arsimim të lartë, sikurse edhe shokët e tij. Gradat që shiheshin në supet e tyre ishin të emëruara sipas trimërive që kishin treguar, kurse vetë Dervish Care ishte emëruar komandant nga vetë shokët, në bazë të meritave që kishte. Të gjithë njerëzit, në çadrën e tij kishin mikpritje të nivelit të lartë, qëndrimi i tyre ishte krenarë dhe me një gjakftohtësi të çuditshme”. Në përshëndetjen tonë të ngrohët, pasi hëngrëm darkë u ulëm në bar, u mundova ta bindi komandantin shqiptar të heq dorë nga lufta e mëtejme, që të mos vijë deri te gjakderdhja. Dervish Care në mënyrë shumë të butë, para të gjithë bashkëpunëtorëve të tij, u përgjigj: “Ne kemi vendosur të luftojmë deri në fund dhe mos ta njohim pushtetin Suprem Osman në trevat shqiptare, të mos u nënshtrohemi ligjeve të Tanzimatit dhe se do të luftojmë kundër rekrutimit të shqiptarëve për nizam dhe kurrë nuk do të pranojmë që shqiptarët nga trevat e tyre të dërgohen në vendet aziatike, për të mbrojtur kufijtë e Turqisë. Nëse kjo kërkesë nuk pranohet, ne jemi të gatshëm të luftojmë deri në vdekje”.
Nga kjo që u tha më lart del se kryengritësit kanë kërkuar autonomi në kuadër të Perandorisë Osmane. Këtë e vërteton edhe shtypi rus, i cili në atë kohë ishte shumë i interesuar për gjendjen në Shqipëri dhe Ballkan. Sipas asaj që shkruan gazeta e Sant Peterburgskie “Vjedomosti”; Udhëheqësit e kryengritjes shqiptare i kanë propozuar komandantit turk, se ata mund t’i dorëzojnë armët, por me kusht që Porta t’u jep atyre të drejta si të Serbisë dhe Greqisë. Nga kjo shihet qartë se kryengritësit kërkuan autonominë e Shqipërisë, siç u kishte njohur grekëve dhe serbëve. (V.Xh).
Lejardi, pos të tjerash, në memoaret e veta shënon: “Bisedova me kryengritësit edhe për qëndrimin e tyre ndaj popullsisë së krishterë, duke ua kujtuar se në Stamboll kanë arritur lajme negative kundrejt shqiptarëve. Ata kanë dërguar mbi 4 mijë ankesa në Stamboll, duke i akuzuar për krime që i kanë bërë mbi popullsinë e krishterë”. Lidhur me këtë, ai shënon: “Krerët kryengritës duke qenë se ishin fyer, me një protestë të ashpër, u përgjigjën: “Asgjë nuk është e vërtetë në ato lajme dhe propaganda që përhapë pala tjetër, të gjitha ato janë shpifje të armiqve sllavë dhe turq, me qëllim që të minimizohen kërkesat tona legjitime para diplomacisë evropiane, për të forcuar bindjen dhe zërin e keq ndaj shqiptarëve”.
Në këto biseda me diplomatin anglez, kryengritësit shqiptarë e kishin bindur atë se asgjë nuk ka të vërtetë nga ato lajme “trishtuese”, që kishin arritur deri në Stamboll. Në fund, diplomati anglez shënon: “Pasi u vërtetova vetë, se gjatë kësaj kryengritje myslimanët dhe të krishterët jetojnë shumë mirë në mes veti dhe kishin marrëdhënie miqësore e posaçërisht nëpër fshatrat e përziera, vështirë mund të dallosh myslimanin nga të krishterët”. Historiografia aktuale maqedonase thotë se në fillim të kryengritjes asaj iu bashkëngjiten edhe disa “maqedonas”, por shumë shpejt ata u larguan nga kryengritësit shqiptarë, ndërsa si pretekst morën sjelljet e këqija të shqiptarëve. Këto të dhëna që dalin nga historiografia maqedonase janë rezultat i pikëpamjeve të dala nga këndi i tyre dhe qëndrimet, duke u munduar që të këqijat t’ua hedhin shqiptarëve, kur deklarojnë se turqit dhe të krishterët kanë qenë në pozitë shumë më të pa lakmuar. Por, sot shtrohet pyetja, në atë kohë kur u zhvillua kryengritja shqiptare, a ka pasur Maqedoni dhe maqedonas, kur dihet se fare nuk ka ekzistuar Maqedonia sllave, as si krahinë. V.Xh.).
Sllavët e krahinës së Maqedonisë, të dirigjuar nga Beogradi dhe Moska, në shkrimet e tyre mundohen ta paraqesin komandantin shqiptar shumë të egër, bile sa shkojnë aq larg sa që komandantin Dervish Caren, me shtabin e tij, tentojnë ta paraqesin si sundim të pa civilizuar. Madje, kinse kryengritësit shqiptarë “bëjnë përdhunime dhe vrasje” kundër të krishterëve, duke mos kursyer as pleqtë dhe fëmijët. Por, pas kësaj propagande qëndronte diplomacia ruse, e cila ishte e interesuar të ngrejë çështjen e sllavëve të Ballkanit, me qëllim që përmes tyre të forconte influencën e vet në Ballkan dhe të sigurojë dalje në Detin Adriatik.
Historiografia maqedonase shkon aq larg sa që përkujton se: ”Mirë u bë që humbën shqiptarët dhe zoti e di se çfarë do të bëhej sikur Dervish Care të kishte mbetur edhe më tutje udhëheqës në Shkup. Ai pasi erdhi këtu e çoi kokën nga të gjitha anët, për të rritur territorin e perandorisë së “çuditshme”. Ky ishte shkaku që turqit dhe sllavët i lëshuan vendet e tyre, duke ikur kah Velesi dhe Prilepi. Sot është për të pyetur këtë opinion, pse kanë pasur kaq frikë nga shqiptarët, pse çlirimin e Shkupit nuk e kanë pritur si çlirim të tyre të përbashkët me shqiptarët. Se si kanë sunduar shqiptarët në pashallëqet e veta dhe gjatë kryengritjes, më së miri na dëshmon prifti Paun nga fshati Nagoriçan, rrethi i Shkupit: “Unë Pauni që kam jetuar në periferi të Shkupit, në fund të viteve 30 të shek. XIX, në Shkup dhe në Pollog ishte shumë qetë. Në mbarë krahinën e pashallarëve shqiptarë zotëronte paqe, rregull dhe një bindje për siguri”.

BETEJA KRYESORE U ZHVILLUA NË KATLLANOVË

Diplomati anglez, pasi nuk arriti të bind kryengritësit shqiptarë, më 17 maj, në mbrëmje, u kthye prapë në taborin e ushtrisë turke, për ta informuar hollësisht Omer pashë Latasin për misionin e tij të pasuksesshëm lidhur me pikat që kishte ra dakord, si dhe për çështjen e rekrutimit që ishte e papranuar për kryengritësit. Pas darkës, dhe bisedave që pata me Omer Pash Latasin, u vendosa në çadrën time që e kisha pranë komandantit turk. Papritmas, pas mesnate, u zgjova nga krismat e pushkëve që gjëmonin si dëshmi “se shqiptarët kishin sulmuar të parët ushtrinë turke, më 18 maj 1844”. Lejardi shënon se shqiptarët numerikisht ishin më shumë, por u mungonte disiplina ushtarake, edhe pse ata ishin të vendosur të luftonin deri në fund. Betejat kanë zgjatur deri më 21 maj 1844.
Më 17 maj, Omer Pasha mori urdhër që të bëjë një manovër të re të sulmit, e mbarështoi ngushticën dhe me një pjesë të ushtrisë u paraqitë përreth fshatrave Konjare Epërme, e Mesme dhe e Poshtme, pastaj u lëshua përgjatë lumit Pçinjë dhe doli me ushtrinë mbi banjën e Katllanovës, ku i përqendroi topat kah kryengritësit dhe urdhëroi ushtrinë të hapte llogore.
Më 18 maj filloi faza e dytë e luftës, betejat u zhvilluan përgjatë luginës të lumit Pçinja deri te banja e Katllanovës, përfshi këtu edhe grykën e lumit Vardar. Ushtria turke ishte e koncentruar në krahun e majtë të lumit Pçinjë, ndërsa kryengritësit në krahun e djathtë. Paraqitja mbi banjën e Katllanovës të ushtrisë turke, ishte thikë prapa shpinës të kryengritësve, ku shumica e luftëtarëve të lirisë, ende ishin në ngushticën e Katllanovës. Në këto rrethana të papritura që ua mbarështoi taktika e papritur e Omer Pashës, i shtyri kryengritësit me të shpejtë të tërhiqen nga pozicionet dhe të kalojnë në krahun e djathtë të lumit Pçinja, për të ndaluar depërtimin e mëtutjeshëm të ushtrisë turke kah Shkupi.
Beteja te banja e Katllanovës filloi menjëherë pas mesnate, të datës 18 maj 1844, midis ushtrisë turke të komanduar nga dy komandantët më të shquar, Omer Pashës dhe Hajredin Pashës, ndërsa në anën tjetër shqiptarët komandoheshin nga shtabi i tyre në krye me Dervish Caren, të koncentruar te Hani i Katllanovës. Shqiptarët u vërsulën me trimëri të pashoq, jo vetëm të ndalin depërtimin e turqve kah Shkupi, por shqiptarët tentuan t’ua marrin edhe armatimin e rëndë në paraditen e 18 majit, por zjarri i topave edhe kësaj radhe ndali hovin e sulmeve shqiptare.
Omer Pasha e kishte rreshtuar ushtrinë në formë katrori dhe nëpër skajet vendosi topat për të gjuajtur matanë urës së prishur, ku ishin koncentruar kryengritësit mbi ujin e ngrohtë të banjës. Komandant të artilerisë turke ishte caktuar Murat pashë Topçiu. Ndërsa Dervish Care ishte vendosur me shtabin e vet pas fshatit Katllanovë, në hanin e fshatit Taor. Kjo grykë midis Velesit dhe Katllanovës, për shkak të fshatit e mbante të njëjtin emër, gryka e Taorit. Gjatë natës, Omer Pasha depërtoi kalorësinë turke nëpër lumë, pastaj edhe këmbësorinë. Ushtrinë dhe topat i vuri në rreth dhe sulmoi ushtrinë vullnetare shqiptare të Dervish Cares. Kryengritësit në fillim patën sukses të dukshëm, duke e rralluar vijën e parë të ushtrisë turke. Por, me angazhimin e fuqishëm të zjarrit të topave u vranë rreshtat e parë të kryengritësve. Kjo i hutoi kryengritësit dhe komandën e tyre. Shqiptarët, edhe pse luftuan me vetëmohim të pashoq, me një moral të lartë patriotik, prapëseprapë nuk mundën ta thyejnë ushtrinë e rregullt osmane. Në këtë betejë tejet të përgjakur, fatin e luftës e vendosi armatimi i rëndë, që e përdori me përpikeni Hajredin Pasha. Ky komandant me gjak të përzier i solli në epërsi turqit, por kjo nuk ishte beteja e fundit. Pas kësaj beteje pasojnë edhe disa të tjera deri në Shkup. Në betejën e Katllanovës pat një numër të madh të vrarësh nga të dyja palët. Këtu kapet rob edhe Komandanti i Përgjithshëm nga Tetova, Dervish agë Poda-Care.
Kryengritësit shqiptarë nuk arritën të thyejnë vijën e parë të frontit turk. Omer Pasha e mbante komandën në duart e veta dhe me një gjakftohtësi komandonte 7000 luftëtarë, kundrejt 8000 kryengritësve. Njësitet e artilerisë turke, në mënyrë shumë të koordinuar gjuanin mbi aradhet sulmuese të kryengritësve. Pati edhe raste që shqiptarët disa topa t’i neutralizojnë duarthatë, ku u dëshmuan disa luftëtarë trima nga Kaçaniku dhe Tetova, të cilët me sulm të hovshëm u hodhën kundër topave. Në veçanti duhet përmendur komandantët e shquar të Dervish Cares: Ismail Batalli dhe Emin Bojana nga Tetova, të cilët duarthatë u hodhën kundër topave, për të ngritur moralin e ushtarëve të tyre. Por, gjithë kjo trimëri e pashoq ishte e kotë kundër gjyleve të topave, ndaj dhe në fund me humbje të mëdha, në mëngjesin e 19 majit, filluan të tërhiqen. Në anën e ushtrisë turke morën pjesë shumë shqiptarë toskë dhe çamë, të udhëhequr nga bejlerët dhe agallarët e tyre. Por, më të njohur kanë qenë feudalët dibranë: Dali beu dhe Shain beu. Në këtë betejë nuk mundën të marrin pjesë qytetarët e Shkupit, pasi ishin të kërcënuar nga komandanti i ri i kalasë, Kuçuk beu, i cili i ktheu topat ka qyteti i Shkupit, edhe pse deri atëherë qytetarët e Shkupit u dhanë një përkrahje të fuqishme kryengritësve.
Dervish Care kur e pa se humbjet do të jenë shumë të mëdha, komandoi zëvendësve të tij që të tërheqin ushtrinë në vise kodrinore, duke u grupuar në njësite më të vogla që t’u ikin predhave nga ajri. Pas disfatës së parë te banja e Katllanovës, sipas kronistëve të kohës, Dervish Care me shokë ka shkuar te komandanti turk që të kërkojë ndërprerjen e luftës. Në ato biseda, ai kapet rob nga komandanti turk, kurse një ditë vonë, më 19 maj, niset për në Selanik, së bashku me 200 udhëheqës të tjerë të luftës. Sipas raportit të Çarls Balantit, Dervish Care u kap rob, ndërsa Emin Xhambazi u vra me 450 vetë të tjerë, ndërsa 200 u zunë rob.
Këtë tërheqje të kryengritësve shqiptarë e shfrytëzoi me dinakëri komanda turke, duke përhapur lajmin se u thyen shqiptarët, ndërsa turqit e fituan luftën moralisht. Ata me të shpejtë kaluan në kundër sulm pas betejës së Katallnovës, ku pati një betejë tejet e përgjakur, ndërsa shqiptarët arritën të sulmonin edhe kampin ku ishte vendosur Omer Pashë Latasi, por pa sukses. Më vonë, beteja u përhap në tërë fushën e Shkupit. Deri në orët e pas ditës të 18 majit, në betejë u vranë mbi 450 shqiptarë, mbi 200 të tjerë mbetën të plagosur, ndërsa 400 sish u zunë rob, ndër të cilët ishte edhe Emin Xhambazi. Me urdhër të Omer Pashë Lartasit, Emin Xhambazit iu pre koka aty për aty. Numri ushtarëve turq në këtë betejë nuk dihet.
Kjo propagandë lufte u dha ushtarëve turq që të kalojnë në kundër sulm pas betejës së Katllanovës, më vonë lufta u përhap në tërë hapësirën e fushës së Shkupit, por më e madhe ishte pranë fshatit Haraqinë më 20 maj, ku pati shumë të vrarë nga të dyja palët, ku sot edhe kësaj dite në afërsi të këtij fshati ndodhen shumë varreza.
Beteja e fundit u bë në fshatin Creshevë, më 21 maj 1844, pas kësaj beteje Omer pashë Latasi e rrethoi Shkupin nga të gjitha anët. Pasi ende qëndronin forca kryengritëse në Malin e Zi të Shkupit, në mbrëmje hyri në Shkup. Më 22 maj, Omer Pasha ftoi në një takim parinë shqiptare, ku me tradhti i kapi të gjithë, kurse nga ata zgjodhi mbi 200 persona më të njohur, të cilët duarlidhur i nisi për në Selanik.

SHQIPËRIA LINDORE E LIRË DHE AUTONOME GJATË KRYENGRITJES SË DERVISH CARES

Kryengritja e Dervish Cares, e cila fillon me çlirimin e Gostivarit në nëntor të vitit 1843 dhe vazhdon deri në maj të vitit 1844, kur u çlirua e tërë Shqipëria Lindore. Kjo periudhë e lirë e popullit shqiptar zgjati mbi gjashtë muaj, ndërsa kjo ngjarje në historinë tonë kombëtare njihet si periudhë e Shqipërisë së lirë dhe të pavarur, ku ka funksionuar administrata shqiptare. Por, pas disfatës të kryengritësve te beteja e Katllanovës, u rivendos përsëri rendi feudal turk në këtë pjesë të Shqipërisë Lindore. Me riorganizimin e organeve të pushtetit turk, ata morën masa drastike, me qëllim të frikësimit dhe nënshtrimit të popullatës sa më parë të jetë e mundur. Pushteti turk burgosi dhe internoi me mijëra shqiptarë, në mesin e të cilëve edhe komandanti Dervish Care. Këta të gjithë, të lidhur, duke ecur në këmbë, janë dërguar për në Selanik, prej nga me anije janë transportuar në Stamboll, për t’i nxjerrë para gjyqit. Duhet përmendur se një numër i madh i tyre që luftuan për çlirimin e Shqipërisë, nga lodhja, maltretimi dhe torturat që përjetuan gjatë rrugës, pa ujë dhe pa ushqim mbetën rrugëve, pa arritur në burgjet e Selanikut. Ata që arritën në Stamboll, u shpërndanë në territore të ndryshme të Anadollit, në ato shkretëtira të pa fund, prej nga kurrë më nuk u kthyen në vatrat e tyre, duke i thënë përgjithmonë lamtumirë Shqipërisë. Por duhet theksuar se me këtë nuk përfundoi lufta e ushtrisë turke për rivendosjen e pushtetit në trojet shqiptare. Omer pashë Latasi, pasi u kthye nga Vraja për në Shkup, prej aty u drejtua kah Gryka e Kaçanikut, Ferizajt, për në Prishtinë e Prizren. Në këtë kohë edhe Prishtina ishte ngritur në këmbë, për të përkrahur kryengritësit që luftonin kundër reformave të Tanzimatit. Rezistenca shqiptare në Pejë, Prizren, Gjakovë, ka zgjatur deri kah mesi i vitit 1845. Kjo rezistencë gjithë shqiptare ruajti në esencë karakterin autokton të vetëvendosjes deri te kërkesa e plotë për njohje të autonomisë në kuadër të perandorisë turke, në të gjithë trevat e Shqipërisë Etnike që përfshinte shumicën e popullatës shqiptare.
Kjo kryengritje, edhe pse në fillim nisi në Pollog, aty kah fundi i vitit 1843, mori karakter gjithëkombëtar nga mesi i vitit 1844, e cila mbaroi me rezistencën e fundit të qyteteve të Kosovës, aty nga fundi i vitit 1845. Këtë kryengritje dhe karakterin e saj për çlirim nacional e bashkim kombëtar, më së miri e përshkruan konsulli rus në Manastir. Konsulli rus për kryengritjen e Dervish Cares thotë: Dervish Care ishte një i afërm i Havzi Pashës. Kjo ngjarje ka ndodhur në tokën e gegëve, siç e quan konsulli rus “Gegalik”, tokë fqinje me sllavët. Në fillim të vitit 1840, tre vëllezërit kanë sunduar në tërë Shqipërinë në mënyrë të pavarur. Ky udhëheqës shqiptar e futi nën sundimin e tij tërë tokën e Gegërisë, ishte një komandant i ashpër dhe e shpalli veten sundues të Shqipërisë në vitin 1844. Gjatë sundimit të tij u çliruan të gjithë qytetet shqiptare të Gegërisë, përveç Manastirit, Velesit e Prilepit.

GJYKIMI I DERVISH CARES DHE JEHONA E KRYENGRITJES NË DIPLOMACINË EVROPIANE

Për Dervish Caren ka pasur interesim të madh edhe nga diplomacia evropiane, kurse një ndër to më të interesuar kanë qenë franceze dhe angleze. Konsulli anglez kur e përshkruan komandantin shqiptar, Dervish Caren, thotë: “Kur kuptuam se Dervish Care i lidhur kishte arritur në Selanik, dola dhe e pashë me sytë e mi. Ai dukej një burrë i lartë, përafërsisht i moshës 50 vjeçare, në fytyrë dukej i ashpër dhe fare nuk buzëqeshte”. Por edhe në bazë të të dhënave që kam për kohën e sundimit të tij në Gostivar, si zëvendës i Xheladin Beut, ai prej vitit 1841 njihet si njeri që ka mbajtur rend dhe rregull në Gostivar, Tetovë dhe Shkup.
Gjatë sundimit të vet, Xheladin Beu, ka qenë i pavendosur në disa momente kyçe për aplikimin e ligjit dhe të rendit në Pashallëk, pasi që pashait më tepër i ka interesuar jeta luksoze, sesa kujdesi për qeverisjen dhe zhvillimin e pashallëkut. Në këto raste të pa qarta të qeverisjes së tij, të gjitha detyrat i kryente vetë Dervish Care, si ndihmës i tij. Në gjykimin e tij në Stamboll, sipas raporteve të konsullit anglez, Dervish Care në mënyrë lakonike përgjigjet para trupit gjykues, kur ka qenë i pyetur se kush e kishte shtyrë të çojë popullatën shqiptare kundër Perandorisë Osmane. Ai përgjigjet: “Mos e merrni në qafë askënd, të gjithë janë të pafajshëm, kam qenë vetë ai që e kam filluar luftën nga Gostivari, e deri në betejën e Katllanovës, prandaj duhet të më dënoni vetëm mua, të tjerët janë të pafajshëm”. Në këtë gjykim, gjyqi dënoi edhe 28 të tjerë me vdekje, por më vonë Sulltani, me ferman të veçantë uli dënimet me vdekje dhe ua ktheu me burg të përjetshëm. Por mbi 300 bashkëluftëtarë të Dervish Cares mbetën edhe më tutje në internim, disa nga ata kurrë nuk arritën të kthehen në vendlindje, vdiqën në burgjet e Stambollit.
Kryengritja e Dervish Cares e tronditi deri në themel Perandorinë Osmane, kurse administrata e saj gati në tërësi u shpartallua në tërë qytetet shqiptare, e në veçanti në Gostivar, Tetovë, Shkup, Kumanovë e deri në Preshevë dhe Vrajë. Diplomacinë evropiane, këto ngjarje që ndodhën midis Ballkanit, shqetësuan pa masë, mirëpo ajo më së shumti ishte e interesuar të ruante status-quon në Ballkan se sa të pranonte ndryshimet e reja. Prandaj, ajo asnjëherë, në asnjë çast, nuk mori në mbrojtje popullin shqiptar dhe kërkesat e tij. Ndërsa diplomacia ruse tregonte për ngjarje dhe ndodhi, të cilat fare nuk i takonin popullit shqiptar si popull i robëruar, së bashku me popujt e tjerë që banonin në këto troje. Me gjithë atë, diplomacia ruse tentonte që nëpërmjet internacionalizmit të këtij problemi, të ngrejë çështjen e sllavëve të Ballkanit, që nëpërmes tyre ajo të forconte influencën e vet. Kjo ishte politika permanente e saj, që t’i afrohet Detit Adriatik. Prandaj, ajo përmes diplomatëve evropianë, kërkonte me të shpejtë të intervenohet, që sa më parë të shuhej kjo kryengritje pastër shqiptare. Diplomacia ruse e dëshironte me çdo kusht disfatën e kryengritësve shqiptarë. Për Rusinë dhe diplomacinë e saj, ishin të papranuara kërkesat e luftës së popullit shqiptar për çlirim nacional dhe formimin e shtetit etnik shqiptar midis Ballkanit.
Kjo kryengritje ishte e përgjithshme, me karakter pastër shqiptar. Në këtë kryengritje, më herët apo më vonë, u bashkëngjitën të gjitha shtresat popullore shqiptare, për të luftuar reformat e Tanzimatit, që rrezikonte interesat kombëtare shqiptare. Në krye të kësaj kryengritjeje ishin shtresat e mesme dhe të ulëta popullore. Për këtë arsye, kjo kryengritje mori epitetin e Lëvizjes Nacional- çlirimtare. Kjo kryengritje ka pasur edhe karakter gjithë popullor, për arsye se në këtë kryengritje morën pjesë të gjithë shqiptarët që patën mundësi të mbajnë armë dhe u nisën në luftë, për të çliruar tokat e veta të robëruara nga sundimi dhe administrata turke, e cila kohët e fundit po përpiqej me forma të llojllojshme të asimilojë popullin shqiptar, duke i trajtuar ata si popullatë turke. Prandaj, ajo përmes reformave të Tanzimatit, do të mundohet t’i shpërngul nga trevat e tyre autoktone.
Pasojat në këtë kryengritje ishin shumë të mëdha. Pas shuarjes së kryengritjes u likuiduan të gjithë krerët shqiptarë që kishin influencë në popull, ku një pjesë e madhe e tyre nga të gjitha qytetet shqiptare u internuan, kurse popullsia e pafajshme iu nënshtrua haraçeve të ndryshme që i lypte me forcë ushtria turke. Pra, strategjia e sundimit turk kundër popullatës shqiptare ishte permanente, ajo vazhdonte me likuidimin e krerëve shqiptarë, siç bëri edhe në Vilajetin e Manastirit në vitin 1830, kur likuidoi mbi 500 krerë të zgjedhur të popullit shqiptar që donin lirinë e popullit të vet.
Kryengritja e Dervish Cares ishte kryengritje e përgjithshme dhe e para kryengritje që përfshiu mbi 70% të krahinave të banuara me popullatë shqiptare. Kjo rezistencë gjithëshqiptare ruajti në esencë karakterin autokton të kërkesave shqiptare për vetëvendosje, deri në kërkesën e plotë për çlirim nacional. Historiografia shqiptare nuk ia ka dhënë peshën e merituar që ka kjo kryengritje popullore në historinë tonë kombëtare, bile mund të themi se edhe e ka injoruar. Edhe pse kjo kryengritje nisi në Pollog, aty kah fundi i vitit 1843, mori karakter mbarëkombëtar gjatë vitit 1844 dhe mbaroi me rezistencën e fundit të qyteteve veriore të Kosovës, aty kah fundi i vitit 1845.
Kjo kryengritje, në bazë të rrjedhave të saj, mund të konsiderohet pastër si kryengritja e parë fshatare, pasi në këtë lëvizje nuk pati udhëheqës nga lartë, por ata dolën nga vetë populli. Prandaj, kjo kryengritje e pastër fshatare duhet të hyjë në histori si kryengritje më e madhe e shqiptarëve midis Ballkanit e më gjerë, e ngjashme me atë të Matija Gubecit në Kroaci. V.Xh..

UDHËHEQËSIT SHQIPËRISË LINDORE PARASHTRUAN
KËRKESA PËR AUTONOMINË E SHQIPËRISË

Kryengritja e Dervish Cares nuk duhet shikuar veçmas, por në kuadër të të gjitha kryengritjeve të mëparshme shqiptare, duke filluar madje nga luftërat e Skënderbeut në shekullin XV-të. Fakt është se shqiptarët gjatë gjithë periudhës osmane kishin ruajtur shumë të fuqishme fisnikërinë e vet, siç ishin familjet Kastrioti, Muzaka, Dukagjini, pastaj udhëheqësit si Ali pashë Janina, Mustafa pashë Shkodrani e të tjerë, që gëzonin autoritet te bashkëvendësit e tyre dhe që ishin shpesh të pavarur ose gjysmë të varur, me një fare autonomie të brendshme. Po ashtu, është fakt se gjatë gjithë kësaj periudhe, shqiptarët ishin të organizuar në fise, bajraqe e klane, që kishin njëfarë kohezioni në popull. Nuk duhet nënçmuar e mënjanuar as bektashizmin, i cili në këtë kohë ishte tejet i zhvilluar, që u bë fe e tretë në Shqipëri dhe që si mbindërtim e ideologji ishte shpesh në opozitë të ashpër me islamin, duke zhvilluar edhe ndjenjën për autonomi të veçantë. Këta tre faktorë ndikuan pozitivisht për ruajtjen dhe zhvillimin e ndjenjës për diçka të veçantë që i largonte nga Perandoria Osmane, kundër së cilës ngriheshin shpesh në luftë për autonomi. Ata, këtë frymë kryengritëse e kultivonin dhe e bartnin në radhët e gjeneratave më të reja, duke idealizuar në kohë të njëjtë e në radhë të parë doktrinën e luftës dhe taktikën e të Madhit Skënderbe.
Nëse kësaj i shtohet edhe fakti se shqiptarët në Perandorinë Osmane trajtoheshin si popull i robëruar dhe ata që ishin ortodoks ishin të detyruar të mësonin greqisht, ndërsa myslimanët turqisht dhe arabisht, kurse shqiptarët katolikë italisht, pa u njohur me gjuhën shqipe. Me gjithë pengesat që pati gjuha jonë në shkollat e huaja që u hapën në tërë Shqipërinë Etnike, shqipja për shqiptarët në komunikimin reciprok ishte dhe mbeti absolutisht e para, pasi gjuha ishte edhe porosi familjare e nënave shqiptare: “Mos e harro gjuhën e nënës”. Po ashtu, në ngritjen e vetëdijes kombëtare ndikuan edhe faktorë të tjerë, ku në mesin e shekullit XIX, ndihej gjithnjë më shumë depërtimi i elementeve kapitaliste në mbarë Shqipërinë, e posaçërisht në vendet bregdetare (limanet tona), që ndikoi në paraqitjen e klasës qytetare dhe të inteligjencies, si dhe paraqitjet tendencioze të Serbisë dhe Greqisë së pavarur që ndikuan shumë mbi vetëdijen shqiptare. Këto rrethana të reja në Ballkan shkaktuan dukurinë dhe kristalizimin e ideve për autonomi edhe të Shqipërisë, që do të ngelte edhe më tutje vasale ndaj sulltanit. Gjatë kryengritjes së Dervish Cares, një gazetë e përditshme në Peterburg shkruante: ”Prijësit e kryengritjes e kanë lajmëruar komandantin e fuqive osmane se do t’i dorëzonin armët, por me kusht që edhe atyre t’u jepen të drejta të ngjashme me serbët”. Po ashtu, edhe shtypi rumun, duke i përcjellë ngjarjet në Shqipëri, flet për preokupimet e shqiptarëve për çlirim acional e kombëtar të tyre.
Këtë fakt e kumton edhe konsulli austriak në Shkodër, Ippen, i cili thotë: “Kryengritësit shqiptarë kërkonin autonomi të posaçme për Shqipërinë, të ngjashme me atë të Serbisë, pra që t’u jepeshin të drejta si gëzonte principata serbe në atë kohë. Konsulli francez në Selanik, Griz, mendonte se Shqipëria trajtohet më shumë si vend i pushtuar se si provincë e perandorisë, banorët e së cilës qenkan në përleshje me pushtetin, prandaj kërkuan njëfarë autonomie të ngjashme me serbët.
Por siç dihet kjo kryengritje e madhe shqiptare nuk është përkrahur fare nga bashkëvendësit sllavë. Ata jo që nuk e përkrahën këtë kryengritje shqiptare, por shpifnin te Sulltani lloj-lloj trillimesh duke kërkuar që kjo kryengritje e udhëhequr nga Dervish Cara me krerët e saj shqiptarë të shuhej sa më parë. Poashtu edhe historiografia maqedonase gjatë kohë ka manipuluar me origjinën e tij se edhe komandanti i shquar i Kryengritjes Shqiptare Dervish Cara, “është me prejardhje sllave–myslimane”, pasi familja e tij ka jetuar në fshatin Urviçë.
Të dhënat dhe dokumentet historike flasin ndryshe se Devish Cara ishte udhëheqësi i kryengritjes më të madhe shqiptare. Këtë e vërteton edhe fakti se ai, së bashku me luftëtarët shqiptarë të këtyre trojeve e ka çliruar tërë territorin shqiptar deri në Veles. Pra, të gjitha qytetet shqiptare të krahinës së sotme të Maqedonisë në vijën mbi Kumanovë me qytetet: Qustendil, Stracin–Katllanovë. Prandaj ky ka vepruar edhe ushtarakisht për çlirimin e tokave shqiptare deri në Veles; ka luftuar deri aty ku shtrihen kufijtë e Shqipërisë Etnike.
Kjo kryengritje shqiptare, edhe pse nisi në pjesën e Shqipërisë Lindore aty kah fundi i vitit 1843, mori karakter gjithëkombëtar dhe mbaroi me rezistencën e fundit të qyteteve të Shqipërisë Veriore kah fundi i vitit 1845. Kryengritja e Dervish Cares ishte kryengritja më e madhe shqiptare në kohën e Tanzimatit. Kjo kryengritje vuri themelet e saj drejt autonomisë së Shqipërisë, në luftë për çlirim e bashkim kombëtar. Kjo kryengritje u hapi rrugën shqiptarëve dhe krerëve të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare drejt autonomisë së Shqipërisë dhe parapërgatiti konditat për mbajtjen e Lidhjes së Parë Shqiptare në vitin 1878 në Prizren.

Filed Under: Histori Tagged With: 170 vjet me pare, autonomi te shqiperise, Dervish Cara, Vebi Xhemaili

KONTRIBUTI I GAZETËS “ZANI I SHARRIT” NË NGRITJEN E VETËDIES KOMBËTARE E ARSIMORE.

March 7, 2014 by dgreca

ME RASTIN E 70 VJETORIT TË DALJES SË GAZETËS SË PARË NË GJUHËN SHQIPE NË TETOVË “ZANI SHARRIT”/

Ndarja e tokave shqiptare nga sunduesit italo-bullgar 1941/

Nga Prof.Dr. Vebi Xhemaili/

Me  fillimin e Luftës së Dytë Botërore në banovinën e  Vardarit fillojë të ndryshojë struktura intelektuale,  në këto rrethana të caktuara politike filloi një lëvizje e fortë për bashkimin e trojeve shqiptare me një platformë të shëndoshë kombëtare kah bashkimi kombëtar që çonte drejtë rrugës së lirisë dhe bashkimit kombëtar. Bartës kryesor të kësaj propagande ishin studentët e organizatës  “BESA”, të Beogradit me programin e saj politik.[1]

Patriotët shqiptarë me fillimin e luftës së Dytë Botërore dhe rrënjën e disa qyteteve shqiptare si Shkupi me rrethinë nën sundimin bullgar dhe terrorin që bëri ushtria e saj me popullsinë shqiptare dhe turke duke përdor masa drakonike. Organet bullgare aplikuan  menjëherë  urdhrin  për ndalimin e simboleve shqiptare burrave (kapuçat e Bardhë dhe grave ferxhet). Këta qytetarë vetë pse ishin shqiptarë  maltretoheshin dhe kapuçat e tyre hidheshin në lumin Vardar.[2]

Popullata shqiptare që ra nën sundimin bullgarë nga Shkupi deri në Preshevë e Bujanovc me rrethinë, iu mor e drejta e shkollimit dhe në vend të lapsit dhe pushkës kësaj popullate iu dha  kazma dhe punët më të rënda fizike duke punuar angari, në hapjen e kanaleve dhe ndërtimin e rrugëve dhe hekurudhave, ku në këto punë të dhunshme pati shumë të vdekur siç është rasti i hekurudhës Gostivar-Kërçovë, ku pati shumë të vdekur nga torturat bullgare, në këto vrasje ka pasur edhe kosovarë. Gjatë këtij sundimi kundër popullatës shqiptare që përjetonti ditë tejet të vështira, bëhej edhe presion i paparë ku sulmohej feja si kult i shenjt i shqiptarëve në këto anë, si; Xhamit, vakëfet, teqetë dhe pasurit tjera. Regjimi bullgarë gjatë këtij sundimi, sulmonin shqiptarët ku i shinin, herë herë edhe pa pikë faji, vetëm për të futur frikë në mesin e popullatës  shqiptare. Ata përdornin kundër tyre metoda tejet barbare, shumë më të rënda se sa serbët. Shqiptarë kësaj radhe nën sundimin bullgarë përjetonin gjenocidin e njëjtë, si hebrenjtë nga  makineria hitleriane. Kundër këtij terrori të fashistëve bullgarë në Shkup në atë kohë vepronte Shaip Mustafa-Presheva me shokë.[3]

Në këto rrethana lufte filloi një asimilim tejet i  theksuar në fushën e  arsimit dhe të kulturës në trevat shqiptare të Shkupit dhe Preshevës.  Për këtë arsye u ndie nevoja për arsimin shqip dhe botim të gazetave në gjuhën shqipe.

Në këto rrethana lufte kolosi i madh kombëtar i kësaj ane Shaip Kamberi, e filloi përgatitjen e daljes në dritë të gazetës “Zani i Sharrit” në Tetovë. Kjo gazetë bëri jehon të madhe jo vetëm në Pollog, por filloi të përhapet edhe jashtë Pollogut. Në këtë gazetë botoheshin  materiale të llojllojshme nga jeta e përditshme që i preokuponte jo vetëm shqiptarët e Tetovës dhe Gostivarit, por edhe më gjerë shqiptarët kudo që ishin. Si prioritet i gazetës “Zani i Sharrit”, ishte  ngritja e vetëdijes kombëtare dhe lufta e saj për liri dhe bashkim kombëtar.

Porosit e atdhetarëve për shkrim dhe lexim të rinisë shqiptare

Në këtë gazetë të parë në gjuhën shqipe, botoheshin porosi të atdhetarëve  të mëdhenj shqiptarë, të cilët gjatë jetës së tyre flijuan çdo gjë, vetëm që rinia shqiptare të arsimohet, të mësojë shkrim dhe lexim. Për këtë vepër të shenjtë ata u dënuan, internuan, ngelën rrugëve, vetëm pse luftuan për arsimimin e popullit të vetë.

Kjo gazetë në çdo numër të saj me shkrime nga e kaluara historike, për patriotët e kombit, që flijuan jetën për liri e bashkim kombëtarë, për arsimim të rinisë shqiptare në gjuhën e nënës duke iu kundërvu regjimit të egër serb që luftonte me çdo kusht për ç’kombëtarizimin e kombit shqiptar. Lufta e gazetës “Zani  i Sharrit”  kah mesi i shekullit të XX-të ishte udhëheqës për rininë progresive tetovarë, që  bënte thirrje për një jetë të arsimuar, në mesin e popujve tjerë të Ballkanit.  Në këtë gazetë përshkruheshin vuajtjet e atdhetarëve të mëdhenj që flijuan çdo gjë për arsimimin e popullit të vetë. Këta patriotë duke bërë thirrje të pa ndërprerë rinisë dhe popullit të vetë. Këta atdhetarë për këtë vepër të shenjtë në fund të jetës së tyre ngelën rrugëve nga pushteti komunist i asaj kohe, Disa nga  këta patriotë kombëtarë u burgosën, disa u internuan, ndërsa disa u vranë, që sot  e kësaj dite nuk u dihet vari. Me këtë rast do të jetë nderë dhe respekt vetëm ti përkujtojmë disa nga këta pishtarë të arsimit, që vdiqën në varfëri të skajshme në fund të jetës së tyre, në pleqëri të thyer, si: Rexhep Voka, Jashar Erebara, Abdilhaqim Dogani, Josif Bageri, Mateja Mateski nga fshatrat e Rrekës, e shumë patriot tjerë.[4]

Por atdhetarët shqiptarë nuk i frikoi pushtetit aktual  i asaj strukture, ata e sakrifikuan veten për komb e popull, një ndër ta ishte edhe Azem Morana, mësuesi i Karshiakës dhe mbarë popullit shqiptar, ky me trimërinë e tij i tregoi rinisë shqiptare se si luftohet për liri e bashkim kombëtar. Ky atdhetar i palodhshëm nëpër mes shkrimeve të veta në gazetën “Zani i Sharrit”, kërkonte ditë e natë, pa ndërprerë vetëm arsim dhe arsimim të rinisë shqiptare kudo që jetonte.

Ky atdhetar i palodhshëm që luftoi tërë jetën për liri dhe bashkim të trojeve shqiptare me Shqipërinë. Pas mbarimit të luftës së Dytë Botërore, ky patriot kurë nuk u pajtua me politikën sllavo-komuniste. Prandaj regjimi komunist e dënoi me vdekje, në gjykimin që u mbajt nën qiellin e hapur  në Shkup, pas luftës së Dytë Botërore, në vitet 1946-47.[5]

Ky atdhetar i madh që sy trembej syri fare, në shkrimet e veta për gazetën “Zani i Sharrit” kërkonte nga vajzat tetovare arsim vetëm arsim, ai duke bërë thirrje nëpër mes të gazetës “Zani i Sharrit”, “se ata duhet të vrapojnë nëpër shkolla për me mësua gjuhën shqipe, këtë gjuhë të bukur që kanë fol edhe vetë zotët Ilirianë të Ilirisë. Vajzat duhet të mësojë se ata duhet të marrin  barrën e edukimi të breznive të ardhshëm që nesër kanë me u orvat për të mirën e këtij vendi, kaq të vuajtur”[6].

Roli i gazetës “Zani i Sharrit” në ngritjen e vetëdijes arsimore

 Po ashtu kjo gazetë për një afat të shkurtë të botimit  të saj  në Tetovë, bën përpjekje të jashtë zakonshme në ngritjen e vetëdijes arsimore në mesin e masave gjëra popullore në Pollog e më gjerë. Në periudhën e luftës së Dytë Botërore popullin shqiptar e gjeti në një situatë tejet të pavolitshme arsimore, sipas statistikave ekzistuese populli shqiptar në atë kohë kishte mbi 90%, që nuk dinin shkrim dhe lexim. Në këto rrethana tejet të vështira, pozita e rinisë shqiptare në Tetovë, Shkup, Gostivar, Kërçovë, Strugë dhe shumë qytete tjera, ishte në pozitë tejet të vështirë në aspektin e ngritjes së arsimit dhe të dijes. Sundimi i gjatë shekullor turk kishte lënë pasoja të pashlyeshme në  mesin e popullit shqiptar. Me rënien e trevave  të Shqipërisë Verilindore nën sundimin serb fillon një fazë edhe më e egër e pushtuesve jugosllav, kundër çdo gjëje shqiptare. Ky sundim i egër kundër elementit shqiptar vazhdon me metoda tejet diskriminuese, kundër arsimit dhe kulturës shqiptare. Këto metoda fashizoide të sunduesve serb të cilit luftonin çdo gjë nga kultura jonë kombëtare që nga viti 1912, e posaçërisht më e theksuar ishte lufta kundër arsimit  të shqiptarëve, të cilët sipas projektit të akademisë serbe, se:  “Shqiptarët sa më parë duhet të shpërngulen, i cili projekt i ka kornizat nga albanofobi i shquar serb Vaso Çubrilloviqi.[7] Ky ideolog famëkeq, për mos sukseset e planit serb për asimilim total të shqiptarëve, e akuzon Shqipërinë. Përkundër masave që ka ndërmarr politika serbe kundër arsimit të shqiptarëve në gjuhën shqipe, nuk jemi të kënaqur. Pasi shqiptarët duke u mbështetur në pjesën e Shqipërisë së lirë, po zgjohet vetëdija e tyre nacionale.[8]

Roli i i gazetës “Zani i Sharrit”, në këto rrethana të veprimit ka qenë tejet e i madh sa që me këto pakë fjalë nuk mundë ti  shpërblehemi as gazetës “Zani i Sharrit”. Poashtu as redaktorit të nderuar dhe patriotit të madh Shaip Kamberit, në luftën e tij që ka bërë nëpër mes të kësaj gazete për arsimimin  e masave shqiptare dhe luftën e tij për ngritjen e vetëdijes kombëtare. Ky atdhetar në çdo numër të gazetës “Zani i Sharit”, e fillonte me parullën, “bashkimi asht e vetmja rrugë për shpëtimin e Shqipërisë”.[9]

Editori i gazetës “Zani i Sharrit”, ishte i bindur thellë se vetëm me arsimim mund të krijohet një armë e shëndoshë  në mesin e popullit shqiptar për me iu kundërvu politikës asimiluese që udhëhiqte makineria serbe për shpërnguljen e shqiptarëve nga trojet e veta historike. Prandaj Shaip Kamberi ky avokat i palodhshëm kur nuk i baronte fjalët e Vaso Çubrilloviqit, se shqiptarët duhet të shpërngulen në masë dhe vinë në konsideratë vetëm  dy shtete; “Shqipëria dhe Turqia”.[10]

Prandaj  si editor në gazetën “Zani i Sharrit” i bënte apel popullit shqiptar se pas çlirimit nga sunduesit e huaj, “ne shqiptarët me plebishit do të kërkojmë që së bashku me Kosovë e Maqedoni deri ku ka shqiptarë do ti bashkangjitemi Shqipërisë Etnike”.[11]

Në  faqen e parë gazeta “Zani i Sharrit”, shkruante:”ne jemi të një gjuhe, gjaku, e race, nuk kemi me lejue kompromis me grupet e huaja sllave në tokën tonë, nuk kemi me lejue që në këtë tokë dhe për këtë tokë të huajt të bëjnë pazarllëk, pa pyet të zotin e saj. I zoti i saj është i gjithë populli shqiptar i cili ka vendosë për një Shqipëri të lirë dhe të bashkuar Etnike.[12]                                                                               

Zoti në Qiell na mbi tokë

Me gjithkund vllazen e shokë

Por se cili në cakë të vetë.

Gazeta “Zani i Sharrit” për realizimin e të gjithë këtij programi kombëtar, mbështetet në vullnetin e pa përkulshëm të mbarë popullit shqiptarë, në vullnetin e banorëve të këtyre trojeve të mbështetur në Lidhjen e Parë dhe të Dytë të Prizrenit.[13]

Për ruajtjen e trojeve shqiptare nga asimilimi dhe shpërngulja që në atë kohë kishte marrë përmasa tejet të rrezikshme për kombin shqiptar, ky patriot i palodhshëm në mbrojtjen e vlerave kombëtare dhe arsimore pandërprerë i bënte thirrje popullit shqiptar dhe rinisë së saj, që sa më parë të rok lapsin për arsimim të popullatës si në qytet poashtu edhe në fshat. Duke botuar shpeshherë thëniet e apostullit të shqiptarizmës Rexhp Vokës, “se pa arsimim nuk mund të mbrohet Vatani”.[14]

Ndihmesë të madhe në këtë veprim mbar kombëtar në fushën e arsimit i ka dhënë edhe atdhetari i shquar nga Gostivari Abdilhaqim Dogani, i cili me parat e veta e bleu një shtëpi private dhe gratis i furnizoi nxënësit me abetare shqipe dhe fletore vetëm e vetëm të vijon shkollimin dhe të arsimohen në gjuhën e nënës.[15]

Në këto kondita tejet të vështira politike-ekonomike dhe arsimore pasi pushteti aktual serb nga viti 1912 i kishte mbyllur të gjitha shkollat në gjuhën shqipe deri me fillimin e Luftës së Dytë Botërore. Shaip Kamberi, ky veprimtar i palodhshëm gjente kohë dhe hapësirë që në gazetën “Zani i Sharrit”, në çdo numër  të bëjë thirrje rinisë shqiptare dhe popullit  për arsimim me çdo kusht, duke përsëritur në çdo numër të gazetës “Zani i Sharrit” disa herë  kërkesat e atdhetarëve shqiptarë që flijuan jetën vetëm e vetëm duke dashur popullin e vetë ta arsimojnë dhe orientojnë në rrugë të drejtë ka arsimi, se vetëm me arsim ruhen vlerat e një kombi  në rrethana të theksuara siç ishte rasti me vuajtjet dhe shtypjen e popullit shqiptar në Kosovë dhe Maqedoni.

Prandaj ky atdhetar i shquar që i digjej shpirti për arsimim të rinisë shqiptare, në çdo numër të gazetës “Zani i Sharrit”, përsëriste kërkesat e apostujve, për arsim të rinisë shqiptare, se vetëm nëpër mes të arsimit mund të ruhet populli nga asimilimi dhe të ngrihet në nivel të lartë kombëtar. Gazeta “Zani i Sharrit”, botonte fjalët dhe veprat e  Rexhep Vokës, i cili deklaronte:” Ne shqiptarët  pa këndim e pa mëcim kemi ngelë si të egër në mal e në errësirë”. Se me pushkë e me thikë nuk po fitohet, po lypet edhe kalem e këndim fjalë e mendim.[16]

Gazeta “Zani i Sharrit”, në numrat e vetë botonte edhe vjersha të karakterit revolucionar në ngritjen  vetëdijes kombëtare se ne si shqiptar që jetojmë në trojet tona etnike duhet të ngremë zërin kundër atyre që duan këtë popull ta asimilojnë  dhe në regjistrimet e pushtetit serb ta regjistrojnë kundër vullnetit të vetë për turq dhe se duhet patjetër të shpërngulet nga trojet e veta historike.

Kundër kësaj propagande tejet të rrezikshme për popullin shqiptar që shkonte në favor të sllavëve, gazeta “Zani Sharrit” dhe kryeredaktori i saj iu kundërvunë me sukses në shkrimet e veta nëpër mes të kësaj gazete që në atë kohë para 50 viteve botohej në Tetovë. Po ashtu edhe vjershat e botuara në këtë gazetë janë kryekëput në frymën revolucionare të popullit shqiptar kudo që janë të luftojnë për prosperitetin e  vendit dhe popullit të vetë, si popull më i lashtë i Ballkanit.

Kënga për Shqipërinë Etnike  “Z a n i   i   K o s o v ë s”, marrë në origjinal nga gazeta, “Zani i Sharrit.[17]

           Përpara vllezër me nxitim

Sot Kosova ne t’gjthë na thret

Nëpër pranga e nën temrim

Mjaft është shtypun 30 vjet,

 

Duam të jetojmë në nji të Shqipënisë,

nuk i shtrohemi kërkujtë;

duam të jetojmë në gji të vëllaznisë

S’pranojmë’pranga nga të huajt’

 

Se Shqiptarët si qe moti:

Do ta lajmë këtë tokë me gjak’

Do të valoj pushka do të valoj topi,

Këmbë t’huaj s’lamë as pak.

Me gjakun t’onë, kuq si zjarri

Do ta shkruajmë nëpër jetë,

Se Kosova kunor ari

Shqipëni ka qenë, asht do të jetë.

Një zë buçet sot prej Sharrit,

Nga krahnuer i Kosovarit:

O nën flamur kuq e zi,

Do të bëhemi pluhur e hi.[18]

 

Gazeta “Zani i Sharrit”, botohej në shtypshkronjën  “Përparimi”, Tetovë,  rruga Naim Frashëri nr. 27.


[1] Vebi Xhemaili, Shqiptarët e Maqedonisë në luftë për çlirim dhe bashkim kombëtar 1041-1945, Tetovë 2008, f. 37-38.

[2] Mustafa Memiç, Velika Medresa i njeni uçenici u revolucionarnom pokretu, Shkup, 1984. f.191.

[3] Vebi Xhemaili, Forcat Kombëtare në mbrojtje të Shqipërisë Etnike, Tetovë 2006, f. 42-43.

[4] Vebi Xhemaili, Shqiptarët e Pollogut në luftë për çlirim e bashkim kombëtar 1912-1918, Tetovë 2003, f.343-353.

[5] Shefqet Shkupi, veprimtarë i madh i çështjes kombëtare dhe partizan i Azem Moranës dhe shokëve të tij; shënime dhënë për jetën dhe veprën patriotike të Azem Moranës dhe të dhëna tjera për anëtarët e partisë “Nacional demokrate”; dhënë autorit në dhjetor 1990 në Shkup.

[6] Kontribut i Azem Moranës, botuar në Gazetën “Zani i Sharrit”,  më 5 tetor 1944  f. 3; botohej në shtypshkronjën  “Përparimi”, Tetovë,  rruga Naim Frashëri nr. 27.

[7] Projekti Vaso Çubrilloviqit dhe fazat për shpërnguljen e shqiptarëve botuar më 7, mars 1937 në Beograd.

[8] Hajredin Hoxha, Përparimi”, Prishtinë 1970. f. 435.

[9] Gazeta “Zani i Sharrit”,

[10] Hajredin Hoxha, Përparimi, pun. i cit.  f. 435.

[11] Gazeta “Zani i Sharrit”, më 5 tetor 1944. f. 3.

[12] Po aty Gazeta ‘Zani i Sharrit”.

[13] Vebi Xhemaili, Kontributi i shqiptarëve të Pollogut në Lidhjen e Parë dhe të Dytë të Prizrenit. Gazeta “Fakti” Shkup,  qershor të vitit 2001,

[14] Gazeta Zani i Sharrit, më 5 tetor 1944; Apostujt e shqiptarizues, Rexhep Voka, (Hoxhë Voka- Shipkovicë), në vitin 1911 e botoi veprën “Mendime”, ku kërkon pa ndërprerë arsimimin e shqiptarëve kudo që janë, nëqoftëse ka nevojë për arsim, të mësohet edhe nëpër kolibe primitive.

[15] A.SH-Tiranë, Biografia e Abdylaqim Doganit veprimtarë i madh i shkollës shqipe.

[16] Gazeta Zani i “Sharrit”, më 12 tetor 1944

[17] Marrë nga gazeta “Zani i Sharrit”,

[18] Gazeta “Zani i Sharrit”, 5 tetor 1944.

 

Filed Under: Histori Tagged With: Kontributi i Gazetes, Vebi Xhemaili, Zani i Sharrit

KONFERENCA E LONDRES ME DY VENDIME PER SHQIPERINE- SOVRANE DHE E ROBERUAR

November 30, 2013 by dgreca

Konferenca e  LONDRËS më 17 dhjetor 1912 E NJOHU SHQIPËRINË ETNIKE POR PAS TRE MUAJSH MË 22 MARS 1913 AMBASADORËT SOLLËN VENDIM TË RI PËR COPËTIMIN  Shqipërisë në pjesë : Sovrane dhe e robruar/

Ahkruan: Prof.Dr. Vebi Xhemaili/

                                   Pas Konferencës së Londrës, rrethanat shoqërore e politike të Shqipërisë bënë një kthesë të madhe në mes shteteve të Ballkanit. Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë, më 28 Nëntor të vitit 1912, dhe njohja e saj nga Fuqitë e Mëdha nën suzerinitetin e Sulltanit, ishte një akt me rëndësi të madhe në historinë e popullit shqiptar.[1] Këtë akt të Pavarësisë, shtetet sllave të Ballkanit e pritën me një pezëm të madh, e veçanërisht ashpër reagoi Qeveria e Nikolla Pashiqit, duke thënë se marrja e  këtij vendimi ishte një hap i nxituar, ku preket fuqishëm interesi ekonomik e politik i shtetit serb dhe rruga e saj drejt Adriatikut.[2] Kundër këtij akti madhor të shqiptarëve më i zëshmi ishte vetë Kryetari i Qeverisë Serbe, Nikolla Pashiqi dhe klika e tij. Në këto rrethana, diplomacia serbe e urdhëruar nga kryetari i saj, protestoi hapur nëpër kuluaret e diplomacive evropiane, “se shteti shqiptar fare nuk duhet të ekzistojë, ndërsa territoret e tij duhet të ndahen patjetër në mes Serbisë dhe Greqisë”. Sipas tyre, vetëm kështu Ballkani do të kishte paqe, njëherazi do të ndërpriteshin pretendimet hegjemoniste të Italisë dhe të Austro–Hungarisë.[3]      Marrëdhëniet shqiptaro–serbe u ashpërsuan edhe më tepër, kur Serbia pa të drejtë u bëri presion Fuqive të Mëdha, përmes Rusisë, që t’i detyronte të shfuqizonin vendimin e 17 dhjetorit 1913, pasi Shqipëria njihej në kufijtë e saj Etnik nën sovranitetin e Sulltanit. Me rastin e njohjes së Shqipërisë Etnike nga Fuqitë e Mëdha. Kryetari Qeverisë së Përkohshme, Ismail Qemali, do t’i shpreh falënderime delegacionit shqiptarë në Londër, në krye me Rasih Dinon: “Urime për liri e Pavarësi të Shqipërisë”.[4]

Në këto rrethana të ndërlikuara midis Fuqive të Mëdha, Austro-Hungaria propozoi  projektin e vet për Shqipërinë, ku vija e kufirit kalonte nga gryka e Bunës, gjatë vijës së atëhershme të kufirit të Malit të Zi  deri afër Rrzhanicës, prej këtej në gjysmë rrethi duke kaluar nga Jugu i Gucisë dhe Plavës, drejtohej në Pejë, Gjakovë e Prizren, duhej përfshirë brenda Shqipërisë. Nga Prizreni, vija kalonte në jug dhe arrinte në malet midis Liqenit të Ohrit dhe Liqenit të Prespës, duke përfshirë qytetet e Dibrës dhe Ohrit, brenda Shqipërisë. Prej këtej kufiri zbriste në jug, duke përfshirë Korçën e Janinën dhe pastaj gjatë rrjedhës së Lumit Kalamas, dilte në Detin Jon. Rusia e kundërshtoi këtë projekt etnik Austro-Hungarez dhe propozoi projekt të ri, pa qytetet e Kosovës e të Manastirit.(V.Xh) Ajo kërkonte që Shqipërisë t’i shkëputen  Korça, Delvina dhe në jug Saranda.

Konferenca e Londrës nuk pranoi parimin etnik të Austro-Hungarisë. Përfaqësuesi Austro-Hungarez, Mensdorf dhe ai rus, Bekendorf, luftuan midis tyre në Konferencë për çdo qytet shqiptar. Debate të zjarrta u bënë për qytetet verilindorë, sidomos për qytetin e Dibrës dhe Shkodrës. Këmbëngulja e Vjenës për t’i lënë Shkodrën në kuadër të Shqipërisë,  ndeshi në kundërshtimin e fortë të Rusisë, e përkrahur nga Anglia dhe Franca, të cilët mbronin  kërkesën e Kral Nikollës.  Në këtë pikë, me ta u bashkua edhe Italia, për të dominuar shteti malazez në Shkodër me rrethinë. Nga ana tjetër, Nikolla Pashiqi i dha urdhër ushtrisë serbe që të dilte sa më parë në Detin Adriatik. Në këto rrethana tejet të vështira, duke pasur presion të vazhdueshëm edhe nga Serbia dhe Mali i Zi, Fuqitë e Mëdha vendosën ta revidojnë vendimin e mëparshëm të sjellë më 17 dhjetor,  kur Shqipëria ishte njohur e plotë dhe ku bënin pjesë  katër vilajetet shqiptare, që ishin në kuadër të Perandorisë Osmane. Ky vendim i ri, që vinte në fuqi  pas 97 ditëve, shkaktoi ndryshime në vendimin e marrë më 17 dhjetor 1912. Fuqitë e Mëdha  ranë më në fund në ujdi, më 22 mars të vitit 1913, për ndarjen e Shqipërisë në dy pjesë, atë të lirë dhe të robëruar.[5]

 

COPTIMI I SHQIPËRISË ETNIKE NË DY PJESË

                VENDIM POLITIKË I FUQIVE TË MËDHA 

 

 

Por, si e pranoi Ismail Qemali këtë lajm të hidhur për ndarjen e Shqipërisë në dy pjesë. “Simpatia që më ishte shfaqur gjatë misionit tim, qe i vetmi ngushëllim që iu ofrua zemrës së copëtuar të Shqipërisë, kur morëm vesh vendimin e dhënë nga Konferenca e Londrës. Mbi gjysmën e territorit të vendit tim ia kishin dhënë Serbisë, Malit të Zi e Greqisë. Qytetet më të lulëzuara e rajonet më prodhimtare të vendit, i ishin shkëputur atdheut. Shqipëria kishte mbetur gati krejtësisht në zonat më të thata e më shkëmbore. Kështu, të lëshuar përsëri në një depresion të pikëlluar dhe me vizionin e një të ardhmeje kaq të errët të vendit tonë të rilindur, qemë të ngushëlluar kur dëgjuam se duhej të sakrifikoheshim për interesat e përgjithshme të Evropës. I ngushëlluar, por jo  i dëshpëruar, u ktheva në Shqipëri, i  mbështetur vetëm  në iluzionin se kushte më të favorshme në të ardhmen do të mund t’i lejonin Shqipërisë që të realizonte kërkesat e saj legjitime”.

Në fund diplomacia Austro-Hungareze kërcënoi se  do të largohej nga Konferenca, në qoftë se pranohet propozimi rus. Edhe Roma e përkrahu qëndrimin e Vjenës, si alete  e saj, në lidhje me qytetin e Shkodrës. Fuqitë qendrore tani qëndronin të bashkuara në lidhje me bllokun tjetër, Francën dhe Rusinë, ndërsa politika anglofile tani mbahej ftohtë para propozimeve ruse (V. Xh).

Në qoftë se gjatë bisedimeve të vështira të Konferencës së Ambasadorëve në Londër u arrit krijimi i një shteti gjysmak shqiptar, kjo ishte në radhë të parë merita e ministrit të Jashtëm, kontit Berthold. Kundërshtimin më të madh kundër një Shqipërie të Pavarur e bëri Franca dhe Rusia, të cilat përpiqeshin të përfitonin sa më shumë në dobi të klientëve të tyre, Greqisë dhe Serbisë, toka të gjera me popullsi thjesht shqiptare dhe ngulën këmbë për këtë deri në fund të Konferencës. Austro-Hungaria, në këto kushte, nuk ishte në gjendje të ruajë  kufijtë etnikë. Rusia kërkonte Shkodrën për Malin e Zi, ndërsa Monarkia austro-hungareze, vinte në pah se një Shqipëri pa Shkodrën nuk mund të ekzistonte. Në fund, diplomacia ruse dhe ajo franceze arritën t’i shkëpusin Shqipërisë krahinat më të pasura, Kosovën dhe trevat e tjera lindore, deri në Manastir, me afro 1 milion shqiptarë që iu dhanë Serbisë.[6] Isa Boletini, në takimet që ka pasur me diplomatët e huaj në Angli dhe në vende të tjera të Evropës, ka deklaruar: “Nuk po e marr me mend se si Evropa po ia jep Serbisë, Greqisë dhe Malit të Zi një milion shqiptarë”. 

Ndërkohë, në Konferencën e Londrës  po përfundonte lufta diplomatike për caktimin kufirit shqiptaro-malazez dhe shqiptaro-serb, e ndodhur përballë këmbënguljes së lidhjes trepalëshe. Rusia pranoi që Shkodra më në fund t’i lihej Shqipërisë,  me kusht  që qeveria e Vjenës të hiqte dorë  nga Peja, Prizreni, Gjakova dhe Dibra, duke përfshirë këtu edhe malin e Taraboshit, me Lumën. Për ta zgjidhur këtë çështje, të dy palët  u detyruan të bënin  lëshime  të reja.  Diplomacia ruse, në krye me Sazanovin, hoqi dorë nga Taraboshi dhe Luma, ndërsa Bertholdi, i interesuar për Shkodrën, që të mos binte në duar të malazezëve, hoqi dorë nga Peja, Prizreni,  Gjakova, dhe krahina e Dibrës, me Tetovë, Gostivar deri në Strugë. Më 26 mars, Eduard Grej, kryetari i Konferencës dhe ambasadorët e Fuqive të Mëdha, të akredituar në oborrin e Shën Xhejmsit (Sain James), në emër të qeverive të tyre, pranuan  formalisht përcaktimin e kufijve  veriorë dhe verilindorë të Shqipërisë, që ishte miratuar më 22 mars 1913. Me këtë vendim, Shqipërisë Etnike iu shkëputën arbitrarisht nga trungu i saj krahina  e Gucisë dhe  Plavës, qytetet e rëndësishme të Pejës, Gjakovës, Prizrenit dhe Shkupit, krejt fusha e Kosovës, e banuar me shumicë të madhe nga shqiptarët, si dhe qytetet e Përlepit, Manastirit, Resnjës, Ohrit dhe Strugës, deri në Dibër.[7]  

 

 

 

 

 

 

 

Më 22 mars të viti 1913, Konferenca e  Ambasadorëve vendosi përfundimisht  që Shkodra me rrethinën  e saj  t’i mbetej Shqipërisë, ndërsa Rrafshi i Dukagjinit, Kosova dhe pjesët e tjera të trevave lindore, ku binin pjesë Manastiri, Shkupi Kumanova e Presheva t’i mbeteshin Serbisë dhe Malit të Zi.[8] Pas këtij vendimi pjesëmarrësit e Konferencës kërkuan nga Mali i Zi dhe Serbia që të lëshonin Shkodrën.  Me këtë vendim nuk ishte dakord Esat Pasha i cili veproi ndryshe nga rekomandimet e Konferencës, pasi ai kishte edhe përkrahjen e Rusisë. Në fillim kishte në plan të parë që të niset me ushtrinë e tij kundër Qeverisë së Përkohshme për asgjësimin e  saj, pasi kishte edhe përkrahjen e  Qeverisë turke. Në këto rrethana, ai vazhdoi të qëndrojë edhe më tutje në Shkodër, por me nënshkrimin e armëpushimit midis Turqisë dhe shteteve Ballkanike më 16 prill siguroi përkrahjen nga Mali i Zi për t’u bërë princ i Shqipërisë dhe i jepej mundësia të themelonte një qeveri më vete, që do ta zëvendësonte atë të Vlorës. Kjo ishte një ndër arsyet kryesore që Esat Pasha më në fund nënshkroi tradhtisht marrëveshjen e kapitullimit më 22 prill 1913. Me ushtrinë e tij turko-shqiptare dhe me plotë armatim ai u largua nga qyteti një muaj pas vendimit të Konferencës për copëtimin e Shqipërisë Etnike. Pra  pas shtatë muaj qëndrese dhe mbrojtje të suksesshme,  ushtria malazeze pa luftë e mori Shkodrën.[9]  Por, pushtimi malazez nuk pati jetë të gjatë, pasi Konferenca urdhëroi Kral Nikollën që ta lëshojë Shkodrën, të cilën e bëri më 4 prill, kurse në qytet hynë forcat ndërkombëtare. Administrimi i qytetit kaloi në duar të një Komisioni Ushtarak Ndërkombëtar i kryesuar nga Sesil Burnej. Ky komision nuk lejoi të ngrihej në Shkodër flamuri kombëtar, si dhe nuk e njohu për këtë Qeverinë Provizore të Ismail Qemalit. Komisioni vendosi brenda në qytet marrëdhënie koloniale. Po ashtu në këto rrethana të reja Esat Pasha i frikuar nga invadimi ushtarak austro-italian që kishin lidhur një aleancë të fshehtë për Shqipërinë më 8 maj 1913, Esati vendosi që me  ushtrinë e tij të largohej nga Shqipëria me anijet turke, gjatë muajit qershor për në Turqi. Në këtë kohë Qeveria Xhonturke e Enver Pashës ishte e pashpresë.

Në prill, Qeveria e Enver Beut vendosi të rihapte përsëri Konferencën e Paqes. Këtë herë bisedimet vazhduan deri më 30 maj 1913, kur u nënshkrua Traktati i Londrës, sipas të cilit Turqia përjashtohej përfundimisht nga Evropa. Me nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje, Sulltani mundi të ruajë vetëm Kostandinopojën dhe një rrip tokësor nga Enosi në Detin Egje, deri në Media në Detin e Zi. Pjesa tjetër e territoreve iu dorëzua vendeve ballkanike. Më 7 prill 1913, Eduart Grej, në raportin e tij të para dhomës së komunave, ndër të tjera tha: “Marrëveshja e Fuqive për të respektuar kufijtë e Shqipërisë  u arrit pas përpjekjesh të gjata dhe të lodhshme diplomatike. U vendos që brigjet e liqenit të Shkodrës t’i takojnë Shqipërisë, ndërsa Peja, Prizreni dhe Dibra, si dhe pas shumë përpjekjesh dhe negocimesh, edhe Gjakova të lihej jashtë Shqipërisë. Kjo marrëveshje ishte thelbësore për paqen në Evropë, dhe është arritur pikërisht për të ruajtur paqen midis Fuqive të Mëdha. 

Në bazë të gjitha normave ndërkombëtare, kjo ishte  tërësisht një padrejtësi e madhe kundër vullnetit të shprehur nga vetë populli shqiptar në Kuvendin e Vlorës. Pra, me këtë vendim arbitrar, ku mbi 55% e tokës shqiptare ndahej ndërmjet Serbisë, Greqisë dhe Malit të Zi, ishte një  padrejtësi që iu bë popullit shqiptar, i cili kufizohet nga të gjitha anët me popullin e vet, që nuk i është bërë asnjë shteti tjetër. Një popull kaq liridashës, që ka luftuar pandërprerë për lirinë e vet dhe të fqinjëve të tij që nga koha e Skënderbeut e deri më sot, tani po copëtohej për interesa të shteteve të Ballkanit. Këtë ndarje politike e përshkruan më së miri Edit  Durham, e cila thotë: “Përpjekjet e përbashkëta të Francës dhe të Rusisë e kishin ndarë Shqipërinë gati përgjysmë dhe i kishin caktuar kufijtë në mënyrën më mizore”.[10]

Në këtë mënyrë për të kënaqur aspiratat e shteteve sllave të Ballkanit, padrejtësisht nga trungu i saj u ndanë qytete dhe krahina të tëra shqiptare, si: Dibra, Peja, Gjakova, Prishtina, Gjilani, Presheva, Bujanovci, Kaçaniku, Shkupi, Kumanova, Manastiri, Struga, Kërçova, Tetova, Gostivari  etj.[11].

 

VENDIM ARBITRAR DHE I NJËANSHËM I AMBASADORËVE

                    NË KONFERENCËN E LONDRËS

 

 

Pra, 22 marsi i vitit 1913 është datë e vendimit të turpshëm dhe arbitrar i Fuqive të Mëdha, për copëtimin e Shqipërisë Etnike në dy pjesë. Ky është një vendim i një kronike të zezë në historinë e popullit shqiptar. Kjo datë është pikënisje e të gjitha protestave dhe luftërave të pandërprera të  shqiptarëve.  Nga kjo datë, më shumë se gjysma e territorit shqiptar hyri nën sundimin e shteteve të Ballkanit: Serbisë, Malit të Zi, Bullgarisë dhe Greqisë.[12] Me copëtimin e katër vilajeteve shqiptare përfituan: Serbia dhe Mali i Zi 62 500 km2, Bullgaria 55 000 km2, ndërsa Greqia 30 000 km2.”[13]

Kundër këtij vendimi të Fuqive të Mëdha protestoi trimi i pushkës Isa Boletini, në takimin që pati me diplomatin e njohur anglez, Eduard Grei, në Londër, ku i thotë: “Shqiptarët kurrë nuk do t’i njohin këta kufij artificialë që i ka caktuar Evropa, me diktatin e Rusisë”.[14] Kjo ishte vetëm fillimi i luftërave të pandërprera të një pjese të popullit të robëruar shqiptar, për çlirim nacional dhe bashkim kombëtar, deri në zgjidhjen e drejtë të kësaj çështjeje.[15]

Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë, edhe pse shënoi një ngjarje me rëndësi të madhe historike për tërë kombin shqiptar kudo që ndodhej, ajo  e gjeti popullsinë e nënshtruar nën sundimin serbo–sllav me një revoltë të pa përshkruar.

Ky vendim i miratuar më 22 mars nga Fuqitë e Mëdha shkëpuste territore të tëra nga Shqipëria Etnike, me fjalë tjera i kthente shqiptarët pesëdhjetë vjet prapa në luftën e filluar nga Lidhja e Parë e Prizrenit. Me këtë vendim arbitrar të Londrës riktheheshin vendimet e marra më 3 mars 1878 në Paqen e Shën–Stefanit ku e kishte  vulos Rusia, ku trevat Lindore dhe një pjesë e qyteteve të Kosovës nga Shkupi, Tetova e deri në Elbasan iu dhanë Bullgarisë së Madhe. Për këtë arsye shqiptarët e Dibrës dhe Tetovës reaguan ashpër kudër këtij vendimi të marrë në Shën Stefan. Krerët e këtyre trevave u dërguan memorandume Fuqive të Mëdha në Stamboll, ku kërkonin që mos prekej Shqipëria Lindore, sepse ata kurrë nuk do të pranonin të hynin nën sundimin bullgarë. Populli shqiptar i këtyre trojeve, këtë memorandum të nënshkruar nga 459 atdhetarë ua dërgoi të gjithë ambasadorëve të  Fuqive të Mëdha të akredituar në Stamboll.[16]

 

PROTSTA DHE MEMORANDUME TË SHQIPTARËVE

              KUNDREJT KËSAJ NDARJE ARBITRARE 

 

Me vendimet e 22 marsit, trevat e Shqipërisë Lindore si pjesë përbërëse e Shqipërisë Etnike ndaheshin nga trungu i saj dhe hynin nën sundimin e ri të pushtuesit serb.[17] Kundër këtij vendimi të padrejtë të Fuqive të Mëdha u protestua ashpër në të gjitha trevat shqiptare: të Çamërisë, të Dibrës, të Kosovës, të Hotit, të Grudës, të Anamalit  dhe të krahinave të tjera që deri në këtë kohë bënin pjesë në hartën e katër vilajeteve të Shqipërinë Etnike. Pra, shqiptarët protestuan kudo u dërguan memorandume, protesta e letra, Fuqive të Mëdha për revidimin vendimit të 22 marsit dhe zgjidhjen e drejtë të çështjes shqiptare.[18]

Në letrën protestuese, të nënshkruar nga Mehmet pashë Derralla, Isa Boletini dhe Qerim Begolli, dërguar Fuqive të Mëdha thuhej: “Ne nuk kundërshtuam marshimin e aleatëve dhe armatave të tyre për të larguar robëruesin e përbashkët. Por nuk mund të jemi dakord që një popullsi prej një milion shqiptarësh myslimanë e katolikë të bien nën sundimin e ri serb, përqindja e të cilit në këto territore shqiptare nuk arrin mbi 5%. Këtë mund ta verifikoni me dërgimin e një komisioni të lartë evropian”.[19]

Një memorandum tjetër në emër të trevave verilindore drejtuar Bertholdit më 25 Janar 1913, nga një grup atdhetarësh nga Italia, ku kërkohej”  të na njihet e drejta jonë e shenjtë duke përfshirë në shtetin tonë të gjitha ato vise të cilat për arsye  etnike, gjeografike dhe historike  janë tërësisht shqiptare të cilat pjesë shumë të rëndësishme  të vendit tonë janë: Shkodra, Ipeku, Gjakova, Prizreni, Shkupi, Tetova, Prishtina, Dibra, Manastiri, Ohri dhe Janina. Për të cila kanë pretendime të pabazuar  shtet ballkanike, sepse këto territore  janë të njohura si tërësisht shqiptare  më 1880 nga Lordi Ficmoris, Goshen, Granvill. Vetëm kështu do të arrihet ekuilibri evropian  dhe paqa  e qëndrueshme,  për ndryshe , duke na shkëputur  vetëm njërin nga këto  vise nuk do të ketë tjetër veçse  çrregullime  të përhershme dhe gjakderdhje.[20] Poahtu një memorandum tjetër i paraqiti Konferencës dhe “Forin Ofisit”, delegacioni i Qeverisë  së Përkohshme Shqiptare në Londër, në krye me Rasih Dinon, Mehmet Koncën dhe Filip Nogën, ku paraqitej një statistikë e popullsisë së qyteteve të vilajetit të Kosovës, si: Mitrovica, Vuçitërna, Prishtina, Presheva, Gjilani, Kumanova, ku vërtetohej se popullsia këtyre qyteteve mbi 80% janë shqiptarë.[21]      

Edhe pse ngjarjet e vitit 1912 në Ballkan dhe Kryengritja Shqiptare patën jehonë të madhe jo vetëm për njohjen e  të drejtave të shqiptarëve në Ballkan, por edhe më gjerë, shqiptarët u tërhoqën nga Shkupi pasi Fuqitë e Mëdha garantuan se do të plotësoheshin kërkesat e shqiptarëve për “autonomi” duke marrë garanci nga Turqia. Ata me këto “premtime” dhe me plotë besim e entuziazëm duke treguar një kulturë të lartë politike dhe një tolerancë shembullore duke zbatuar urdhrat e komandantëve të tyre e lëshuan Shkupin, shkuan nëpër shtëpitë e veta, “të bindur në fitoren e autonomisë ku përfshiheshin 14 pikat e kërkesave të tyre”.[22] Me këto suksese, ata vazhduan të qeverisnin në tërë qytetet e Vilajetit të Kosovës: në Kumanovë, Preshevë, Tetovë,  Gostivar, Dibër, Kaçanik, Ferizaj, Prishtinë, Prizren, Mitrovicë e deri në Novi Pazar etj.[23] Shqiptarët ishin të sigurt në drejtësinë e vendimeve që do të merrnin Fuqitë e Mëdha: “se do të vendosin drejt për zgjidhjen e  autonomisë shqiptare dhe të popujve të vegjël në fillim të shekullit XX”.[24]   

Me mbarimin e Luftës së Parë Ballkanike, Fuqitë e Mëdha kësaj radhe heshtën përpara kërkesave, memorandumeve dhe protestave të shqiptarëve. Ata  vendosën kundër fakteve historike dhe nuk  morën parasysh luftën katërvjeçare për pavarësi të popullit shqiptar. Fuqitë e Mëdha në vend të përkrahjes kësaj radhe vepruan kundër interesave të popullit shqiptar dhe luftës së drejtë të tij. Konferenca e Londrës, në vend që të gjykonte drejt, ajo vendosi që territorin e Shqipërisë etnike më 22  mars ta ndante në dy pjesë: një pjesë të ishte e lirë dhe më shumë se gjysma e robëruar nga serbo-malazezët. Territoret nga Liqeni i Ohrit deri në Novi Pazar, territore të banuara me shumicë shqiptare, ku bënin pjesë 18 qytete shqiptare të Vilajetit të Kosovës, dhe trojeve të tjera lindore, ku bënin pjesë; Manastiri, Ohri, Struga, Kërçova, Gostivari, krahina e Rrekës deri në Dibër iu dhanë Malit të Zi dhe Serbisë.[25]

Për këtë ndarje më së miri do të shprehej Eduard Greji: “Marrëveshja ndërmjet fuqive lidhur me kufijtë V të Shqipërisë u arrit pas përpjekjesh të gjata dhe të vështira diplomatike. U vendos që zona bregdetare dhe Shkodra të jenë shqiptare, kurse Ipeku, Prizreni, Dibra dhe pas shumë negociatash edhe Gjakova të lihej jashtë Shqipërisë. Ky rregullim lë një pjesë të madhe territori për t`u ndarë ndërmjet Serbisë dhe Malit të Zi, si fryt i fitores. Arritja e marrëveshjes ishte thelbësore për paqen në Evropë dhe, sipas mendimit tim, u realizua pikërisht në kohë për të ruajtur paqen midis Fuqive të Mëdha”.

Në të njejtën kohë delegacioni shqiptarë i kryesuar nga Ismail Qemali, Isa Boletini, Luigj Gurakuqi dhe Dhimitër Berati kishte filluar të protestonte në qendrat diplomatike të Evropës duke kundërshtuar ashpër këtë padrejtësi ku cungohej territori i Shqipërisë Etnike, nga vendimi që kishin marrë Fuqitë e Mëdha.[26] Anëtari i këtij delegacioni, Isa Boletini, në intervistën e tij të parë që bëri më 10 prill në Vejnë  në një pritje në Ministrinë e Luftës, iu bë kjo pyetje: “Nga cili vend do të kishit dashur një mbret të ardhshëm të Shqipërisë? Isa Boletini iu përgjigj: “Së pari një princ anglez e pastaj gjerman”.[27]

Nga fillimi i muajit maj, delegacioni shqiptarë arriti në Londër. Në intervistën që i dha Isa Boletini gazetës “Dejli telegraf”, pasi foli gjatë për luftën 30–vjeçare dhe sakrificat që kishte bërë populli shqiptar për pavarësi në fund tha: “Prandaj kam ardhur në Londër që të protestoj, si përfaqësues i Kosovës dhe si delegat i Qeverisë së Vlorës, që të kërkoj të drejtën nga Evropa”. I pyetur se a do t’i pranonte kufijtë që i ka caktuar Konferenca e Ambasadorëve, ai u përgjigj: “Unë kurrë nuk do t’i pranoj ato kufij që i ka caktuar Evropa dhe derisa të jem gjallë do të luftoj kundër serbëve, malazezëve, grekëve dhe kundër të gjithë armiqve të Shqipërisë”. [28] Kjo deklaratë e tij u botua edhe në faqen e parë të gazetës serbe  “Politika”.

Nga fundi i majit delegacioni shqiptarë u largua i pakënaqur nga Londra dhe u kthye në Vlorë.[29] Krerët e Lëvizjes Shqiptare kurrsesi nuk mund të pranonin copëtimin e Shqipërisë dhe marrjen e vilajetit të Kosovës nga sunduesit serbë. Dëshpërimi dhe pakënaqësia e udhëheqësve shqiptarë të vilajetit të Kosovës vazhdonte pandërprerë, edhe pse disa prej krerëve kosovarë zunë poste të larta në Qeverinë e Përkohshme të Vlorës. Ata nuk hoqën dorë kurrë nga Pavarësia e Kosovës dhe trojeve të tjera Lindore si pjesë përbërëse e Shqipërisë Etnike. Në këto rrethana të vështira ministri i parë i Luftës Mehmet pashë Tetova, Isa Boletini dhe Ajdin Draga, i dërguan për herë të dytë telegram protestues qeverive të gjashtë Fuqive të Mëdha të Evropës ku kërkonin  “rishikimin e kufijve të Shqipërisë Etnike”.[30]

Delegacioni shqiptar u bind se edhe Austro–Hungaria nuk donte të prishej me Rusinë dhe me Anglinë për çështjen shqiptare, pasi edhe vetë Bertholdi deklaroi: “Kërkesat e shqiptarëve janë të drejta, por ne nuk mund t’i sigurojmë kufijtë se këto na shpien kah lufta me Rusinë, pasi edhe Franca mbante haptazi anën e Rusisë dhe ishte kundër zgjidhjes së drejtë të çështjes shqiptare, ata mbronin synimet dhe aspiratat serbe kundër Shqipërisë.[31] Në këto rrethana tejet të vështira për ruajtjen e pavarësisë së Shqipërisë, është me rëndësi të vihet në dukje se Austro–Hungaria dhe Italia, për realizimin e aspiratave të tyre politike bënë marrëveshje të fshehtë për zgjidhjen e çështjes shqiptare. Në marrëveshjen e tyre të 8 majit të vitit 1913, dalin në shesh qëllimet e diplomacisë sekrete dhe projekti i Fuqive të Mëdha, të parashtruara në Konferencën e Londrës për ndarjen e Shqipërisë. Ky është një shembull tipik i diplomacisë sekrete evropiane.[32]

 Sipas kësaj marrëveshjeje sekrete në këtë projekt ishte parashikuar që në pjesën Veriore të Shqipërisë të vendosej Austria deri në Lumin Shkumbin, ndërsa në Jug të vendosej pushteti italian. Ky projekt i ashtuquajtur “sekret”, de facto ishte një kopje e marrëveshjes serbo–greke, e nënshkruar gjatë Aleancës Ballkanike  ndërmjet Greqisë dhe Serbisë.

 Për fatin e shqiptarëve dhe të luftës së tyre të drejtë e të pandërprerë, këto projekte hegjemoniste nuk u realizuan kurrë. Kjo është një dëshmi vetëm për “sinqeritetin” e diplomacive të Fuqive të Mëdha,  për “zgjidhjen e drejtë të çështjes shqiptare në kufijtë të saj etnikë dhe bashkimin e katër vilajeteve”(V.Xh).

Me çështjen e kufijve të Shqipërisë u bë tregti e hapur ndërmjet Fuqive të Mëdha, duke i lënë Shkodrën Shqipërisë, ndërsa Serbisë iu fal tërë Vilajeti i Kosovës, me Tetovë e Gostivar, deri në Dibër.

 Qëllimi kryesor i kësaj marrëveshjeje ishte që, me anë të vargmaleve të larta, të ndahej populli shqiptar me kufij në mes tyre, që sa më parë të shpërngulej dhe të asimilohej nga pushteti i egër serbo–malazez. Ndaj vendimit  të 22 marsit kur Shqipëria u nda në dy pjesë nga Fuqitë e Mëdha,  populli shqiptar protestoi shumë ashpër. Protestuan  shoqatat dhe kolonitë shqiptare kudo që ishin. Kundër këtij vendimi arbitrar protestoi  edhe delegacioni shqiptarë me M. Konicën dhe F. Nogën, që ndodheshin në Londër. Që në fillimet e Konferencës, ata u paraqitën në Forein Offis dhe deklaruan se çështja e Shqipërisë po vendosej pa kurrfarë kujdesi për vetë shqiptarët[33]. Pakënaqësinë e popullit shqiptar e shpreh më së miri dhe patrioti i shquar, Dervish Hima, në letrën që i dërgon Ibrahim Temos, ku i thoshte se ishte shumë i trishtuar nga ky vendim arbitrar që  kishin marrë Fuqitë e Mëdha kundër vendit tonë dhe e quante konferencën “gjyq politik evropian”.[34] Këtë padrejtësi më së miri e përshkruan mikesha e madhe e popullit shqiptar, miss Edith Durham, e cila thotë: “Kjo ishte një kurdisje e shteteve fqinje përmes Fuqive të Mëdha, në krye me Rusinë. Një lojë më e ndyrë e tradhtisë kurrë nuk është lozur, përderisa Kosova dhe trojet e tjera lindore  u morën me tradhti”.[35]

Konferenca e Ambasadorëve i vazhdoi punimet e saj mbi statutin e organizimit të Shqipërisë dhe kufirit jugor të saj. Në 15 qershor 1913, Austro-Hungaria dhe Italia paraqitën përsëri një propozim mbi organizimin e Shqipërisë. Vetëm pas shumë diskutimesh, gjatë të cilave Franca dhe Rusia bënë në vazhdimësi kundërshtime, fuqitë ranë në ujdi ku Shqipëria më 29 korrik 1913 u shpallë principatë pa asnjë lidhje me Turqinë ku një Komision Internacional Kontrolli i përbërë prej delegatëve të gjashtë Fuqive të Mëdha do të mbikëqyrte administratën dhe financat e Shqipërisë dhe princi do të caktohej brenda 6 muajve. Pra, Shqipëria më në fund mori formën e Protektoratit e cila ishte në kundërshtim me kërkesat e popullit shqiptar që ishte në kundërshtim të plotë  me sovranitetin e  saj.

Kjo njohje gjysmake e një pjese të Shqipërisë, ishte një akt më i ulët sesa ajo e Kuvendit Kombëtar të cilën e shpalli Ismail Qemali më 28 nëntor në Vlorë, prandaj kjo njohje e Shqipërisë nga Fuqitë Mëdha kur nuk  kënaqi aspiratat e popullit shqiptar si shtet neutral nën patronazhin e Fuqive të Mëdha. Qeveria e Përkohshme në krye me Ismail Qemalin, kurrë nuk ra dakord me ndërhyrjen e Fuqive të Mëdha në punët e brendshme të vendit, që cenonin hapur pavarësinë dhe sovranitetin e Shqipërisë. Kjo qeveri atdhetare kurrë nuk u pajtua as me gjymtimin territorial të Shqipërisë Etnike. Ismail Qemali shpresonte se një ditë do të vinë rrethana më të favorshme për rikthimin e Shqipërisë në kufijtë  e saj etnik, pasi ky popull kreshnik ka luftuar pa ndërprerë midis Ballkanit, nga periudha heroike e Skënderbeut e deri më sot për çlirim nacional e bashkim kombëtar: “Një gjuhë, një komb, një shtet” (V.Xh).

Qeveria e Vlorës u drejtua për 14 muaj në kushte mjaft të vështira politike-ekonomike, por ajo kreu “në mënyrë të shkëlqyer detyrat më të rëndësishme historike: siguroi ekzistencën e Shqipërisë së Pavarur; ngriti shtetin e ri shqiptar; përcaktoi qysh në lindje të Shqipërisë një politikë të jashtme të paqes, neutralitetit dhe ekuilibrave në Ballkan; hodhi themelet e arsimit shqiptar; u bë shprehësja e aspiratave të thella të popullit tonë për zhvillime evropiane perëndimore”.

Austro-Hungaria insistoi në Konferencën e Ambasadorëve edhe për një garanci në mbrojtjen dhe lirinë kulturore të shqiptarëve të ngelur nën sundimin e shteteve Ballkanike. Këto propozime ajo ia paraqiti Londrës me anë të ambasadorit të saj, kontit Mensdorff.  Propozimet kërkonin një barazi të plotë ligjore dhe kulturore, sepse neve kishim frikë dhe me të drejtë, që pushtuesit do të përdorshin metoda shkombëtarizimi.  Mjerisht këto propozime të Austro-Hungarisë nuk kaluan, pasi diplomacia ruse ishte kundër atyre.[36]

Konti Berchtold, pa dyshim, ishte një nga protagonistët më të zjarrtë për krijimin e një Shqipërie të lirë. Ky i mbushur me një entuziazëm të sinqertë për këtë pikësynim të punës së tij të zorshme dhe këmbëngulëse ku pati për kundërshtare politikën pan-sllaviste. Ai tek Shqipëria dhe populli shqiptar shihte një shtet që mund të jetonte dhe i vinte keq kur luftohej në Londër për çështjen shqiptare, që nuk kishte një qeveri qendrore dhe unike të Shqipërisë. Derisa vazhdonin bisedimet në Londër, në Shqipëri deri në vitin 1913 u formuan katër qeveri: Qeveria provizore e Vlorës nën Ismail Qemalin, e dyta; Qeveria e Shqipërisë së Mesme me seli në  Durrës, e  udhëhequr nga Esad pashë Toptani, i cili ishte kundërshtar i fortë politik i Qeverisë së Vlorës dhe mercenar i njohur i Serbisë. Qeveria e tretë, ajo e Ded Çokut në Lezhë dhe e  katërta, ishte Qeveria e Prenk Bib Dodës, e shpallur  në Mirditë. Vendi paraqiste një tablo të vajtueshme të përçarjeve e ndasive politike. Në këto rrethana të brendshme në Shqipëri, fare nuk favorizuan pozicionin e ministrit të Jashtëm Berchtold, për të mbrojtur integritetin e plotë të Shqipërisë. Ai luftoi vetë me forcat e veta kundër të gjithëve në këtë Konferencë e cila zgjati mbi gjashtë muaj ku donin ta gllabëronin Shqipërinë nga harta e Ballkanit. Prandaj, sot pas  njëqind vjetësh ndajmë mendimin se ishte një sukses i madh i diplomacisë Austro-Hungareze për arsye se u arrit krijimi i një Shqipërie të Pavarur dhe Autonome edhe pse gjysmake. V.Xh).

Fajin duhet kërkuar te vetë shqiptarët, pasi në këto çaste nuk shikonin bashkimin dhe mbrojtjen e vendit nga shtetet sllave por vraponin të përfitonin në dëm të popullit për interesa të veta personale. Prandaj, sot nga ajo distancë kohore i japim mirënjohje politikës Austro-Hungareze në krye me diplomatin Berthold. Edhe pse ky luftoi më të gjitha forcat për të mirën e Shqipërisë dhe të popullit shqiptar në fund nuk mundi t’i kapërcente kundërshtimet e Rusisë dhe Francës për të mbrojtur kufijtë etnikë të shpallur në Kuvendin Kombëtar të Vlorës. Prandaj, në këto rrethana të reja midis Ballkanit duhej bërë urgjentisht një bashkim midis shqiptarëve ku aktuale ishte çështja e zgjedhjes së Mbretit për të formuar një qeveri qendrore unike.[37]

Shtetet ballkanike të ndihmuara nga Rusia dhe Franca, ishin shkaktarë kryesorë që penguan popullin shqiptar të kurorëzonte me sukses të plotë luftën katërvjeçare, për ruajtjen e tërësisë territoriale ku i shkëputën këto treva nga trungu i mëmëdheut. Sunduesit e rinj mbi trojet shqiptare që u vendosën si rezultat i vendimeve të Konferencës së Londrës,  filluan menjëherë aplikimin e një politike të egër shtypëse për kolonizimin dhe serbizimin e këtyre viseve. Politika e egër serbe i trajtoi shqiptarët si element i huaj në krahinat e aneksuara, edhe pse ajo e dinte se këto territore denbabaden janë të tyre dhe i kanë poseduar shqiptarët para se ato të vendoseshin në Ballkan. Ajo përdori kundër shqiptarëve metodat më barbare të dhunës e të terrorit. Kjo politikë pan-sllaviste  serbe çoi në shtimin e urrejtjes së të gjithë popullatës kundër sunduesit të ri. Populli shqiptar dhe krerët e saj ishin të vendosur të luftonin deri në fund kundër regjimit të egër të pushtuesve serbë. Pra, në këto rrethana filloi një fazë e re  e luftës kundër sunduesve të rinj, lufta për çlirim kombëtar dhe bashkim me shtetin amë, luftë kjo që vazhdon sot e kësaj dite.

Shqiptarët e trevave lindore kurrë nuk u pajtuan me këtë vendim arbitrar, prandaj në vitin 1919 i dërgojnë një Memorandum kryetarit të Shteteve të Bashkuara  të Amerikës, z. Vilson, që të korrigjojë këtë padrejtësi të bërë kundrejt popullit shqiptar dhe Shqipërisë Etnike të ndarë në dy pjesë, më 22 mars 1913. Memorandumi drejtuar kryetarit Vilson fillon me fjalët e Ptolomeut ku përmend i pari shqiptarët në këto territore që janë raca më e vjetër që ndodhen në Evropë. Me shpalljen e  Pavarësisë nga Ismail Qemali një muaj më pas Fuqitë Mëdha e njohën independencën e Shqipërisë të shpallur më 28 Nëntor 1912 në Kuvendin kombëtar të Vlorës. Por, pas tre muajsh njohjeje u soll një vendim tjetër arbitrar ku gjysma e Shqipërisë ngeli e robëruar nën sundimin greko-serbo-malazez.[38]

 

FLAMURI I SKENDERBEUT RUAJTI IDEALET

               E BASHKIMIT KOMBËTAR

 

Flamuri ynë tregon qëndresën e patundur patriotike, atdhetare, fisnike  dhe burrërore në luftërat e rrepta për mbrojtjen e tokave tona të shenjta. Flamuri ynë është shenja e qëndresës, vendosmërisë, sakrificës, trimërisë dhe betimit, që i garantoi lirinë e merituar popullit dhe vendit. Flamuri ynë ka lundruar mbi lumenj, ka valuar në duart e heronjve dhe trimave mbi fushat e nderit, nëpër betejat e përgjakshme gjatë luftërave për fitore, ka kaluar male e suka, Alpe e bjeshkë, Daçiq, Shkëlzen e Ulqin, në Gjeravicë e Manastir, Boletinë e Bujanovc, Çakorr e Ohër, Çamëri e Luboten, Preshevë, Kumanovë e Sharr, Medvegjë e Mitrovicë, Shkup e Ohër, Prishtinë e Kërçovë, Gostivar e Tiranë, Dibër e Tuz, Plavë e Guci, pra në të gjitha ato vende ku me kënaqësi bukës i thonë bukë e ujit-ujë.

Dita e shpalljes së Pavarësisë, 28 Nëntori është një ndër ditët më të ndritshme dhe ndër më të mëdhatë e Rilindjes sonë kombëtare, në gjithë historinë tonë. Liria e arritur, është vlera dhe pasuria më e çmuar e shoqërisë njerëzore, e cila nuk falet e as dhurohet por fitohet me shumë punë e përpjekje e gjak dhe me vuajtje brezash, ndaj heronjtë dhe dëshmorët shqiptarë me heroizmin e tyre u bënë pasuri kombëtare dhe janë më meritorët për gjatë gjithë historisë sonë për të tashmen dhe të ardhmen e kombit tonë që nga luftërat e Skënderbeut e deri më sot.

Festat e ditëve të mëdha siç është 28 Nëntori u japin shpirt ngjarjeve historike, hise e të cilave është edhe liria jonë kombëtare të cilën deri më sot e kemi gëzuar pjesë-pjesë duke përjetuar të ndarë në disa shtete, ku gëzimi nuk ka qenë gjithkund i njëjtë dhe i plotë, ashtu siç është edhe vetë gjendja e tanishme e shqiptarëve të ndarë midis shteteve  Ballkanit.

Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë është ndër datat më kryesore të lirisë të kombit shqiptar kudo që jeton e vepron, e cila pas një periudhe të gjatë robërie prej më se 500-vjeçare, arriti në rilindjen e një shtetit të pavarur shqiptar edhe pse të vogël dhe të copëtuar nga të gjitha anët.

Edhe ashtu siç është, na bëri më të fortë si komb, kur dihet se shqiptarët ishin të kërcënuar, të pushtuar dhe të rrezikuar nga të gjitha anët për zhdukje totale. Por falë atij shteti sado të vogël e të brishtë, shpresat e shqiptarëve  nuk u zhdukën kurrë, por u rritën duke na dhënë forcë dhe kurajë, për të arritur në qëllimin e duhur, në krijimin e dy shteteve të pavarura shqiptare që çojnë kombin drejtë bashkimit kombëtar.



[1] Qeveria e Përkohshme e Vlorës dhe veprimtaria e saj,  Tiranë 1963,  f. 11.

[2] D. Tucoviq, Serbija e Shqipëria, Prishtinë, 1978,  f. 81.

[3] Vladeta Gjorgjeviç, Arnauti i Velike Sile, Beograd 1913; Sekula Drleviç, Ballkanski sukobi 1905–1941, Zagreb 1941, f. 63; Arben Puto,  Çështja shqiptare në aktet ndërkombëtare të periudhës së imperializmit  (1912–1918), vëll II, Tiranë 1987, f. 28.

[4] Ismail Qemali, dok. 249, f. 270; Telegram i Ismail Qemalit drejtuar Rasim Dinos me rastin e njohjes së Pavarësisë së Shqipërisë nga Fuqitë e Mëdha, më 22 dhjetor 1912. Fuqitë e Mëdha ranë në ujdi me mbajt në Londër një konferencë në nivelin e ambasadorëve, për me biseduar çështjet e krijuara nga disfata ushtarake e Perandorisë Osmane. Ajo i filloi punimet më 17.XII.1912. Përfaqësuesi i Monarkisë ishte ambasadori i saj në Londër, konti Mensdorr Pouilly – Dietrichstein, të cilit iu atashuan si ekspertë të dërguarit për Mbretërinë  në Cetinë, baron von Giesl dhe shefi i seksionit Theodor Ippen, ish kryekonsull vite me radhë në Shkodër dhe albanolog i shquar. Dokumenti më i rëndësishëm i diplomacisë së brishtë shqiptare ka qenë “Memorandumi” i datës 3 janar 1913. Asokohe, pavarësisht se Shqipëria nuk kishte shërbim diplomatik të rregullt, Ismail Qemali caktoi si ambasador “shëtitës” Rassih (Rasip) Dinon për në Austri, Itali dhe deri në Londër. Për në Londër, me porosi të Ismail Qemalit, ai mori me vete, nga Italia dhe Franca ku ata jetonin, Mehmed Konicën, Filip Nogën dhe Sotir Kolean.  Kjo mërgatë përpiloi dhe i dorëzoi sir Edward Grey-t, Kryetarit të Konferencës së Ambasadorëve, memorandumin e Qeverisë Shqiptare, dokumentin e parë diplomatik. Ky memorandum i kushtohej kryesisht çështjes së caktimit të kufijve, duke paraqitur dhe duke argumentuar pikëpamjet dhe qëndrimin e shtetit shqiptar. Më 25 janar 1913, diplomatët shqiptarë i dorëzuan Konferencës një memorandum të dytë. Në këtë memorandum të dytë kërkohej, zbatimi i kriterit etnik, ku cilësohej më dukshëm si një kusht për sigurimin e paqes dhe të stabilitetit në Ballkan. Në formulimin e kërkesave të dy memorandumeve, rëndësi të veçantë ka pasur “tradita” e 4 vilajeteve shqiptare, që kish qenë motiv i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare.

[5] Georges Castellan, Histori e Ballkanit, vep e përm.,  f. 398;  “Politika”, Beograd, më  13 prill 1913. 

[6]AIH-Tiranë, Kujtime nga vitet e mija në Shqipëri 1911-1914 Prej  C. Buchberger, i dërguar i jashtëzakonshëm dhe ministër fuqiplotë në pension i Republikës së Austrisë. “Arddum videtur resgesta scri bere”…,(Salust). Kopenhagen 1971.

[7] Kristo Dako, vepër e cituar, f. 154,

[8] Arben Puto, Pavarësia e Shqipërisë dhe diplomacia e Fuqive të Mëdha…, f.204-205.

[9] Historia e popullit shqiptar II…, f. 372.

[10] Edith Durham, Brenga e Ballkanit, Tiranë 1990, f. 407.

[11] Qeveria…,  vep. e  përm.,  dok. 107;  Abaz Ermenji, Albania,  vep. e përm.,  f. 320–321.

[12] Arben Puto, Pavarësia shqiptare dhe diplomacia e Fuqive të Mëdha (1912– 1914), Tiranë, 1978, f. 503. Sipas të dhënave që ekzistojnë Serbia mori 82% territor dhe 55% popullsi më shumë sesa kishte, Mali i Zi 62% territor dhe 100% popullsi më shumë,  kurse Greqia 68% territor dhe 67% popullsi më shumë. 

[13] Marko P. Cemoviç, Makedonski problem i makedonci, Beograd, 1913, 20.

[14]Gazeta  “Politika”, Beograd, 8 maj 1913;  Fatmira Musaj,  Isa…, vep. e përm., Tiranë 1987,  f. 176.

[15]  Fatmira Musaj,  Isa…, vep. e përm., f.176.

[16] Akte të Rilindjes …,  vep. e përm.,  f. 15. Protestë e popullsisë së Tetovës drejtuar ambasadorit të Francës në Stamboll kundër vendimeve të Traktatit të Shën–Stefanit për aneksimin e trojeve shqiptare dhe të Pollogut, Bullgarisë.

[17] Georges Castellan,  Histori…, vep. e përm., f. 398.

[18] HHStA,PA. Telegram nr.177 i konsullit nga Shkodra dërguar Vjenës, më 9 korrik 1913, ku e informon për një tubim madhështor të mbajtur në Shkodër, nga i cili i është dërguar një memorandum miqësie Fuqive të Mëdha, ku kërkohej ndërhyrja e Fuqive të Mëdha për ruajtjen e Shqipërisë etnike nga copëtimi.

[19] AQSH, Fondi 68, dos. 5, f. 65. Letra është shkruar frëngjisht dhe u dërgohej të gjitha Fuqive të Mëdha: Anglisë, Francës, Gjermanisë, Italisë, Austro–Hungarisë dhe Rusisë.

[20] IH-Tiranë, Vj, 23-36-3682, Telegram dërguar Ministrit Berthold, më 25, janar 1913; nga Hasan Prishtina, Tefik Beu, Prifti Mikel Shiali, Loro Ashiku, Mark Doda, Filip Pjetri, Zef Ndoci, Ernest Kolenda, Filim Marku, e tjerë.

[21] IH-Tiranë, vj, 23-36-3683, Telegram dërguar Konsullit ë Përgjithshëm Rapaport, ku i paraqesin edhe shtojcën memorandumit  dërguar “Forin Ofisit” dhe ambasadorëve ; më 25 janar 1913.

[22] Hamit Kokalari, Kosova djepi i shqiptarizmit, Tiranë, 1943, f. 24. Përpara këtyre ngjarjeve qeveria turke u premton shqiptarëve  autonominë,  duke plotësuar 12 nga 14 pikat që kishin paraqitur kryengritësit në Prishtinë.

[23] Vladimir Gjeorgjeviç, Velika Serbija, vep. e përm.,  f. 70.

[24] AQSh. Fondi 68, dos. 5.

[25] Po aty.  Fondi 846, dos. nr. 28/3; 21 qytetet e vilajetit  të  Kosovës që iu  dhanë Serbisë ishin: Shkupi, Kumanova, Presheva, Bujanoci, Kaçaniku, Prishtina, Gjilani, Vushtrria, Mitrovica, Ferizaj, Peja, Jeni Pazari, Akeva, Trgovishta, Rozhaja, Plava, Gucia, Gjakova, Prizreni, Tetova dhe Gostivari.

[26] Tafil Boletini, Pranë Isa Boletinit, Kujtime, pjesa  I (1892–1916), Tetovë 1916,  f. 160.

[27] Po aty,  f. 161.

[28]  Isa Boletini në Londër, në: “Politika”, Beograd, 8 maj 1913;

[29]  Arben Puto, Pavarësia shqiptare…, , vep. e përm., f. 364.

[30] Fatmira Musaj, Isa Boletini, vep. e përm., f. 178.

[31]  Georges Castellan, Histori e …, f. 397.

[32] Arben Puto, Çështja shqiptare…, f. 27.

[33] Xheladin Shala, Marrëdhëniet…,  vep. e përm., f.146.

[34] Kristaq Prifti, Dervish Hima,  Tiranë, 1987,  f. 250.

[35] AQSh, Letër e Edith Duhramit.

[36]AH-Tiranë, “Kujtime nga vitet e mija në Shqipëri 1911-1914” Prej C. Buchberger, i dërguar i jashtëzakonshëm dhe ministër fuqiplotë në pension i Republikës së Austrisë. “Arddum videtur resgesta scri bere”, (Salust) Kopenhagen 1971, f. f.20; Më në fund Monarkisë iu deshtë të kënaqet me një formulë të përgjithshme të mbajtjes në këmbë të dispozitave mbrojtëse të traktatit të Berlinit në vitin 1878, në të cilat përcaktohej pozita ligjore e minoriteteve në shtetet Ballkanike.

[37] Po aty, f.33.

[38] Memorandumi është i drejtuar nga Kristo Dako dhe Mihajll Grameno, më 20 korrik 1918. Po citojmë edhe disa fjalë që janë të shkruara në memorandum;  Sot  ne po gëzohemi duke dëgjuar zërin fisnik të shteteve të Amerikës  në krye me kryetarin e saj z. Vilson  për mbrojtjen e vendeve të vogla. Ne shqiptarët sot jemi plotësisht të bindur  se parimet e mëdha dhe fisnike të popullit amerikan do të triumfojnë edhe se Shqipërisë midis tjerave  kombësi të vogla do t’i  jepen kërkimet e saj të drejta për independencë të plotë politike edhe ekonomike si dhe tërësia e vendit.

 

 

Filed Under: Histori Tagged With: Konferenca e Londres, Vebi Xhemaili

KONGRESI I PARË I ALFABETIT NË MANASTIR BASHKOI KOMBIN DREJTË PAVARËSISË

November 7, 2013 by dgreca

Nga Prof. Dr. Vebi XHEMAILI/*

Menjëherë pas shpalljes së  Kushtetutës, ku faktori shqiptar luajti një rol të rëndësishëm në jetën konstitucionale të Perandorisë Osmane, nisën përsëri kërkesa dhe konsultime midis rretheve atdhetare për thirrjen e një mbledhje mbarë kombëtare, ku do t’u jepej zgjidhje problemeve arsimore por do të shqyrtoheshin edhe probleme tjera të kohës. Vendosja  e një alfabeti unik u përgatit gjatë kohë nëpër shoqëritë shqiptare u gatua gjerë e gjatë,  shpeshherë midis rilindësve tanë pati edhe polemika tejet të ashpra, pasi bëhej luftë për vendin e parë  se cili alfabet duhet të dominojë në trevat shqiptare. Këto tone polemizuese vazhduan për një kohë të gjatë, pasi duhej kaluar “vija” midis jugut, veriut dhe asaj turke-arabe. Ky tranzicion shqiptar dhe përzierja e pushtetit turk, së bashku me kishën greke, kishin lënë pasoja të rënda në mentalitetin e vetë shqiptarëve, pasi shumica shqiptarëve në këtë kohë nëpër shtëpitë e tyre flitnin me kurajë gjuhën turke, bile disa krenoheshin me turqishten dhe fare nuk donin të dëgjonin për gjuhën e nënës, e cila duhej të ishte si gjuhë zyrtare në Shqipëri. Pas vdekjes së Skënderbeut, gjuha shqipe ishte në margjina të vetë intelektualëve dhe nëpunësve shqiptarë, që flitnin vetëm turqisht dhe krenoheshin me  këtë gjuhë aziatike. (V.Xh.) Për fat të keq të popullit, nëpunësit shqiptarë, apo më mirë thënë, klasa sunduese politike shqiptare e cila luftonte për të mbrojtur interesin e Perandorisë,  kurrë nuk e përdorte gjuhën e nënës, as edhe në biseda private sa për t’i bërë qejfin pushtetit dhe administratorëve turq. Në të shumtën e rasteve edhe këta nëpunës dhe ushtarakë, identifikoheshin me ata, si osmanlinj, duke e  harruar kombin dhe origjinën e vet.

Por, falë rilindësve historiku i kombit dhe Flamuri i Skënderbeut nuk u lanë në harresë, ashtu siç dëshironte politika asimiluese  turke. (V. Xh).

Rilindësit aktualizuan gjithnjë e më shumë këtë çështje kombëtare, problemi shqiptar për gjuhën u aktualizua deri në organet më të larta të pushtetit, aktual turk. Rol të rëndësishëm kanë luajtur disa shoqëri e shoqata të ndryshme kombëtare gjatë epokës së Rilindjes. Ky problem jetik ndër shqiptarë do të përfshijë edhe revistat dhe gazetat e ndryshme të kohës. Në këto momente tejet kritike për kombin shqiptar, kur administrata turke favorizonte vetëm ata qytetarë që deklaroheshin osmanlinj, atdhetarët shqiptarë i thanë jo kësaj politike antikombëtare dhe morën  iniciativën për mbajtjen e Kuvendit mbarëkombëtar në Manastir. Në këto kthesa të mëdha historike, kur ishte në pyetje mbrojtja e identitetit kombëtar, rol historik ka luajtur Klubi Shqiptar i Manastirit “Bashkimi”. Ky klub ndër të parët  ngriti zërin lart, duke i dalë zot kombit brenda dhe jashtë Shqipërisë, u bë një ndër klubet më të rëndësishme që luajti rol të veçantë  në formimin  e klubeve të tjera dhe në zhvillimin e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare  në periudhën e regjimit xhonturk.[1] Prandaj, shumë shpejt mori mbështetjen edhe të klubeve të tjera në tërë Shqipërinë etnike dhe të diasporës shqiptare.

Thirrja e këtij Kongresi historik u bë në qendrën diplomatike të shqiptarëve në Manastir, prej 14-22 nëntor 1908. Në Kongres morën pjesë përfaqësues të shtresave të ndryshme shoqërore: intelektualë e personalitete të dalluara të Lëvizjes sonë kombëtare, numri i mysafirëve arrinte në më shumë se 300 veta, por nga ata që përfaqësonin të katër vilajetet ishin 50 përfaqësues, prej tyre kishin të drejtë vote 32 ku bënte pjesë edhe Emin bej Shkupi dhe 18 përfaqësues të tjerë pa të drejtë vote, një ndër ta pa të drejtë vote ishte edhe Rog Berisha që vepronte në Shkup.[2]

Në Kongres kishin përfaqësues edhe shoqëritë shqiptare nga Egjipti, Stambolli, Selaniku, Italia, Bullgaria, Rumania dhe Amerika. Sipas raportit të konsullit rus I. Zhivnojevit, në Kongres morën pjesë së bashku myslimanë, katolikë dhe ortodoks nga të gjitha trojet e Shqipërisë Etnike.[3] Në Kongres merrnin pjesë edhe ushtarakë me grada të larta; si gjeneral Fadil Pasha, Zija Pasha dhe valiu i Vilajetit të Manastirit, Hivzi Pasha dhe udhëheqës të çetave shqiptare; Çerçiz Topulli dhe Mihal Grameno.[4] Në këtë Kongres nuk ishte i pranishëm atdhetari i palodhshëm i çështjes kombëtare, Dervish Hima, i cili nuk mundi të marrë pjesë, pasi që turqit e rinj mbanin të burgosur në Selanik, me akuzë se ka kërkuar  ndarjen e Shqipërisë nga Perandoria Osmane, shpalljen e autonomisë së Shqipërisë dhe zyrtarizmin e shkollave dhe përdorimin e gjuhës shqipe.[5]

 

 

Kongresi i Manastirit u hap në mënyrë solemne më 14 nëntor 1908. Në seancën plenare, Kongresin e ka udhëhequr dhe përshëndetur Fehim Zavalani, kryetar i Klubit të Manastirit, ku ishin të pranishëm mbi 400 veta, mysafirë dhe përkrahës të Kongresit.[6] Sipas të dhënave më të reja historiografike dhe dëshmive nga terreni, Kongresin e ka përshëndetur edhe myftiu nga Tetova, Rexhep Nuredin Voka, i cili në këtë kohë ka qenë aktiv edhe në Klubin politik “Bashkimi” të Manastirit.[7] Ky nga viti 1900 mbante lidhje të ngushta me familjen Qiriazi, para se të emërohet myfti në Manastir, për të mësuar shkrimin dhe leximin e gjuhës shqipe.[8]

Nga Manastiri merrte pjesë si delegatë edhe Selahedin Beu[9], sëbashku me Gjergj Qiriazin,  ky i fundit ishte edhe anëtar i Komitetit të Fshehtë Shqiptar për lirinë e Shqipërisë, themeluar në Manastir, në vitin 1905. Në këtë Kongres, Qiriazi ishte zgjedhur për nënkryetar, po ashtu këtë post e mbante edhe në klubin “Bashkimi”. Shtëpia  e tyre ishte qendër e Lëvizjes Kombëtare për çlirimin e Shqipërisë, ku mblidheshin patriotët më të shquar të kohës, si Bajo Topulli, kolonel Halit Berzeshta,  Fehim Zavalani e të tjerë.

Në prag të Kongresit, Rexhep Voka tashmë ishte personalitet i njohur politik, pasi kishte marrë pjesë si përfaqësues i  Tetovës, në Kuvendin e Ferizajt, më 23 korrik 1908. Në këtë Kuvend, Rexhep Voka kishte mbrojtur fuqishëm lëvizjen xhonturke, duke favorizuar “Hyrijetin” dhe ishte shprehur haptazi kundër absolutizmit të Sulltan Abdyl Hamitit. Nga kjo kohë, në qarqet xhonturke, Rexhep Voka gëzonte autoritet të madh si përkrahës i ideve liberale. Ky në saje të qëndrimit pro lëvizjes xhonturke, u emërua në postin më të lartë fetar, myfti i Vilajetit të Manastirit.[10] Ky vilajet, në atë kohë  përfshinte Manastirin si qendër, me disa qytete të tjera të Shqipërisë Lindore, ku bënin pjesë  edhe 2200 fshatra.[11]

Seanca solemne u mbajt në sallën e klubit politik “Bashkimi” të Manastirit.  Në orët e pasdites kishte filluar  seanca plenare e Kongresit, ku delegatët për mirëmbajtjen e punës së Kongresit, me vota të fshehta zgjodhën kryesinë e punës. Delegatët zgjodhën kryetar Mid’hat Frashrin, delegat i klubit të Selanikut dhe Janinës[12], për nënkryetar Luigj Gurakuqin dhe Gjergj Qiriazin nga Manastiri, për sekretar Hil Mosin, Toma Abrahamin dhe Nyzhet Vrionin.[13]

Është me rëndësi të theksohet se Kongresi mbajti gjashtë seanca të mbyllura, tejet sekrete. Më së shumti, këto seanca u mbajtën në hotelin “Liria” të Themistokli Gërmenjit, ku ishin vendosur shumica e delegatëve. Edhe pse Kongresi ishte i monitoruar nga  pushteti i atëhershëm, delegatët arritën të diskutonin në këto seanca edhe për çështje politike. “Në këto seanca u morën vendime të rëndësishme politike në lidhje me statusin juridik-shtetëror të Shqipërisë”.[14] Pjesëmarrësit njëzëri u zotuan se këto vendime me peshë kombëtare nuk do të publikohen, por do të ruhen në sekretin më madh nga vetë anëtarët.[15]

Në ditët e para të mbledhjeve të kongresit dominuan diskutimet rreth zgjidhjes së çështjes së alfabetit unik të gjuhës shqipe. Rexhep Voka, pasi ishte  myfti i Vilajetit të Manastirit, u bë nikoqiri dhe përkrahësi kryesor i Kongresit për alfabetin arab[16]. Rexhep Voka bashkë me Fehim bej Zavalanin ishin nikoqirë  dhe drejtuesit kryesorë të këtij Kongresi. Të dy lexuan referate; Fehim beu lexoi referatin e tij me titull: “Përhapja e civilizimit dhe shkencës në Shqipëri”, ndërsa Rexhep Voka më 19 nëntor, mbajti kumtesën e tij me temë: “Dobitë e bashkimit të të gjithë shqiptarëve dhe bashkëpunimi i tyre me Komitetin xhonturk.[17]

Në ditën e tretë delegatët e zgjodhën komisionin për çështjen e alfabeti.[18] Siç dihet, që në fillim zgjidhja e këtij problemi dominues ndeshi në vështirësi, sepse ende fuqishëm ndiheshin ndarjet krahinore, të cilat luftonin për dominim lokal mbi pjesët e tjera të Shqipërisë. Disa veprimtarë shkuan aq larg sa që tentuan të tregonin alfabetet e tyre të shkruara deri në atë kohë, përpiqeshin me dhe pa argumente të tregonin për lashtësinë e alfabetit të tyre. Ata synonin që alfabeti i tyre të zgjidhet prej Kongresit si alfabet i vetëm i gjuhës shqipe.[19] Por, pas një kohe u qetësua paksa situata, filluan diskutimet koncize dhe të qenësishme nga ana e një pjese të delegatëve të shquar, siç ishin Hil Mosi, Luigj Gurakuqi, Gjergj Fishta e të tjerë. Në këtë situatë për qëllime kombëtare  që ti kontribuojë unitetit  në punën e Kongresit doli në foltore Gjergj Fishta, delegati i shoqërisë “Bashkimi” nga Shkodra. Në diskutimin e tij rreth alfabetit të shoqërisë së përmendur të Shkodrës  tha: ”Unë s’kam ardhur këtu që të mbroj asnjërin nga alfabetet por kam ardhur që të bashkohem me ju dhe do ta pranoj atë alfabet të cilin do ta caktojë Kongresi si më të dobishëm për të mirën e popullit tim”. Këto fjalë bindëse të Gjergj Fishtës lanë përshtypje te delegatët e Kongresit. Pas mbarimit të fjalës së tij delegati i Shkupit, Hafëz Ibrahim efendiu u lëshua drejt tij dhe me dy duar e përqafoi fuqishëm me lot në sy. Ky shembull vëllazëror midis shqiptarëve pa dallim feje e kishte forcuar edhe më fortë unitetin e të gjithë delegatëve në sallë në  ruajtjen e frymës kombëtare të Kongresit.[20]

Në këtë kongres, Parashqevi vepron si sekretare e komisionit të alfabetit që mblidhej në shtëpinë e Qiriazëve në Manastir.[21] Ishte nënkryetare e Klubit “Bashkimi” dhe njëherësh u zgjodh  edhe nënkryetare e Kongresit të Manastirit. Me këtë rast, mes tjerash pat thënë: ”Ky kongres të na nxjerrë faqebardhë dhe me një vëllazëri dhe bashkim të pandarë”.[22]

Konsulli rus, atmosferën e punës në Kongres e përshkruan në mënyrë tejet objektive, pasi diplomacia ruse ishte  e interesuar për të pasur ndikimin e saj në këtë Kongres. Ky, për delegatët deklaron: “Ata, delegatët, në seancat e Kongresit merrnin pjesë me veshje kombëtare, sipas krahinave që prezantonin”. Delegatët e Kuvendit, edhe në mbledhjet e hapura, nuk fshehin  urrejtjen e tyre kundër Turqisë dhe haptazi kritikonin politikën asimiluese të qeverisë turke, e në veçanti me nxjerrjen e ligjit për zgjedhje, “e cila përpiqej me të gjitha mënyrat të asimilojë dhe çrrënjos vetëdijen nacionale të shqiptarëve, duke i ndjekur edhe për gjuhën e tyre”.[23]

Në Kongres u fol edhe për marrëdhëniet shqiptare-greke, ku u konstatua se Greqia po bën me të madhe propagandë kundër kulturës dhe historisë shqiptare. Ajo në Jug të Shqipërisë i trajton shqiptarët për grekë, posaçërisht më lehtë e kishte të asimilojë shqiptarët e besimit ortodoks. Patriotët  shqiptarë të cilët i kundërviheshin kauzës greke, ajo kundër tyre organizonte atentate, duke  vrarë edhe Mitropolitin e Korçës, Fotisin.[24] Shumë delegatë të Kongresit, në diskutimet e veta deklaruan se Greqia po bën haptazi masakrime të papara në territorin e Epirit. Për ta qetësuar atmosferën në Kongres, sipas raportit të konsullit rus, ndërhyri udhëheqësi i Kongresit, Mithat  Frashëri, duke ndërprerë oratorët shqiptarë, ku prekej armiqësia kundër grekëve.[25] Makineria e propagandës greke, në atë kohë vepronte me të njëjtin intensitet edhe kundër vllehve. Këta, për të shpëtuar nga terrori grek u bashkuan me shqiptarët, në luftë të përbashkët kundër terrorit dhe politikës asimiluese greke.[26]

Në atë kohë shqiptarët përveç vllehve, edhe me bullgarët kanë mbajtur marrëdhënie të mira miqësore. Në kongres u folën fjalë miradije për politikën e mirëkuptimit të shtetit bullgar. Sipas konsullit rus, Bullgaria e ndihmonte lëvizjen shqiptare në Vilajetin e Kosovës dhe të Manastirit, ku sipas tyre, Bullgaria kishte interesin e vet politik-strategjik. Ajo duke përkrahur kërkesat e atdhetarëve shqiptarë për Autonomi, shpresonte se do ndërpritej rruga e serbizimit dhe e përhapjes së influencës serbe në luginën e Vardarit. Po ashtu, Bullgaria nëpërmjet nacionalizmit shqiptar mbronte nga Jugu, depërtimin e fuqishëm të helenizimit-ortodoks grek drejt Shkupit dhe Manastirit, që në atë kohë këto dy qytete shqiptare ishin qendra diplomatike dhe administrative të Perandorisë Turke. Prandaj, bullgaria kërkonte aleatë kundër armiqve të përbashkët; Greqisë dhe Serbisë. Kjo ishte një ndër arsyet më kryesore pse diplomacia bullgare ndihmonte atdhetarët shqiptarë në luftën e tyre nacionale për autonomi në disa rrethe të Prilepit, Ohrit, Strugës dhe Manastirit.[27]

Pasi u dorëzuan ftesat në mënyrë zyrtare nga Klubi “Bashkimi” i Manastirit më 14 shtator 1908,[28] xhonturqit në këtë kohë mbanin të burgosur atdhetarin e flaktë të autonomisë shqiptare, Dervish Himën, në burgun e Shkodrës. Me përhapjen e lajmit për mbajtjen e Kongresit mbarëshqiptar, xhonturqit nga frika e masave shqiptare e transferojnë  Dervish Himën në burgun e Selanikut, më 31 tetor 1908. Ata fshehurazi  e nisën rrugës tokësore, natën, nga Shkodra për në Selanik.[29] Hima, më 17 nëntor duhej të dilte para gjyqit, mirëpo, si shënon gazeta “Korça”, kishte kaluar një muaj prej asaj dite “e puna e tij nuk kishte marrë fund, as për të mirë e as për të keq’’.[30]

Dervish Hima, kur gjendej në burgun e Selanikut, pat deklaruar: “Ne kërkojmë që Turqia të na pranojë si komb të veçantë dhe kërkojmë decentralizimin e vendit”.[31] Sipas raporteve të diplomacisë austriake, Dervish Hima,  aty kah  fundi i janarit 1909, u lirua nga burgu.[32]

Në të njetën kohë kur mbahej kongresi i të gjithë shqiptarëve në Manastir xhonturqit, për të frikësuar popullon shqiptar sulmuan me topa dhe dogjën kullat Isa Boletinit  më 21 nëntor 1908. Turqit  sulmuan me 18 topa dhe 5 kompani, ndërsa kullat e Isës mbroheshin vetëm me 14 vullnetarë, beteja zgjati tërë ditën, nga ushtarët e Isës u vranë tre veta dhe u plagosën 5, ndërsa nga pala turke ka pasur shumë më shumë të vrarë, por pala turke nuk ofron të dhëna.[33]

 

* Profesori i Universitetit Shteteror te Tetoves, Prof. Dr, Vebi Xhemaili,  eshte bashkepunetor i Gazetes Dielli.NE FOTO: Ndërtesa e Kongresit në Manastir

 



[1] Historia e popullit shqiptar…, f. 391; Nexhat Abazi, Zhvillimi i shkollave.., f.196.

[2] Raporti i konsullit italian nga Manastiri, dërguar kontit de Visari; nga Shkupi merrnin pjesë tre  delegat; me të drejtë vote ishin të dërguar nga Klubi i Shkupit, Emin Beu dhe Hafëz Ibrahim Efendiu. Ndërsa Rok Berisha po ashtu përfaqësues nga Shkupi  bënte pjesë në grupin e delegatëve pa të drejtë vote, së bashku me Parashqeva Qiriazin, Abdyl Yipn, Lef Nosin Çerçiz Topullin e tjerë; Grup autorësh, Historia e arsimit dhe mendimit pedagogjik shqiptar, Instituti i Studimeve Pedagogjike, Tiranë 2003, f. 175.           

[3] Raport i konsullit rus nga Manastiri, më 14 nëntor 1908; Stjepan Antoljak,  Prillog historijatu albanaca za svoj alfabet, “Gjurmime albanologjike’, nr. 1, Prishtinë, Prishtinë, 1969, fq. 46-48; Historia e Shqipërisë, vëll. II. 1908-1912…f. 10-11.

[4] Po aty,  raport nga Manastiri.Poashtu në këtë Kongres ka marrë pjesë edhe i riu Rauf Fico, që më vonë ka luajtur një rol të rëndësishëm në diplomacinë shqiptare, veçanërisht kur ishte i emëruar në Beograd. Pati disa takime me studentët shqiptarë dhe disa krerë të nacionalizmës shqiptare që vepronin në Jugosllavinë e para luftës, në ngritjen e nacionalizmës shqiptare dhe luftën e tyre për çlirim dhe bashkuim kombëtar. 

[5] Manol Pandevski, Politiçkite partii…, vep. e cit. f. 287; Shukri Rahimi, Shkaqet e konfliktit në mes lëvizjes shqiptare dhe Turqve të Rinj, “Jehona”, Shkup 1968, nr. 6, f. 143.

[6]Shaban Demiraj, i Kongresi i Manastirit…, 87. Në këtë kohë përmendet vetëm një Rexhep Hoxha. Por nuk thuhet asgjë për biografinë e tij. Si ka mundësi të përshëndes Kongresin një person që në atë kohë nuk ka pasur ndonjë funksion shtetëror apo fetar. Ndërsa ky, Rexhep Hoxha ishte  i lindur në Prilep, që  në kohën e Kongresit ka qenë Profesor i Medresesë në Stamboll, e quajtur “Medrese Fatihut”. Shi, Hasan Kaleshi, Disa aspekte të luftës për alfabetin shqip në Stamboll, “Gjurmime albanologjike”, nr. 1, Prishtinë, 1969, f. 106.

[7]Hasan Kaleshi, Neki problemi izuçavanja kulturne istorije Pologa za vreme turskog perioda,“ Bigorski nauçeno-kulturni sobiri”, Gostivar 1971, f. 182.

[8]HHStA, PA XXXVIIi/390, Raport i Konsullit Kral nga Manastiri, më 15.07.1900); Konsulli austriak në raportonte: se Gjergj Qiriazi i cili kishte një librari të “Bible society: ”Në shkurt të vitit 1900 gjatë muajit ramazanit, në dyqanin e tij kishte hyrë një hoxhë që duke u ruajtur e kishte pyetur nëse kishte libra shqip; ai mori ato që lejoheshin, ungji, psallme, etj, dhe meqë ai kërkonte ndonjë gjë tjetër, iu dha së fundmi me kujdes edhe një abetare, sepse ai mund të ishte një agjent sekret, siç ndodh shpesh tani. Hoxha pyeti nëse dikush mund ti mësonte alfabetin dhe u gëzua kur u ftua që të vinte çdo ditë për të mësuar nga pak me vëllain e të zotit të dyqanit. Me një zell djaloshar ai u fut punës dhe mësoi kaq mirë sa që pas disa leksionesh  ai mundte që të lexonte shqip  në mënyrë të mjaftueshme. Shumë shpejtë ai zuri miqësi me patriotët lokalë dhe iku nga Manastiri me një pako të vogla librash (për shkak të mungesave), libra që në shumicë ishin fetarë dhe të krishterë. Ky njeri është Rexhep Çudi  Hoxhë nga Tetova.

[9] Rauf Fico, Shtetar dhe diplomat i shquar shqiptar (monografi), Tiranë 2007, f. 182.

[10] Natalyie Clayer, Në fillimet nacionalizmit shqiptar, Tiranë 2009, f. 561-562.;

[11] Feti Mehdiu, Vilajeti i Manastirit  në Kamus Al-A’Lam, “Gjurmime albanologjike”, Prishtinë 1983, f.240. Në atë kohë vilajetit të Manastirit përfshinte këto qytete;  Manastir,  Prilep,  Florinë, Ohër, Korçën, Starova  Kolonja, Elbasanin, Peqin, Strugë,  Dibër, Mat, Dibra e Poshtme, Krahina e Rrekës,  Kërçova me gjithsejtë  2 220 fshatra. 

[12] Gazeta “Dituria”, nr.3, v,1908, f.41.

[13] “Leka”, nr. VIII-XII, 1937, f. 35.

[14] Manol Pandevski, Politiçkite parti…, vep. e cit. f. 287.

[15] Po aty,  raporti i njëjtë.  Mahir Domi, Alfabeti i gjuhës shqipe  dhe Kongresi i Manastirit, Tiranë 1972, f.. 35.

[16] Reshat Nexhipi, Prespa dhe Manastiri nëpër shekuj, Kërçovë 2003, f.152.

[17] “Bashkimi i Kombit” (nacionallno Edinstvo), Shkup 2001, f 20; Ali Vishko, ndante mendimin se ky ka qenë nikoqir kryesor në Kongres në bazë të pozitës fetare që ka pasur në atë kohë. Në fillim poashtu ka qenë shumë i afërt me të gjithë veprimtarët që vepronin në Manastir dhe Shkup. Tetovë, deklarata e tij në dhjetor 2002.

[18] Stjepan Antolak, Prilog historiatu borbe albanca za soj alfabet, “Gjurmime albanologjike”, nr. 1 Prishtinë 1969, f. 48.

[19] Stavro Skendi, vep. e cit, f. 370-371; Shaban Demiraj-Kristaq Prifti, Kongresi i Manastirit Tiranë 2004,  f. 76.

[20] Stavro Skendi, vep. e cit, f. 371.

[21] Gjergj Qiriazi, vëlla i Sevastisë dhe i Parashqevës. Motrat Qiriazi pas luftës jetuan të izoluara në Tiranë nga pushteti komunist,  Sevastia vdiq në vitin 1949 dhe u varros vetëm nga katër gra. Pasi pushteti e kishte shpallur si armike të pushtetit komunist.

[22] Milto Sotir Gura, Kongresi i Manastirit për alfabetin shqip, (nga kujtimet e Mihajll Gramenos), “Bashkimi i Kombit”, Tiranë 12 gusht 1944.

[23] A.M. Shkup, Raport i konsullit  rus nga Manastiri, më 14 nëntor 1908.

[24] Po aty, raporti i njëjtë.

[25] Po aty. Qysh në fillim të Kongresit Mithat Frashëri, Abdyl Ypi, Ferid Ypi, ndanin mendimin  se në këtë Kongres të Alfabetit të shqyrtohet  vetëm çështja e alfabetit jo edhe probleme të tjera të karakterit politikë.

[26] Po aty.

[27] Po aty, raporti i njëjtë.

[28] Nexhat Abazi, Zhvillimi i arsimit…, f.196.

[29]  Raport i konsullit. astro-hungarez  nga Selaniku, nr. 2852, 27 dhjetor 1908.  

[30] ‘’Korça’’ nr.2, 24 dhjetor 1908.

[31] ”Konstituciona Zarja”,1/23, Selanik, më 15 nëntor 1908.

[32] Raporti i konsullit austro-hungarez nga Shkodra, nr. 5, 3 janar 1909.

[33] Raport i konsullit rus nga Manastiri, dërguar ambasadorit rus në Stamboll N.V. Carikov. 24 nëntor 1908. 

Filed Under: Featured Tagged With: bashkoi Kombin drejt pavaresise, Kongresi i Manastirit, Tetove, Vebi Xhemaili

KRYENGRITJA E RESNJES DHE KUVENDI I FERIZAJT 1908

November 2, 2013 by dgreca

NGA PROF. DR. VEBI XHEMAILI/

Zgjerimi  i lëvizjes patriotike shqiptare pas periudhës së Lidhjes së Prizrenit shtronte përpara veprimtarëve nevojën e domosdoshme të luftës për autonomi. Ndërsa, në anën tjetër, këtë lëvizje do ta përforconte lëvizja kulturore-arsimore që duhej shtrirë në tërë Shqipërinë, e cila do të zgjerohej e të vihej mbi një bazë organizative më të mirë, që të plotësonte veprimtarinë politike të filluar nga Lidhja e Parë e Prizrenit deri në fillim të shek XX. Forcat nacionaliste tanimë e kishin të prerë se fati i shqiptarëve ndodhej në tavolinat e shahut të Fuqive të Mëdha. Krerët shqiptarë e kuptuan fortë mirë lojën e ndytë të Fuqive të Mëdha se çfarë operacioni strategjik-ushtarak përgatitej për trevat lindore shqiptare që përbënin Shqipërinë Verilindore, pasi që Fuqitë e Mëdha kërkonin zbatimin e reformave vetëm për  sllavët, ku bënin pjesë bullgarët, maqedonasit dhe serbët, që jetonin së bashku në trojet e Shqipërisë Lindore. Po ashtu, interes të veçantë për këto reforma ka treguar edhe diplomacia serbe.[1] Në atë kohë, kjo pjesë e Shqipërisë ishte e ndarë administrativisht në vilajetin e Kosovës e të Manastirit.[2]

Emisarët xhonturq vepronin sidomos në nxitjen e revoltës së popullatës kundër absolutizmit të Sulltanit dhe për këtë qëllim propagandonin se Sulltani i kishte shitur Austro-Hungarisë pjesë të tokës shqiptare, nëpër të cilën do të kalonte hekurudha e re, që do të vinte nga Novi Pazari në drejtim të Mitrovicës, Ferizajt dhe do të delte në Shkup, për në Selanik. Kjo propagandë antiaustriake mori përmasa të gjëra popullore dhe shkaktoi vëllimin e protestave të përgjithshme që u shndërrua me të shpejtë në një rezistencë mbarëshqiptare. Politika xhonturke arriti të përvetësonte qëndrimin e shqiptarëve dhe t’i fus në pjesëmarrje aktive, që ka qenë faktor vendimtar për suksesin e revolucionit Xhonturk.

Premtimet e turqve të rinj me programin e tyre tërhoqën edhe  popujt e tjerë që kërkonin demokratizimin e Perandorisë. Xhonturqit e dinin se midis krerëve të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare kishte shumë ithtarë për demokratizimin  e vendit, e në veçanti klasa intelektuale. Prandaj shqiptarët me të madhe pranuan këtë lëvizje, pasi ishin të bindur se do të fitonin të drejtat shoqërore dhe politike drejt avancimit të çështjes shqiptare. Pas kësaj fshiheshin synimet e shqiptarizmit dhe kjo ishte arseja se pse shqiptarët marrin pjesë aktive në këtë lëvizje xhonturke.[3]

Krerët e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare ishin të bindur se me reformat e ardhshme që premtonin xhonturqit, shqiptarët do të fitonin autonominë dhe ruajtjen territoriale të Shqipërisë Etnike nga ndonjë agresion i papritur nga jashtë, e në veçanti pas reformave që kërkonte Austro-Hungaria me Rusinë, në pjesën evropiane të Perandorisë Osmane. Udhëheqësit e Lëvizjes Kombëtare ishin të orientuar edhe në luftë kundër forcave të brendshme antikombëtare të klerit, që vepronin në atë kohë në Shqipëri, si ato: katolik-ortodoks dhe ai mysliman, që ishin kundër kërkesave të autonomisë shqiptare”.[4] Kjo shihet më së miri në letrën e Dervish Himës dërguar Temos, në të cilën jep mendimet e Ismail Qemalit lidhur me masat që duhen marrë brenda dhe  jashtë vendit  për të përballuar rrezikun shovinist bullgar mbi trevat shqiptare lindore, rrezik  që po rritej në kuadrin e diskutimit të çështjes maqedonase” [5]

Politika xhonturke mori zhvillim më të hovshëm kur u transferua komiteti i tyre “Bashkim e Progres” në Selanik në vitin 1906, i cili luante rolin e një qendre të përgjithshme në tërë Perandorinë. Ky komitet tani ishte më afër ngjarjeve që zhvilloheshin në pjesën e Rumelisë, ku bënte pjesë edhe Shqipëria Etnike. Tani më propaganda xhonturke ishte shumë më afër shqiptarëve, si bartës të ardhshëm të të gjitha ndryshimeve në Perandori.

Por duhet theksuar se turqit e rinj, në fillim nuk merrnin në konsideratë kërkesat e popujve të shtypur për autonomi të tyre. Nuk pranonin çështjen nacionale të popujve të tjerë, që ishte problem thelbësor në përbërjen e Perandorisë. Synimi kryesor i politikës së tyre ishte centralizimi i pushtetit në dëm të popujve jo turq. Krerët e shqiptarizmit, me këtë rast, i afronte për bashkëpunim vetëm lufta kundër absolutizmit të sulltan Hamitit, ku pas kësaj fshihej synimi i krerëve shqiptarë në luftë për autonominë e tyre, që njëherë e përgjithmonë të shkëputeshin nga robëria shekullore turke. Ndër të parët në këtë lëvizje xhonturke, bënte pjesë vetë themeluesi Ibrahim Temo, me disa veprimtarë, si: Dervish Hima, Ismail Qemali, Hamdi Ohri, Kadri Prishtina, Jashar Erebara nga Dibra dhe mjaft atdhetarë të tjerë që vepronin brenda atdheut dhe jashtë tij.

Në Kongresin II që u mbajt po ashtu në Paris, në dhjetor të vitit 1907, pra pas pesë viteve nga Kongresi i mbajtur në vitin 1902, xhonturqit më në fund pranuan të përdorin forcën, duke shtyrë në kryengritje  të armatosur të gjithë popujt e pakënaqur, si mjet të luftës kundër absolutizmit të Sulltan Hamitit dhe për të rivendosur kushtetutën e vitit 1876, të bindur se me këtë kushtetutë do të siguronin qëndrueshmërinë e Perandorisë Osmane ndaj ndërhyrjes së huaj. Kjo temë u  bisedua edhe në kongresin që mbajtën xhonturqit në Paris  më 20.02. 1902, ku  nga krerët shqiptarë morën pjesë: Dervish Hima, i cili në atë kohë ndodhej në Romë, Ismail Qemail, mori pjesë nga Brukseli, Jashar Erebera, u dërgua nga studentët shqiptarë të Bukureshtit,[6] Kadri Prishtina, shkoi nga Kajro, njëherësh ishte edhe nënkryetar i Partisë “Bashkim e Progres”.[7]

Ismail Qemali, si anëtar i këtij Komiteti, paraqiti kumtesën e tij: “Lufta për mbrojtjen e pakicave kombëtare”, por nuk përmendi fare mbrojtjen e Shqipërisë Etnike.[8] Pasi mbaroi Kongresi, Ismail Qemali, në një takim që pati me Dervish Himën, para se të nisej për në Bruksel, i dha një porosi Himës, që duhej të kthehej në Shqipëri, për ta organizuar popullin. Ai midis tjerash tha: “Kur bullgarët nesër të bëjnë demarshet e tyre pranë Fuqive të Mëdha,  shqiptarët të parët duhet t’u venë atyre gardhin më të madh të kundërshtimit”.[9]  

Komiteti xhonturk pasi u vendos në Selanik, në vitin 1906-1907, u shpërngul edhe qendra e Komitetit Qendror të Partisë “Bashkim dhe Progres”. Qysh nga kjo kohë ka vepruar në Strugë dhe Elbasan dhe ka pasur bërthama ose degë të kësaj shoqërie. Në Shqipëri vepronin Dervish Hima dhe Hamdi Ohri, etj.,  përmes të cilëve dega e Kostancës, e drejtuar nga Temoja, mbante lidhje me Manastirin, Strugën, Elbasanin, Dibrën, Shkodrën, Tiranën, Durrësin, Ohrin, Korçën, Starovën, Beratin, Janinën dhe me qendra të tjera.[10]

Gjatë vitit 1908,  në katër vilajetet e Shqipërisë u themeluan komitete të fshehta kombëtare për lirinë e Shqipërisë, si: në Shkup, Manastir, Ohër, Prespë, Strugë, Gjirokastër, Shkodër, Prizren, Ferizaj, Mitrovicë e tjerë. Me këtë rast paralelisht u formuan edhe komitete  të xhonturqve “Bashkim e Progres”, ku krahas turqve në këto komitete hynë edhe shumë oficerë dhe intelektualë  shqiptarë si: Ibrahim Temo,  Ismail Qemali, Dervish Hima, Hamdi bej Ohri, Nexhib bej Draga, Shahin Kolonja, Rexhep Voka Tetova e të tjerë.[11] Politika xhonturke  e pati suksesin më të madh midis reparteve ushtarake, në veçanti me të madhe u përkrahën nga oficerët dhe ushtarët shqiptarë. Me këtë rast, shumica e ushtarëve shqiptarë të garnizonit të Shkupit, përkrahu lëvizjen xhonturke. Kështu ndodhi edhe me garnizonin e Shkodrës.

Xhonturqit, duke qenë të bindur se Turqia evropiane ndodhej në rrezik dhe një ditë mund të shkëputej nga qendra e Stambollit me ndërhyrjen e ndonjë fuqie të huaj, u bënë thirrje shqiptarëve dhe nacionaliteteve të tjera të shtypura, për një kryengritje të përbashkët të armatosur. Ky deklarim i tyre për dhënien e lirisë, barazisë dhe drejtësisë,  fitoi simpatinë e popujve të shtypur, e në veçanti morën përkrahjen e fuqishme të krerëve dhe popullit shqiptar.

NIJAZI BEJ RESNJA UDHËHEQËS I REVOLUCIONIT

Një ndër udhëheqësit kryesorë të revolucionit të Turqve të Rinj në Manastir me rrethinë, ishte edhe shqiptari Amed Nijazi Beu, i lindur në Resnjë, në vitin 1883.[12] Ky doli në mal, me një çetë prej 50 pjesëmarrësish dhe  ushtarësh të tij. Por sipas burimeve më të reja kapiteni i ushtrisë turke dhe komandanti i batalionit të Resnjes Nijazi Resna, doli në mal me batalionin e tij të përbërë nga 200 ushtarë, oficerë dhe disa civilë shqiptarë, pasi shumica nga ata vullnetarë ishin të veshur me tesha kombëtare shqiptare. Nijazi Resnja, doli në mal që të luftonte për rivendosjen e kushtetutës të vitit 1876, për heqjen e absolutizmit të sulltanit, për bashkimin e të gjithë nacionaliteteve të Perandorisë pa dallim feje e kombësie, nën parullën osmanizmit, ide e cila duhej ti përfshinte dhe ti bashkonte të gjithë nën flamurin e osmanizmit V.Xh).

Prandaj, në këtë revolucion shqiptarët u inkuadruan me të madhe, pasi ishin të bindur se me rrëzimin e Sulltan Hamitit do të ketë më shumë liri për të gjithë shtetasit e Perandorisë Osmane. Kësaj radhe, kryengritja filloi në Vilajetin e Manastirit, kur oficeri Nijazi Beu me lejen Komitetit qarkor të klubit “Bashkim e Progres” (Ittihad dhe terakki), vendosi të largohej nga repartet e Armatës III, me seli në Manastir, ku komandonte Ismail Pasha.[13] Me këtë rast, sipas marrëveshjes së mëparshme në shtëpinë e Haxhi Agës, midis kryetarit të komunës Xhemat Beut, majorit  të shtabit, Remzi Beut dhe komisarit politik të policisë, që kryengritja të fillojë në datën e caktuar, pra më 3 korrik, në Resnjë.[14]

Nijazi Beu doli në mal ditën e premte, më 3 korrik 1908, sipas marrëveshjes paraprake. Kjo datë merret edhe si fillim i kryengritjes në Vilajetin e Manastirit, më konkretisht në Resnjë shpërtheu kryengritja e  repartit  ushtarak të  Korparmatës III, nën komandën e oficerit shqiptar Ahmet Nijazi beut. Sipas deklaratave të Nijazi Beut, “Kryengritja në fillim u përkrah nga fshatarësia shqiptare e rretheve të Resnjës, Ohrit, Starovës, Elbasanit, Korçës dhe të Dibrës”. Në këto rrethe u formuan njësite vullnetare të armatosura dhe u hodhën në luftë kundër pushtetit autokratik të Sulltanit.[15] Ndër çetat më të njohura ishin: Osman Efendiut nga Prespa, e kapiten Zenunit nga Dibra, Kurtish Novosllës dhe ajo e Emin Pisoçanit, të cilët kishin nga 30 vullnetarë shqiptarë. Sot fshati Pesoçan nuk ka asnjë banorë shqiptarë.[16]

Në një tubim të tillë të mbajtur në fshatin Llabunishtë të Strugës, para popullit të grumbulluar të këtij fshati, ai përveç tjerash  tha edhe këto fjalë: ”Erdhëm që t’u ftojmë në luftën e shenjtë për të mirën dhe fatin e atdheut tonë, i cili ishte zhytur në robëri të rëndë. Çfarë bëjmë tani? Shtëpitë tona digjen në flakë. Tymi na e zë fytin, zjarri na djeg  e ne presim të bjerë kulmi i shtëpisë e të na zhdukë  nga faqja e dheut…Kudo çeta komitësh, luftë, gjak dhe pjesë të këputura nga trupi i fëmijëve  tanë. Serbët thonë se ky është atdheu i tyre, bullgarët kërkojnë: Ohrin, Dibrën, Shkupin, Selanikun, grekët; Manastirin, Prilepin,  Stambollin gjerë në Ankara. Por, mos  harroni: Shkodra dhe Janina, Novi Pazari dhe Prishtina, Shkupi dhe Velesi, të gjitha këto vise janë tonat. Ne duhet të zgjohemi patjetër nëse kjo fatkeqësi nuk pengohet, atdheun tonë do na e copëtojnë  armiqtë dhe do të hakmerren keq me ne. Do të na vënë në kokë kësula serbe, do të na i grisin mbulesat tona, do të na përdhunojnë  gratë dhe motrat tona. Neve do të fitojmë nëse e japim besën se do të luftojmë gjer në pikën e fundit të gjakut. Më mirë të vdesim me nderë sesa gjallë me turp”. Ky u pritë si çlirues në të gjitha këto troje shqiptare, deri në Dibër.[17]

Meqë termi “Maqedoni” dhe e ashtuquajtura çështje “maqedonase”, u imponuan në mënyrë arbitrare në qarqet diplomatike, pa u marrë në konsideratë realitetet historike dhe etnografike, cenonte rëndë edhe tërësinë gjeografike dhe etnike të Shqipërisë, kufiri i së cilës në lindje shtrihej  midis Shkupit e Velesit, mali Mokrino-fshati Barabaras në lindje të Makedonski Brodit, ndërmjet fshatrave Deviç dhe Ropotovë-fshati Sopot në juglindje të Kërçovës, i zhdukur në vitin 1913 nga forcat pushtuese serbe, vazhdonte ndërmjet fshatrave Vraneshnicë, Kërçovë dhe Dolencë, Demir-Hisar, Gjavatë, ndërmjet Manastirit e Resnjës dhe vazhdonte përmes Pelisterit.[18]  Shtrirja gjeografike e “Maqedonisë”, në kuptimin e saj më të gjerë, deri-diku përplasej me kufijtë e gjerë të Shqipërisë, konstaton edhe K. Pavlloviq.[19] Prandaj edhe termi “Maqedoni” ishte i pa pranueshëm për Perandorinë Osmane, kur dihet se administrata osmane gjatë gjithë sundimit të saj në këto territore, fare nuk njihte termin-emërtimin Maqedoni. Po ky  ishte i papranueshëm me atë domethënie edhe për Lëvizjen Kombëtare Shqiptare, për shkak të motiveve ekspansioniste që promovoheshin me atë emërtim apo nocion  ndaj tokave shqiptare, përkatësisht Shqipërisë Lindore.[20]

Urrejtja ndaj absolutizmit të Sulltan Abdylhamidit II, gjithnjë e më tepër po rritej, pasi ai po bënte lëshime shumë të mëdha Austro-Hungarisë dhe Rusisë. Nga këto rrethana, Manastiri me rrethinë ishte çuar në këmbë dhe kërkonte ndryshime. Stambolli urdhëroi Shemsi Pashën që të nisej nga Kosova, për të qetësuar Manastirin e trazuar, deri sa të arrinin përforcime të reja nga Stambolli.  Ky  më 3 korrik arriti në Ferizaj, por nuk u ndal që t’i bindej Mytesarifit të Prishtinës, për ngjarjet e  Ferizajt, por me të shpejtë u nis për në Prizren, për të qetësuar shqiptarët lidhur me ngatërresat që kishin lindur me rastin e hedhjes së kokave të derrit në Xhaminë e Sinan Pashës.  Në këtë kohë, Shemsi Pasha ishte gjenerali më i besuar i Sulltanit, ky ishte shqiptar nga Rozhaji, njëherësh edhe kundërshtar i madh i lëvizjes xhonturke, njëherit edhe mik i Isa Boletinit. Të cilët më vonë për këtë arsye e vranë Nijazi Beun kur kishte hipur në vapor në limanin e  Vlorës për të shkuar në Stamboll në v. 1914. V.Xh).

Ky me 20 batalione nga territori i Kosovës,  u  nisë për në Manastir. Shemsi Pasha, njiherësh njihej edhe si specialist për shtypjen e revoltave kundrejt shqiptarëve. Ky më parë ka shërbyer edhe si komandant i Divizionit ushtarak të Mitrovicës, së bashku me Sylejman Kylçen nga Tetova, i cili ka qenë adjutant i komandantëve të divizionit ushtarak të nizamëve në Mitrovicë dhe pjesëmarrës direkt në  lëvizjen xhonturke.[21] Shemsi Pasha,  posa arriti në Manastir, mori masa të ashpra disiplinore kundër të gjithëve që favorizonin lëvizjen xhonturke, ku bartës kryesor të kësaj kryengritje ishin vetë shqiptarët me oficerët e tyre.  Ky filloi të tregojë forcën e tij, duke thënë se do t’i nënshtrojë në zjarr e hekur Resnjën, Ohrin, Prespën, Korçën, Elbasanin dhe Dibrën. Pas kësaj propagande kundër tij, në Manastir oficerët xhonturq  së bashku me komitetin e tyre, përgatitën  atentat, ndërsa ky u vra nga dora e togerit Atif Bigali, në dalje të gjeneralit  nga posta, në mëngjesin e 7 korrikut, ku gjenerali me telegram e kishte njoftuar sulltanin, për masat që do të ndërmerrte kundër rebelëve ushtarakë.[22] Mendohet se atentatori Atif Beu, të ketë qenë nga treshet e Komitetit të Fshehtë për çlirimin e Shqipërisë, të themeluar në Manastir në vitin 1905. Pasi njeri nga mbrojtësit e gjeneralit, Haxhi Rifat Aga, po ashtu kishte lidhje të ngushta me Nijazi Resnjën para arratisjes së tij. V.Xh). Kjo vërtetohet në mbrojtje të gjeneralit,  pasi në rastin kritik  trup mbrojtësit e tij nuk gjuanin në atentatorin, por në ajër, përderisa në fund ai plagosë vetëm në këmbë, duke arritur të arratiset dhe të shërohet në Ohër. Kjo flet qartë për një koordinim të ngushtë të veprimeve midis anëtarëve të Komitetit “Bashkim e Progres” dhe Komitetit të Fshehtë Shqiptar për çlirimin e Shqipërisë, në luftë për mposhtjen e absolutizmit të Sulltan Abdylhamitit.

Kjo njëherësh ishte edhe fillimi i lëvizjes për autonomi në mbarë trevat shqiptare, ku me të madhe do të përfshinte Vilajetin e Manastirit deri në Dibër, pastaj do të shtrihej  në drejtim të Tetovës, Gostivarit deri në Shkup.[23] Për këtë ngjarje të rëndësishme, menjëherë më 4 korrik të vitit 1908, konsullata serbe në Shkup lajmëronte për kryengritjen dhe pa dëgjueshmërinë e ushtarëve dhe redifëve shqiptarë, për dezertimin e tyre nga kazermat  turke. Po ashtu, edhe oficerët shqiptarë kërkonin në të shumtën e rasteve nëpër mitingje, që të mbrohet çështja shqiptare. Ditët e para të korrikut, kasnecët përhapën lajmin mbi marshimin e ushtrisë austro-hungareze drejt Kosovës, kështu që në katër anët u lëshua kushtrimi kinse për mbrojtjen e  kufijve. Kjo propagandë turke si duket nuk pati sukses, për të çorientuar shqiptarët dhe udhëheqësit e tyre. V.Xh).

Në të njëjtën kohë, pra vetëm dy dytë pas kryengritjes së Resnjës, më 5 korrik  1908,  krerët e Prishtinës, Mitrovicës dhe Gjakovës u tubuan në Ferizaj, i njohur në historinë tonë kombëtare si Kuvendi i Ferizajt, që pati jehonë dhe rezultate të jashtëzakonshme. Shkas për këtë kuvend ishte lajmi se janë duke ardhur nxënësit e gjimnazit, me personelin e konsullatës  austro-hungareze dhe pjesëtarë të tjerë të grupit inxhinieringut  nga Selaniku e Shkupi,  për të vizituar kinse qytetin e Ferizajt, pasi që në atë kohë ishin përhapur zërat se njësite ushtarake austro-hungareze mbaheshin në gjendje gatishmërie në kufij me Bosnjën.

Pas tre javëve të kryengritjes, Nijazi beu kontrollonte Prespën, Strugën, Resnjën dhe Dibrën. Çdo kund ky i largoi nëpunësit turq dhe tagrambledhësit, duke emëruar njerëz të revolucionit. Më 22 korrik, kryengritësit e rrethojnë Manastirin, të nesërmen sëbashku me çetën e oficerit nga Ohri Ejup Sabriut, ky më vonë mori pjesë në Kongresin e Dibrës dhe të Manastirit,[24] Këta si udhëheqës të revolucionit xhonturk, hynë në Manastir dhe i lëshuan të gjithë të Burgosurit.[25]

Shqiptarët e moshës madhore, sa u përhap ky lajm, me të shpejtë rrokën armët dhe u grumbulluan në drejtim të Ferizajt. Në këtë Kuvend morën pjesë, sipas të dhënave serbe, mbi 15 mijë shqiptarë nga kazaja e Gjilanit, Preshevës, Prishtinës, Shkupit, Tetovës dhe regjioneve të tjera të Kosovës.[26] Ky kuvend zgjati deri më 23 korrik 1908, në të cilin u zhvilluan diskutime rreth shumë çështjeve aktuale të ditës, madje edhe rreth miratimit të dokumentit në formë memorandumi, i përbërë prej 8 pikash.[27]

KUVENDI FERIZAJIT

Siç pamë më lart, Kuvendi i Ferizajt filloi tubimin e tij më 5 korrik,  konsultimet mbaheshin në xhaminë më të bukur të Ferizajt, në “Hamidije”.  Sipas raporteve të konsujve të huaj për këtë tubim, thuhej “se qëllimet janë të errëta”. Në radhë të parë pengoheshin projektet e Austro-Hungarisë drejt Shkupit dhe Selanikut. Prandaj, diplomacia Austro-Hungareze, në këtë kohë bëri shumë zhurmë, trajtoi tubimin nga këndi i vet, duke aluduar  “se ky tubim duhet të jetë tubuar në radhë të parë kundra Austrisë dhe trimave të Orientit”, në radhë të dytë kundra myshirit Ismail Pasha, i cili së bashku me mydyrin e Ferizajt u detyruan të japin dorëheqje nga detyra. Pa marrë parasysh presionet politike, shqiptarët vazhduan të tubohen, ku deri në pjesën e parë të korrikut, numri i tyre arriti mbi 10-15 mijë vetë. Tubimet e përgjithshme  u mbajtën afër Stacionit hekurudhor,  i njohur si vend i kuvendeve shqiptare, të cilët zgjatën deri më 23 korrik të vitit 1908.[28] Kjo prani e madhe e shqiptarëve në këto Kuvende, pa marrë parasysh arsyet, u shfrytëzua nga Komiteti “Bashkim e Progres, me një mjeshtëri dhe zgjuarsi të jashtëzakonshme politike, përkatësisht nga udhëheqësi i xhandarmërisë dhe anëtarit të klubit të xhonturqve, Galip Beu, i cili për herë të parë vizitoi Ferizajn, më 7 korrik, me disa oficerë turq, që ishin të ndihmuar fuqishëm nga Rexhep Hoxhë Tetova dhe Sherif Efendiu. Ky i fundit, për të bindur të pranishmit në tubimet e Ferizajt, disa herë u bëri thirrje pjesëmarrësve përmes Kuranit, që të pranojnë ofertat e  xhonturqve. Për këtë veprim pro, Sherif Efendiu në zgjedhjet e ardhshme parlamentare u nominua deputet. V.Xh).

Në praninë e Galip Beut në Kuvend, krahu xhonturk mori fuqi, tanimë ishin prezentë personalitetet më të shquara të vilajetit, ndërsa më të zëshmit ishin përsëri këto dy figura; Myftiu i ardhshëm i Manastirit, Rexhep Efendiu nga Tetova dhe Sherif Efendiu nga Prizreni.[29] Pastaj radhiteshin paria e Shkupit, në krye me Sahit Hoxhën dhe myftiu i Prishtinës, Xhemail Aga dhe Fuat Pasha.

Po ashtu, në këtë tubim bënin pjesë edhe krahu  luftarak si: Zejnulla Beu i Vushtrrisë me Hasan Prishtinën, nga Jeni Pazari, Murat Beu dhe Osman Pashiq; Sjenica, Ismail Spahoviq dhe Nazif Agai; Mitrovica, Isa Boletini, ky për shkak të vdekjes së vajzës e lëshoi tubimin më herët,  Sulejman Agë Batusha, Qerim Beu, Sali Agai, Ferat bej Draga, Zejnulla Beu,  Qenan Beu dhe Ahmet Agai. Po ashtu, nga Peja ishin: Jahaj Beu, Rasim Aga, Mahmut Beu, Zenjella Beu dhe Qerim beu; nga Budakova, Hasan Hyseni; Gjakova, Qerim Mahmut Begolli, Hasan Efendiu, Iljaz Beu e tjerë. Nga Prizreni ishin Jahja Aga dhe Rasim Agai; nga Luma, Mustaf Lita, Ramdan Zaskoci Sherif Aga dhe Haxhi Rust Kabashi,[30] kurse nga Tetova, pos Rexhep Vokës, merrnin pjesë edhe Emin Beu, Halim bej Deralla, Murat Beu dhe Aqif Pasha, ky i fundit ishte pjesëmarrës edhe në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit.[31] Ndërsa gazeta “Kosova”, përmend gabimisht edhe emrin e Mehmet pashë Derrallës.[32] Nga Presheva ka marrë pjesë, Kadri Hasani; nga Gjilani, Idriz Seferi dhe Ramë Abdyli; Nga Tërpeza, Sali Kupina dhe nga Pozharani;  Ramë Topalli, Zeqë Pira dhe Islam Pira, që njihen edhe si organizatorë të këtij Kuvendi.[33]

Ky Kuvend zgjoi interesim të madh tek qarqet diplomatike dhe konsullore të shteteve të mëdha dhe diplomatëve të tyre të akredituar në vilajetin e Kosovës dhe të Manastirit. Për këtë ngjare ka qenë shumë e interesuar diplomacia austro-hungareze, pasi që në këtë Kuvend shqiptarët u shprehën publikisht kundër politikës austro-hungareze. Shqiptarët në këtë Kuvend shprehën qëndrimin e tyre kundër çdo agresioni të jashtëm, të gatshëm që me armë ta kundërshtojnë çdo sulm nga jashtë, qoftë edhe atë nga dy super fuqitë e kohës ruso-austriake, të cilat në këtë kohë kishin fituar disa koncesione nga vetë Sulltani.  Ky dyshim i shqiptarëve doli shumë i saktë, kur dy muaj më vonë në tetor 1908, austro-hungaria e shpalli aneksimin e Bosnjës.[34] Këtë qëndrim të prerë të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare do të tentojnë ta përvetësojnë për interesa të veta shtetet e Ballkanit, në radhë të parë Serbia.

Numri i shqiptarëve në Kuvendin e Ferizajt, aty ka kah fundi i muajit korrik arriti mbi 30.000 vetë njoftonte gazeta bullgare “Iskra”,  që botohej në Selanik.[35] Sipas konsujve austro-hungarez, numri i shqiptarëve në këtë Kuvend ka qenë shumë më i madh. Sipas Prohaskës, “në këtë tubim pati mbi 44 mijë vetë”.[36] Nga ky Kuvend; përfaqësues të Mitrovicës, Jeni Pazarit, Prishtinës, Ferizajt, Shkupit, Tetovës, Gostivarit dhe viseve të tjera të vilajetit të Kosovës, i dërguan Sulltanit, më 20 korrik të vitit 1908, një telegram me 180 nënshkrime. Këta përfaqësues të Vilajetit të Kosovës, kërkonin nga sulltan Abdyl Hamidi II, unanimisht hyrijetin (lirinë) dhe rikthimin e Kushtetutës së vitit 1876.[37]

Më 22 korrik, para se të miratohej Itifaknama, Kuvendi i Ferizajt i dërgoi Sarajit të Sulltanit një telegram tjetër, ku thuhej se në rast se nuk shpallej menjëherë Kushtetuta e vitit 1876, populli me armë në dorë do të zbriste drejt Stambollit. Në të vërtetë, organet e pushtetit gati në tërë Vilajetin e Kosovës dhe të Manastirit u paralizuan në të gjitha fushat e jetës politike dhe administrative, ato ishin plotësisht në duar të shqiptarëve, gati më se një muaj të zgjatjes së Kuvendit në Ferizaj, jeta në këto dy vilajete funksiononte bindshëm nën mbikëqyrjen e oficerëve dhe krerëve shqiptarë.[38]

Sulltani, nga kjo situatë e krijuar në Shqipërinë Verilindore, u gjind në një pozitë tejet të vështirë politike, ku masa  prej 30.000 vetash prisnin komandën  në gjendje gatishmërie, për të marshuar drejt Shkupit e Selanikut, për në  Stamboll. Shqiptarët kanë një moral të lartë, nuk plaçkitin, “por kërkojnë pavarësi dhe çlirim kombëtar”.[39] Kjo kërkesë e popullit shqiptar e shqetësoi pamasë jo vetëm sulltanin, por edhe xhonturqit, që kishin nxitur shqiptarët të bashkëpunonin me ta. Më 23 korrik, pa ardhur ende përgjigja nga Stambolli, kryengritësit shqiptarë e shpallën Kushtetutën në Selanik, pastaj e shpallën në Manastir, Shkup, Preshevë, Veles e shumë qendra të tjera shqiptare.[40]

Më 24 korrik, Sulltan Hamiti pranoi dhe shpalli rivendosjen e Kushtetutës, e cila u pritë në mbarë Perandorinë me gëzim të madh  dhe me manifestime të ndryshme. Sipas konsullit Prohasaka: ”Tubimi i shqiptarëve në Ferizaj ishte një nga më të mëdhenjtë që me shekuj nuk mbahej mend”.[41]

Kryengritësit e mbanin të rrethuar Ferizajn 15-23  korrik 1908

Tubimi i Ferizajt u shndërrua në një demonstratë të vërtetë popullore, me të cilin shqiptarët kërkonin kthimin e Kushtetutës të Mithat Pashës, e cila parashihte për popujt e nënshtruar ligjshmërinë, lirinë dhe përparimin e kushteve ekonomike dhe sociale të qytetarëve. Ky tubim i shqiptarëve në Ferizaj i dha fuqi të madhe Lëvizjes Xhonturke drejt grabitjes së pushtetit. Ky Kuvend, pati  rezultate të jashtëzakonshme në favor të Turqve të Rinj, ku rol të rëndësishëm  në mesin e shqiptarëve patën oficerët e lartë shqiptarë që mbanin poste kyçe në Vilajetin e Kosovës, si: Selahedin Beu dhe Galip Beu, të cilët kishin influencë të madhe në kryeqendër të Vilajetit, në Shkup.[42] Nën-komiteti i Shkupit, që midis anëtarëve të vet kishte nënkolonelin Vasi Beu, pastaj Salih Beun, ish-kryetarin e  bashkisë së Shkupit dhe Haxhi Mustafa Hamdiun, që kishin një influencë të madhe, ia doli në krye të bind ata se mjeti më i mirë shërues për nevojat dhe brengat e tyre ndodhej në konvokimin e një mexhlisi nacional, të dërguar prej Ferizajt për në Stamboll, që në emrin  e tyre të siguronte solidaritetin e plotë me Komitetin “Bashkim e Progres”, që ka pasur influencë mbi vendimin e Sulltanit për të akorduar Konstitucionin e dëshiruar. Edhe Ismail Qemali i ka dërguar një telegram përshëndetës, Reshit Pashës, ku solidarizohet me shqiptarët pjesëmarrës në revolucionin xhonturk.[43]

Kuvendi i Ferizajt ka qenë tubimi më i madh i shqiptarëve të Kosovës, që nga periudha e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit 1878-1881. Krerët shqiptarë, të shqetësuar për situatën e krijuar politike dhe për të mbrojtur tokat shqiptare nga copëtimi i jashtëm, u ngritën me armë prej rretheve të Manastirit, Strugës, Dibrës, Kërçovës, Prizrenit, Gjakovës, Prishtinës, Vushtrrisë, Gjilanit, Preshevës, Kaçanikut,  Shkupit, Tetovës, Gostivarit etj.[44]

Shqiptarët, të bindur thellë se me shpalljen e parlamentarizmit nën qeverisjen turke, do të plotësohen disa kërkesa jetike të çështjes sonë kombëtare, siç ishte kërkesa për autonomi,  në Kuvendin e Ferizajt pas dy javë kuvendimi, më të zëshëm ishin: fanatikët e Prishtinës, Prizrenit, Tetovës, Shkupit etj, kurse ndikim më të madh në Kuvendin e Ferizajt ka pasur Rexhep Efendi Tetova nga fshati Shipkovicë.[45]

Në Kuvendin e Ferizajt doli fituese rryma e xhonturqve, të udhëhequr nga Galip Beu, anëtar i komitetit “ Bashkim e Progres” në Shkup. Ky me vete kishte   Kryetarin e klubit të Tetovës, Rexhep Hoxhë Vokën dhe Emin Beun e Tetovës, pjesëmarrës i Lidhjes së Prizrenit, të cilët arritën në Ferizaj më 15 korrik.[46] Këta u bashkuan  me përkrahësit e rrymës së konstitucionit  dhe rendit parlamentar, siç ishin: Xhemail agë Prishtina, Xhemil Efendi Prizreni, Sherif Efendi Prizreni dhe Halim bej Derralla. Halimi ishte përkrahës i ideve liberaliste, ku bie ndesh me idetë e babës së tij, Mehmet Derralla, i cili për interesa të tij personale mbante krahun e Sulltanit, edhe pse në këtë kohë ishte i internuar dhe nuk mori pjesë në këtë Kuvend. Ky u lirua  nga internimi një muaj pas ardhjes së xhonturqve në pushtet. V.Xh).[47]

Në këtë Kuvend, anëtarët dhe përkrahësit e ideve xhonturke shfrytëzuan situatën e krijuar, duke ua paraqitur shqiptarëve kushtetutën e re, si të vetmen rrugë për të shpëtuar nga shtypjet, nga ndërhyrjet e huaja dhe nga rreziku i copëtimit të Shqipërisë Etnike. U premtua liria dhe zakonet që përfshinë të drejtën e mbajtjes së armëve, hapjen e shkollave shqipe etj. Këto oferta të programit politik të xhonturqve u pranuan edhe nga Isa Boletini dhe Bajram Curri.[48]

Pra, Kushtetutën e vitit 1876, edhe shqiptarët e konsideronin si përpjekje për forcimin e perandorisë, sepse ajo mbronte edhe tërësinë territoriale të atdheut të tyre. Idetë liberale dhe këmbëngulja e vazhdueshme për zbatimin e reformave, që do ndihmonin përparimin e Perandorisë Osmane, i mbronte edhe Ismail Qemali. Ai do të deklarojë: “Mbështetje në një politikë të hapur me vendet e zhvilluara evropiane dhe sidomos me Anglinë”, të cilën e shihte si një fuqi që kërkonte ta ndihmonte miqësisht Perandorinë, gjatë periudhës së vështirë që po kalonte Turqia. Kjo bindje e Ismail Qemalit, solli si pasojë acarimin e marrëdhënieve të tij me Sulltan Abdyl Hamidin, pasi që Ismail Qemali që në moshë të re bashkëpunoi ngushtë me reformatorin e madh Mit’hat Pashën dhe mori pjesë në hartimin e kushtetutës së parë osmane, shpallur më 1876, ku neni 108 i kësaj kushtetute pranonte që “administrata e krahinave do të kishte si themel parimin e decentralizimit” dhe parashihej krijimi i një vilajeti shqiptar,[49] edhe pse  kushtetuta e cila kishte për qëllim forcimin e Perandorisë Osmane, mbeti e pazbatuar deri në Kuvendin e Ferizajt, më 1908. Sulltan Abdylhamidi e kishte marrë “promemorien” nga burrat e Kuvendit të Ferizajt, më 20 korrik, të lëshuar në emër të shqiptarëve të Kosovës, ku kërkohej rikthimi në fuqi i Kushtetutës së vitit 1876 dhe thirrja e parlamentit. Kjo i kishte shkaktuar Sulltanit  “një goditje të papritur dhe i kishte lënë një përshtypje më të madhe, sesa vërejtjet e të gjithë turqve apo të përfaqësuesve diplomatikë të Evropës”, do të deklarojë  në kujtimet e veta, Ismail Qemali.[50]

Pas tri ditësh, i trembur se ushtria dhe kryengritësit kosovarë mund të hynin në Stamboll, Abdyl Hamiti II  rivendosi Kushtetutën në fuqi, më 23 korrik të vitit 1908.[51] Kthimi i Kushtetutës më së pari u shpall në Manastir dhe Selanik, kurse ky lajm u shpall më 24 korrik edhe në shtyp. Menjëherë pas njohjes së kushtetutës prej Sulltanit, u formua Qeveria e Re, e përbërë prej turqve të rinj. Kjo ringjallje konstitucionale u quajt Hyrijet (Liri), e cila  u prit me gëzim të madh prej shqiptarëve, duke shpresuar se turqit e rinj do ta mbajnë fjalën dhe premtimet e dhëna dhe do t’i rinë besnik kushtetutës. Nëpër të gjitha qytetet e Perandorisë u bënë festime, kurse më të bujshme u bënë në trojet shqiptare të pjesës lindore: në Manastir dhe Shkup. U liruan të burgosurit, u falën të ikurit nëpër male, të cilët u kthyen nëpër shtëpitë e tyre. Në Tetovë, pas leximit të fermanit të sulltanit për amnisti, më 24 korrik pas dite, hyri në qytet çeta e Liman Mustafës, e cila numëronte mbi 150 luftëtarë. Ky njësit kishte marrë pjesë në Kuvendin e Ferizajt, së bashku me vullnetarët e Halim Derrallës. Me këtë rast u mbajt manifestim i madh deri në mëngjes, ku morën pjesë edhe vullnetarët nga rrethina e Gostivarit dhe Luma.[52]

Papritmas, gjatë mbajtjes së manifestimit në sheshin e Tetovës, u përhap lajmi se 4-5 mijë luftëtarë nga Nahija e Lumës, janë vendosur në periferi të Tetovës, rrëzë malit Sharr, dhe kërkojnë sqarim për reformat e reja të shpallura, me pretekst se nuk janë në përputhje me rendin dhe sheriatin. Por, Rexhep Efendi Tetova arriti t’i bindë se çdo gjë është në përputhje me sheriatin, se “s’ka asnjë shkelje të ligjit”, atëherë edhe luftëtarët e Lumës iu bashkuan manifestimit.[53]

Pas rikthimit të jetës parlamentare në Perandorinë Osmane, filloi të ndihet një frymë e re e lirisë. Vetëm disa fanatikë myslimanë, sidomos ata që përfitonin prej regjimit të vjetër, e pritën ftohtë këtë ngjarje të madhe historike, ndërsa Lëvizja Kombëtare Shqiptare i dha mbështetje të fuqishme xhonturqizmit, si Ismail Qemali, Dervish Hima, Bajram Curri, Isa Boletini, Hasan Prishtina, Rexhep Vokë Tetova e shumë të tjerë, të cilët e përkrahën kërkesën e turqve të rinj.[54]

Në Kuvendin e Ferizajt, forcat liberaliste të udhëhequra nga Bajram Curri, dolën fituese ndaj forcave centraliste, që ende në këtë kohë mbanin anën e Sulltanit.[55] Mospajtimet u dukën jo vetëm në radhët e xhonturqve, por edhe ndërmjet tyre dhe shqiptarëve.

 



[1] Gligor Todorovski, Serbija i reformite vo Makedonija, Shkup 1987, f. 199.

[2] Abas Ermenji, Albania, Romë 1988, f. 265.

[3] P. Bartl, vep. e cit. f.154.

[4] Gazeta “Drita”, Sofje, nr. 81 më 15 korrik 1906.

[5] Ismail Qemali, Përmbledhje dokumentesh…, dok. nr. 49. f. 83, më 13 shkurt 1902.

[6] I. Qemali…, Dok. 49, f. 33-34.

[7] Eqber Skendi, Hoxhë Kadriu-(Kadri Prishtina), Prishtinë 1992, f. 13-14.

[8] Ismail Qemali, “Unë fola për pakicat, pasi nuk guxoja ta përmendi Shqipërinë,  por ajo ishte  në zemrën time”.

[9] Ismail Qemali…, dok. 49. f. 83-84.

[10] Pavarësisht peripecive që hoqi Dr. Temo në Strugë në verën e vitit 1889, duke u arrestuar nga agjentët e Stambollit, deri në vitin 1895, në Stamboll u arrestua edhe katër herë të tjera. Në Rumani, agjentët e Stambollit tentuan disa herë ta helmonin. Të dënuarin me burgim të përjetshëm nga Porta e Lartë e Stambollit.

[11] Ismail Qemali, Dok. nr. 82, f. 114.

[12] Manol Pandevski, Politiçkite parti i organizaciji vo Makedonija 1908-1912, Shkup 1965, f. 281.

[13] Ismail Qemali,  Përmbledhje dokumentesh, shih, dok. 82, Raport i Esat Pashës,  dërguar sulltanit, ku njofton për përfundimin e  hetimeve lidhur me pjesëmarrjen e oficerëve në komitetet xhonturke dhe elementët e arratisur,  më 12 korrik 1908. Esat  Pasha, në këtë kohë ishte Gjeneral Divizioni,  ëvendës i mareshalit të Armatës së Tretë perandorake.

[14] Ismet Dërmaku, Rilindja Kombëtare Shqiptare dhe kolonitë shqiptare të mërgimit në Rumani dhe Bullgari, Prishtinë 1987, f. 340; Reshat Nexhipi, Prespa dhe Manastiri nëpër shekuj, Kërçovë 2003, f. 61; Tajar Tetova është i lindur në Tetovë, me gradë ka qenë oficer ushtarak dhe ka shërbyer në ushtrinë turke. Në fillim ka mbrojtur fuqishëm Perandorinë dhe interesat e saja, por më vonë ka dhënë një kontribut të fuqishëm në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare edhe në Shpalljen e Pavarësisë në Vlorë.

[15] Historia e popullit shqiptar, II, 2002 Tiranë, f. 374.

[16] Fshatii Pesoçan, ky fshat sot fare nuk ka banorë shqiptarë, pasi u dogj nga ushtria serbe në vitin 1913, ku një pjesë të banorëve të saj i vrau në mënyrë më mizore duke i fut të gjallë në pus pranë fshatit, ndërsa pjesa tjetër u shpërngulën nga dhuna e ushtrisë serbe, pasi akuzoheshin se kishin marrë pjesë aktive në Kryengritjen e Shtatorit, që kishte filluar në Dibër, por më të madhe ishte përhapur në tërë trevat e Shqipërisë Lindore.

[17] Reshat Nexhipi, Prespa dhe Manastiri nëpër shekuj, Kërçovë 2003, f. 60-61.

[18] Halim Purrellku, Aspekte të Kryengritjes së Ilindenit në raport me interesat shqiptare, Çështja e reformave në “tre Vilajetet” (“Maqedoni”), dhe imponimi i të ashtuquajturës “çështja maqedonase”, Seminari i III, Ndërkombëtar i Albanologjisë, në USHT, Tetovë-Shkup 2009, f. 201. 

[19] Stefan K. Pavlloviq, Istorija Balkana, (përkthyer nga serbishtja Çedomir Antiq), KLIO, 2001, f. 247.

[20] Halim Purellku, Aspekte të Kryengritjes së Ilindenit në raport me interesat shqiptare, çështja e reformave në “tre Vilajetet” (“Maqedoni”)…, f. 201. 

[21] Shefqet Pllana, Kuvendi i Ferizajt më 1908, sipas disa bashkëkohësve, “Gjurmime albanologjike”, Prishtinë 1997, f.101-103.

[22] Raport i konsullit Zambuar në Mitrovicë, Ministrit Erentall në Vjenë, më 8 korrik 1908;  Ali Vishko,  Kongreset e Alfabetit dhe të shkollës shqipe,  Shkup 1992,  f. 27.

[23] Raport i përfaqësuesit serb  Jeliçka nga Shkupi, dërguar Beogradit 27 qershor 1908; HHStA, Pa, ”Mendimi politik”, i Ambasadorit Pallvaçini nga Stambolli, dërguar Vjenës, më 5 maj 1910.

[24] Ejup Sabriu, edhe pse ishte oficer në shërbim të Perandorisë Osmmane, mori pjesë edhe në Kongresin e Dibrës 1909 dhe të Manastirit në v. 1910.

[25] Manol Pandevski, Politiçkite parti i organizaciji vo Makedonija…, f. 26.

[26] Historia e popullit shqiptar II, vep. e cit. f. 375. Vebi Xhemaili, Shqiptarët e Pollogut në luftë për çlirim e bashkim kombëtar, Tetovë 2003, f.

[27] Zhivko Avramovski, Izveshtaji austro-hungarski i konzula u Kosovskoj Mitrovici, Prizrenu i Skoplju, o odborskoj Skupshtini u Ferizoviqu, 5-23 jula, 1908; “Vjetar-Godishnjak”, Arhiva II-III, Prishtinë 1970, f. 320-322.    

[28] Zhviko Avramovski, Raportet e konsujve  austro-hungarezë në Mitrovicë, Prizren për Kuvendin e Shqiptarëve  në Ferizaj, “Përparimi” Prishtinë 1976, f. 581.

[29]Arkivi i Maqedonisë-Shkup, Fond. PP, mikrofilmi 332, raport i konsullit Millan Peqanacit nga Prishtina, më 18 korrik 1908. Zh. Avramovski, Izveshtaji austroungarskih konzula u Kosovskoj Mitrovici, Prizrenu i Skoplju o odborskoj Skupshtini u Ferizoviçu 5-23. jula 1908, “Vjetari”, II-III, Prishtinë  1970, f. 312-314.   

[30] Shefqet  Pllana, “Gjurmime albanologjike”, (seria 26-1996), Prishtinë, 1997, f. 105; Gjyltekin Shehu, “Shqiptarët e Maqedonisë” ,(material i simpoziumit, ngjarjet në vilajetin e Kosovës sipas burimeve franceze, 1908- 1912),  Shkup, 1994. f. 290

[31]Vebi Xhemaili, Pjesëmarrja e shqiptarëve të Pollogut në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, “Fakti”, (fejton), Shkup 2003.

[32]Gazeta “Kosova”, Konstancë, kallnor 1942; Në bazë të dëshmive që kemi, në vitin 1908, Mehmet  pashë Tetova, ka qenë i internuar në Bagdad,  pas mbajtjes së Kuvendit të Ferizajt ai fiton amnistinë  nga Sulltan  Abdylhamiti,  prandaj nuk ka pasur mundësi të marrë pjesë në Kuvendin e Ferizajt. Gazeta “Kosova”, si duket e ka përzier me pjesëmarrjen e djalit të tij Halim bej Derrallën. Poashtu e konsulli francez në Shkup, Pichon, nuk e përmend fare emrin e Mehmet pashë Derrallës.                                                                                     

[33] Historia e popullit shqiptar II…, f. 376.

[34] V. P. Potemkin, Istorija Diplomatije…, f.167.

[35] Dimitar Vllahov, Makedonija i maldoturska revolucija, “Istoriski çasopis”, III, Beograd , f. 35;  Shaban Demiraj-Kristaq Prifti, Kongresi i Manastirit,Tiranë 2004, f. 52; Gazeta ”Iskra”, Selanik, viti 1908.

[36]Zhviko Avramovski, Raportet e konsujve  austro-hungarezë në Mitrovicë, Prizren për Kuvendin e Shqiptarëve  në Ferizaj, “Përparimi” Prishtinë 1976, f. 581-582.

[37] Zivko Avramovski, Izveshtaji austroungarskih konzulla u Kosovskoj Mitrovici, Prizrenu i Skoplju o odborskoj Skupshtini u Ferizoviçu 5-23. jula 1908. “Godishnjak”, II-III, Ahriv Koosva , Prishtinë 1970. f. 312-314. Kjo kushtetutë ishte përgatitur nga Mithat Pasha.

[38] Zhivko Avramovski, Raportet e konsujve austro-hungarezë në Mitrovicë, Prizren e Shkup, për Kuvendin e Shqiptarëve në Ferizaj, mbajtur prej 5-23 korrik 1908, “Përparimi”, nr. 7, 1967, f. 868.  

[39] Raport nr. 80, i Zëvendës konsullit Pizhon, nga Shkupi, më 24 korrik 1908.

[40] Historia e popullit shqiptar ii…, f. 377.

[41] Raport i konsullit Prohasaka, nga Prizreni, Ministrit Erentall, në Vjenë, teleg. nr. 124, më 29 korrik 1908.

[42] Galip Beu, ishte funksionar i lartë në administratën turke, me origjinë, shqiptar nga Kosva.

[43] Ismail Qemali, Përmbledhje dokumentesh, telegram i Ismail Qemalit, më 30 tetor 1908, dërguar Reshit Pashës, shqiptar për kah origjina, ku Ismail Qemali ka shpresë se xhonturqit do ti përmbushin kërkesat shqiptarëve.

[44] Avstriski dokumenti za istorijata na makedonskiot narod 1907- 1908, Tom II. Shkup, 1981. dok. 99; Shefqet  Pllana, “Gjurmime albanologjike”, (seria 26-1996) pinim i cit. f. 107; “Kosova”, 11 kallnor 1942.

 [45] Zivko Avramovski, Izveshtaj austrohungarski…f. 315;  Tetovo i tetovsko niz istoriata, vep. e cit. f. 287-288; Shënime të mbledhura nda autori, Rexhep Efendi Tetova, ka lindur në fshatin Shipkovicë, në vitin 1844, Ka mbaruar studimet e larta në Stamboll, drejtimi i  Teologjisë. Më vonë emërohet Myfti  në Manastir, është pjesëmarrës në Kuvendin e Ferizajt, dhe në Kongresin e Alfabetit  në Manastir dhe Dibër. 

[46] Zekeria Cana, Lëvizja Kombëtare Shqiptare në Kosovë 1908-1912, Prishtinë 1979, f. 37; Shukri Rahimi, Vilajeti i Kosovës, Prishtinë 1967, f. 122; Tetovo i tetovsko niz istoriata, vep. e cit. f. 287.

[47] Pra nuk qëndron konstatimi që jep Niman Ferizi, Familja Curri, Konstancë 1930, f. 16. 

[48] Emin Pllana, Kosova dhe reformat në Turqi, vep. e cit. f. 264; Abas Ermenji,  Albania, vep. e cit. f. 265; “Kosova”, kallnor më 1942; Sipas kësaj gazete: “Më  këmbëngulës në Kuvendin e Ferizajt, që me ushtri të niset menjëherë për në Stamboll, ka qenë Bajram Curri”.

[49] Mithat Pasha, pak muaj pas emërimit si qeveritar dhe reformator i madh turk u arrestua, u dëbua nga Perandoria dhe, më vonë u vra.  Ndërsa, Ismail Qemali për idetë e tij liberale dhe bashkëpunimin me Mit’hat Pashën, që binin ndesh me regjimin absolutist të Abdul Hamid-it II, vuajti 7 vite internim (1877-1884).

[50] Instituti i Historisë-Tiranë, Kujtimet e Ismail Qemalit, Londër 1920. Më 1897 ai i paraqiti një “promemorie” sulltanit, ku i sugjeronte që të ndërmerrte reforma të menjëhershme për të shpëtuar Perandorinë nga “fundi shumë tragjik”. për të vënë në jetë këto reforma Ismail Qemali e këshillonte Abdul Hamidin që të vinte në zbatim, pa asnjë vonesë, kushtetutën e vitit 1876, duke u përpjekur për forcimin e Perandorisë, ai mbronte edhe tërësinë territoriale të atdheut të tij. “pas fitores së revolucionit të xhonturqve korrik 1908, u kthye në Shqipëri dhe u zgjodh deputet i sanxhakut të Beratit, në Parlamentin Osman. Pritja që i bëri populli i Vlorës, ditën që u kthye në atdhe, më 18 shtator 1908, ishte madhështore.

[51] Historia e popullit shqiptar,  II, Tiranë 2002, f.377.

[52] Tetovo i tetovsko niz istorijata, vep.  e cit. f. 286. 

[53] Po aty, f. 288.

[54] Gazeta “Kosova”, Kallnor të vitit 1942; “Gjurmime albanologjike”, (seria-26), punim i cit. f. 89.

[55] Emin Pllana, Kosova dhe reformat në Turqi, Prishtinë 1978, f. 237.

Filed Under: Histori Tagged With: delegatet e Kuvendit, kryengritja e Resnjes, Vebi Xhemaili

Artikujt e fundit

  • Dalip Greca – Emër i Pashuar
  • Dalip Greca, një emër në kujtesën e gazetarisë shqiptare
  • Dalip Greca, një profesionist dhe patriot i madh
  • Kur vdekja merr krijues dhe atdhetarë të mirëfilltë
  • Lamtumirë kolegu ynë Dalip Greca
  • IN MEMORIAM, DR. GJON BUÇAJ
  • Ikja e Dr.Gjon Buçaj e Dalip Grecës, komuniteti humbi dy patriotë të përkushtuar
  • Një prej atij brezi…
  • I PAHARRUAR QOFTE KUJTIMI I Dr. GJON BUCAJ
  • DR. GJON LEK BUÇAJ, NË SYTË E NJË MIKU TË VJETËR
  • Requiescat in pace Dalip Greca! Pushofsh në paqe mik e koleg i çmuar!
  • Vajtojmë njeriun fisnik e patriot Dalip Grecën
  • U PREHËSH NË PAQE E PËRJETËSI DR. GJON BUCAJ
  • Mbaj zi për mikun tim, Dalip Greca
  • IKU DUKE SHKRUAR

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari Albin Kurti alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla Astrit Lulushi Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fadil Lushi Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Tregim Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT