Nga Naum Prifti/
-Ripublikohet me rastin e Vitit të Konicës(2016),shpallë nga Federata Panshqiptare e Amerikës/
Kongresi i Manastirit krijoi alfabetin e gjuhës sonë me kritere shkencore në harmoni me tingujt e shqipes. Deri atëherë, si rrjedhojë e mungesës së një shteti të organizuar dhe të institucioneve shkollore, qarkullonin një mori alfabetesh. Buzuku, Budi e Bogdani, shkrimtarët tanë të hershëm, i shkruan librat e para shqipe me alfabetin e latinishtes, por me kombinime ose shenja diakritike që t’i afroheshin gjuhës së folur. Sot ata mund të lexohen vetëm me ndihmën e transkriptimeve, apo transliterimeve. Formula e Pagëzimit e Pal Engjëllit, dokumenti më i vjetër i gjuhës shqipe, i zbuluar deri më sot, gjindet i shkruar me shkronja latine.
Historiku i alfabeteve është i pasur dhe i larmishëm. Më shpesh u përdorën germa latine, e cila qe gjuha e kulturës dhe e akteve administrative për një kohë relativisht të gjatë, por krahas tyre u përdorën edhe shkronjat greke, madje dhe arabe. Bejtexhinjtë i shkruan veprat e tyre me shkronja arabe, duke hasur vështirësi të ndryshme, mbasi alfabeti arab shkruan vetëm bashkëtingëlloret. Mirëpo asnjë nga alfabetet e gjuhëve të tjera nuk u përshtatej plotësisht fonemave shqipe, çka i shtyri dijetarët e shkrimtarët tanë të nisnin përpjekjet për të hartuar alfabete origjinalë. Më i hershmi deri tani njihet alfabeti i Theodhor Haxhifilipit, përndryshe i Dhaskal Todrit. Në fund të shek. XVIII ai krijoi një alfabet për nevojat e përthimeve të ungjijve dhe për korrespodencën personale. Nuk qe fort i përdorshëm për shkak të njësive të shumta grafike, por gjithsesi qe krejt origjinal. Naum Panajot Haxhi Bredhi nga Vithkuqi, ose Naum Veqilharxhi, hartoi abetaren e parë, (1835) dhe krahas saj edhe alfabetin përkatës me 33 shkronja. Më pas e vazhdojnë tragën arbëreshët Gjergj Guxeta, Kamarda, Zef Serembja e De Rada. Ata problemin e tingujve shqip e zgjidhnin me kombinime dyshkronjëshe të alfabetit italian. Vaso Pasha, guvernatori i Libanit, veç poemit patetik të njohur “Shqypnisë,” hartoi edhe një alphabet për t’iu përgjegjur nevoja kulturore. Vetëm 8 germa janë ndryshe nga alfabeti që kemi sot. Revista “Besa” e Kairos, (1904) përdori një alphabet, të afërt me alfabetin e tanishëm, ku ndryshojnë vetëm tre shkronja. Konica që botoi revistën “Albania” 1897, Bruksel përdori alfabetin latin, me disa ndryshime për tingujt e shqipes. Revista “Albania” lexohet edhe sot pa vështirësi nga çdo njeri që di shqip.
Fundi i shek. XIX shënon zhvillimin e vrullshëm të alfabeteve. Në atë kohë qarkullonin disa alfabete, sikurse i Stambollit, që nga 1879, i Jezuitëve, i Shoqërisë Bashkimi dhe i Agimit, po në Shkodër. Përpjekje e projekte për një alfabet të veçantë që të shprehte saktësisht tingujt e gjuhës sonë, bëjnë edhe arbëreshët, arvanitasit, edhe shqiptarët e Zarës.
Germat ose simbolet grafike u përdorën së pari nga fenikasit, sipas parimit një shenjë – një tingull. Kjo gjetje ishte më e lehtë dhe më e praktike se shkrimi piktografik, ose kuneiform, prandaj u përhap shpejt dhe pushtoi Lindjen e afërt dhe Evropën. Sot, pak vende në botë vazhdojnë të përdorin hieroglifet për arsye tradite apo për krenari kombëtare. Shenjat grafike janë mjet, marrëveshje midis njerëzve për të lehtësuar komunikimin midis tyre, simbole që në vetvete nuk kanë asnjë kuptim.
Kongresi i Manastirit qe finalja e një rruge të gjatë e të spërdredhur për miratimin e një alfabeti modern. Njëjësimi i alfabeteve qe bërë nevojë e ditës për hir të zhvillimit të kulturës dhe forcimit të ndërgjegjes kombëtare. Nisma erdhi nga gazeta “Kombi” e Manastirit dhe komisioni i ngritur për këtë qëllim u dërgoi ftesa gjithë personaliteteve që mendonte se ishin në gjendje të jepnin ndihmesë për çështjen në fjalë, kjo sigurisht ndikoi që Manastirit t’i takonte nderi të priste përfaqësuesit nga krahina të largëta dhe nga kolonitë shqiptare. Autoritetet zyrtare më të larta të vendit, sikurse Valiu dhe Kajmekami, për fat të mirë ishin shqiptarë dhe ata morën pjesë në punimet, u takuan me delegatët e dhanë pritje për ta.
Shpallja e Kushtetutës, (Hyrietit) nga Turqit e Rinj në korrik të atij viti, i ndihmoi shqiptarët të sanksiononin të drejtat e tyre legjitime. Xhonturqit kishin nevojë për përkrahjen e shqiptarëve, prandaj në muajt e parë u treguan tolerues.
Punimet e Kongresit filluan më 1 nëntor dhe vazhduan deri në 9 nëntor me kalendarin e vjetër gregorian, të njohur si alla-turka, pra nga 14 deri më 22 nëntor. Qenë tetë ditë të gjata të ngjeshura me mbledhje e diskutime e po ashtu edhe tetë ditë feste për ngjarjen e madhe.
Para delegatëve shtrohej detyra të shqyrtonin tre alfabetet kryesore dhe prej tyre të hartohej alfabeti i ri. Rrugët qenë tre, pohon Gjerasim Qiriazi, nënkryetar i kongresit.
1) Nëse duhet të përshtatnin njërin nga tre alfabetet kryesore: të “Stambollit,” të “Bashkimit” dhe të “Agimit.”
2) Nëse duhet t’i kombinojnë të trija në një.
3) Nëse duhet t’i lenë mënjanë të trija dhe të adoptojnë një tjetër krejt të ri.
Diskutimet vazhduan gjatë për disa shkronja, me argumente pro e kundër. Së fundi u pa se qe e pamundur të shkriheshin në një dhe atëherë u vendos të mbahej alfabeti i Stambollit me disa ndryshime dhe krahas tij të përdorej një tjetër me shkronja latine, si më praktik për shtypjen e librave dhe transmetimin e telegrameve me kodin Mors. Kjo zgjidhje kompromisi qe e domosdoshme që Kongresi të mos dështonte. U vendos të mbahej një kongres tjetër në Janinë pas dy vitesh për gjuhën e letërsinë e ndërkohë të shihej ecuria e alfabeteve të miratuar. Për shkak të Luftës Ballkanike kongresi i paracaktuar në Janinë nuk u mbajt, po ndërkohë alfabeti latin u konfirmua gjerësisht, ndërsa ai Stambollit u la mënjanë, u harrua.
Kushdo mund të pyesë: Si ngjau që Faik Konica, një nga dijetarët më të përgatitur në fushën e gjuhës dhe letërsisë, nuk pranoi të vinte në Kongres, madje e sulmoi ashpër, duke i cilësuar delegatët “Xhon Turqit e Manastirit”? Letra e datës 10 nëntor 1908, e rizbuluar tani së fundi në Arkivin e Shtetit dëshmon qëndrimin e tij. Faik Konica shpreh rezerva të forta për rezultatet e Kongresit dhe parashikoi se alfabeti nuk do të jetonte gjatë, çka nuk u vërtetua. Besohet se ai u zemërua që ftesën ia dërguan vetëm ditët e fundit, sa për të larë gojën. Pandehmat janë se komiteti nismëtar e mënjanoi Konicën, për arsye të acarimeve midis tij dhe Mitat Frashërit, president i Kongresit. Nga letra e Konicës del se qënka zemëruar me të edhe Gjergj Qiriazi, “për arsye të Antologjisë që botoi Konica dhe ca me tepër se mori anën e priftit shqiptar.” Nuk dihet për cilin prift e ka fjalën Konica, po ndofta për Fan Nolin. Më tutje shpërthen. “Pas kokës së Qiriazit duhet të bëhemi të gjithë agjentë të Biblës.” Qirjazët s’i kanë kërkuar kurrë askujt të kthehej protestant, ndërsa nderimi që shfaqnin ndaj Shoqërisë Biblike, buronte nga mirënjohja që ajo shoqëri siguroi lejën nga qeveria Turke për hapjen e Mësonjtores së parë në Korçë. Te letra tjetër e datës më 11.XII.1908 dërguar po atij personi, ka të ngjarë Lef Nosit, Konica shkruan: “Shoh se Xhon Turqit e Manastirit muarnë, përveç abesë, (abecesë) së Stambollit, edhe atë që përdora unë, me nja dy ndryshime në mot të ri të Albanies, nga e keqja. Është e tepërt të ju thom që pas mendjes sime, një abe e tillë nuk mund të jetë përveç se e kohëshme. Por duke pritur, mund të punojmë me këtë abe për të qeshur.” Ironia e tij si gjithmonë është e mprehtë, por kësaj here e pa saktë, sepse alfabeti latin, të cilin ai e ndërmend me fjalët “atë që përdora unë” i qëndroi kohës dhe përfundimisht u bë alfabeti i gjuhës sonë.
Supozohet se Konica u prek në sedër, u fye që nuk e përfillën, që komiteti nismëtar i Manastirit ia dërgoi ftesën shumë vonë, sa për të larë gojën, vetëm disa ditë para kongresit. Ka të ngjarë që komiteti hezitoi ta ftonte Konicën nga druajtja se ai do të kërkonte t’u impononte alfabetin e përdorur prej tij. Ka një fakt që flet në të mirë të këtij pohimi: alfabeti i Konicës nuk u përmend në punimet e Kongresit, sikur të mos ekzistonte fare.
Komisioni nuk e kopjoi në mënyrë mekanike alfabetin e Stambollit, po kreu disa thjeshtësime dhe pasurime përpara se t’ia paraqiste mbledhjes plenare të Kongresit. Luigj Gurakuqi qe ai që shpalosi para delegatëve germat e të dy alfabeteve te dërrasa e zezë që u vendos në krye të sallës.
Pranimi i dy alfabeteve, sado që qe një zgjidhje komprosi, u bë që Kongresi të mos dështonte, prandaj dhe nuk ngjalli reagime. Ndërkohë nuk mungonin as shembujt pararendës. Gjermanët, për shembull, prej kohësh përdorin dy alfabete, njërin latin e tjetrin Gothik dhe askujt s’i shkon mendja të ankohet.
At Gjergj Fishta dhe Dom Ndre Mjeda, të dy shërbyes fetarë dhe dijetarë të shquar, mbajtën qëndrime të kundërta përsa i përket alfabetit. Shkaku qe se ata u përkisnin dy klubeve të ndryshme, At Gjergj Fishta qe i “Bashkimit,” ndërsa Dom Ndre Mjeda i shoqërisë “Agimi.”
Prof. Shaban Demiri, autoritet në fushën gjuhësore shkruan se Kongresi i Manastirit vlerësohet me të drejtë si ngjarje e rëndësishme në historinë e popullit tonë, sepse forcoi e çoi edhe më tej lëvizjen kombëtare. “Fryma e mirëkuptimit që karakterizoi delegatët e Kongresit pa dallim krahine dhe feje, dëshmon qartë se shqiptarët dinë t’i kapërcejnë dasitë dhe të gjejnë gjuhën e përbashkët, kur ngrihen mbi pikëpamjet e ngushta vetjake. E ky është mesazhi më kuptimplotë që na ka përcjellë Kongresi i Manastirit.”
New York, 13 nëntor 2008