Nga Idajet Jahaj, Vlorë/
Shkak për këtë meditim m’u bë një artikull i autorit Vasil Çika në gazetën “8 Nëntori” të korrikut 2006, me titull “Shën Kozmai dhe Janullatosi nuk janë njerëz të perëndisë”. Autori, me shqetësim atdhetar dhe me argumente të bollshme, jep fytyrën e vërtetë të këtyre megaliidheistëve grekë që “çjerrin” tokën shqiptare me … fjalët e kazmat e tyre ogurzeza, si në zhvarrimet e Kosinjës në Përmet, etj.
Njohuritë për qëllimet, veprimet dhe teoritë e tyre – janë të shumta. Por me të drejtë, tek çdo shqiptar i vërtetë vibron një shqetësim: prej dy shekujsh vazhdon kjo çjerrje! Vazhdon edhe sot, më shumë se kurrë, bile jo larg, si dikur, por brenda tokës sonë!
Vërej fotografinë e Janullatosit (në gazetë) dhe bëra krahasimin e fytyrës së tij me atë të priftit grek tek filmi “Udha e Shkronjave”. Sa të ngjashëm: në rraso, në veshje, në kapuçin e zi të kokës, ku ruajnë aq qëllime të zeza, në zinxhirin e gjatë me kryqin e varur mbi gjokset e tyre të zes. Mjekra apo duart e tyre të bardha janë mashtruese, fshehëse të qëllimeve të tyre shovene; nga ato s’mund të pikojë gjë tjetër, veçse gjak shqiptari (si tek thika e priftit të filmit) që goditi në kurriz bartësin tonë të urtë të shkronjave të bekuara shqipe. Qielli dhe dielli i shkronjave tona është verbues për këta kroba shovenë të megaliidhesë.
Pra, dy korba: Shën Kozmai, i shekullit të 18-të dhe Janullatosi i sotëm, të dy këta – të simbolizuar – bukur te prifti i “Udhës së Shkronjave”. Prifti (i filmit) ngriti thikën, këtë mjet ogurzi të patrikanës greke ndaj shqiptarëve. Por, i bazuar dhe i puthitur në të, edhe kryqi ogurzi e gjakpikues. Shën Kozmai i Janullatosi e një sërë korbash të tjerë kanë goditur e goditin me thikat e fjalëve të tyre për “gjuhën e ëmbël greke” e “për gjuhën barbare shqipe”, për “Greqinë e bukur” e “Shqipërinë e mallkuar”, për hapjen e shkollave të tyre në tokën tonë e për lënien pas dore të tonave, etj., etj.
Shovinizmi grek, me prarojë këta korba shovenë me rraso të zezë, është nga shovinizmat më kriminalë të planetit. Kryqet, thikat dhe fjalët e tyre kanë rrjedhur vazhdimisht gjak shqiptarësh.
Duke gjetur një fushë të lirë veprimi këta korba tash rrëmbyen edhe kazmën dhe rrëmuan nëntokën tonë, në Kosinjë të Përmetit, për të nxjerrë e varrosur në kishat tona eshtrat e “martirëve” të tyre të luftës së Dytë Botërore, në tokën tonë! Nuk gjetën sa duhet eshtra të tyre, dhe i plotësuan me eshtrat nga tonat, shpesh edhe me eshtra kafshës (gomarësh) (kështu u përhap lajmi). Por shpërndanë gjithandej mbi tokë eshtra nga të baballarëve të fshatit Kosinjë, të burrave, gjyshërve, grave apo fëmijëve shqiptarë. Sikur vendi këtu të mos kishte zot fare.
E kështu shovenët hodhën vallen e hijenave e dhelprave të varreve që e bëjnë tokën limer për të lëpirë ndonjë kockë të thatë! Dhe lëndina e Kosinjës ngjan kështu me eshtra të shpërndara sipas një darke bishe greke!
Ndërsa korbi i shovenëve, Janullatosi, që populli shqiptar nuk e di ende kush e ka vënë atë këtu (ose edhe e di, po i ka ngecur sharra në gozhdë!), e pse qëndron akoma, – ai, duke shkelur autoqefalinë e Fan Nolit, në kishën tonë ortodokse, flet lirisht në ekranet tona që “brezat e rinj shqiptarë të mësojnë gjuhën ideale greke!” Dhe bekon veprimet e zhvarrosjeve makabre. Kështu kishat tona ata i “shenjtërojnë” me megaliidhé, me helenizim të tokës sonë.
Mbarë populli shqiptar është indinjuar jashtë mase nga kjo liri e shovenëve të jugut. Ata po lejohen të përdhunojnë atë ç’ka është më e shtrenjtë: truallin tonë etnik. E pse? Sepse shteti ynë bën njërin sy qorr e njërin vesh shurdh për krushqinë (financiare) me fqinjët shovenë të jugut. Popullorçe kjo përkthehet: lëre pushtin për një kohë të gjatë pranë gruas apo nënës, mos kundërshto, se prishesh me ‘të, e të prishen llogaritë. Ai do lodhet nga ky shoqërim e do iki vetë!
Mërmërima e revoltës rrit dallgët e shpirtit revoltues të këtij populli që s’ka pranuar kurrë të shkelet nga i huaji… kundër shovenëve grekë, por edhe ndaj renegatëve tanë.
E ky ngre në ekranin e kujtesës historike e në qiejt e atdhetarisë sonë dy vargje poetësh tanë të mëdhenj:
-të Ali Asllanit:
“Varen eshtrat e shqiptarëve
Mu në sqepat e skifterëve”
E tani kjo duhet thënë:
“Varen eshtrat e shqiptarëve,
Mu në sqepat e shovenëve”!
Dhe, i dyti, rilindësi i madh, Pashko Vasa:
Kët’ nënë të dashtun a do ta lamë
Që t’vijë i huaji e ta shkelë me kambë?
Jo, jo, kët marre askush s’e do!…
(2009)