Dekretimi i 41 ligjeve, të dala nga paketa e Propozimit Gjithpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës të Kryenegociatorit Martti Ahtisaari – Emisarit Special të OKB-së, ishte një nga zhvillimet e ditës së hyrjes në fuqi të Kushtetutës para 8 viteve. Dekretimin e bëri Presidenti i afëhershëm i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu, pasi ato i dërgoi në Presidencë kryeparlamentari në atë kohë, Jakup Krasniqi.
Në 8 vjetorin e hyrjes në fuqi të Kushtetutës shteti i Kosovës është i njohur nga 111 shtete anëtare të OKB-së dhe e anëtarësuar në shumë institucione e organizata ndërkombëtare, evropiane e rajonale.
Këtë vit – në 2016-ën, në 1 prill, nisi zbatimi i Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit në mes të Kosovës dhe Bashkimit Evropian, e nënshkruar në 27 tetor 2015 në Strasburg dhe e ratifikuar në Parlamentin kosovar pas pak ditësh, në 2 nëntor. Marrëveshja për Stabilizim Asociim, e cila krijon për herë të parë marrëdhënie kontraktuale me BE-në, është vlerësuar ngjarja më e rëndësishme e Kosovës që nga shpallja e pavarësisë..
Kosova në rrugën drejt pavarësisë ka një histori kushtetuese edhe para Kushtetutës së saj të parë si shtet i pavarur me njohje ndërkombëtare.
Kosova ka pasur Kushtetutën e saj prej vitit 1974, e cila i ka siguruar mëvetësi maksimale organizative dhe të drejtë vetoje në nivelin federal, si njësi konstituive, ashtu si edhe njësive të tjera të federatës, nga shpërbërja e së cilës tash janë shtatë shtete.
Kosova, në vitin 1990, pas kundërshtimeve të fuqishme institucionale e gjithëpopullore të “kushtetutës së tankeve” serbe me të cilën dhunshëm e përgjakshëm në mënyrë kundërkushtetuese i suprimohej autonomia, në rrethana të okupimit, shpalli Deklaratën e pavarësisë në 2 korrik e më pastaj Kuvendi miratoi në 7 shtator Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
Republika e Kosovës me kushtetutën e vet atëherë nuk u njoh ndërkombëtarisht, por njihej në botë si “shteti paralel i shqiptarëve të Kosovës” për pothuaj një dekadë.
Prej vitit 2001 deri para 8 viteve, Kosova ka pasur një Kornizë Kushtetuese, e miratuar nga OKB-ja, e cila ishte dokument më shumë inicial kushtetues, por ka mundësuar zhvillimin e vendit nga një krijesë de fakto e pavarur, ndonëse nën protektorat, në një entitet shtetëror të pavarur, edhe pse nën mbikëqyrje ndërkombëtare për një kohë.
Tetëvjetori i hyrjes në fuqi të Kushtetutës së shtetit të pavarur shënohet në kohën kur nëpër qytetet kosovare festohet 17 vjetori i lirisë, e cila nisi me Ditën e Paqes e Lirisë – 12 qershorin e vitit 1999, kur forcat shpëtimtare të NATO-s, pas ndërhyrjes me aviacion në fushatën ajrore 78 ditëshe, filluan të hynin në Kosovë, nga Maqedonia, e të nesërmen edhe nga Shqipëria.