
Prof. As. Dr. Hasan Bello/
Më 29 korrik 1913, Konferenca e Ambasadorëve në Londër, e përbërë nga përfaqësuesit e gjashtë Fuqive të Mëdha, miratoi vendimin përfundimtar mbi statusin politik dhe organizimin e shtetit shqiptar. Ky vendim përbënte një moment themelor në njohjen ndërkombëtare të Shqipërisë, por njëkohësisht vendoste kufizime të rëndësishme mbi ushtrimin e sovranitetit të saj. Por mbi të gjitha ai linte jasht 2/3 e territoreve dhe të kombit shqiptar; fushat dhe tregjet kryesore, duke i lënë shtetit të ri vetëm malet dhe moçalet. Kjo e bënte atë një shtet jo rentabël në aspektin ekonomik dhe të varur gjithmonë nga fuqitë evropiane.
Më 18 shtator 1913, gazeta “Përlindja e Shqipëniës”, e cila ishte organ i Qeverisë së Përkohëshme të Vlorës botoi artikullin “Kosova asht e jona”, ku argumentonte etnicitetin dhe legjitimitetin e shqiptarëve mbi këto troje. Nga ana tjetër, ajo kritikonte vendimet e Konferencës e cila nuk kishte ndjekur parimin e kombësisë.
Ai mbetet një nga artikujt më të guximshëm i botuar nga një organ zyrtar i qeverive shqiptare, ku çështja e përkatësisë së Kosovës deklarohet hapur. Nuk e di pse nuk është ndjekur e njëjta linjë edhe për çështjen çame dhe territoret shqiptare që iu aneksuan Greqisë. Megjithatë, duke pasur parasysh heshtjen e shtypit dhe të shtetit shqiptar në vitet e komunizmit ndaj çështjes së Kosovës, ky artikull mbetet një trashëgimi e çmuar në fondin e publicistikës dhe të qëndrimeve zyrtare.