Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari
PRISHTINË, 16 Korrik 2021/ Kosova, para 23 viteve, në kohë lufte, mbajti zgjedhje në 22 Mars dhe në 16 Korrik 1998 konstituoi Kuvendin që nuk kishte arritur ta konstituonte pas zgjedhjeve të para pluraliste parlamentare e presidenciale të 24 Majit 1992 të Republikës atëherë të panjohur ndërkombëtarisht, që megjithatë ishte dhe njihej si deklarim i fuqishëm i vullnetit kombëtar, politik e demokratik. Seanca konstituive e Kuvendit u mbajt në shtëpinë e shkrimtarëve, që u shndërrua në seli të Presidencës e institucioneve tjera të Republikës së Kosovës, në sallën që ishte e vogël për ngjarjen e madhe, ku ishte gritur flamuri kombëtar shqiptar dhe u intonua Himni i Flamurit. Deputetët, të zgjedhurit e popullit që kishin ardhë edhe nga zonat e luftimeve, zgjodhën me aklamacion akademik Idriz Ajetin për kryetar të Kuvendit dhe tre nënkryetarë, ndërsa u betuan se, “do të angazhohen me përgjegjësi dhe me ndërgjegje për pavarësinë dhe sovranitetin e Republikës së Kosovës, për realizimin dhe mbrojtjen e lirive dhe të drejtave njerëzore dhe kombëtare të qytetarëve të saj në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës”.
Zgjedhjet ishin edhe presidenciale dhe i zgjedhuri për herë të dytë, Presidenti Ibrahim Rugova, dha poashtu betimin: “Betohem se tërë fuqinë time do t’ia kushtoj arritjes dhe ruajtjes së pavarësisë të Republikës së Kosovës në tërësinë territoriale të saj, realizimit të lirive dhe të drejtave njerëzore e qytetare, respektimit dhe mbrojtjes së Kushtetutës dhe të ligjeve, ruajtjes së paqes dhe mirëqenies së gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe me ndërgjegje e përgjegjësi do t’i kryej të gjitha detyrat e mia. Betohem!”. Në seancën e nisur në orën 12:30, ku u bënë nderimet më të larta për të rënët për lirinë e pavarësinë e Kosovës, u miratua propozimi që Kuvendi të nxjerrë një Deklaratë për gjendjen në vend, e cila theksonte se, Kuvendi i Republikës së Kosovës është institucion i bashkërendimit të përpjekjeve të përgjithshme politike e ushtarake në funksion të realizimit të pavarësisë së Kosovës. “Mbledhja konstitutive e Kuvendit të Republikës së Kosovës u bë në kushtet e okupimit serb të Kosovës, në rrethanat e ushtrimit të terrorit shtetëror serb me përmasa gjenocidi, por edhe në kushtet e fuqizimit të rezistencës së përgjithshme dhe të hovit të luftës çlirimtare të Kosovës”, thuhej fillimisht në Deklaratë. Theksohej se, “i dalë nga zgjedhjet e 22 Marsit 1998, të mbajtura gjithashtu në kushte të pushtimit, dhe si kundërshtim politik e institucional i këtij pushtimi dhe i institucioneve të pushtuesit, e, para së gjithash, si shprehje e vullnetit politik të popullit të Kosovës për liri e pavarësi, institucioni më i lartë politik përfaqësues dhe kushtetues – ligjvënës i pavarësimit të Kosovës”, po nxirrte Deklaratën. Seanca konstituive e Kuvendit zhvillohej nën shtetrrethimin ushtarako-policor që Beogradi kishte vendosur në Kosovë e që u dyfishua edhe me rrethimin nga forcat serbe me armatime e makineri luftarake që mbërritën te ndërtesa, madje edhe hynë brenda dhe konfiskuan dosje e dokumete.
Isha një nga gazetarët e paktë brenda seancës dhe raportoja drejtpërdrejtë me telefon për Agjencinë Shtetërore Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë – ATSH dhe Radio Televizionin Shqiptar – RTSH derisa me një kasetofon special të vogël e të fshehur, që ma kishte dërguar vëllai Demë Jashari nga Zvicëra, bëja gjithë audioincizimin e zhvillimeve, ku dëgjohej edhe uturima e blindave-tankeve. Pjesë e zhvillimeve, derisa vazhdonte ndërhyrja e forcave serbe, ishte edhe ardhja e shpejtë brenda selisë, ku ishin Presidenti Rugova dhe deputetët, e diplomatëve amerikanë – e Nikollas Hill, sekretar i parë në Ambasadën e SHBA-ve në Beograd, që ndodhej atë ditë në kryeqytetin kosovar dha nga Zyra Amerikane në Prishtinë, që ishte hapur nga Nënsekretari Amerikan i Shtetit, Xhon Kornblum, në 5 Qershor 1996 dhe shënonte vendosjen e pranisë amerikane në Kosovë në rrethana të veçanta. Gazeta e rezistencës “Bujku”, kryeredaktor i parë-themelues i së cilës isha e që dilte nga 18 Janari 1991 me orientim e përcaktim të fuqishëm properëndimor euroatlantik e që ishte pjesë e lëvizjes e luftës për liri e pavarësi dhe sfidonte ndalimin e dhunëshëm nga Serbia okupatore të gazetës tradicionale Rilindja, atëherë të vetmen të përditshme në gjuhën shqipe në Kosovë, në botimin e 17 Korrikut 1998 mbititull e kryetitull balline kishte: Dje në Prishtinë U konstituua Parlamenti i Republikës së Kosovës. Në ballinë të gazetës ishte edhe titulli “Lufta përfshiu edhe Prizrenin”, ndërsa në mbititull të raportimit që e kisha bërë edhe për Agjencinë Shtetërore Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë theksohej edhe se kishte “Luftime të ashpra në brezin kufitar, në Dukagjin, në Drenicë dhe në rrethinat e Mitrovicës”. Poashtu në ballinë gazeta botonte edhe një raportim nga Strasburgu, me datë 16 Korrik 1998, me mbititull “Parlamenti Evropian aprovoi një Rezolutë për zgjidhjen e problemit të Kosovës” e me titull “Kërkohet mënjëherë ndalja e spastrimit etnik të Kosovës”. Në prag të zgjedhjeve kosovare parlamentare e presidenciale të para 23 viteve, Kongresi Amerikan kishte miratuar një rezolutë, në të cilën, krahas kërkesës që SHBA-të të mos lejojnë të përsëritet një Bosnje tjetër në Ballkan, kërkohej që zgjedhjet në Kosovë të mos pengoheshin. “Ne kemi një shprehje në anglisht: ‘zgjedhje në hije’. Por, ne presim me padurim që kosovarët të mbajnë zgjedhje në dritën e diellit”, deklaronte ndihmëssekretari amerikan i Shtetit, Strob Talbot. Pas zgjedhjeve, në 29 Maj 1998, Presidenti Rugova në Uashington u takua me Presidentin amerikan Bill Clinton. “Ne ritheksuam se zgjidhja më e mirë për Kosovën do të ishte shteti i pavarur”, deklaronte Rugova pas takimit. Ndërsa, Clinton tha se Kosova është një nga shqetësimet amerikane dhe se SHBA-të do të intensifikojnë angazhimin për zgjidhjen e çështjes së Kosovës në kuadër të Grupit të Kontaktit dhe të NATO-s. Njëmbëdhjet vite më vonë, në 1 Nëntor 2009, në Kosovën e lirë, Presidenti amerikan Bill Klinton, në fjalën e tij në Kuvendin e Republikës kosovare, por edhe në sheshin me emrin e shtatoren e tij në Prishtinë, ka përkujtuar Presidentin historik Ibrahim Rugova dhe një gurë kristali të cilin ai ia kishte dhuruar.
“Ai gurë kristal të cilin ma dha Rugova i është dhuruar një universiteti, por për një kohë ai ishte i njohur edhe në SHBA me emrin ‘Guri i Rugovës’”, tha Presidenti amerikan Clinton.
“Atëherë, ai (Rugova), më tha se duhet të na ndihmosh”, ka përkujtuar ish-Presidenti i SHBA-ve, Clinton gjatë vizitës në Kosovë. Presidenti amerikan Clinton me rastin e shuarjes në 21 Janar 2006 të Presidentit kosovar Rugova shprehej: “Kam pasur nderin ta mbështes luftën e tij për paqe dhe liri”. Kosova para 31 vitesh, në 2 Korrik 1990, miratoi në Kuvend Deklaratën Kushtetuese për pavarësinë e saj. Më pas, Kuvendi i Kosovës miratoi Kushtetutën dhe më të shpalli Kosovën Republikë në një mbledhje në Kaçanik në 7 Shtator 1990. Në fundshtatorin 1991 Kosova mbajti Referendumi për pavarësi, në të cilin pro votuan 99,87% në pjesëmarrjen masive të 87,01% të qytetarëve me të drejtë vote. Kosova është e lirë 22 vite, nga 12 Qershori 1999, kur nisën të hyjnë forcat shpëtimtare paqeruajtëse të NATO-s, prirë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pavarësia e Kosovës, e shpallur para 13 viteve, në 17 Shkurt 2008, është njohur deri tani nga 117 shtete të botës anëtare të OKB-së. Nga vendet fqinje pavarësinë e Kosovës nuk e ka njohur ende vetëm Serbia, ndërkohë që drejt njohjes zhvillohet dialogu mes dy shteteve, ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian e mbështetur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.