Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, mori pjesë në takimin e pestë plenar të Dialogut për Procesin e Stabilizim Asociimit/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 8 Korrik 2015- Kosova ka hyrë në një fazë tejet të rëndësishme të procesit të integrimit evropian, theksoi sot kryeministri kosovar Isa Mustafa.
“Tashmë kemi hapur kapitullin e marrëdhënieve zyrtare mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian, përmes Marrëveshjes për Stabilizim Asociim. Miratimi nga ana e Këshillit të Bashkimit Evropian dhe Parlamentit Evropian, dhe më pastaj nënshkrimi si dhe hyrja në fuqi e saj në fillim të vitit 2016, do shënojë marrëdhënien e parë kontraktuale ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Kosovës”, u shpreh kreu i qeverisë.
Kryeministri Mustafa tha se Marrëveshja për Stabilizim Asociim do të shërbejë si themel i procesit integrues të Kosovës dhe mundësi për zhvillim ekonomik.
“Miratimi i propozimit të Marrëveshjes për Stabilizim Asociim nga ana Komisionit Evropian, është një arritje shumë e rëndësishme për Kosovën, që tregon përkushtimin e institucioneve të Republikës së Kosovës në zbatimin e reformave në kuadër të axhendës evropiane, dhe tregon perspektivën evropiane të Kosovës”, theksoi ai.
Kreu i qeverisë, vlerësoi përkushtimin e madh të të gjitha institucioneve të Kosovës për zbatimin e kritereve nga udhërrëfyesi për liberalizim të vizave, si dhe zbatimin e rekomandimeve të misioneve vlerësuese të Komisionit Evropian, duke shprehur besimin që vlerësimet e fundit të jenë pozitive dhe që Kosova më në fund të marr rekomandimin për liberalizimin e vizave.
“Sa i përket procesit të liberalizimit të vizave jemi dëshmitarë të një përkushtimi të madh të të gjitha institucioneve të Republikës së Kosovës për zbatimin e kritereve nga udhërrëfyesi për liberalizim të vizave, si dhe zbatimi i rekomandimeve të misioneve vlerësuese të Komisionit Evropian”, tha Mustafa.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, mori pjesë sot në Prishtinë në takimin e pestë plenar të Dialogut për Procesin e Stabilizim Asociimit, ku ishin të pranishëm edhe drejtori për Ballkanin Perëndimor në Komisionin Evropian, Jean Eric Paquet, ministra, deputetë dhe përfaqësues të tjerë të institucioneve vendore e evropiane.
“Në procesin e integrimit evropian, nga Kosova sikurse edhe vendet tjera të Ballkanit kërkohet të adresojnë reforma konkrete, të cilat përmblidhen në tre shtylla: Reforma e Administratës Publike, Qeverisja Ekonomike dhe Konkurrueshmëria, si dhe Sundimi i Ligjit dhe të drejtat themelore. Këto shtylla janë të ndërlidhura me njëra tjetrën dhe janë vendimtare në mënyrë që vendi ynë të justifikojë gatishmërinë për anëtarësim në Bashkimin Evropian”, theksoi Mustafa.
Ai falënderoi Komisionin Evropian dhe të gjitha vendet anëtare të BE-së për mbështetjen e vazhdueshme që i kanë ofruar Kosovës në kuadër të procesit të integrimit në përgjithësi. “Dhe poashtu të nënvizoj që qeveria e Republikës së Kosovës mbetet e përkushtuar që të zbatojë obligimet e saj karshi kërkesave të axhendës evropiane, në mënyrë që qytetarët e Kosovës të gëzojnë vlerat e shumta të familjes së bashkuar Evropiane, dhe poashtu të kontribuojnë edhe në pasurimin e këtyre vlerave”, përfundoi kryeministri Mustafa.