Kosova me BE-në nënshkruan MSA-në/
PRISHTINË, 27 Tetor 2015/ Kosova sot, në një ditë historike, në Strasburg, nënshkruajti me Bashkimin Evropian Marrëveshjen për Stabilizim-Asociimin.
Marrëveshjen, nga Bashkimi Evropian e nënshkruan Përfaqësuesja e Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini dhe Komisioneri për Politikat Evropiane të Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit, Johannes Hahn, ndërsa nga Kosova, në emër të qeverisë Kryeministri Isa Mustafa dhe ministri i Integrimit Evropian, Bekim Çollaku.
“Kosova sot po bën hapin më të rëndësishëm drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian”, vlerëson zv/kryeministri i parë e ministri i Jashtëm kosovar, Hashim Thaçi. “Nënshkrimi i MSA-s është një dëshmi e suksesit të shtetit të Kosovës dhe e përkushtimit tonë për vlera evropiane”, thekson ai.
“Kjo marrëveshje kontraktuale përmban obligime të dyanshme: zotim të Kosovës për reforma dhe zotim të BE-së për të na ndihmuar shumë më shumë në këtë proces, deri në përmbushjen e perspektivës evropiane”, thekson kryediplomati Kosovar, Thaçi./b.j/