-Dhe, drejt Referendumit për Pavarësi, që u zhvillua para çerek shekulli, nga 26 deri 30 shtator 1991/
-Kushtetuta e 7 Shtatorit 1990 përcaktonte: Republika e Kosovës është shtet demokratik i Kombit shqiptar…Territori i Republikës së Kosovës është unik, i patjetërsueshëm dhe i pandashëm…/
-Presidenti Rugova: Referendumi i shtatorit 1991, akt që afirmon tutje dhe garanci për realizimin e Pavarësisë së Kosovës/
-Ngjarje të rëndësishme të Kosovës të mëse çerek shekullit/
-Vatranët e shqiptarëve nga SHBA në Shtëpinë e Pavarësisë së Kosovës Dr. Ibrahim Rugova, ku u shtyp dhe u përkrah Deklarata e 2 Korrikut e Kushtetuta e 7 Shtatorit 1990, u organizua Referendumi për Pavarësinë e Kosovës i 26-30 Shtatorit 1991…
SPECIALE – Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI/
PRISHTINË, 7 Shtator 2016/ Kuvendi i Kosovës para 26 viteve, në 1990, pas Deklaratës Kushtetuese për Pavarësi të 2 Korrikut, të shpallur në Prishtinë, u rimblodh në qytetin jugor të Kaçanikut në 7 Shtator dhe miratoi Kushtetutën e Kosovës të saposhpallur Republikë, në seancën që u pasua edhe me Referendumin e deklarimit për Kosovën shtet Sovran dhe i pavarur para çerek shekulli, në funshtatorin 1991, të mbajtur me vendimin e Kuvendit, në marrëveshje me subjektet politike kosovare. “Republika e Kosovës është shtet demokratik i Kombit shqiptar dhe i pjesëtarëve të kombeve të tjera dhe i pakicave kombëtare, të shtetasve të vetë; serbëve, muslimanëve, malazezëve, kroatëve, turqëve, romëve e të tjerëve që jetojnë në Kosovë”, përcaktonte Neni 1 i Kushtetutës, ndërsa Neni 8 siguronte: “Teritori i Republikës së Kosovës është unik, i patjetërsueshëm dhe i pandashëm. Kufijtë e Republikës mund të ndryshohen vetëm në bazë të vendimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe në pajtim me vullnetin e shprehur të popullit me të cilin ka të bëjë ndryshimi”.Në krye të Kuvendit të Kosovës në atë kohë të vendimeve e ngjarjeve historike ishte Ilaz Ramajli. Ishin këto ngjarje e zhvillime drejt lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, gjithnjë në rrethana të rënda të okupimit e shtetrrethimit ushtarako-policor që kishte vendosur Beogradi, kur në mënyrë kundërkushtetuese dhe përgjakshëm me kushtetutën serbe të tankeve u rrënua autonomia që kishte Kosova me Kushtetutën e vitit 1974 element konstituv me të drejtë vetoje i federatës.
“Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut dhe Kushtetuta e Republikës së Kosovës e 7 Shtatorit 1990, jo vetëm që ishin akte kushtetuese juridike, por në kohën kur u nxorën ishin edhe akte mbrojtëse dhe pozicionuese në raport me situatë e krijuar në ish Jugosllavi”, ka theksuar Ramajli gjatë një bisede që kam zhvilluar.
Nga shpërbërja e ish Jugosllavisë, nga elementet konstituive të federatës, mes të cilave ishte edhe Kosova që u bë shtet, shtete të reja të rajonit dolën edhe Sllovenia, Kroacia, Bosnja e Hercegovina, Maqedona, Mali i Zi dhe Serbia.
“Akti i nxjerrjes së Kushtetutës u bë pikërisht në kohën kur më nuk kishte asnjë dyshim se Jugosllavia kishte hyrë në rrugën e pa kthim të shpërbërjes së sajë. Nxjerrja e Kushtetutës dhe shpallja e Republikës së Kosovës nga Kuvendi me 7 Shtator 1990 ishte dhënie e formës kushtetuese juridike të vullnetit të shprehur unanimisht nga shumica dërmuese e qytetarëve të Kosovës, dhe nga subjektet e atëhershme politike në Kosovë”, shprehet Ilaz Ramajli.
Deklarata e Pavarësisë e 2 Korrikut u pasua me Kushtetutën e 7 Shtatorit 1990, Referendumin e 26 deri 30 shtator 1991, në të cilin për Kosovën shtet sovran dhe të pavarur u deklaruan 99,87 për qind e qytetarëve pjesëmarrës masivisht në votim. Në Referendum dolën 914.802 veta – 87,01 për qind e 1.051.357 qytetarëve me të drejtë vote.
RUGOVA: REFERENDUMI I SHTATORIT 1991 ËSHTË AKT QË AFIRMON TUTJE DHE GARANCI PËR REALIZIMIN E PAVARËSISË SË KOSOVËS. REFERENDUMET SHQIPTARE U RESPEKTUAN NË LONDËR
Referendumi u pasua me zgjedhjet e para pluraliste, presidenciale e parlamentare, të lëvizjes për liri e pavarësi, të 24 majit 1992. Raportimet që i bëja me lidhje telexi, e vetmja e mundshme atëherë nga Prishtina në Tiranë, për zgjedhjet e para pluraliste kosovare, shënonin fillimet e korrespondenturës së Agjencisë shtetërore-zyrtare të lajmeve të Shqipërisë – ATSH në Kosovë. Raportimet i bëja nga zyra e telexit që u bë edhe zyrë e ATSH-së në Pallatin e Shtypit Rilindja – ambientet e gazetës së rezistencës “Bujku”, të vetmes të përditshme shqipe kosovare në atë kohë, me përcaktim të fuqishëm demokratik perëndimor euroatlantik e pjesë e lëvizjes gjithëkombëtare për liri e pavarësi, themelues-kryeredaktor i parë i së cilës isha.
“Falënderoj Agjencinë Telegrafike Shqiptare për informimin nga Kosova e për Kosovën. Edhe kjo që pata rastin të bisedoj për këtë agjenci, që përfaqëson Shqipërinë dhe çështjen shqiptare, është një hap në politikën globale, në integrimet shqiptare”, theksonte Presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova në intervistën ekskluzive që kam zhvilluar për ATSH-në në shtator të vititi 1994, derisa bisedonim gjatë ditën e enjte të 22 shtatorit 1994, në zyrën e tij, ku sot është muzeu – Shtëpia e Pavarësisë së Kosovës Dr. Ibrahim Rugova.
Ishte vit i kohëve të rënda të okupimit e dhunës kundër shqiptarëve të Kosovës. “Një represion masiv në Kosovë ka rritur tensionet politike këtu dhe në rajon, ndaj është e domosdoshme prania ndërkombëtare”, e përshkruante situatën dhe e kërkonte zgjidhjen Presidenti Rugova.Ai vlerësonte se, Referendumi i fundshtatorit 1991 është akt që afirmon tutje dhe garanci për realizimin e pavarësisë së Kosovës.Një nga pyetjet e intervistës me Presidentin Rugova ishte: Populli i Kosovës u deklarua për një shtet të tillë edhe me Referendumin për pavarësi, pikërisht në shtatorin e para tre vjetëve. Ju lutemi edhe për një koment në përvjetorin e kësaj ngjarje madhore.Përgjigja e Presidentit Rugova ishte kjo: Referendumi për Kosovën e pavarur e neutrale, që u mbajt me sukses në ditët e fundit të shtatorit të vitit 1991, është një ngjarje shumë e rëndësishme. Pas Deklaratës kushtetuese e Kushtetutës së Republikës ajo tregoi në mënyrë plebishitare vullnetin dhe dëshirën e popullit, që ishte vijëzuar në dokumentet e mëparshme. Ky referendum ka rëndësi edhe shqiptare edhe ndërkombëtare, si akt i deklarimit të popullit të Kosovës. Pas tij pasuan edhe referendumet në viset e tjera shqiptare. Pasuan edhe zgjedhjet e lira, shumëpartiake, si një materializim i pushtetit që del nga ky referendum dhe nga situata e përgjithëshme e Kosovës. Pra, është një akt që e afirmoi tutje dhe është një garanci për realizimin e pavarësisë së Kosovës, në të tashmen dhe në të ardhmen.
Mbase pse jemi në situatë të rëndë, shpesh nuk po i vlerësojmë disa akte që i kemi bërë, që janë më afër. Prandaj, dua të them se me referendum, për herë të parë shqiptarët e Kosovës dhe të gjitha viseve të tjera shqiptare në ish-Jugosllavi u deklaruan para opinionit ndërkombëtar për interesat e tyre, për interesat globale, sepse asnjëherë shqiptarët nuk kanë pasur mundësi të deklarohen. Dihet se edhe më parë është biseduar për deklarime të tilla, por nuk janë lejuar nga bashkësia ndërkombatare. Për shembull, gjatë vitit 1918 e gjatë viteve që pasuan, gjatë Konferencës së Versajës, etj., kur definitivisht vihen këta kufij, që, për fat të keq, i kemi edhe tash, pastaj as në ’45-tën nuk ka pasur mundësi populli i Kosovës të deklarohet. Prandaj, këto referendume janë momente mjaft, mjaft të rëndësishme, dhe mund të them se u respektuan në Konferencën e Londrës ’92, sepse atje u thirrën shqiptarët e Kosovës si reprezentim, edhe shqiptarët e viseve të tjera. Do të thotë, ishte ai hap i vogël, por mjaft i rëndësishëm i këtyre deklarimeve që i bënë shqiptarët.
KOSOVA REPUBLIKË ME KUSHTETUTËN E VET ISHTE DHE NJIHEJ SI DEKLARIM I FUQISHËM I VULLNETIT KOMBËTAR, POLITIK E DEMOKRATIK
Në 2 Korrik 2015 në ambientet e Kuvendit të Republikës së Kosovës u mbajt seancë solemne dhe u vendos e shkruar në mermer Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut 1990 për pavarësinë e Kosovës, pranë Deklaratës së Pavarësisë të 17 Shkurtit 2008 të Kosovës shtet i njohur deri sot nga 112 shtete anëtare të OKB-së.Në përkujtim të ngjarjeve historike është shfaqur edhe filmi dokumentar i seancës së Kuvendit të Kosovës të shpalljes së Deklaratës së Pavarësisë në 2 Korrik dhe Kushtetutës së Republikës së Kosovës në 7 Shtator 1990.
Republika e Kosovës me Kushtetutën e vet atëherë nuk u njoh ndërkombëtarisht, por njihej në botë si “shteti paralel i shqiptarëve të Kosovës” për pothuaj një dekadë, ishte dhe njihej si deklarim i fuqishëm i vullnetit kombëtar, politik e demokratik.
Kosova e lirë nga qershori 1999, prej vitit 2001 deri para tetë viteve, ka pasur një Kornizë Kushtetuese, e miratuar nga OKB-ja, e cila ishte dokument më shumë inicial kushtetues, por ka mundësuar zhvillimin e vendit nga një krijesë de fakto e pavarur, ndonëse nën protektorat, në një entitet shtetëror të pavarur, edhe pse nën mbikëqyrje ndërkombëtare për një kohë.
Kosova para 8 viteve miratoi Kushtetën e Republikës, e cila në nenin 1 e përcakton “shtet i pavarur, sovran, demokratik, unik, dhe i pandashëm”. Ishte viti 2008 kur u miratua nga Kuvendi i Kosovës akti më i lartë juridik i shtetit në 9 prill 2008, më pak se dy maj pas shpalljes së pavarësisë në 17 shkurtin historik, ndërsa ka hyrë në fuqi në 15 qershor.
Atëherë, dekretimi i 41 ligjeve, të dala nga paketa e Propozimit Gjithpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës të Kryenegociatorit Ahtisaari – Emisarit Special të OKB-së, ishte një nga zhvillimet më të rëndësishme të ditës së hyrjes në fuqi të Kushtetutës.
Në vitin 2010 ishin dy ngjarje shumë të rëndësishme drejt njohjes së plotë ndërkombëtare të shtetit më të ri evropian: Legjitimimi i pavarësisë nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë më 22 Korrik dhe Rezoluta e 9 Shtatorit e Asamblesëë së Përgjithshme të OKB-së, e cila me respekt e merr në konsideratë opinionin e GJND-së.
Zhvillime tjera të rëndësishme brenda tetë viteve të pavarësisë ishin në 2012-tën, kur Kuvendi, pikërisht para katër viteve -në 7 shtator, ka miratuar amendamentimin e Kushtetutës së Republikës lidhur me përfundimin e mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës, ndërsa në 10 shtator pasoi vendimi i Grupit Drejtues Ndërkombëtar, i mbledhur në Prishtinë, për përfundimin e mbikëqyrjes ndërkombëtare.
NË KAÇANIK PLLAKË PËRKUJTIMORE PËR 7 SHTATORIN 1990
Në shënimin e jubileut të 25-vjetorit të Kushtetutës së Republikës së Kosovës të 7 Shtatorit 1990, para një viti në Kaçanik u zbulua pllaka përkujtimore, e cila i dedikohet kësaj ngjarjeje të rëndësishme. Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut dhe Kushtetuta e 7 Shtatorit 1990 ishin kundërpërgjigje ndaj agresionit kushtetues serb mbi Kosovën, përmes këtyre dy akteve u përgatitën kushtet juridike drejt pavarësisë, u theksua me atë rast nga drejtuesit e shtetit të Kosovës.
VATRANËT E SHQIPTARËVE NGA SHBA NË SHTËPINË KU U SHTYP DHE U PËRKRAH DEKLARATA E 2 KORRIKUT E KUSHTETUTA E 7 SHTATORIT 1990, U ORGANIZUA REFERENDUMI PËR PAVARËSINË E KOSOVËS I 26-30 SHTATORIT 1991…
Shtëpinë e Pavarësisë së Kosovës Dr. Ibrahim Rugova, këtë shtëpi-muze në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë, e vizitoi në 16 gushtit 2016 delegacioni i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra, kryesuar nga zv/kryetari Agim Rexhaj, ku ishin edhe Laura Rexhaj, Marjan Cubi – arkëtar i Vatrës, Dila Cubi, Fran Marku, Mhill Gjuraj, Pashk Maksuti, Mëhill Velaj dhe unë-korrespondent në Kosovë i Gazetës Dielli – organ i Vatrës.
Presidenti Rugova në përurimin e Shtëpisë-Muzeut të Pavarësisë së Kosovës në 23 dhjetor 2002 theksonte: Në këtë shtëpi u shtyp dhe u përkrah Deklarata e Pavarësisë së Kosovës (e 2 Korrikut 1990), Kushtetuta e Republikës (e 7 Shtatorit 1990) dhe u organizua Referendumi për Pavarësinë e Kosovës më 1991 (26-30 shtator).
Pastaj u nxor dokumenti i tri opcioneve nga të gjitha partitë politike të trojeve shqipare, u organizuan zgjedhjet e para parlamanetare – presidenciale më 1992 (24 maj) dhe aktet e tjera…Kjo shtëpi është shtëpi e Pavarësisë së Kosovës, shtëpi e lirisë, shtëpi e demokracisë, shtëpi e rezistencës së gjithanshme të popullit të Kosovës…