PRISHTINË, 4 Korrik.-Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, uroi qeverinë dhe popullin amerikan me rastin e 4 Korrikut, Ditës së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Në këtë datë të shënuar historike e politike për mbarë njerëzimin, kryeministri Mustafa theksoi se Dita e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës është një nga ngjarjet e cila përjetohet me ndjenja të veçanta vlerësimi dhe mirënjohjeje nga populli i Kosovës.
Kryeministri Mustafa, në urim thekson se shpallja a pavarësisë së SHBA-ve, shënon lindjen e modelit shtetëror të bazuar në vlerat universale të lirisë, demokracisë dhe prosperitetit.
Duke çmuar përkrahjen e jashtëzakonshme të qeverisë dhe të popullit amerikan për Kosovën në të gjitha fazat, kryeministri Mustafa shpreh mirënjohjen e qeverisë dhe të qytetarëve të Kosovës për mbështetjen e pazëvendësueshme që SHBA-të po vazhdojnë të japin për progresin në Kosovë.