-Ishte ora 05 e 17 minuta e mëngjesit në 12 qershorin historik 1999, kur tanket e para të NATO-s të përcjella nga helikopterët hynin në Kosovë/
-SPECIALE NGA BEHLUL JASHARI, KORRESPONDENTI NË KOSOVË I GAZETËS DIELLI PIKËRISHT PREJ DY VITESH NGA 12 QERSHORI 2015/
PRISHTINË, 12 Qershor 2017-Gazeta DIELLI/ Në Kosovë para 18 viteve nisi të ndodhte liria dhe paqja: Ishte ora 05 e 17 minuta e mëngjesit në 12 qershorin historik 1999, kur tanket e para të NATO-s të përcjella nga helikopterët hynin në Kosovë, kalonin kufirin nga Maqedonia në Bllacë-Han të Elezit. Në atë orë e ditë të lume me kolonën e forcës më të madhe planetare duke dhënë lajmin e madh për të gjithë shqiptarët dhe botën në raportime për Agjencinë shtetërore-zyrtare të lajmeve të Shqipërisë dhe Radio Televizionin Shqiptar ishte korrespondenti në Kosovë tash i Gazetës Dielli pikërisht prej dy vitesh nga 12 qershori 2015.
Në 13 qershor 1999, forcat shpëtimtare të NATO-s hynë në Kosovë edhe nga Shqipëria, duke kaluar kufirin nëpër Morinë-Vërmicë, drejt Prizrenit…
Në Kosovë liria po vinte më pak se tre muaj pas 24 marsit 1999 të fillimit të ndërhyrjes së aviacionit të NATO-s me bombardimin e pozicioneve të forcave kriminale serbe të kasapit të Ballkanit, Milosheviç, i cili përfundoi në Gjykatën Ndërkombëtare për Krime Lufte në Hagë. Lufta e përfunduar kishte bilanc tragjik të masakrave, spastrimit etnik e gjenocidit kundër shqiptarëve: Mëse 12 mijë të vrarë, rreth 6 mijë të zhdukur, shumë prej tyre të groposur në varreza masive, edhe të fshehura në Serbi, e afër 1 milion të dëbuar – shumica drejt Shqipërisë…
Kosovës i vinte era tokë e djegur, ua kishin vënë flakën mëse 400 fshatrave e qyteteve, 120 mijë shtëpive të shqiptarëve…
Lufta përfundoi me Marrëveshjen e Kumanovës, ndërmjet NATO-s dhe RFJ-së, që u nënshkrua në 9 qershor e hyri në fuqi në 11 qershor 1999.
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s në atë kohë, Havijer Solana, në 10 qershor 1999 kishte lëshuar urdhrin për ndalimin e bombardimit dhe Këshilli i Sigurisë së OKB-së miratoi Rezolutën 1244, sipas të cilës në Kosovë u dërguan 37.200 ushtarë të KFOR-it nga 36 shtete.
Misioni ishte i ndarë në pesë zona të përgjegjësisë, që i përkisnin KFOR-it amerikan, anglez, francez, gjerman dhe italian. Michael Jackson, ishte komandanti i parë i forcës paqëruajtëse të NATO-s në Kosovë – KFOR. Aktualisht, KFOR-in e përbëjnë rreth 5000 trupa nga 31 vende.
Ligji për festat zyrtare në Republikën e Kosovës, i miratuar në Kuvend në 21 maj 2008, i shpallur me Dekretin e Presidentit të Republikës të 15 qershorit 2008, përcakton 12 Qershorin – Ditë të Paqes.
Dekretimi i këtij ligji si dhe i 40 ligjeve tjera të dala nga paketa e Propozimit Gjithpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës të Kryenegociatorit Martti Ahtisaari – Emisarit Special të OKB-së, ishte një nga zhvillimet e ditës së 15 qershorit 2008 të hyrjes në fuqi të Kushtetutës, e cila është miratuar nga Kuvendi para 9 vitesh në 9 prill, më pak se dy maj pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, të njohur deri tani nga 114 shtete anëtare të OKB-së.