-Kuvendi miratoi në parim Buxhetin e Kosovës 2018 prej mëse 2 milardë eurosh/
PRISHTINË, 10 Dhjetor 2017-Gazeta DIELLI-B.Jashari/ Projektbuxheti i Shtetit të Kosovës për vitin 2018 parasheh të hyra të përgjithshme 1 miliard e 829 milionë euro, ndërsa shpenzime 2 miliardë e 82 milionë.
Kuvendi i Kosovës, në vijimin e seancës plenare në ditën e tretë, sot me vetëm një pikë në axhendë, miratoi në parim Projektligjin për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2018.
Siç u konstatua në seancë, në sallë ishin të pranishëm 91 deputetë, prej tyre 64 kanë marrë pjesë në votim, 62 kanë votuar pro, 2 kundër, asnjë abstenim.
Në dy ditët e kaluara të seancës, në 5 e 6 dhjetor, me shumë debate e replika maxhorancë-opozitë, Kuvendi i Kosovës nuk arriti të këtë shumicën në votimin e parë të Projektligjit për Buxhetin e Shtetit për vitin 2018 dhe për votim të sërishëm u paralajmërua të mblidhet këtë të dielë në orën 15:00.
Gjatë votimit në 6 dhjetor në sallën e seancave planere ishin 88 deputetë të Kuvendit 120 anëtarësh, prej tyre 60 morën pjesë në votim -58 ishin pro, 1 kundër e 1 abstenoi.