-Kuvendi i Kosovës nis sesionin vjeshtor, të hënën e 3 shtatorit mbledhja e Kryesisë me kryetarët e grupeve parlamentare, me vetëm një pikë në axhendë: “Kërkesa për mbajtje të seancës së jashtëzakonshme me pikën e rendit të ditës: Debat parlamentar lidhur me angazhimet e Presidentit të Kosovës për përfshirjen e ‘shkëmbimit të territoreve’ apo ‘korrigjim të kufijve’ në dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë”.
-Në 30 korrik Kuvendi i Kosovës njoftoi mbylljen e sesionit pranveror pa përfunduar seancën plenare të debatit parlamentar për dialogun me Serbinë, ndërkohë që kishte edhe një propozim rezolute të paharmonizuar mes grupeve parlamentare, rreth së cilës kishte pikëpamje të ndryshme dhe replika/
PRISHTINË, 2 Shtator 2018-Gazeta DIELLI/ Kuvendi i Kosovës nis sesionin vjeshtor, për të hënën e 3 shtatorit në orën 8:00 është ftuar mbledhja e Kryesisë së Kuvendit me kryetarët e grupeve parlamentare, me vetëm një pikë në axhendë:
“Kërkesa për mbajtje të seancës së jashtëzakonshme me pikën e rendit të ditës: Debat parlamentar lidhur me angazhimet e Presidentit të Kosovës për përfshirjen e ‘shkëmbimit të territoreve’ apo ‘korrigjim të kufijve’ në dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë”.
Në 29 gusht 2018 Grupi Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës dorëzoi kërkesën për seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, siç theksoi, për të shprehur qëndrimin institucional kundër cenimit të territorit të Republikës së Kosovës.
“Duke parë gatishmërinë e shumicës së grupeve parlamentare për të mbështetur këtë qëndrim, rezoluta do të aprovohet me mbi 80 vota”, u shpreh grupi parlamentar i partisë më të madhe opozitare.
Më tej shtoi se, nuk ka mekanizëm politik më të fuqishëm për të shprehur vullnetin e qytetarëve të Kosovës, përmes deputetëve të Kuvendit të Kosovës, si të zgjedhur të qytetarëve. “Askush nuk duhet të ketë guxim të ndërmarrë hapa që bien në kundërshtim me vullnetin e shumicës dërmuese të deputetëve në Kuvendin e Kosovës”, thekson grupi parlamentar i LDK. Rezoluta e Kuvendit të Kosovës është e obligueshme për të gjithë, vijon deklarata dhe shton se, nëse dikush vepron ndryshe, atëherë bie ndesh me rendin kushtetues të Republikës së Kosovës dhe pasojat kushtetuese dhe politike janë të ditura.“Kjo rezolutë do të dërgojë tek miqtë tanë ndërkombëtarë, që kanë ndihmuar shtetin e Kosovës të arrijë në këtë pikë ku është tani, vullnetin e qartë të qytetarëve të Kosovës se nuk janë të gatshëm të negociojnë për territorin e Republikës së Kosovës”, përfundon deklarata e grupit parlamentar të LDK.
Në 28 gusht 2018, kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj tha se e ka votën e tij rezoluta e paralajmëruar nga opozita se askush nuk ka mandat të negociojë për territorin e kufijtë e Kosovës.“E ka votën time sot. Për të mos u ndryshuar kufijtë e territori e ka votën time sot e nesër e në çdo kohë”, u shpreh kryeministri Haradinaj pas një mbledhje të qeverisë, duke iu përgjigjur interesimit të medias se a do ta përkrahë partia që ai drejton, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, një qëndrim të tillë të opozitës.
“Seancë e jashtëzakonshme e Kuvendit para datës 7 shtator 2018”, ka paralajmëruar të hënën e kësaj jave kryetari i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, duke theksuar mbështetjen nga dy partitë tjera opozitare – Lëvizjes Vetëvendosje dhe Partisë Socialdemokrate.
“Në këtë seancë do të propozohet për miratim rezoluta me vetëm një pikë, ku konfirmohet se territori i Kosovës është një dhe i pa ndashëm dhe se askush nuk ka mandat të negociojë për territorin e Kosovës. Pazare me shtetin e Kosovës nuk mund të bëjë askush.
Në ditët në vijim do të kërkojmë mbështetjen edhe të grupeve të tjera parlamentare, si dhe të shoqërisë civile”, është shprehur kryetari i grupit parlamentar të LDK.
“E mirëpres mbështetjen që po i jepet kësaj rezolute edhe nga grupet e tjera parlamentare. Pres që të gjithë deputetët e Kuvendit të Kosovës të mbështesin këtë rezolutë”, ka shkruar Hoti në ‘facebook’, gjatë javës.
Sipas deklaratave nga opozita, seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit do të mbahet në 4 shtator 2018.
Në 30 korrik Kuvendi i Kosovës njoftoi mbylljen e sesionit pranveror pa përfunduar seancën plenare të debatit parlamentar për dialogun me Serbinë, ndërkohë që kishte edhe një propozim rezolute të paharmonizuar mes grupeve parlamentare, rreth së cilës kishte pikëpamje të ndryshme dhe replika.
Propozuesi, që është një nga partitë opozitare – PSD, shprehu gatishmëri për takim me grupet parlamentare që ta diskutojnë dhe ta plotësojnë propozimrezolutën para se ajo të hidhet në votim në fillimin e sesionit vjeshtor.
Në dialogun Kosovë-Serbi në Beuksel një takim tjetër i nivelit të lartë presidencial është paralajmëruar për në 7 shtator.
PDK-Veseli: Nuk lejojmë cenimin e sovranitetit – opozita po ndjellë frikë
Në 31 gusht, në një konferencë për media, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ka theksuar se në asnjë mënyrë nuk do të lejohet cenimi i sovranitetit të Kosovës, i integritetit territorial të shtetit dhe i Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
Rreth asociacionit, kryetari Veseli ka theksuar se për PDK-në, “asociacioni me kompetenca ekzekutive është i papranueshëm”.
Ja deklarimi i kryetarit të PDK Veseli para mediave:
Gjatë muajve të fundit, Partia Demokratike e Kosovës ka bërë thirrje dhe ka ndërmarrë iniciativa konkrete për të përafruar qëndrimet politike dhe ndër-partiake, si dhe për të arritur konsensusin nacional.
Qëndrimi i Partisë Demokratike të Kosovës, është konsistent dhe i qartë: Në asnjë mënyrë nuk do të lejohet cenimi i sovranitetit të Kosovës, i integritetit territorial të shtetit tonë dhe i Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Asociacioni me kompetenca ekzekutive është i papranueshëm.
Kosovës i duhet konsensusi nacional për ballafaqim me Serbinë. Jo ndarja për ndarje mes vete dhe përfitime elektorale.
Seancë e jashtëzakonshme për ndarje e thirrur nga opozita është dëmi më i madh që i shkaktohet Kosovës, si shtet i pavarur dhe sovran dhe partneritetit me bashkësinë ndërkombëtare.
Legjitimimi i temës së ndarjes në institucionin e Kuvendit pa fakte, pa argumente dhe me Kushtetutë të qartë është vetëm inskenim i lojës së papranueshme për ndarje, që është skenar jashtë Kosovës, SHBA-së dhe BE-së.
Partia Demokratike e Kosovës konsideron se ngritja e kësaj teme të rrezikshme në diskursin e brendshëm politik do ta dëmtojë Kosovën në procesin e dialogut, duke krijuar argumente pikërisht në favor të eksponentëve anti–Kosovë që dëshirojnë ndarjen e Kosovës.
Partia Demokratike e Kosovës, si gjithherë deri më tash, është e pakompromis dhe e vendosur që ta luajë rolin e vet aktiv dhe konstruktiv për ta arritur këtë qëllim.
I sigurojmë qytetarët e Kosovës se si Parti Demokratike e Kosovës, do të jemi në krye të mbrojtjes së interesave kombëtare dhe shtetërore, për të fuqizuar edhe më tej shtetin tonë të pavarur dhe sovran, kundër asociacionit, etj.”
Pas kësaj fjale të Kryetarit Veseli, ai u përgjigj edhe në pyetjet tjera të parashtruara nga gazetarët e pranishëm rreth deklarimeve të ndryshme në medie, qasjes së Presidenti dhe ShBA-së ndaj çështjeve aktuale si dhe funksionimin e Qeverisë, etj./b.j/