-Deklaratë e Presidentes së Republikës së Kosovës/
-Në pritje të takimeve të Presidentes me drejtuesit politikë, mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Republikës së Kosovës, e paraparë për sot, është shtyrë për ditën e martë/
-AAK, një nga tre partitë opozitare, do mbajë konferencë për shtyp/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 19 Tetor 2015/ Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, në një konferencë shtypi sot deklaroi se, pas konsultimeve me krerët e institucioneve, me Kryeministrin dhe Kryetarin e Kuvendit për t’i njoftuar me vendimin tim, ftoj për dialog politik partitë politike parlamentare në përpjekje për të tejkaluar gjendjen e krijuar në vend.
“Veprimet e dhunshme dhe diskursi si në institucione dhe jashtë tyre të ditëve të fundit janë të papranueshme dhe rrezikojnë të lëndojnë konsensusin demokratik në Republikën e Kosovës”, theksoi ajo.
Mandati im si Presidente e vendit, vijoi Jahjaga, është të garantoj funksionimin demokratik të institucioneve dhe të shërbej si faktor uniteti, dhe mbi këtë bazë e ftoj spektrin politik parlamentar të Kosovës që të pranojnë këtë ftesë për dialog për mospajtimet në këto javët e fundit.
“Tashmë ftesat subjekteve politike si të koalicionit qeveritar ashtu edhe partive opozitare u janë dërguar, fillimisht për takime të ndara në zyrën time, dhe përfundimisht – në mirëbesim – në tryezë të përbashkët”, tha Presdientja e Republikës.
Shpresoj, vijoi Jahjaga, që kjo iniciative e imja të ndihmojë që shqetësimet t’i adresojmë me pjekuri politike dhe duke dëshmuar angazhimin tonë që të jetësojmë përkushtimin tonë për një demokraci parlamentare që fuqizon institucionet, forcon besimin e qytetarëve në perspektiven e vendit të tyre dhe krijon pajtimin bazik për rrugën tonë përpara.
“I thërras partitë politike dhe përfaqësuesit e tyre t’i përgjigjen ftesës dhe të tregojnë vullnet që bashkërisht të gjejmë gjuhë të përbashkët për daljen nga kjo gjendje”, theksoi ajo.
Presidentja Jahjaga u shpreh se, tash më shumë se kurrë është momenti t’ua dëshmojmë të gjithë qytetarëve që na e kanë besuar udhëheqjen e këtij shteti se dëshira e tyre për të jetuar në paqe, të kenë një ardhmëri të sigurt për ta e për brezat e ardhshëm nuk është premtim që zbehet përballë sfidës së parë, por udhërrëfyes, obligim, besë e dhënë se dallimet tona, të çfarëdo natyre, i tejkalojmë në tryezë, duke biseduar, duke gjetur zgjidhje bashkërisht dhe duke marrë përgjegjësi për to.
“Përgatitjet për seancën plenare” janë sot në axhendën e mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit të Republikës së Kosovës me kryetarët e grupeve parlamentare.
Kosova po vazhdon të humb në kohë me Kuvendin e saj, i cili në legjislacionin e kaluar ishte 7 muaj jofunksional, 1 muaj para e 6 muaj pas zgjedhjeve parlamentare parakohëshme të 8 qershorit, derisa u mblodh në seancën konstituive shumë të vonuar në 8 dhjetor 2014.
Para më shumë se një muaji, raportimi i qeverisë së Kosovës lidhur me katër marrëveshjet e arritura në Bruksel më 25 gusht 2015 ishte në axhendë në seancat e para të sesionit vjeshtor në 17 e 22 shtator. Në seancën e parë nuk ishin të pranishëm raportuesit dhe koalicioni qeverisës kërkoi shtyrje, ndërsa në të dytën që u shpall e mbyllur pas disa ndërprerjeve e pa u zhvilluar pati edhe gjuajtje vezësh nga opozita drejt kryeministrit sapo ai nisi raportimin.
Kuvendi i Kosovës pa asnjë seancë të përfunduar në sesionin vjeshtor, i bllokuar nga opozita, është mbledhur në një seancë tjetër në 15 tetor të ftuar nga Kryesia me shefat e grupeve parlamentare, në mbledhjen me vetëm përfaqësuesit e subjekteve politike të koalicionit qeverisës, përballur edhe me bojkotin opozitar.
Por, që në fillim deputetët e opozitës bllokuan me “rrethim” të foltorës dhe kryesuesit, e pastaj, për të dytën herë, si edhe një javë më parë, hodhën gaz lotsjellës dhe seanca e Kuvendit të Kosovës u ndërpre.
Derisa ndodhnin zhvillimet në seancën parlamentare dhe pas ndërprerjes së saj, në shesh para ndërtesës së Kuvendit të Kosovës kishte grumbullime për protestë të aktivistëve të opozitës e qytetarëve tjerë.
“Aksionet simbolike” të opozitës, me “rrethime” të foltores e kryesuesëve, fërshëllima, gjuajtje vezësh e gazi lotësjellës në sallën e seancave të Kuvendit, janë pjesë e kundërshtimeve, edhe me protesta në rrugë dhe me një peticion me rreth 200 mijë nënshkrime deri tani, të 4 marrëveshjeve të 25 gushtit me Serbinë dhe marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi.
“Protesta jonë në Kuvend nuk do të ndalet dhe nuk do të lejojmë normalizimin e ‘Zajednicës’ dhe faljen e tokave të Kosovës Malit të Zi”, ka paralajmëruar opozita në deklaratën e përbashkët të tre partive, LVV, AAK e Nisma.
Opozita shprehet me fjalën serbe “Zajednica” që do të thotë “Bashkësi” dhe nënkupton Bashkësinë/Asociacionin e komunave me shumicë sebe në Kosovë.
Në mbledhjen e sotme të Kryesisë me shefat e grupeve parlamentare, sipas njoftimeve zyrtare nga Kuvendi, “do të diskutohet për vazhdimin e seancës plenare, të ndërprerë në 15 tetor si pasojë e hedhjes së gazit lotsjellës”. Opozita vazhdon të bojkotojë mbledhjet e Kryesisë së Kuvendit dhe komisionet parlamentare, ndërsa kërkon të mos thirren seanca plenare, ku shkon vetëm për t’i bllokuar.
“Kërkojmë nga Kryesia e Kuvendit që të mos thërras më seancë plenare. Çfarëdo insistimi në këtë drejtim është provokim dhe përshkallëzim i situates në Republikën e Kosovës”, ka theksuar opozita në një deklaratë.
Organizata të shoqërisë civile në Kosovë në një deklaratë kanë shprehur opinionin se, “thirrja e seancave plenare pa ndryshim të qëndrimeve dhe rrethanave politike, nuk i shërben daljes nga situata e krijuar politike”, ndërsa theksojnë se “gjuha e dialogut politik është forma e vetme e zgjidhjes së problemeve politike”.
“Po ashtu, ne kërkojmë që në këtë proces të përfshihet edhe Presidentja e vendit si garante e funksionimit kushtetues të institucioneve”, përfundohet në deklaratën e organizatave të shoqërisë civile. Ndërkohë, u njoftua nga Presidenca kosovare se, “Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga mban sot konferencë për media”.
SHTYHET PËR NESËR MBLEDHJA E KRYESISË SË KUVENDIT, NË PRITJE TË TAKIMEVE TË PRESIDENTES ME DREJTUESIT POLITIKË
Ndërkohë, mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Republikës së Kosovës, e paraparë për sot, është shtyrë për ditën e martë, në orën 11:00.
Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, para fillimit të mbledhjes, i njoftoi nënkryetarët e Kuvendit dhe kryetarët e grupeve parlamentare me iniciativën e presidentes së vendit për takime me drejtuesit institucionalë dhe politikë, lidhur me zhvillimet e fundit politike në Kosovë. Në pritje të zhvillimit të këtyre takimeve, kryetari Veseli propozoi që mbledhja të shtyhet për ditën e nesërme. Propozimi u përkrah njëzëri nga Kryesia.
Kreu i Kuvendit bëri të ditur po ashtu se gjatë kësaj jave do të mbahet mbledhja plenare, e ndërprerë javën e kaluar.
FTESA E PRESIDENTES PARTIVE, AAK KONFERENCË SHTYPI
Pas njoftimit për ftesën e Presidentes, sapo bëhet e ditur nga AAK, partia e dytë opozitare, se do mbajë konferencë për shtyp sot në orën 13:30 në selinë qendrore në Prishtinë. Ende nuk ka ndonjë njoftim nga dy subjektet tjera politike të opozitës së bashkuar, LVV dhe Nisma.