-Pas debateve dydiore të 5 e 6 dhjetorit, të dielën në axhendë: Votimi për Buxhetin e Kosovës 2018/
-Këtë javë, Kuvendi i Kosovës kishte edhe një seancë tjetër plenare dyditore, në 7 e 8 dhjetor, me vetëm një pikë në axhendë: Shqyrtimi i Programit të Qeverisë së Republikës së Kosovës 2017-2021/
PRISHTINË, 9 Dhjetor 2017-Gazeta DIELLI-B.Jashari/ Votimi i Projektligjit për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2018, është pika e vetme e axhendës së Kuvendit në vijimin e seancës plenare të së dielës së nesërme, në orën 15:00.
Kuvendi, në seancën dydiore të 5 e 6 dhjetorit, pas shumë debateve e replikave maxhorancë-opozitë, nuk arriti të këtë shumicën në votimin e parë të Projektligjit për Buxhetin e Shtetit për vitin 2018 dhe për votim të sërishëm u paralajmërua të mblidhet të dielën.Në sallën e seancave planere ishin 88 deputetë të Kuvendit 120 anëtarësh, prej tyre 60 morën pjesë në votim -58 ishin pro, 1 kundër e 1 abstenoi.Projektbuxheti, i cili parasheh të hyra të përgjithshme 1 miliard e 829 milionë euro, ndërsa shpenzime 2 miliardë e 82 milionë, nga maxhoranca kishte mbështetje me vlerësim se siguron stabilitet financiar të shtetit, e nga ana e opozitës kishte kritika e paralajmërim votimi kundër pasi, sipas saj, kthen situatën e para vitit 2015 kur ka pasur planifikim të dobët buxhetor.
Projektligjin për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2018, qeveria e prezantoi në Kuvend pasi e ka miratuar në 31 tetor, me ç’rast kryeministri Ramush Haradinaj u shpreh me vlerësim se, “Buxheti siguron qëndrueshmëri të zhvillimit ekonomik të Kosovës”.
Edhe ministri i Financave, Bedri Hamza, vlerësoi se “ky Buxhet do të sigurojë qëndrueshmëri të rritjes ekonomike të vendit, mbështetje të veprimtarive ekonomike, rritje të transfereve sociale dhe rritje te investimeve kapitale”.
Këtë javë, Kuvendi i Kosovës kishte edhe një seancë tjetër plenare dyditore, në 7 e 8 dhjetor, me vetëm një pikë në axhendë – shqyrtimi i Programit të Qeverisë së Republikës së Kosovës 2017-2021, e cila u zhvillua poashtu me debate pikëpamjesh të ndryshme nga maxhoranca e opozita dhe me shumë replika.
“Programi i Qeverisë së Republikës së Kosovës për vitin 2018 është i ndërtuar mbi këto shtylla: Sundimi i ligjit, zhvillimi ekonomik dhe punësimi, integrimet euroatlantike dhe zhvillimi sektorial”, ka theksuar kryeministri Ramush Haradinaj, i cili ka prezantuar programin dhe u është përgjigjur pyetjeve të deputetëve.
Një seancë e re plenare e Kuvendit të Kosovës, sipas vendimit të Kryesisë, do mbahet të enjten e javës së ardhshme.
Kuvendi i Kosovës i zgjedhjeve të parakohshme të 11 qershorit është konstituuar në 7 shtator, kur ka zgjedhë kryeparlamentarin me 62 vota dhe Kryesinë, kurse në seanca e parë e tij ishte e jashtëzakonshme, kur me 61 vota zgjodhi qeverianë e re të Kosovës pikërisht para tre muajsh, në 9 shtator.
Edhe seanca e dytë e Kuvendit pas konstituimit ishte e jashtëzakonshme, e ftuar sipas kërkesës së deputetëve nënshkrues, nga opozita, e cila ka nisur në 10 shtator dhe ka vijuar e përfunduar në 3 tetor me debate lidhur me Parimet Programore të Qeverisë së Republikës së Kosovës 2017-2021.