-Kuvendi i Kosovës në seancë për Buxhetin e Shtetit 2019, “Trepçën” dhe 7 pika tjera në axhendë/
-Para fillimit të seancës së Kuvendit, Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj ka marrë vendim dhe ka liruar nga detyra ministrin Nenad Rikalo të Listës Serbe/
Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/
PRISHTINË, 2 Shkurt 2019/ Buxheti i Shtetit 2019 dhe Statuti i gjigantit ekonomik “Trepça” janë dy nga nëntë pikat e axhendës së seancës së sotme plenare të Kuvendit të Kosovës, të dytës këtë vit – të sesionit pranveror, e cila nisi me më shumë se një orë vonesë, ndërsa ishte e ftuar për në orën 10:00.
Projektligji mbi ndarjen buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2019 është sot në shqyrtim të dytë, pasi u debatua gjatë dy ditëve, në 6 e 7 nëntor dhe miratua në parim në 21 dhjetor 2018 me votat e 62 deputetëve të pranishëm të Kuvendit 120 anëtarësh. Deputetët e dy partive opozitare, LDK e LVV, nuk ishin të pranishëm në procesin e votimit.
Në Buxhetin e Shtetit të Kosovës të vitit 2019 të hyrat e përgjithshme pritet të jenë 2 miliardë e 370 milionë euro, ndërsa shpenzimet në vlerë 2 miliardë e 365 milionë.
Në debatin në Kuvend, ministri i Financave, Bedri Hamza, tha se Buxheti i Republikës së Kosovës për vitin 2019 do të sigurojë një rritje ekonomike prej 4.7%, ndërsa theksoi se projektligji i propozuar është hartuar në bashkëpunim të plotë me FMN-në.
Por, sipas deklaratave nga opozita me paralajmërime votimi kundër, rritja ekonomike e paraparë në projektligj paraqet dështimin e zhvillimit ekonomik të vendit. Sipas opozitës, qeveria në fillim të mandatit të saj rritjen ekonomike e proklamonte deri në 10%.
Qeveria e Kosovës në mbledhjen e miratimit në 26 tetor 2018 ka theksuar se, Projektligji parasheh një rritje të konsiderueshme të të hyrave buxhetore që reflekton qëndrueshmërinë dhe stabilitetin ekonomik të vendit.
Gjatë prezantimit të Projektligjit, poashtu, është theksuar se përgatitjet e propozimit të Buxhetit për vitin 2019 janë zhvilluar në pajtim me legjislacionin dhe janë në përputhje me të gjithë parametrat financiarë dhe ekonomikë të Kosovës.
Në Projektligj parashihet rritje e pensioneve bazë prej 20 përqind si dhe atyre të kontributdhënësve prej 15 përqind, kurse do të rritet buxheti për prioritetet e qeverisë për vitin 2019, siç janë mbrojtja, rendi, shëndetësia, arsimi dhe mjedisi.
Miratimi i Buxhetit 2019 në Kuvendin e Kosovës ka vonesa në pritje të sigurimit të votave. Për krahasim, Projektligji për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2018, i cili parashihte të hyra të përgjithshme 1 miliard e 829 milionë euro, ndërsa shpenzime 2 miliardë e 82 milionë, është shqyrtuar për herë të dytë dhe mratuar në 22 dhjetor 2017.
Shkaku i voneses në miratimin e Buxhetit të Shtetit 2019, sot në axhendën e Kuvendit është edhe shqyrtimi i Propozim-vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për zgjatjen e ndarjeve buxhetore për muajin shkurt të vitit 2019, të përcaktuar me Ligjin për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2018.
Propozim-Statuti i Shoqërisë Aksionare “Trepça” Sh.A. është sot në axhendën e Kuvendit, pasi i propozuar nga Bordi Mbikëqyrës është miratuar në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës në 25 janar 2019. Versionin e ri të Projekt-Statutit Qeveria e dërgoi në Kuvendin e Republikës së Kosovës, i cili në 8 tetor 2016 ka shqyrtuar edhe për herë të dytë dhe ka miratuar Ligjin për “Trepçën”.
Statuti i “Trepçës” përcakton themeluesit e shoqërisë aksionare, aksionet e tyre, veprimtarinë, strukturën organizative, kapitalin themeltar, menaxhimin, afarizmin dhe të gjitha çështjet organizative që lidhen me kompaninë.
Emërtimi i shoqërisë aksionare është “Trepça” Sh.A dhe selia është në Parkun Industrial të Mitrovicës.
Miratimi Statusit të Shoqërisë Aksionare “Trepça” Sh.A. do të mundësojë zbatimin e Ligjit për Trepçën dhe versioni i ri është në pajtueshmëri të plotë nga të gjithë akterët që ndikohen nga kjo kompani, është theksuar në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës.
Në axhendën e seancës së Kuvendit sot janë edhe: Shqyrtimi i dytë i Projektligjit për organizimin dhe funksionimin e Administratës Shtetërore dhe të Agjencive të Pavarura; Shqyrtimi i dytë i Projektligjit për zyrtarët publikë; Shqyrtimi i dytë i Projektligjit për pagat në sektorin publik; Shqyrtimi i parë i Projektligjit për detyrat, përgjegjësitë dhe kompetencat e Delegacionit Shtetërorë të Republikës së Kosovës në procesin e dialogut me Republikën e Serbisë; Shqyrtimi i parë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për financimin e subjekteve politike; Propozimi për formimin e Komisionit Ad Hoc për përpilimin e Kodit për rregullimin dhe menaxhimin e fushës së pensioneve dhe beneficioneve nga sigurimi social.
Kuvendi i Kosovës në 30 janar nisi sesionin pranveror me seancën plenare të parë në vitin 2019 me 30 pika në axhendë, derisa ditëve të kaluara kishte disa takime të komisioneve parlamentare.
“Shqyrtimi i parë i Projektligjit për pastërtinë e figurës së zyrtarëve të lartë në institucionet publike dhe të të zgjedhurve”, ishte një nga pikat e axhendës.
Në 31 dhjetor Kuvendi i Republikës së Kosovës njoftonte përmbylljen e sesionit vjeshtor të punimeve.
“Konform Rregullores së Kuvendit, sesioni pranveror fillon të hënën e tretë të muajit janar, përkatësisht më 21 janar 2019”, theksonte njoftimi.
Përbërja aktuale e Kuvendit të Kosovës 120 anëtarësh ka dalë nga zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 11 qershorit 2017, ndërsa seanca konstituive me zgjedhjen e kryeparlamentarit me 61 vota dhe Kryesisë është mbajtur në 7 shtator, e në 9 shtator është zgjedhur me 62 vota Qeveria e re.
KOSOVË-LIROHET NGA DETYRA MINISTRI RIKALO I LISTËS SERBE
PRISHTINË, 2 Shkurt 2019-Gazeta DIELLI/ Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj bën të ditur se, sot ka marrë vendim dhe ka liruar nga detyra Ministrin e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Nenad Rikalo.
“Z. Rikalo i shprehi falënderim për bashkëpunim gjatë kohës sa ishte aktiv si ministër në Qeverinë e Kosovës.
Në proceset politike para vetes, do të respektoj angazhimin e secilit. Ministri Rikalo ishte ministër i respektuar në Qeverinë e Republikës së Kosovës.
Bashkëpunimi me përfaqësuesit e të gjitha komuniteteve dhe përfaqësuesit e komunitetit serb, do të vazhdon palëkundur”, shprehet Haradinaj.
Shkarkimi i Rikalos, një nga 3 ministrat e Listës Serbe në Qeverinë e Kosovës, një prej të cilëve edhe zëvendëskryeministër, e që ka gati një vit që nuk marrin pjesë në mbledhjet e Qeverisë, është një nga pesë kushtet e partisë opozitare PSD të 12 deputëtëve të ndarë nga VV për votimin sot në Kuvend të Buxhetit të Shtetit 2019.