*Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës deklaroi se, “ndërhyrjen e kryesuesit të seancës së sotme të Kuvendit të Kosovës, me ndalimin e fjalës së shefes së grupit parlamentar të AAK-së, e konsideron ndërhyrje arbitrare në zërin e 33 mijë qytetarëve të vendit, nënshkrues të peticionit kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike”.
“AAK e konsideron këtë goditje ndaj demokracisë dhe të drejtës së deputetit për t’u shprehur”, u tha në deklaratë./
Nga Behlul Jashari/
PRISHTINË, 10 Korrik 2015- Kosova do bëjë rishikimin e Buxhetit të Shtetit. Votimi i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2015 u bë sot në vazhdimin e seancës plenare të Kuvendit kosovar pas debatit të ditës së djeshme dhe mungesës së kuorumit. “Kërkohet nga Komisioni Funksional dhe komisionet e përhershme që të shqyrtojnë Projektligjin dhe Kuvendit t’ia paraqesin raportin me rekomandime për seancën plenare që do mbahet në 16 korrik”, tha pas votimit me shumicë e miratimit në parim kreyesuesi, Xhavit Haliti.
Kuvendi i Kosovës dje fillimisht votoi për shmanige nga rregullorja – shqyrtim të parë dhe të dytë me procedurë të shpejtuar të Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Buxhetin e Shtetit 2015.
Në prezantimin e projektligjit nga qeveria iu dha një rëndësi të veçantë marrëveshjes me FMN-në, ruajtjes së fondeve për investime dhe uljes së shpenzimeve në mallra dhe shërbime.
Nga Komisioni për Buxhet u tha se shqyrtimi i dytë i projektligjit duhet të bëhet në seancën plenare në 16 korrik pasi që në 24 korrik bordi i FMN-së në Uashington do të diskutojë marrëveshjen me Kosovën.
Miratimi në Kuvendin e Kosovës i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Buxhetin do t’i hapë rrugë rishikimit të Buxhetit të Shtetit për këtë vit, ndërsa sipas paralajmërimeve të qeverisë shpenzimet e parapara do të jenë më të ulëta për 49 milionë euro. Rishikimi i Buxhetit është bërë në harmoni të plotë edhe me marrëveshjet e arritura me Fondin Monetar Ndërkombëtar, ka theksuar qeveria.
Buxheti i Kosovës 2015 me të hyra të planifikuara 1 miliard e 576 milionë euro, me një rritje prej rreth 8.1% krahasuar me vitin 2014, është miratuar në 29 dhjetor nga Kuvendi i zgjedhjeve të 8 qershorit, i konstituar pas gjashtë muajsh.
Shqyrtimi i parë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2015, i miratuar nga qeveria në 26 qershor, është një nga 12 pikat e seancës plenare të Kuvendit kosovar, të nisur dje e që vazhdoi sot.
Në vijim të seancës, u bë shqyrtimi i parë i Projektligjit për faljen e borxheve publike, por nuk kishte kuorum për votim.
Sot u bë edhe votimi për katër pikat e bartura nga seancat e kaluara, i Rekomandimit të Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Personat e Pagjetur dhe Peticione lidhur me Peticionin e qytetarëve të Rahovecit për ndriçimin e fatit të Ukshin Hotit; Votimi i Rekomandimeve të Komisionit për të Drejta e Njeriut, Barazi Gjinore, Personat e Pagjetur dhe Peticione lidhur me Peticionin kundër shtrenjtimit të çmimit të Energjisë Elektrike; Votimi për emërimin e anëtarit në Këshillin Drejtues të Institutit Gjyqësor të Kosovës dhe Votimi i Raportit vjetor për gjendjen në Shërbimin Civil të Republikës së Kosovës për vitin 2014.
Deputetë të opozitës lëshuan seancën pasi deputetetes së AAK-së, Donika Kadaj –Bujupi, iu ndërpre fjala nga kryesuesi dy herë radhazi.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, e cila thirri konferencë shtypi në ambientet e Kuvendit deklaroi se, “ndërhyrjen e kryesuesit të seancës së sotme të Kuvendit të Kosovës, me ndalimin e fjalës së shefes së grupit parlamentar të AAK-së, e konsideron ndërhyrje arbitrare në zërin e 33 mijë qytetarëve të vendit, nënshkrues të peticionit kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike”.
“AAK e konsideron këtë goditje ndaj demokracisë dhe të drejtës së deputetit për t’u shprehur”, u tha në deklaratë.
Në axhendën e sotme të Kuvendit është edhe shqyrtimi i Raportit të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës për vitin 2014 dhe Raportit të Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës për vitin 2014.