-Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, falënderon bashkatdhetarët/Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 23 Korrik 2015/ -Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, ka falënderuar bashkatdhetarët, të cilët në kuadër të aktivitetit “Bashkatdhetarët në Kuvend”, për dy ditë rresht vizituan ndërtesën e legjislativit.
“Falënderojmë të gjithë bashkatdhetarët që vizituan Kuvendin e Republikës së Kosovës gjatë dy ditëve të shkuara. Ne takuam qindra bashkatdhetarë, që me zemër janë të lidhur pashkëputshëm me Kosovën, me të arriturat e dhe zhvillimet e saj. Për këto dy ditë, gjatë takimit me ta, dëgjuam shumë propozime, vërejtje e sugjerime për mbarëvajtjen jo vetëm të Kuvendit por edhe institucioneve tjera. Të gjitha këto do të jenë pjesë e politikës sonë shtetërore që mërgatën tonë ta kthejmë në njërin ndër faktorët më të rëndësishëm të zhvillimit ekonomik të Kosovës dhe integrimit evropian të saj”, thuhet në falënderimin e kryetarit Veseli.
Për herë të parë, Kuvendi i Republikës së Kosovës në mënyrë të organizuar hapi dyert për të gjithë mërgimtarët të cilët dëshirojnë ta vizitojnë ndërtesën e institucionit më të lartë legjislativ dhe të takohen me përfaqësuesit e qytetarëve.
Aktiviteti “Bashkatdhetarët në Kuvend” u mbajt në 21 dhe 22 korrik 2015, nga ora 10:00 deri nw 16:00.
Pritja qendrore u organizua të mërkurën, në 22 korrik, në orën 11:00, në sallën e mbledhjeve plenare të Kuvendit, në të cilën kryetari i Kuvendit takoi grupe të mërgimtarëve dhe mbajti një fjalë mirëseardhjeje.
Të gjithë bashkatdhetarët që aktualisht gjenden në Kosovë dhe dëshironin ta vizitojnë Kuvendin e Kosovës, ishin të mirëpritur dhe tw ftuar t’i bashkëngjiteshin këtij aktiviteti.
Në 1 korrik, Ministria kosovare e Diasporës organizoi një ceremoni, për të nderuar një nga personalitetet më të spikatura të Komunitetit Shqiptaro-Amerikan, Harry Bajraktari, për kontributin 30 vjeçar në promovimin dhe afirmimin e çështjes së Kosovës, Pavarësisë së saj, si dhe një nga investitorët më të mëdhenj Shqiptaro-Amerikan.
Ceremoninë e nderoi prania e mysafirit special, mikut të shqiptarëve për mëse 25 vjet në Kongresin Amerikan dhe mik personal i Bajraktarit, Kongresmeni Eliot Engel.
Kjo ceremoni shënonte edhe hapjen e aktiviteteve për Ditët e Diasporës.
Sipas regjistrimit të popullsisë të pranverës 2011, në Kosovë, pa veriun, u numëran 1.739. 825 banorë rezidentë, 92.93 % shqiptarë. Pjesa tjetër e përqindjeve iu takon komuniteteve pakicë, 1.58% boshnjakë, 1.47 % serbë, 1.08 % turqë, etj.
Por, numri i banorëve-shtetasëve të Kosovës është më i madh, meqë regjistrimi i popullsisë nuk ka përfshirë një të tretën e kosovarëve që vlerësohet se jetojnë e punojnë jashtë vendit.
Në 21 qershor, Kosova hapi fushatën për regjistrin e diasporës Ti je pjesë e atdheut – Regjistrohu edhe ti. Në Sheshin Nëna Terezë në Prishtinë me një aktivitet solemn përfaqësues të institucioneve dhe donatorëve prezantuan axhendën e kësaj fushate, e cila do të zgjasë për një periudhë tremujore, me aktivitete të ndryshme, në gjithë territorin e Kosovës. Bashkatdhetarët do të kenë mundësi të regjistrohen edhe në ekipet mobile nëpër qytetet e Kosovës.