Presidentja Jahjaga: Vepra e Besim Bokshit do të jetoj ndër mote/
PRISHTINË, 17 Gusht /-Shuhet në moshën 83 vjeçare akademiku Besim Bokshi, i vlerësuar si njëri nga gjuhëtarët më të shquar të Kosovës dhe të shkencës së albanologjisë në përgjithësi.
Besim Bokshi lindi në Gjakovë më 12.XI.1930. Gjashtë klasë të mësimit fillor i kreu në Tiranë, për të vazhduar pastaj shkollimin në Gjakovë, Prishtinë dhe në Beograd. Ka qenë anëtar i komisionit për konkluzione të Konsultës Gjuhësore të Prishtinës më 1968 dhe delegat në Kongresin e Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe në Tiranë më 1973.
Ka qenë deputet në Dhomën për Arsim në Kuvendin Federativ më 1967-69. Në zgjedhjet kosovare parlamentare e presidenciale të vitit 1992, që ishin pjesë e lëvizjes për liri, pavarësi e demokraci, është zgjedhur deputet i Kuvendit të Kosovës. Në vitet 1993-96 ka qenë kryetar i Partisë Socialdemokrate të Kosovës.
Ishte anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës. Anëtar korrespondent i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës është zgjedhur më 1991, ndërsa nga viti 1996 ka qenë anëtar i rregullt i kësaj Akademie. Në vitin 2002 u zgjodh nënkryetar, ndërsa në vitet 2008-2011 ishte kryetar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës.
Kryetarja e Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari Lila, në një telegram ngushëllimi familjes është shprehur se, “me hidhërim të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të Akademik Besim Bokshit, të bashkëshortit, prindit, vëllait, gjyshit dhe profesorit të çmuar dhe të respektuar gjerësisht nga kolegët, nxënësit dhe studentët e shumë brezave, të cilëve ua mësoi gjuhën e bukur shqipe, letërsinë dhe artin shqiptar, ashtu siç dinte vetëm i madhi Besim Bokshi, poeti, profesori, gjuhëtari, Akademiku ynë. Ai me jetën dhe veprën e tij na bëri të krenohemi se ishim bashkëvendës të tij. Me dijen e thellë në fushën e gjuhës, me krijimtarinë dhe veprat gjuhësore, profesor Besimi dha kontributin e vet të çmuar në pasurimin e shkencës së albanologjisë”
Jahjaga: Vepra e Besim Bokshit do të jetoj ndër mote
Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, ngushëlloi sot familjen Bokshi, me rastin e vdekjes së më të dashurit të tyre, akademik Besim Bokshi.
“Me dhembje e morëm lajmin për ndarjen nga jeta të më të dashurit tuaj, poetit e intelektualit të shquar, ish-Kryetarit të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, akademik Besim Bokshi”, thuhet në telegram.
Presidentja Jahjaga shprehet se, humbja e akademik Besim Bokshit, nuk është humbje vetëm për familjen Bokshi, por është humbje e madhe për kulturën, gjuhën shqipe, është humbje e madhe për Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës dhe për Kosovën në përgjithësi.
“Akademik Bokshi do të mbahet në mend për punën e tij dhe kontributin e vazhdueshëm për krijimtarinë dhe veprat gjuhësore, për kontributin e çmuar në fushën e albanologjisë si dhe për angazhimin dhe punën e tij për Akademinë e Shkencave dhe të Arteve”, thekson Jahjaga. Sipas saj, vepra dhe krijimtaria e akademik Besim Bokshit do të jetoje ndër mote duke shërbyer si motivim për studiuesit e rinj dhe për intelektualët e Kosovës
Sadik Elshani says
Humbje e madhe. Akademik Besim Bokshi ka qene njeri nder studiusit me serioz e me te zellshem te gjuhesise shqiptare, pedagog i shkelqyer, atdhetar e poet qe ze nje vend te merituar ne letersine shqiptare. Edhepse nuk krijoi shume, poezia e tij shquhet per tematiken e zgjedhur, figuracionin e pasur, forcen shprehese dhe pati mjaft ndikim te poetet me te rinj. Shpesh e kujtoj vargun e tij: “Rand asht kur s’ke qene femi ne jeten tande te vogel”. U prehte i qete ne dheun e Kosoves!