-Para 19 viteve, në 31 janar 1997, rrugës për realizimin e një misioni të veçantë, në fshatin Pestovë – në hyrje të qytetit të Vushtrrisë, rrugës Prishtinë-Mitrovicë, ranë heroikisht në krye të detyrës heronjët e lirisë e pavarësisë së Kosovës, komandanti Zahir Pajaziti dhe bashkëluftëtarët Hakif Zejnullahu e Edmond Hoxha, tre nga drejtuesit e luftës çlirimtare të UÇK-së/
-Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Haki Demolli: Forcat e Armatosura të Kosovës, përveç mbrojtjes së sovranitetit dhe integritetit të vendit tonë, objektivë tjetër madhore do të kenë edhe anëtarësimin në NATO, si dhe gatishmërinë për pjesëmarrje në misione paqeruajtëse dhe humanitare në vende të ndryshme jo vetëm në Evropë, por edhe më gjerë/
PRISHTINË, 31 Janar 2016/ Në Prishtinë po mbahet në këto momente sot Akademi Përkujtimore me rastin e 19 vjetorit të rënies së heronjëve të Kosovës, Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxha.
Akademia u organizua nën patronatin e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, ndërsa në emër të institucioneve shtetërore foli ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Haki Demolli. Ai paralajmëroi transformimin së shpejti të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forca të Armatosura të Kosovës.
“Jam thellësisht i bindur se Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës, në vazhdën e angazhimit për konsolidimin e organeve të veta më vitale shtetërore, gjatë këtij viti do të ndërmarrin të gjitha veprimet ligjore dhe kushtetuese për transformimin e FSK-së në Forcë të Armatosur të Kosovës.
Forcat e Armatosura të Kosovës, përveç mbrojtjes së sovranitetit dhe integritetit të vendit tonë, objektivë tjetër madhore do të kenë edhe anëtarësimin në NATO, si dhe gatishmërinë për pjesëmarrje në misione paqeruajtëse dhe humanitare në vende të ndryshme jo vetëm në Evropë, por edhe më gjerë.
Përmbushja dhe realizimi i këtyre objektivave të Forcave të Armatosura të Kosovës, paraqet plotësimin e një dëshire, jo vetëm të popullit të Kosovës, por edhe të Zahirit, Hakifit, Edmondit dhe të gjithë luftëtarëve, dëshmorëve dhe heronjve të vendit tonë”, theksoi ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Haki Demolli.
Në akademi foli edhe Rrustem Mustafa-Remi, ish-komandant i UÇK-së për zonën e Llapit. Në emër të familjarëve të heronjve të pranishmit i ka përshëndetur Bajram Zejnullahu.
Delegacioni i Lëvizjes Vetëvendosje, pjesë e të cilit ishte kryetari i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, bëri homazhe para shtatores së heroit Zahir Pajaziti në kryeqytet.
Para 19 viteve, në 31 janar 1997, rrugës për realizimin e një misioni të veçantë, në fshatin Pestovë – në hyrje të qytetit të Vushtrrisë, rrugës Prishtinë-Mitrovicë, ranë heroikisht në krye të detyrës heronjët e lirisë e pavarësisë së Kosovës, komandanti Zahir Pajaziti dhe bashkëluftëtarët Hakif Zejnullahu e Edmond Hoxha, tre nga drejtuesit e luftës çlirimtare të UÇK-së.
***
Kryetari Veseli nderoi dëshmorët Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu
Sot, në 19-vjetorin e rënies heroike të dëshmorëve të kombit, Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxha, kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, bëri nderime dhe vendosi lule pranë shtatores të heroit Zahir Pajaziti në Prishtinë.
Me këtë rast, kryetari Veseli e konsideroi janarin muaj që sjell rikujtesën e historisë tonë me shumë dhimbje, sepse nga shokët u ndanë një plejadë e tërë e patriotëve e heronjëve kombëtarë.
Në këtë vargan të historisë sonë të dhimbshme, theksoi kryetari Veseli, vend të veçantë zënë organizatori dhe komandanti i njësiteve të para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Zahir Pajaziti me shokët e pandarë, Hakif Zejnullahun dhe Edmond Hoxhën.
“Rënia e tyre, në fundjanarin e 1997-tës, rirreshtoi forcat çlirimtare, duke u dendësuar radhët dhe duke sjellë vlerën e sakrificës si dëshmi se liria është më e shtrenjtë se jeta. I përjetshëm është kujtimi për Zahirin, Hakifin dhe Edmondin. Lavdi dëshmorëve të kombit!”, theksoi kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli.
Më pas, kryetari Veseli ka vazhduar për në fshatin Pestovë dhe ka bërë nderime pranë lapidarit të tre heronjve, në vendin e rënies së tyre.
Pas homazheve në Pestovë, kryetari Veseli vijon me vizita në Memorialin Përkujtimor “Zahir Pajaziti” në Orllan dhe në Lladofc./b.j/