Policia e Kosovës: Manifestimi ka përfunduar i qetë pa ndonjë incident/
Nga: Behlul Jashari/*
PRISHTINË, 28 Qershor/.-Serbë kosovarë dhe të ardhur edhe nga Serbia festuan Vidovdanin, të mbledhur sot në mesditë në Gazimestan, në një fushë rreth pesë kilometra në veri të Prishtinës, duke shënuar kështu 626 vjetorin e Betejës së Kosovës.Në çdo 28 qershor serbët festojnë Vidovdanin apo Betejën e Kosovës, që ka ndodhur në vitin 1389, e cila ishte humbur.Lidhur me manifestimet tradicionale religjioze ortodokse të festës së Vidovdanit Policia e Kosovës paraprakisht ka përgatitur planin operativ për menaxhimin e situatës së sigurisë.
Qëllimi strategjik i këtij plani operativ policor ishte: Mbajtja e rendit dhe sigurisë publike dhe zbatueshmëria e ligjit në vend; Shtimi i masave të sigurisë për të garantuar rend, qetësi dhe siguri publike, para, gjatë dhe pas manifestimit të Vidovdanit; Garantimi i lirisë së lëvizjes për të gjithë qytetarët dhe ofrimi i sigurisë; Kontrollimi dhe rregullimi i nevojshëm i rrjedhës së trafikut në të gjitha rrugët magjistrale, rajonale dhe ato lokale; Përcjellja dhe sigurimi i eskortave, individëve dhe grupeve të veçanta; Zbatimi i kompetencave dhe autorizimeve ligjore, përballë situatave të ndryshme dhe marrja e masave ndaj të gjithë shkelësve të ligjit, konform ligjeve të Republikës së Kosovës.
Policia e Kosovës më tej bën të ditur se në bazë të të dhënave nga terreni ka regjistruar rreth 1.300 – 1.500 pjesëmarrës, të cilët në mënyrë të organizuar kanë marrë pjesë në Graçanicë dhe Gazimestan të rajonit të Prishtinës, me rastin e festës me karakter religjioz të quajtur Vidovdani.
Fillimisht rreth orës 10:00 ka filluar manifestimi në afërsi të Manastirit në Graçanicë, ku kanë marrë pjesë një numër kryesisht i vogël i pjesëmarrësve.
Njësitet policore janë përkujdesur për mbarëvajtjen e manifestimit në Graçanicë, duke përfshirë edhe njësitet policore të trafikut të Prishtinës, të cilat kanë mundësuar qarkullimin e trafikut duke ri-drejtuar automjetet në rrugë alternative.
Ndërsa rreth orës 13:00, ka filluar manifestimi tek monumenti i Gazimestanit, ku njësitet policore janë përkujdesur për mbarëvajtjen e manifestimit si dhe rregullimin-orientimin e komunikacionit rrugor.
Njoftimi thekson se, karakteristikë që duhet veçuar me rastin e realizimit të planit policor është një planifikim me kohë i udhëhequr me vigjilencë dhe profesionalizëm nga Policia e Kosovës, e cila ka ofruar shërbimin e vet të sigurimit të pelegrinëve dhe qytetarëve në përgjithësi, duke siguruar një qarkullim të lirë sipas axhendave dhe planeve të parapara.
Po ashtu Policia e Kosovës është përkujdesur për të mundësuar lëvizjen e lirë për të gjithë pjesëmarrësit që kanë qenë pjesë e manifestimit, duke përfshirë edhe qytetarët tjerë të cilët nuk kanë qenë pjesë e këtij manifestimi.
Manifestimi ka përfunduar i qetë pa ndonjë incident që vlen të potencohet dhe pjesëmarrësit janë shpërndarë në formën siç edhe kishin ardhur, përfundon deklarata e orës së fundit e Policisë së Kosovës.
Bëhet e ditur se tashmë ka përfunduar festa e Vidovdanit në Gazimestan, ku sipas medias, i pranishëm në ishte edhe mitropoliti i Malit të Zi, Amfilohije Radoviq.
Duke folur rreth kësaj feste, Radoviq ka thënë se “Car Lazari dhe Skënderbeu kanë luftuar për të njëjtin ideal për largimin e Osmanëve prej Ballkanit”.
Ndërkohë, zyrtarët serbë, edhe pse kishin paralajmëruar pjesëmarrjen, ata nuk ishin të pranishëm në Gazimestan, raporton media kosovare.
Para 26 viteve, në 600 vjetorin e Betejës së Kosovës, kreu i atëhershëm shtetëror serb, Slobodan Milosheviç, pikërisht në ditën e Vidovdanit në fushën e Kosovës – Gazimestan, u binte daulleve të luftës, e cila pastaj u ndez e përfshiu hapësirat e ish-Jugosllavisë, luftës për Serbinë e madhe, nga më të përgjakshmet në gjithë historinë e Ballkanit, dhe që në fund e humbi e pastaj vet përfundoi në Tribunalin Ndërkombëtar për Krime Lufte në Hagë.
* Falenderojme gazetarin me pervoje nga Kosova z. Behlul Jashari qe i eshte shtuar lsites se bashkepunetoreve te Diellit nga Republika e Kosoves.