Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 16 Nëntor 2015/ Në Prishtinë mbahet nesër takimi i parë i grupeve të punës për zbatimin e marrëveshjes së nënshkruar mes Kosovës dhe Shqipërisë për mësimin shqip në diasporë.
Hapjen e punimeve në takimin e grupit të punës e bëjnë Lindita Nikolla, ministre e Arsimit dhe e Sportit e Republikës së Shqipërisë, Valon Murati, ministër i Diasporës dhe Arsim Bajrami, ministër i Arsimit, Shkencës dhe i Teknologjisë i Republikës së Kosovës.
Tre ministrat do t’i kenë fjalimet e tyre nga ora 10:00, ndërsa pas përfundimit të hapjes mbahet konferencë për shtyp.
Në mbledhjen e dy qeverive, “Një tokë – Një Popull – Një ëndërr”, në Tiranë, në 23 mars 2015, që pasonte të parën historike në Prizren në 11 janar 2014, është nënshkruar Marrëveshja e Bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Arsimit dhe Sportit të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Diasporës së Republikës së Kosovës dhe Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë së Republikës së Kosovës “Për Organizimin e Përbashkët të Mësimit të Gjuhës Shqipe dhe të Kulturës Shqiptare në Diasporë dhe në Mërgatë”.
Ministrja shqiptare e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla dhe ministri kosovar i Diasporës, Valon Murati, në Tiranë, në tetor 2015, diskutuan për rëndësinë e zbatimit të marrëveshjes për mësimin plotësues të gjuhës shqipe në diasporë dhe u dakorduan për dinamikën e zbatimit të kësaj marrëveshjeje.
Njoftimi i ministrisë kosovare theksonte se, krerët shtetërorë të Republikës së Shqipërisë dhanë mbështetje të pa rezervë për punën e Ministrisë së Diasporës duke konstatuar se diaspora shqiptare është një dhe e vetme dhe si e tillë do të trajtohet.