Foto Gazeta DIELLI – Behlul Jashari: Biblioteka Kombëtare në Prishtinë, këtu mbahet mbledhja e qeverive Shqipëri- Kosovë/
-Përgatitje për mbledhjen e tretë të dy qeverive edhe me akreditim mediash/
-Nga mbledhja e qeverive Shqipëri-Kosovë për Gazetën Dielli do raportojë korrespondenti në Prishtinë/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 27 Maj 2016/ Qeveria e Kosovës shkon drejt përfundimit të përgatitjeve për mbledhjen e tretë të përbashkët me Këshillin e Ministrave të Shqipërisë, pas një jave – në 3 qershor në Prishtinë, në ambientet e Bibliotekës Kombëtare.
Në disa mbledhje të fundit qeveria e Kosovës ka diskutuar për përgatitjet dhe ka paralajmëruar të përmbyllen me përfundimin e kësaj jave, ndërsa sot ka ftuar mediat për akreditimin e gazetarëve që të kenë mundësinë të përcjellin në vendin e ngjarjes mbledhjen e përbashkët me qeverinë e Shqipërisë, nga e cila do të ketë edhe transmetime të drejtpërdrejta televizive.
Nga mbledhja e qeverive Shqipëri-Kosovë për Gazetën Dielli do raportojë korrespondenti në Prishtinë.
Pas mbledhjes së parë historike në Prizren në 11 janar 2014, në ceremoninë e organizuar te Shtëpia e Lidhjes Shqiptare, u bë nënshkrimi zyrtar i Dokumentit për bashkëpunim dhe partneritet strategjik ndërmjet dy shteteve dhe marrëveshjeve tjera mes dy qeverive, të Shqipërisë e Kosovës.
Në mbledhjen e dytë të qeverive të Shqipërisë dhe Kosovë, në Tiranë në 23 mars 2015, nën moton “Një tokë, një popull, një ëndërr”, u firmosën 5 marrëveshje, 4 memorandume, 2 protokolle dhe një deklaratë e përbashkët për zonat e lira ndërkufitare.
Duke paralajmëruar mbledhjen e tretë të premten e ardhëshme, në qeverinë kosovare kanë theksuar se, bashkëpunimi me Shqipërinë është i interesit të veçantë për Kosovën, do të vazhdohet me takime të dy qeverive, do të trajtohen marrëveshjet që janë nënshkruar deri më tani dhe zbatimi i tyre, po ashtu do të bëhet nënshkrimi i marrëveshjeve të reja të interesit të përbashkët.