-Në Akademinë përkujtimore e në ceremoni mori pjesë edhe delagacioni i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës “Vatra”/
PRISHTINË, 17 Gusht 2016-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë, Behlul Jashari/Në Kosovë, në qytetin e Klinës, u bë sot zbulimi i Shtatores së dëshmorit Ndue Përlleshi në Sheshin me emrin tij, si dhe u mbajt Akademi përkujtimore në Qendra e Kulturës “Jehona e Dukagjinit”.
Në përkujdesje të kryetarit të Komunës së Klinës, Sokol Bashota, është mbajtur Akademi përkujtimore në të cilën kanë marrë pjesë personalitete të shumta të jetës politike, kulturore, shkencore e fetare. Pjesëmarrës ishte edhe delagacioni i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës “Vatra”, Agim Rexhaj – zv/kryetar, Marjan Cubi, i cili është edhe kryetar i Komisionit për mbledhjen e fondeve për ndërtimin e Katedrales “Nënë Tereza” në Prishtinë, si dhe vatranë të tjerë.
Në përcjelle të gardës ceremoniale të Forcave të Sigurisë së Kosovës, pas Akademisë përkujtimore në Qendrën e Kulturës “Jehona e Dukagjinit”, ceremonia ka vazhduar në sheshin “Ndue Përlleshi”, ku dhe u zbulua shtatorja e luftëtarit Ndue Përlleshi (1908-1949).
Me këtë rast u tha se, Klina i ka katër sheshe, ka katër personalitete me tre histori. Historia e Nënë Terezës, që njihet si nëna e gjithë botës, histori të përbashkët kanë edhe dy sheshe ai i Mujë Krasniqit e Faruk Elezit që i takojnë luftës së fundit të UÇK-së. Dhe, kjo shtatore këtu e luftëtarit Ndue Përlleshi. Nuk i kemi lënë në harresë në memorien e shqiptareve.
Ishte pikërisht periudha e viteve 1945 të shekullit të kaluar kur Kosova u la jashtë kufijëve të shtetit shqiptar, prandaj sakrifica e Ndue Përlleshit me bashkëluftëtarë ishte për t’ia bashkangjitur këto troje vendit amë.
“Qytetit të Klinës po i shtohet bukuria pas vendosjes së shtatores së një figure, e cila në momentet me të vështira të këtij vendi, kur po tradhtoheshin interesat e kauzës shqiptare, këta u vendosen në ballë të mbrojtës së këtyre interesave. Sakrifica e tyre ishte shembull për të gjithë ne më të rinjtë që ta vazhdojmë përpjekjen deri në çlirimin e vendit. Falë mbështetjes së gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës, falë angazhimit dhe sakrificës së djemëve dhe bijave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ne sot po e gëzojmë këtë ditë, por gjithmonë si institucione të këtij vendi jemi mirënjohës dhe borxhlinj për të gjithë ata të cilët kanë dhënë me të shtrenjtën e tyre, jetën për ketë ditë”, ka thënë kryetari i Klinës, Bashota.
Po ashtu, kryetari i Klinës, me një fjalë rasti u paraqit edhe në Akademinë e organizuar me ketë rast në Qendrën e Kulturës “Jehona e Dukagjinit”, ku poashtu vlerësoi lartë veprën dhe jetën e luftëtarit Ndue Përlleshi.
Me kumtesa u paraqiten prof.dr. Lush Culaj, prof.dr. Asllan Krasniqi dhe prof.dr. Muhamet Shatri. Familja Përlleshi ka falënderuar gjithë ata që kontribuuan në ngritjen e shtatores së Ndue Përlleshit, vendimin e të cilit e kishte mbështetur unanimisht edhe Kuvendi i Komunës së Klinës. Familja Përlleshi, një falënderim të veçante ka bërë për kryetarin Bashota në ngritjen e shtatores. Skulptori që e ka punuar ketë vepër është Ylber Krasniqi, bashkëluftëtar i komandant Mujë Krasniqit.
Në 13 korrik 2016 njoftohej se filluan punimet e Sheshit “Ndue Përlleshi”. Në vazhdën e shumë projekteve të Komunës së Klinës, filluan edhe punimet e ndërtimit të bazamentit të shtatorës së Ndue Përlleshit. Kryetari i Komunës së Klinës, Sokol Bashota, gjatë ceremonisë me atë rast tha se, ishte një ditë e veçantë për të gjithë fillimi i punimeve të Sheshit “Ndue Përlleshi”. “Ndue Përlleshi, është person i cili ka dhënë kontribut shumë të çmueshëm në lëvizjet kaçake të asaj kohe dhe ky shesh do të mbajë emrin e tij”, ka thënë Bashota dhe ka përshëndetur veçantë familjarët e Ndue Përlleshit, të cilët ishin prezentë në ceremoni.